VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

REFAT XH. RRUGAZEZI: HISTORIA E FEDERATËS VATRA XI2
E Hënë, 08.10.2009, 08:01am (GMT1)

 

REZOLLUTA: "Delegatët e Federatës Pan-Shqipëtare të Amerikës VATRA, të mbledhur në Kuvënt të Pazakontë në Winthrop Hall, Boston, vëndosnë me 4 Jenar (1919) t'u bëjnë një thirrje Guvernave t'Amerikës dhe të Fuqive Aliate për rivëndosjen e independencës mbretërore të Shqipërisë;

Për ndreqjen e kufive me një mënyrë që të hyjnë brënda krahinat fjesht e kryesht shqipëtare të cilat u çkëputnë padrejtësisht prej Konferencës së Londrës me 1913; fjala vjen

Malësit'e Hotit, Grudës, Plavës, Jakovës, Prizrenit, Mitrovicës, Prishtinës, Shkupit, Tetovës, Dibrës, Strugës, Ohrisë, Manastirit, Kosturit, dhe Krahinën e Çamërisë me qytetet e Prevezës dhe Janinës;

Për një Plebesitë në viset e përmëndura më sipër, i cili të bëhët pas zaptimit të këtyre vëndeve prej ushtrisë Amerikane që kështu të shigurohet çfaqja e lirë e dëshirave të ndenjësve; dhe Për qasjen e delegatëve Shqipëtarë në Kongres të Paqës për të shtruar dëshirat dhe kërkimet e kombit Shqipëtar para se të vëndoset fati i Shqipërisë."

 

Delegatet e atij kuvëndi me rëndesi, duke nisur nga Dega Nr. 1, Boston, Mass., dhe gjër të Dega Nr. 70, Barberton, Ohio, qenë këta:

Vasil Naso, Loni Kristo, Lazar Selenica, Kosta Issak, Ilo Pano, Pandi Vodica, Stathi Suli, Foqion Postoli, Paskal Aleksi, Arif Hiqmeti, Guri Filip, Muke Permeti, Vasil Bradvica, Mihal Kosmo, Kostaq Lepcishti, George Luarasi, Evan Elia, George Konda, Luka Trebicka, Xhevad Harxhi, Shaban Halil, Kosta Progri, Dhimitri Sido, Shefqet Frashëri, Thimi Hondro, Ligor Panajoti, Koço Grameno, Sulejman Hysen, Sotir Treska, Kost Hotova, Reis Asllan, Dr. Kondi, George Qafzezi, Ibrahim Bitincka, Kosta Pano, Qani Shehu, Luka Lasko, Hysen Leskoviku, Xhafer Starja, Isuf Maleshova, Anastas Pandeli, Nasi Aristidhi, Abas Kamenica, Sinan Lekdushi, Dennis J. Kambury dhe Isuf Vincani.

 

Çairmani u dha leje delegatëve të çfaqjin mendimet e tyre më parë se të mbyllte kuvendin. Me atë rast, shumë delegatë mbajtnë fjalë patriotike për independencen e plottë të Shqipërisë e cila ish e gjakosur, e djegur nga luftrat, e shtypur nga fqinjët, dhe me kufire të krasitura. Delegatet gjith'ashtu folën me emfaze për bashkimin e gjithë Shqipëtarëve t'Amerikës rreth Federatës VATRA, q'ashtu t'i bëhej ballë rezikut të Shqipërisë nga fqinjet e saj të cilet po i mprehjin thiket e tyre për t'i prerë kokën, se këmbet dhe krahet ja prenë duke i marë Kosovën dhe Çamërinë. Për fatin e zi të Shqipërisë, përçarja e Shqipëtarëve vazhdonte, dhe shpresa për bashkimin e tyre ish fare e pakët, sido që Shqipëria po jipte shpirt.

 

Për shëmbell, passi mori funt lufta e madhe n'Evropë dhe ish nevoja për punë kombëtare, Shqipëtarët e Shteteve Ohio, Michigan dhe Pennsylvania deshnë të bëjin një mbledhje dhe paradë të madhe n'Akron, Ohio. Po Kryekatundari ("the Mayor") nuk u dha leje të paradojin në ruget e qytetit. Shkaku? Ay tha: "Juve e kini flamurin të kuq, dhe populli do t'a marë për flamur të Bolshevikëve dhe ashtu do të ndizet shamata në rugët e qytetit"! Po s'qe ay shkaku, e vërteta është se vanë Grekët që i thanë kryeplakut të qytetit t'a ndalonte mbledhjen e Shqipëtarëve, dhe ay i dëgjoj për interesin e votave se ata ishin me shumicë n'atë qytet.

 

Pas asaj ngjarjeje, Shqipëtarët vanë në Pittsburgh, Pa., që e bënë mbledhjen edhe paradën e madhe. Atje gjetnë përkrahje nga disa zyrtarë të qytetit, dhe nga policia. Komisioni që pregatiti atë mbledhje ftoj Vatrën dhe "Partinë Politike" që të dërgojin përfaqesonjësit e tyre. Vatra dërgoj Kostë Çekrezin, dhe "Partia Politike" dërgoj Kristo Dakon.

Pas paradës, u-bë mbledhja në një sallë të madhë të një binaje të lartë të qytetit. Ishin në mbledhjen jo më pak se 1,000 Shqipëtare t'ardhur nga kollonira të ndryshme të shteteve që shënuam më sipër. Mbledhja vëndosi bërjen e një Rezollute që t'u dërgohej Fuqive të Mbëdha për të drejtat kombëtare të popullit shqipëtar. Rezolluta u-bë dhe u-pëlqye nga mbledhja, po duhej nënëshkruar edhe nga përfaqësonjësit e Vatrës dhe të "Partisë Politike."

