E Premte, 03.29.2024, 12:35pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
 
TRADITA E FESTAVE TEK ARBËRESHËT E ITALISË - BISEDË ME ALBANOLOGEN ITALIANE GIOVANNA NANCI
E Enjte, 01.19.2012, 06:56pm (GMT+1)

 Në foto, Giovanna Nanci

19.01.2012 - Cilat janë festat kryesore të cilat kremtohen nga arbëreshët e Italisë? A gjejnë ende vend festat pagane në kalendarin e kremtave të tyre? Sa dallon mënyra e festimit nga italianët? Bisedë me albanologen Giovanna Nanci.

DW: Cilat janë festat kryesore të vitit të cilat kremtohen nga arbreshët e Italisë?

Nanci: "Njësoj si zakonat kalabreze dhe italiane, shumica e kremtimeve tek arbëreshet përputhen me kalendarin fetar, pra festat më të rëndësishme ndër arbëreshet janë Krishtlindjet dhe Pashkët. Dhe mënyra sesi festohen ato është shumë e ngjashme, ndërsa tradita arbëreshe dallohet thellësisht nga zakonet kalabreze për kremtimin e të vdekurve dhe për festen e Karnevalit. Pastaj vijnë festa të tjera të përbashkëta me traditën italiane, siç janë festat patronale, siç quhen, kur bëhen ceremoni religjioze dhe aktivitete zbavitëse nëpër katundet, zakonisht gjatë verës, kur shtëpitë e mbyllura gjatë vitit gjallërohen prapë me njerëzit të migruar që kthehen të vizitojnë familjen. Zakonisht vera është stina e preferuar edhe për të organizuar dasmat, të cilat kthehen shpeshherë në festë për të gjithë komunitetin."

DW: Dita e Verës për shembull është një festë pagane me origjinë të lashtë, ajo është festë arbëreshe e trashëguar kryesisht në jug të Shqipërise dhe festohet me 14 mars. A gjejnë ende vend festat e tilla në kalendarin e kremtave tek arbëreshet?

Nanci: "Po, ka edhe katunde ku ruhet kjo traditë. Pranvera e arbëreshëve e quajnë, dhe kjo festë krijon një atmosferë shumë të këndshme në katund, sepse grupet folkloristike mblidhen në shesh dhe realizojnë shfaqjet e tyre nëpër rrugët e katundit, me muzikë tradicionale, me vallet, me këngët e vjetra... i gjithë katundi merr pjesë në festimet dhe njerëzit dalin në rrugë dhe shtrojnë para shtëpive sofra të vogla, plot me ushqime tradicionale që ende i përgatisin gratë e katundeve, për t'u ofruar ndonjë gjë për të pirë e për të ngrënë atyre që kalojnë nëpër katund duke vallëzuar dhe duke kënduar, me veshjet e tyre të bukura tradicionale që admirohen nga të gjithë."

DW: Sa dallon mënyra e festimit të gëzimeve personale e familjare, siç janë psh. dasmat nga mënyra e festimit nga italianët apo kanë ngjashmëri më të madhe me mënyrën e festimit në Kosovë apo Shqipëri?

Nanci: "Sipas përvojës sime, italianët e jugut dhe shqiptarët kanë shumë ngjashmëri për sa u përket elementeve etno-psikologjike: në thelb na bashkon temperamenti mesdhetar, që na bën të jemi gazmorë, plot gjallëri dhe pasion, dhe ky karakter del në pah fuqimisht gjatë festave, kur njerëzit duan të kënaqen me miqtë dhe me familjen, duke ndarë me shoqërinë gëzimet personale dhe familjare. Gjatë festave mbizotëron atmosfera e gjallë dhe e këndshme, muzika dhe vallëzimet, humori dhe shakatë... brezat e ndryshme takohen dhe festojnë bashkë duke mbajtur zakone dhe doke tradicionale por edhe duke sjellë inovacion dhe modernitet."

DW: Po kur flitet për festat fetare?

