VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

MBI 80% E GREKËVE TË ANKETUAR KANË MENDIM NEGATIV PËR EMIGRANTËT, TË LIGJSHËM DHE TË PALIGJSHËM


E Hënë, 04.09.2012, 05:56pm (GMT1)

80% e grekëve, perceptim negativ për emigrantët e huaj

ATHINE - Të frikësuar dhe të shqetësuar për praninë e shtuar të emigrantëve të huaj në vendin e tyre, shprehen qytetarët grekë, të cilët iu janë përgjigjur pyetjeve të anketës së organizuar nga kompania "Kapa Research", në emër të gazetës "Tribuna" të së dielës.



83.4% e të qytetarëve të pyetur e konsiderojnë shumë serioz problemin e emigracionit të paligjshëm në Greqi, ndërsa 79.3% ndihen të pasigurt, për shkak të dhunës që ndodh çdo ditë.

Përveç krimit, për shumicën e qytetarëve është duke shkaktuar shqetësim të madh dhe çështja e shëndetësisë. Qytetarët e pyetur bëjnë përgjegjës emigrantët klandestinë për sëmundjet infektive. 71.6% e konsideron të nevojshme pajisjen e emigrantëve me një çertifikate shëndetësore, pas ekzaminimit mjekësor.

Por nëse gjithë qytetarët grekë duken në harmoni për problemin në tërësi, 1 në 3 prej tyre mbetet skeptik sa iu përket zgjidhjeve të propozuara nga politikanët. 54.7% e konsiderojnë të nevojshëm krijimin e qendrave të grumbullimit për emigrantët e huaj.

Ky sondazh zhvillohet në kushtet, kur në Athinë dhe qytete të tjera të Greqisë, kanë nisur operacione "spastrimi" të emigrantëve të huaj klandestine dhe është marrë vendimi për ngritjen e 30 qendrave të pritjes dhe grumbullimit të tyre, para se të kthehen për në vendet e origjinës. Qendra e parë pritet të ngrihet pas festës së Pashkëve, ndërkohë që sipas ministrit të Mbrojtjes së Qytetarit, në Greqi jetojnë rreth 1 milionë emigrantë të paligjshëm. (bw)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.