VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Publikohet strategjia kombëtare për parandalimin e emigracionit ilegal
E Mërkurë, 11.04.2009, 06:48pm (GMT1)

 

 

Sot është publikuar dokumenti "Strategjia Kombëtare e Republikës së Kosovës për Migracion dhe Plani i Veprimit 2009-2012", i cili është miratuar nga qeveria, ndërsa pritet të implementohet

 

Ministria e Punëve të Brendshme organizoi takimin punues për zbatimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit për Migracion të aprovuar nga Qeveria e Kosovës. Ne këtë takim morën pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Gjergj Dedaj, përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Ministria e Jashtme, Ministria e Brendshme dhe zyrtarë të tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Ministri i Punëve të Brendshme ka shprehur shqetësimin e tij se përkundër përpjekjeve dhe procesit shumë pozitiv të shtet-ndërtimit, ende ka raste të migrimit ilegal me fatalitet. Mirëpo pavarësisht kësaj, Pajaziti tha se Kosova po hyn në një proces të obligimeve në përmbushjen e kritereve dhe standardeve të BE-së.

Ministri Pajaziti tha se strategjia për parandalimin e migrimit ilegal është në kuadër të politikave të Qeverisë së Kosovës dhe një ndër kriteret e rëndësishme sa i përket liberalizimit të vizave. Sipas Pajazitit me këtë strategji tregohet një sinjal pozitiv për qytetarët dhe BE-në se është duke u punuar seriozisht në kuadër të rekomandimeve të BE-së.

Ministri i Brendshëm tha se për të parandaluar emigracionin ilegal duhet të punohet bashkërisht në shumë segmente nga shumë institucione.

Vizioni i Strategjisë Kombëtare të Migracionit, është parandalimi dhe zvogëlimi i të gjitha formave të migrimit ilegal, si dhe promovimi i migrimit legal dhe qarkor, përmes zhvillimit të mekanizmave ligjor dhe institucional.

Misioni i kësaj strategjie është për të përcaktuar objektivat strategjike, objektivat specifike dhe aktivitetet për parandalimin e të gjitha formave të migrimit ilegal dhe të rregullt, si dhe për të harmonizuar veprimet kombëtare, ndërkombëtare dhe ndërinstitucionale për arritjen e objektivave të përcaktuara në strategji.


Ndërsa zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Gjergj Dedaj, tha se çështja e migrimit është një problem tepër serioz, tash e një kohë të gjatë për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe ka një histori mjaft të prekshme.

"Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale duke mbështetur përkushtimin shumë serioz të Qeverisë së Republikës së Kosovës që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, jemi duke bërë apel që duhet të zgjidhet ky problem, t'i japim një përgjigje adekuate çështjes së migrimit dhe në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale kemi formuar edhe zyre për çështje të migrimit dhe aty evidencohen të gjitha ato preokupime të qytetarëve, por edhe vendosja e kthimit të qytetarëve në vendin e origjinës", theksoi ndër të tjera zëvendësministri Gjergj Dedaj.

Në këtë takim folën edhe përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe Ministria e Jashtme.

 

(http://www.rtklive.com)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.