VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - KLEDI KADIU - NË TIRANË DO TË KËRCEJ ME MUZIKË KABA (Intervistë)

                                                                                      

E Shtunë, 04.20.2024, 03:56am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
 
KLEDI KADIU - NË TIRANË DO TË KËRCEJ ME MUZIKË KABA (Intervistë)

E Shtunë, 04.19.2014, 08:37am (GMT+1)



TIRANË - "Mos harro, kjo solo, është e bazuar në vuajtje. Atë duhet të shprehë, vuajtjen, kjaj". Gentian Doda, i drejtohet me këto fjalë Kledi Kadiut, ndërkohë që bëjnë prova me muzikë kaba në sfond, për të vënë në skenë, "Hera e parë". Soloja e balerinit titullohet "Kjaj" dhe e ka marrë me shumë emocion, i duhet të vajtojë me gjuhën e trupit, i duhet ta kërcejë vuajtjen pa zë, nga një cep i skenës në një tjetër. Kledi, na tregon në ipad, dokumentarin e bërë për shfaqjen e dhënë në nëntor në Romë. Dy telefonat i tringëllijnë orë e çast, gjersa ai vendos ti urdhërojë të heshtin. Kushdo që ka pasur rastin ta takojë e di që Kadiu është shumë i thjeshtë.

Ashtu sikundër miqtë e tij, artistë të njohur Saimir Pirgu e Gëzim Myshketa, ka një lirshmëri, thjeshtësi në komunikim e në sjellje, saqë për ndonjë çast e harron, se përballë është artisti që ngre salla teatrosh në këmbë, që ka bërë për vete me art, e jo me paçavure, elita shtetesh. (Mbase, kjo është një veçori e atyre që janë në paqe me veten, përkundrejt atyre që me të parën dritë suksesi periferike, kompleksohen e harrojnë të jenë më së pari njerëz). Nuk të lë të pish cigare, e ka zët, dhe kur e pyet për alkoolin thotë se nuk ka marrëdhënie të mira me të, edhe pse e takon në raste të rralla kur është me shokët. Ka një album të pafund fotosh, nga skenat, prapaskenat, takimet, interpretimet, rolet, e përkrah tyre, një arkiv kujtimesh. Veçse, ideja e bisedës do të sillet në një tjetër anë. Më 5 maj, ora 20:00, 13 balerinë me emër, do të mbajnë publikun shqiptar të mbërthyer për rreth një orë, në një gala me pjesë kontemporane, moderne e klasike baleti.

Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, mbledh bijtë e shpërndarë, që nuk kanë harruar ku e kanë nisur rrugëtimin. E në fakt, ky ka qenë qëllimi i nismës, të kthehen aty ku i mësuan hapat. Nën drejtimin artistik të Gentian Dodës, balerinët shqiptarë ndër më të famshmit në botë, Anbeta Toromani, Kledi Kadiu, Erjon Kruja, Brigel Gjoka, Hektor Budlla, Leart Duraku, Rezart Stafa, Dorian Grori, e miqtë e tyre Claudia Veçhi, Beatriz Uhalte Cisneros, Alessandro Macario do të sjellin në skenë pjesët e tyre më të arrira. Shfaqja vjen në Shqipëri me mbështetjen e mnistrisë së Kulturës dhe asaj të Jashtme. Kadiu, tregon si nisi dhe si po vjen në Tiranë kjo gala.


Ju dhe Anbeta Toromani keni organizuar rikthimin në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, të disa prej balerinëve më të suksesshëm shqiptarë në botë në një gala që ka marrë emrin "Hera e parë". Si ia dolët ti bashkonit të gjithë, ata ku kërcyen për herë të parë?
Më 9 dhjetor 2013 në shfaqjen e dhamë në Romë. Dëshira ishte që ne ta bënim në Tiranë, por gjetja e kohës së lirë për shumë kolegë nuk qe e mundur, ndaj u bë atje sepse shumë prej balerinëve të njohur jetojnë në Itali. Siç e ka thënë edhe Anbeta, ne dëshironim që sa jemi ende në formë, të mblidheshim të gjithë bashkë, aty ku ja nisëm, ku hodhëm hapat e parë. Qe një ëndërr. Ne jemi vetëm disa nga balerinët që jetojnë nëpër botë, sepse balerinë shqiptarë ka shumë, vetëm në Greqi ka 12, por është e pamundur ti mbledhësh të gjithë.