Nanci: "Mua si italiane, më duket interesante mënyra sesi arbëreshët përkujtojnë të vdekurit, dy herë në vit, sipas kalendarin liturgjik bizantin. Një herë në ditën e shtunë para së dielës së parë të Karnevalit dhe herën tjetër të shtunën para Pendekostes. Dita e te vdekurve quhet "E shtuna e Shpirtrave", ose "Psikosabaton", sipas tradites greke. Në këtë ditë komuniteti ndjen shumë fort lidhjen me të vdekurit. Sipas besimit, në këtë periudhë të vitit, të vdekurit kthehen në jetë dhe rrinë me të gjallët tetë ditë, atëherë të afërmit u ofrojnë një sofër të pasur duke sjellë mbi varrezat ushqime të ndryshme dhe shishe vere. Pas tetë ditëve të vdekurit kthehen në botën e tyre. Në veçanti sipas traditës përgatitet diçka tradicionale që quhet PANAGJIJA , dmth. grurë i përvëluar në shenjë të rilindjes dhe të jetës së re, dhe kjo gjellë u ofrohet të vobektëve të katundit. Kjo është një traditë krejt e veçante që arbëreshët në Itali ende e ruajnë me përkushtim. - Një traditë tjetër shumë e posaçme te arbëreshët është kremtimi i ditës së martës pas Pashkëve. Thuhet se në këtë ditë arbëreshët kujtojnë fitoren e Skënderbeut mbi turqit që bie përafërsisht në të njëjtën periudhë, me 27 prill 1467. Për ta kremtuar këtë ngjarje historike që ka fituar edhe përmasa mitike në psikologjinë e tyre, arbëreshët lozin valle nëpër katundet e tyre që mbushen me vizitorë të huaj. Pra, grupe folkloristike vallëzojnë dhe këndojnë këngët tradicionale dhe kështu theksojnë me krenari historinë e tyre, rrënjët e tyre, identitetin e tyre. Në këtë shfaqje nuk ka ngjashmëri me traditën kalabreze."

DW: Giovanna, ti je njohëse e mirë e të dy kulturave, asaj italiane dhe shqiptare. Po të bëjmë një krahasim me Italianë, sipas mendimit tuaj a janë shqiptaret një komb që i japin rëndësinë e duhur kremtimit të festave?

Nanci: "Po, unë kam përshtypjen se shqiptarët përfitojnë nga rastet e festave për të kaluar momente të këndshme me familjen, me shoqërinë, me fisin. Shqiptarët u japin rëndësinë kremtimeve të festave sepse këto janë momentet kur ruajtja e disa traditave mban gjallë identitetin e tyre, pasi populli shqiptar është i shpërndarë në kombe të huaja të botës dhe duhet të veprojë çdo ditë kundër asimilimit dhe humbjes së veçorive tradicionale. Kremtimi i disa festave, për shembull, ka luajtur një rol të rëndësishëm tek arbëreshët e Italisë, sepse në këtë mënyrë traditat e lashta që përmendin rrënjët e thella të këtyre njerëzve u transmetojne brezave të reja, duke mbartur me vete elemente gjuhësore, gastronomike, folkloristike dhe kulturore të veçanta që u japin arbëreshëve një vend të posaçëm në mozaikun e identiteteve të ndryshme që bashkohen në trojet tona." (dw)

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
AKADEMI PËRKUJTIMORE ME RASTIN E 6 VJETORIT TË NDARJES NGA NE TË PRESIDENTIT DR. IBRAHIM RUGOVA (01.17.2012)
PËR MJESHTRIN BUJAR ALIAJ ARDHJA NË GJERMANI SI NJË FITORE NË LLOTARI (01.16.2012)
NË PRIZREN 191 PERSONA PARAQESIN KËRKESË PËR RI-INTEGRIM (01.15.2012)
PËRPARIM NË INTEGRIMIN E EMIGRANTËVE (01.14.2012)
RIINTEGRIMI, KRITER I PËRMBUSHUR? (01.13.2012)
"The Economist": "SHQIPTARËT E GREQISË PO KTHEHEN NË SHTËPI (01.13.2012)
AKSIDENT TRAGJIK NË ITALI, VDESIN 2 TË RINJ SHQIPTARË, 2 TË TJERË RËNDË (01.12.2012)
"MUND TË JETOJ NË ÇDO VEND TË BOTËS", PEDAGOGU ME BINDJE KOZMOPOLITE KLITON PLEQI (01.10.2012)
AKTORI I SUKSESSHËM GJERMANO-SHQIPTAR BLERIM DESTANI (01.08.2012)
MAQEDONI: INVESTIME PËRBALLË DUKURISË SË AZILKËRKUESVE (01.07.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 

 
VOAL
[Shko lart�]