VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ROBERTI I 'AGIMIT TË ARTË': DERI NË VDEKJE PËR VORIO EPIRIN

E Premte, 09.21.2012, 10:31am (GMT1)




GREQI - Do të çuditeshit po të mësonit se në radhët e "Agimit të Artë" në Greqi, militon edhe një njeri që ka lindur në Shqipëri?

Ai quhet Robert dhe ka zgjedhur të sqarojë pozicionin e tij duke replikuar me lexuesit e blogjeve, të cilët e akuzojnë se është "shqiptar".

Në sqarimin e tij, Roberti tregon për prejardhjen, fëmijërinë dhe rininë e tij dhe për arsyen përse u largua nga Shqipëria drejt Greqisë, ku ka dashur të pagëzohet sërish, por nuk ka mundur.

"Emri im është Robert, jam biri i Thomait dhe Athinasë, nipi i Antonit dhe Sotirës dhe stërnip i Aristidhit dhe Penelopës. Kam lindur në Sarandë dhe u rrita në fshatin Lukovë të Himarës, një vend i Epirit me një histori 4000-vjeçare", - shkruan Roberti. "Kur isha në moshën 1-vjeçare u pagëzova me këtë emër dhe kur shkova në Greqi kërkova të pagëzohesha përsëri, por Gerasimos, ati im shpirtëror në Agrinio, që më njeh shumë mirë mua dhe familjen time, më tha se nuk lejohet pagëzimi i dytë. Kam marrë pjesë në kampionatin e peshëngritjes në nivel profesional, kam studiuar dhe kam 2 diploma universiteti për Agronomi dhe Fizkulturë dhe kam punuar si mësues në Delvinë. Kur në Shqipëri sundonte regjimi komunist, kërkova azil politik në Greqi me pretendimin se "jam armik i regjimit komunist në Shqipëri". Në vitin 1991 u martova në ishën e Shën Kristoforit në Agrinio.

Gruaja ime është greke nga Agrinio dhe ka një biznes, që në moshën 20-vjeçare. Në Shqipëri mediat më kanë akuzuar si nacionalist grek dhe tani papritmas në Greqi akuzohem si shqiptar. Ata që më akuzojnë mua, janë ata që shiten Vorioepirin te shqip-tarët, ata që nuk respektojnë protokollin e Korfuzit të vitit 1914 dhe që nuk e tregojnë kurrë fytyrën e tyre. Unë jam Vorioepirot dhe do të luftoj për vendin tim deri në vdekje".

Kështu e përfundon deklaratën e tij Roberti, i cili ka postuar gjithashtu edhe një foto të tij, me një bluzë ku është stampuar një kryq i madh i thyer, simbol i Hitlerit, të cilin simpatizantët e "Agimit të Artë" e kanë udhëheqës shpirtëror.

"Agimi i Artë" ka në programin e vet një "Greqi të pastër" dhe të huajt janë armiqtë e tyre më të betuar. "Agimi i Artë" privon të huajt nga ndihmat ushqimore që shpërndan për personat në nevojë, nga gjaku që dhuron nëpër spitale dhe ç'është më e keqja i dhunon ata fizikisht dhe psikologjikisht dhe vetëm ditët e fundit qeveria greke u vu në lëvizje duke urdhëruar arrestime, qoftë edhe të deputetëve të kësaj partie në rast të dhunës raciste.


www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.