VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NJË FSHAT I VLORËS SHPËRNGULUR NË TORINO

E Hënë, 03.10.2014, 04:23pm (GMT1)


Astriti është një 35 vjeçar nga fshati Romës, 40 km në lindje të qytetit të Vlorës. Prej 18 vjetësh jeton e punon në Torino(Itali), ku ka qenë një ndër emigrantët e parë. "Isha mes 10-15 vlonjatëve të parë që mbërrita në Torino, në vitin 1991", thotë ai paksa me humor. Gjatë kësaj periudhe ka kryer punë të ndryshme dhe, prej pak vjetësh ka krijuar një firmë të vogël me 5-6 punëtorë. Merr përsipër realizimin e proceseve të ndryshme në sektorin e ndërtimit, në riparim e përshtatje banesash etj, së bashku me punëtorët e vet, që janë të gjithë nga fshati i tij.

Astriti nuk është i vetmi emigrant nga fshati Romës, që jeton e punon në qytetin e veriut të Italisë. Madje, as punëtorët e firmës që ai drejton nuk janë të vetmit. Më shumë se 300 banorë të këtij fshati, të të gjitha grupmoshave, prej vitesh janë bërë qytetarë të Torinos, ku jetojnë në përputhje të plotë me të gjitha rregullat e shtetit italian.

Emigrimi i "romsiotëve" drejt këtij qyteti ngjason me një reaksion "zinxhir". Grupi i parë prej 6 emigrantësh nga ky fshat, që mbërriti në Torino në vitin 1991, shërbeu si një bërthamë për atë që do të ndodhte më pas. Çdokush prej tyre tërhoqi pas vetes, bashkëshorten, vëllanë, motrën, të afërmin, shokun... Ky ritual përsëritej dhe secili prej emigrantëve të mbërritur rishtaz, kryente të njëjtën gjë, si një detyrim ndaj fshatit(!)

Sot, pas 23 vjetësh, në fshatin Romës, kanë mbetur shumë pak banorë, kryesisht të moshuar dhe fëmijë. Pjesa më e madhe, rreth 75 përqind e banorëve, kanë krijuar një komunitet të konsoliduar në qytetin e njohur italian. Me humor ata shprehen se, fshati i tyre është...emigrant në Torino!./atsh
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.