VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SHTETI SHQIPTAR - NJË SHTET I SPECIALIZUAR PËR TË HESHTUR
Nga PJETËR ZEFI, emigrant Greqi

E Djelë, 03.30.2014, 01:54pm (GMT1)



Është shumë e vështirë të pozicionohesh për incidentin e ndodhur në burgun e Malandrinos. Unë personalisht jetoj në Greqi prej më shumë se 20 vjetësh. Dhe nuk është se kam kaluar keq këtu qoftë edhe sa i përket bashkëjetesës. Por mbas arratisjes, në fund vitin e kaluar, shqiptarëve nga burgu i Trikallës, gjërat kanë ndryshuar. Kanë ndryshuar sepse ka nisur të bjerë në sy se vrasjet e të dënuarve apo të arratisurve shqiptarë, nga ana e autoriteteve greke, është bërë, ose është kthyer gati në një lloj gjakmarrjeje.

Kemi vrasjen e parë që masakruan në mes të rrugsës dajën dhe nipi. Të dy ata u vranë me mbi 30 plumba në kokë. Çfarë ndodhi? Shteti shqiptar thjesht heshti.

Pastaj erdhi vrasja e Marjan Kolës. Shteti shqiptar edhe njëherë heshti. Më tej akoma, vrasja barbare e vëllezërve peshkatarë që u vranë për rrjetat e peshkatarëve grekë. Edhe njëherë tjetër shteti shqiptar heshti. Janë disa raste pra që ka akte ekstreme, apo pasoja fatale dhe shteti shqiptar as nuk lëviz gishtin për shtetasit e vet.

Ky rast i fundit duhet t'i ndryshojë gjërat. Duhet ta bëjë shtetin shqiptar që të ndërhyjë dhe të kërkojë që për të gjithë shqiptarët të ketë një trajtim më të kujdesshëm dhe të respektohen të drejtat themelore të njeriut. Ka shumë mendime nga njerëzit lidhur me këto që po ndodhin. Përsa i përket disave që i ndajnë njerëzit sipas komenteve, në grekë dhe patriotë, unë u them atyre që hiqen si patriotë dhe trima, të mos flasin pas kompjuterit si trima e si patriotë dhe as si shqiptarë.

Kush është burrë të rrokë armën e të vijë të hakmerret, se jo për gjë po ua thotë edhe himni kombëtar. Ka edhe shumë paragjykime ndaj grekëve me thënë të drejtën. Me këtë rast unë dua të them se nuk pranoj nga asnjë kosovar të më thotë grek, sepse unë personalisht do ta përkrahja një grek të pafajshëm, i cili është viktimë e një shqiptari të pandërgjegjshëm. Është e vërtetë se ne shqiptarëve në Greqi, shteti grek na trajton shumë herë më mirë se shteti shqiptar, por kjo nuk do të thotë se unë pajtohem me këto incidente kaq të rënda.

PJETËR ZEFI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.