VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

GREQI, LIGJE MË TË ASHPRA PËR KRIMET E EMIGRANTËVE KLANDESTINË

E Mërkurë, 09.19.2012, 03:31pm (GMT1)


Me urdhër të kryeministrit Antonis Samaras, në Greqi do të promovohet legjislacion të ri, për të adresuar krimet e emigrantëve të paligjshëm.

Kryeministri ka urdhëruar që Ministria e Drejtësisë të bëjë një rregullim të tillë të ligjit, që kur emigrantët kandestinë janë autorë të veprave penale si përdhunim, kontrabandë, falsifikim, prostitucion etj, hyrja e paligjshme në vend, të perceptohet si një rrethanë rënduese.

Qëllimi i rregullores është ballafaqimi më i rreptë me ligjin, i emigrantëve të paligjshëm dhe parandalimi i hyrjes së tyre me anë të shtrëngimit të Kodit Penal.

Gjithashtu dje është zhvilluar një takim ndërministror për menaxhimin e një fluksi të mundshëm masiv të refugjatëve nga Siria, në kushtet e konfliktit atje, ku merrnin pjesë ministri i Mbrojtjes, i Rendit dhe i Detarisë, si dhe drejtues të policisë. Ministrat Panos Panajotopulos, Nikos Dendias dhe Kostis Musurulis theksuan se situata kritike që mbizotëron në Siri drejton jashtë kufirit të saj shumë qytetarë sirianë, duke rritur numrin e emigrantëve klandestinë në kufijtë detarë të Greqisë, të cilët përpiqen për të hyrë në vend. Në takim u diskutua plani i quajtur "ION", i cili është përgatitur nga Ministria e Mbrojtjes. Plani u miratua nga kryeministri Antonis Samaras, i cili dha urdhër të specifikohen detajet për zbatimin e menjëhershëm të tij.

Pozicioni gjeografik i Greqisë e ka bërë atë, një vend ku futen thuajse çdo ditë një numër i madh emigrantësh klandestinë nga vendet e Afrikës, Lindjes së mesme etj, të cilët kanë qëllim të kalojnë nga Greqia në vende të tjera të BE. Së fundi në Greqi u zhvillua operacioni "Ksenios Zeus", për identifikimin dhe kapjen e klandestinëve, i cili e uli në një farë mase numrin e tyre, por dukuria mbetet shqetësuese.

Ministri i Mbrojtjes, Panos Panajotopulos tha se Greqia do t'iu përgjigjet detyrimeve të veta që burojnë nga karta e OKB-së dhe konventat ndërkombëtare. Ai shtoi se vendimi i parë i qeverisë është të zbrapsë valën e emigracionit klandestin që tenton të hyjë në Greqi, nëpërmjet kufijve detarë.

Ministri i Rendit dhe Mbrojtjes së Qytetarit, Nikos Dendias, tha se në takim u diskutua mbi planin operativ "Ion", që ka të bëjë me përballimin e flukseve të mundshme të refugjatëve për shkak të krizës në Siri.

"Emigracioni klandestin është një problem mbareuropian dhe si i tillë duhet të përballohet. Është një problem që vendi ynë, për fat të keq, nuk mund ta përballojë i vetëm", deklaroi ministri i Detarisë dhe Egjeut, Kostis Musurulis.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.