Kjo shfaqje u bë nën drejtimin artistik të Genti Dodës dhe kjo qe formula që zgjodhëm për këtë herë. Janë thirrur edhe balerinë të tjerë, por nuk e kishin të mundur për shkak të kohës të ishin të pranishëm dhe shfaqja u organizua me disa balerinë. Edhe në Tiranë do të vijë e njëjta strukturë.

Gentian Doda, është një emër që shumë vlerësohet por pak njihet në Tiranë. Si u lidhët ju me të?
Është një njeri jashtëzakonisht shumë frymëzues dhe shumë i talentuar. Ka mbaruar shkollën e baletit, dhe për një kohë të gjatë ka qenë në Baku (Azerbajxhan) ku është sot prof. Pëllumb Agalliu. Ai qëndroi në Baku, pastaj erdhi në Itali e mandej në Madrid ku filloi punën me një nga koreografët më të mëdhenj të botës. Më vonë bashkëpunoi me Nachu Duat, për një sërë pjesësh. Ndërsa sivjet fillon punën në Berlin, në një kompani shumë e rëndësishme në Europë dhe në botë.

Genti ka qenë mik i afërt i Anbetës dhe prej saj e kam njohur, por mes nesh menjëherë u krijua shumë afrimitet. Meqë jam shumë njeri i përpiktë gjeta një shok në këtë pikëpamje. Të tre, unë Anbeta dhe Gentiani u mblodhëm dhe e organizuam. Genti u mor edhe me pjesën e produksionit, duke u kujdesur deri edhe tek posterat.

Si e sollët në Shqipëri, cila është marrëdhënia juaj me Ilir Kernin dhe kush e mbështet këtë gala?
Kur ish-profesori im, Ilir Kerni mori drejtimin e teatrit, ishte një nder i madh dhe kënaqësi për mua sepse kam studiuar 7 vjet me të. Kështu që folëm, dhe mbasi e pa shfaqjen, na tha pse të mos sillni në Tiranë? I thamë direkt po, ne e bëmë këtë edhe për profesorin sepse të gjithë kemi pak a shumë 20 vjet që nuk kthehemi për të kërcyer në teatër, përveç pjesës që bëra me Eno Peçin me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Unë nuk dua ti fsheh gjërat ndaj po e them se ne kërkuam ndihmë ekonomike, për të thënë një gjë simbolike se asnjë nga ne nuk do të bëhet i pasur me një shfaqje. Përveç meje dhe Anbetës që jemi organizatorë, gati të gjithë e bëmë në mënyrë simbolike, është thjeshtë një dhuratë e vogël që Ministria e Kulturës, me Ministrinë e Jashtme dhe me Institutin Italian të Kulturës ndikuan e ndihmuan në këtë shfaqje.

Pra, nuk është një shfaqje që do i kushtojë shumë Ministrisë së Kulturës, që ka trashëguar borxhe dhe vetë TKOB?
Jo, nuk besoj. Nga biletat nuk do marrim të ardhura, ndërkohë që galaja do jetë me bileta që do shkojnë për llogari të TKOB, e të cilat besoj e shpresoj se do të arrijnë të shlyejnë shpenzimet. Një herë e një kohë i kam dhuruar, TKOB tapetin e sallës së provave. E bëra sepse e ndjeva, se ishte e nevojshme. Madje, që të jem i sinqertë, unë e Anbeta, edhe në shfaqjen e Romës, dolëm dy herë me humbje financiarisht. Dëshira ishte të mblidheshim të gjithë, jo të fitonim as të sillnim humbje për teatrin.

Çfarë do u sjellë shqiptarëve galaja "Hera e parë"?
Është një program i ideuar me shumë pjesë të ndryshme, kështu që do kënaqim shije e gusto të ndryshme.