 

Kristo Dakua refuzoj t'a nënëshkruante Rezollutën, ay thosh se "Vatra donte protektoratën e Italisë në Shqipëri", dhe s'desh të bashkëpunonte me përfaqësonjësin e saj Kostë Çekrezin. Dakua e bazonte akuzimin e tij në vajtjen e kryetarit të Vatrës Kol Tromarës nj'a dy herë në Washington që bashkoj ambassadorin e Italisë, po akuzimi i tij nuk u-vërtetua.

Populli u-mërzit nga ajo sjellje, dhe kërkonte nënëshkrimin e Rezollutës nga përfaqësonjësit e të dy organizatave. Ahere u-ngrit një Vatran i qojtur Ali Kuçi nga Tomorica e Beratit, një burrë i math gjashtë këmbë e ca i gjatë, qe u-vajti pranë tyrë dhe u-tha: "Jemi mbledhur sot këtu për një qellim të shëntë, për të kërkuar të drejtat dhe lirinë kombëtare të Shqipërisë. Tani, nënëshkruajeni atë Rezollutë se për këtë Flamur ju hodha të dyve jashtë nga penxherja"! Dhe e zuri Flamurin më dorë qe e puthi. Më në funt, passi shikuan penxheren që ish katër patoma lart nga ruga, u-bintnë të dy "kundërshtarët" dhe e nënëshkruan Rezollutën.

 

Kuvëndi i Vatrës u-hap të Dielen me 29 Shën-Ëndre 1918, dhe Kongresi i Durresit u-mbloth me 25 te muajit, katër ditë më parë. Nje nga organizatorët kryesorë t'atij Kongresi që delegati i Vatrës Mehmed Konitza, i cili bashkë me Myfit Be Libohovën vanë nga Roma në Durrës, të dërguar për atë qellim nga ministri italian i punëve të jashtme Baroni Sonino.

Mehmed Konitza lajmëroj Vatrën me kabllogram për formuarjën e guvernës provizore të Durrësit nëne kryesin' e Turhan Pashës. Me 25 Jenar 1919, Komisioni i Vatrës pati mbledhje. Mbledhja vazhdoj dy ditë, të parën u-kënduan disa telegrame të dërguar nga miq të huaj Filoshqipëtarë, dhe raportet e delegatëve të Vatrës n'Evropë dhe n'Amerikë. Gjith'ashtu u-këndua një kabllogram nga Turhan Pasha, kryetar' i qeverisë provizore të Durrësit. Në përgjigjjën që i ktheu Vatra, i zotohej se do t'i jipte përkrahjen e plottë qeverisë së tij.

Nga ana tjatër, Vatra falënderoj Guvernën Italiane për përkrahjen që i dha Kongresit të Durresit, dhe i lutesh qe t'i jipte përkrahjën qeverisë shqipëtare në Konferencën e Paqës për të fituar independencën e plottë të Shqipërisë.

 

Është fakt që vërtet guverna italiane e përkrahu bërjen e Kongrësit të Durrësit, po me dy zemera nga frika se munt të gjënte kundërshtime nga fqinjët e Shqipërisë. Po gjith'ashtu fakti është se guverna italiane një mot më von u-përpoq t'a ndalonte Kongresin e Lushnjes, po nuke mundi dot. Do të flasim shkurtazi mi këtë pike kur të vemi atje.

Në mbledhjen e dytë, të nesërmen me 26 të muajit, Komisioni vëndosi t'i dërgoheshin 5,000 dollarë delegatit të Vatrës Mehmed Konitzës në Romë. Gjith'ashtu n'atë mbledhje u-emërua Kostë Hotova si konferencier i Vatrës që dolli nëpër kollonitë shqipëtare t'Amerikës, për t'u dhënë dritë Vatranëve mi veperimet e Vatrës për çështjen shqipëtare.

 

Javën e fundit të Jenarit 1919, gazetat greke të New York-ut botuan një lajmë nga Athina që thosh se ushtëria greke hyri në Korçë, Permet, Delvinë, Frashër dhe vise të tjera te Shqipërisë së Jugës. Për atë shkak, u-thirr me telegram Komisioni i Vatrës në një mbledhje të posaçme me 30 të muajit që bisedoj mi sulmin e ri te Grekëve kundrë Shqipërisë, dhe se ç'munt të bënte Vatra n'atë krizë të re per Shqipërinë.

Më parë se të mblidhej Komisioni, Vatra hoqi një kabllogram në Romë dhe pyeti se ç'ish mendimi i guvernës italiane për rizaptimin e atyre viseve të Shqipërisë prej ushtërisë greke? Përgjigjia u-vonua, koha nuk priste dhe duheshin marë masat e nevojshme. Vonimi i përgjigjjes e vuri në dyshim Vatren dhe humbi besimin e saj në politikën e Italisë. Vatra desh të bënte qarje në Konferencën e Paqës në Paris kundrë Greqisë, po u-ndal shkaku se një protest i atilë munt të shkelte vëndimin e kuvendit të funtime që thosh se "duhet të jemi në mareveshje te mira me Qeverine Italiane." Me ne funt, passi e shoshiti miaft çështjen, Komisioni vëndosi që të thirrej Këshilla Kombëtare në një mbledhje te posaçme për t'i dhënë funt atij problemi. Mbledhja e Këshilles u-vëndos të mbahej të Martën me 4 Shkurt, pesë ditë pas mbledhjes së Komisionit.  (vijon me VDEKJA E ISMAIL QEMALIT DHE ZHVILLIME NË NGJARJET KOMBËTARE)
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.