VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Paralajmërohet nënshkrimi i marrëveshjes me disa vende të BE për riatdhesimin e kosovarëve
E Shtunë, 09.05.2009, 11:30am (GMT1)

 

 

 

Qeveria e Kosovës pret që vitin e ardhshëm të nënshkruajë marrëveshje me disa nga shtetet e BE-së për riatdhesimin e Kosovarëve të cilët nuk e kanë të rregulluar atje statusin e tyre. Ky është edhe obligimi që ka Kosova si shtet, dhe tashmë qeveria ka mandatuar Ministrinë e Punëve të Brendshme që të koordinojë procesin e riatdhesimit, duke hartuar dokumentet strategjike. Implementimi për riatdhesim do të bëhet gradualisht, nga Zvicra, Gjermania, Belgjika, dhe Norvegjia.

 

"Ne vazhdimisht gjatë këtyre viteve kemi riatdhesuar shtetas të Republikës së Kosovës të cilët nuk kanë pasur të rregulluar statusin e tyre në vendet e BE-së. Mesatarisht kemi riatdhesuar rreth katër mijë qytetarë, krejt çka bëjmë tani, është t`i formalizojmë këto procedura që janë ekzistuese në formën e marrëveshjeve të riatdhesimit", ka sqaruar Fisnik Rexhepi, këshilltar politik i ministrit të Brendshëm, Zenun Pajaziti

Sipas Rexhepit, me interesimin për nënshkrimin e marrëveshjeve për riatdhesim, Kosova është duke u dëshmuar si partner i besueshëm i vendeve të BE-së, dhe kjo padyshim se do të përshpejtojë çështjen e liberalizimit të vizave.

"Procesi i riatdhesimit, apo nënshkrimi marrëveshjes për riatdhesim, është një prej kritereve kryesore për liberalizimin e vizave. Në këtë drejtim kemi marrë hapat e parë në hartimin e dokumenteve strategjike", ka thënë Rexhepi.

Por, riatdhesimi i Kosovarëve kërkon edhe riintegrimin e tyre në jetën e këtushme, ndërsa, një problem tjetër është edhe shkalla e lartë e papunësisë, që mund të krijojë probleme për të kthyerit.

"Riintegrimi i tyre vazhdon, dhe, prapë po them, Ministria jonë është një faktor shumë relevant për integrimin e tyre, sepse i informon qytetarët se cilat janë të drejtat e tyre në sferën e arsimit, shëndetësisë, mirëqenies sociale, pensioneve, rregullimit të dokumentacionit, me një broshurë që u jepet në aeroport secilit", ka sqaruar Muhamet Gjocaj, drejtor i Departamentit të Mirëqenies Sociale në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Sipas planit për veprim dhe strategjisë së Qeverisë së Kosovës, numri i personave që pritet të riatdhesohen në Kosovë sillet nga 3, deri 5 mijë persona. RTK

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.