VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Kronikë besnike e idealizmit të kulluar shqiptar

Nga Skënder Buçpapaj


E Hënë, 08.10.2009, 03:17pm (GMT1)

 

 

 

Rreth dy vjet më parë miku dhe kolegu Bejtullah Destani na e dërgonte për botim në gazetën e përditshme librin në përgatitje "Historia e Federatës Vatra", me autor Refat Xh. Gurrazezin.

 

Libri paraprihej nga një parathënie e zotëri Anton Çefës, drejtor i "Diellit" dhe përcillej nga një pasthënie e zotëri Idriz Lamajt, gazetar i mirënjohur, intelektual me interesa të gjera, një nga njohësit më të thellë të diasporës shqiptare në Amerikë.

 

Autori është një nga vatranët e mirëfilltë të formuar në frymën e shqiptarëve të mëdhenj që e themeluan dhe e drejtuan këtë lëvizje. Pasues të mirëfilltë të patriotizmit rilindës, ata, ndonëse nga aq larg, nga përtej oqeanit, do të ishin rrënjët e shëndosha të shtetit modern shqiptar që dilte nga zgjedha otomane dhe niste rrugën e tij të mëvetësimit, të konsolidimit dhe të përparimit. Ata, falë fatit të mërgimtarëve të përtejoqeanit, do të ishin rrënjët e shëndosha të miqësisë me kombin amerikan.

 

Pa përgatitje përkatëse të njeriut të letrave, pa komoditet minimal shkrimi, në kushte tejet modeste jetese, Refat  Xh. Rrugazezi merrte përsipër përmbushjen e amanetit të vatranëve të mëdhenj dhe të përpilonte këtë kronikë. Pa asnjë kontratë botuesit, pa asnjë mëtim shpërblimi, ai përmbush amanetin në mënyrën më të ndershme dhe besnike, me një respekt të shenjtë ndaj fakteve.

 

Ashtu si çdo sakrificë e tillë e vatranëve, pasuesve të mëdhenj të Rilindjes sonë Kombëtare, tashmë në versionin e saj të terrenit amerikan, ashtu si çdo faqe e fletë, si çdo kapitull i kësaj tradite të pashoqe, edhe ky libër është pjesë e idealizmit të kulluar shqiptar, pa të cilët Shekulli XX do të na kishte përpirë pa shenjë e pa gjurmë.

 

Kjo vepër është pjesë e atij shembulli të pakundërshtueshëm se pa idealizmin e kulluar as vizionariteti më pragmatik nuk mund të ketë as suksesin më të vogël. Këto dy anë të të njëjtës medalje përbëjnë vatrizmin, përbëjnë kulmin e shqiptarizmit.

 

Duke lexuar librin "Historia e Federatës Vatra" patjetër do të nxjerrësh mesazhin se një lëvizje e tillë me një rol kaq të madh në historinë tonë kombëtare nuk mund të mos ketë vazhdimësinë e saj të pandërprerë, sado trillan të jetë fati i saj, sado të kalkuluara të jenë sfidat ndaj saj.

 

Vatra ka ndërtuar modelin e marrëdhënieve të diasporës shqiptare me Atdheun, modelin e rolit të diasporës shqiptare në lëvizjet kombëtare në Atdhe e jashtë Atdheut, modelin e pjesëmarrjes së diasporës shqiptare në jetën e Atdheut të prejardhjes dhe të Atdheut pritës.

Ky model, i ndërtuar në kushtet ideale si ato të Amerikës, do të ketë zbatueshmërinë e tij në kushte të tjera të Perëndimit dhe të Lindjes, kudo që ndodhet shqiptari, vetmitar a në kolektivitet të organizuar, nëpër botë.

 

Një galeri e lakmueshme personazhesh mbush faqet e librit "Historia e Federatës Vatra" e Refat Xh. Rrugazezit; njerëz fatesh të ndryshme, me dhe pa shkollë, të tjerë të shkolluar në anë të ndryshme të botës, kishin të përbashkët rrënjët plot vlagë Atdheu, me të cilat do të nguleshin në Amerikën e sapozbuluar prej tyre. Një thesar faktesh historike që nuk mund të shpërfillen prej asnjërit që bën objekt diasporën shqiptare dhe pjesën e saj më të vetëdijshme, majën më të lartë, Federatën Vatra.

 

Rreth dy vjet më parë librin "Historia e Federatës Vatra" e botonim në tridhjet numra gazete rresht. Tash po botojmë këtu, me aparat botues pothuaj të njëjtë.
Skënder Buçpapaj


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.