VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KRIZA EKONOMIKE - GREQIA ÇMONTON ANIJE DHE TËRHEQ AEROPLANË

E Shtunë, 09.22.2012, 06:27pm (GMT1)


517 milionë € aspiron të shpëtojë Greqia me shkurtimet drastike në fushën e Mbrojtjes, një nga fushat, të cilës Athina i ka kushtuar vëmendje të madhe dhe shpenzime marramendëse, sidomos për shkak të raporteve të tensionuara me Turqinë.

Sipas gazetës greke Proto Thema, ministria greke e Mbrojtjes ka vendosur të mbyllë 55 reparte ushtarake, 15 qendra të rekrutëve, madje edhe të tërheqë 47 aeroplanë të tipit A7 Corsair dhe RF4, 11 luftanije, ndër të cilat 2 fregata, 3 minalëshues, një çisternë dhe 400 tanke të tipit M48 dhe M60. Zyrtarët e Mbrojtjes thonë se nga tërheqja e avionëve dhe anijeve të vjetra, do të fitohen shuma drastike.

Me vendim të Ministrit të Mbrojtjes Panos Panajotopulos, hiqen plotësisht programet e armatimit me vlerë 104 milionë euro. Në shkurtimet operative me vlerë 80 milionë euro, përfshihen mbyllja e reparteve dhe kampeve, të cilat së bashku me pronat e Ministrisë së Mbrojtjes do të përdoren nga shteti për rritjen e të ardhurave.

Do të reduktohet gjithashtu numri i studentëve të regjistruar në shkollat e Forcave të Armatosura me 30% dhe i oficerëve, ulje që do të rezultojë në kursime të konsiderueshme për 40 vitet e ardhshme. Në paketën e kursimeve përfshihet edhe ulja e pagave të ushtarakëve dhe atyre në pension, e vendosur tashmë. Ministria thotë se shkurtimet kursejnë plot 2 miliardë euro krahasuar me buxhetin e vitit 2009.

Sipas zyrtarëve, këto shkurtime nuk prekin nivelin e lartë të aftësisë parandaluese dhe efektivitetin luftarak të forcave të armatosura greke.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.