Në Nju Jork funksionon tashmë një zyrë që pajis shtetasit shqiptarë me
pasaporta biometrike. Zyra u përurua të enjten nga Presidenti i Shqipërisë,
Bujar Nishani dhe do t'u shërbejë shqiptarëve në të gjithë Shtetet e Bashkuara,
por edhe në Kanada.
Shërbimi i ri për pajisjen me pasaporta biometrike të shtetasve shqiptarë që
jetojnë në Amerikë duket se do t'i lehtësojë më tej problemet e tyre të
udhëtimit dhe nevojat e tjera.
Komuniteti e ka pritur mirë hapjen e zyrës, thotë Dritan Mishto, Konsull i
Përgjithshëm i Shqipërisë në Nju Jork, sepse janë shumë ata që kanë nevojë për
pasaportë biometrike.
"Ka shtetas shqiptarë që janë në procesin e legalizimit dhe që kërkojnë të kenë
një dokument shqiptar të vlefshëm për të vazhduar procedurat, ka të tjerë që
duhet të kenë një dokument për martesë, ka studentë të cilëve u ka skaduar
pasaporta".
Zoti Mishto e quan hapjen e zyrës një ndërmarrje serioze të qeverisë shqiptare,
për t'i lehtësuar jetën sado pak shtetasve shqiptarë që jetojnë në Shtetet e
Bashkuara.
Gjatë intervistës, megjithëse ishte mbrëmje, disa njerëz telefonuan për të
kërkuar informacion se si mund të merrnin pasaportë.
Zoti Mishto thotë se procedura është shumë e thjeshtë dhe bëhet në pak minuta,
por njerëzit duhet të paraqiten në zyrë personalisht, për t'u marrë shenjat e
gishtrinjve, sepse dokumentat janë të një cilësie të lartë.
"Procesi zgjat mesatarisht 5 deri në 10 minuta. Merret fotoja dixhitale,
nënshkrimi elektronik i personit, gjurmët e gishtrinjve. Të gjitha këto të
dhëna futen në databazën e gjendjes civile, çka është modernizuar. Kjo bën të
mund që të dhënat e qytetarëve shqiptarë të depozitohen në regjistrin tonë
kombëtar të gjendjes civile".
Është e vështirë të japësh një shifër qoftë edhe të përafërt se sa shqiptarë
jetojnë në Shtetet e Bashkuara, por zoti Mishto mendon se numri i tyre është i
madh:
"Nga të dhënat që kemi si konsullatë, në SHBA mund të jenë afro 850 deri në 900
mijë shqiptarë nga të gjitha trojet. Ndërsa shtetas të Shqipërisë mund të jenë
rreth 200 mijë".
"Përqendrimi më i madh është në Nju Jork, në zonën Nju Jork-Nju Xhersi dhe
Konektikat, por komuniteti ka një veçanti shumë pozitive. Ai është i bashkuar
dhe shoqatat klubet, organizatat e ndryshme kanë shqiptarë nga të gjitha
trevat, pra nuk ka një ndarje krahinore. Kjo vjen ndoshta si rezultat i frymës
amerikane ku të gjithë ndiehen bashkë, pavarësisht shteteve nga vijnë apo
racave që u përkasin."
Ky është një komunitet i gjallë, që bën shumë përpjekje për të ruajtur traditat
dhe sidomos gjuhën.
"Në qoftë se gjuha shqipe është ruajtur, mund të them se është ruajtur pak nga
fati dhe shumë nga përpjekja e popullit tonë. Të njëjtën gjë shoh edhe këtu.
Është ai shpirti i mësuesve, i komunitetit për t'a transmetuar gjuhën te
fëmijët. Kjo është diçka që meriton shumë respekt dhe na bën të ndiehemi mirë."
Këta njerëz që bëjnë përpjekje për të ruajtur traditat dhe gjuhën, kanë nevojë
të ndihen edhe fizikisht të lidhur me vendin amë. Një arsye më shumë që ata të
aplikojnë për pasaportë biometrike.
"Me Shtetet e Bashkuara ekziston parimi i dyshtetësisë, pra shqiptarëve që kanë
pasaportë amerikane u lejohet të mbajnë edhe shtetësinë shqiptare. Shumë nga
aplikantët, përveç atyre të cilëve pasaporta shqiptare u nevojitet për të
lëvizur, duan ta marrin pasaportën nga krenaria, nga kënaqësia që ndjejnë kur
kanë dokumentin shqiptar", thotë Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë, Dritan
Mishto.