Është spektakël, apo ka edhe repertor klasik?
Është gala me repertor klasik, modern, kontemporan, abstrakt. Është një pjesë shumë e bukur e Erion Krujës që punon në një kompani të madhe në Londër dhe unë do bëj një pjesë që Genti Doda ma koreografoi enkas për këtë shfaqje. Ajo është me muzikë shqiptare, kaba, Anbeta ka dy pjesë me të fejuarin e saj dhe balerinin e parë të Teatrit San Carlo të Napolit, Alessandro Macario. Genti ka dy pjesë që i ka bërë vetë ai, me Brigel Gjokën, balerin i "Forsythe Company", janë tre djem nga Reggio Emiglia, Dorian Grori, Rezart Shehu që bëjnë një koreografi të Gentit një pjesë me muzikë shqiptare e një pjesë me të huaj. Ajo do zgjasë rreth 1 orë. Pjesët klasike do i bëjë Anbeta.
Zgjodhëm galanë sepse të mbledhësh 13 balerinë, ku secili punon në shtete e vende të ndryshme, nuk është e lehtë, sepse duhet kohë e prova. "Hera e parë" ishte edhe një ide për të treguar stilet e ndryshme që ne kemi marrë nga çdo kompani e ambient që kemi punuar. Normale, erdhëm, edhe pse ne i kishim dhënë fjalën kryeministrit, në pritjen që na u bë prej tij. Ftesa erdhi në momentin e duhur sepse ne e kishim bërë gati pjesën.

Kledi që kërcen me muzikë kabaje. E kishe bërë më parë?
Asnjëherë. Kjo është hera e parë dhe koreografia është moderne. Mjeshtëria e Gentit ishte pikërisht kjo që ai me hapat tonë karakteristikë, me muzikën tonë bëri një gjë të tillë. Është emocion sepse muzika është shumë e bukur, arrin deri në palcë dhe kur e ndjen, e ndjen. Në fakt, kam bërë diçka të tillë për 100-vjetorin dhe pati shumë sukses, ndaj duhet bërë për një tjetër publik.

Mes baletit klasik dhe atë kontemporan ti zgjedh të dytin?
Baletin modern-kontemporan. Unë sot e kësaj dite studioj balet klasik sepse ajo është forma, disiplina dhe ushtrimi më i mirë që të mban në formë, por unë kam bërë 40 vjeç, kështu që edhe nëse do isha në formë, baleti klasik ka kufij moshe.

Riktheheni si një grup shqiptarësh që ia kanë dalë mbanë të kenë sukses jashtë vendit, ndonëse të gjithë jeni nga e njëjta shkollë. Si i mbani lidhjet e miqësinë mes jush, në një kohë që në një farë forme jeni edhe konkurrentë?
Po, ke të drejtë, edhe pse ne punojmë në vende të ndryshme dhe është e vështirë të jesh konkurrent, kur secili nga ne ka arritur të ketë emrin dhe suksesin e vet. Gjëja më e bukur e atyre ditëve të qëndrimit në Romë, ishte se na dukej vetja sikur ishim ende në shkollë. Koha kur ne u ndamë qe shkolla dhe në këto 20 vite pothuaj nuk kisha takuar asnjeri veç Anbetës që e kam si motër. Ndaj them se na bashkoi ideja e shkollës dhe jemi sjellë si në shkollë. Ishte emocionuese dhe shpresoj që të përsëritet, edhe pse ideja është që të bëjmë edhe një turne, në Itali ose në Shqipëri edhe më mirë. Kisha dëshirë që shfaqja të mos bëhet në Teatrin e Operës së Tiranës, por të bëhet edhe në rrethe, sepse të drejtën për të parë balet e art nuk e ka vetëm Tirana. Por, ka edhe arsye skenike, duhen kushte, klimë, tapet danci, etj.

Së fundmi ju jeni angazhuar edhe në një program televiziv "Duartrokitje", ku sillni përmes ekranit emrat më të njohur të artit shqiptar në botë, në një mënyrë tjetër, meqenëse artisti i flet dhe e pyet artistin e jo gazetari artistin. Krijohet ideja e të qenit më i lirë me dikë si vetja. Sa të ka dhënë ty kjo eksperiencë?
Kur mu dha kjo mundësi, të them të drejtën ideja ishte që ta bëja unë programin, atë që po bën Adi Krasta tani, por kohët nuk u përputhën sepse në të njëjtën kohë fillova punën si profesor tek "Amici" dhe kur filloi transmetimi në ditët e para në janar, unë nuk kisha më kohë se turneun e spektaklit "Contemporary Tango" për baletin e Romës dhe qe e pamundur, sepse unë dua që gjërat ti bëj mirë. Ideja që më pëlqeu që në fillim ishte që do isha i dërguari i posaçëm. Idenë e shkrova dhe e ia propozova vetë Francesco Beçhetit. E ndjeva veten mirë dhe lirshëm, edhe pse s'është puna ime ajo e të pyeturit, domethënë ajo e gazetarit siç po bën ti tani. Dëshira ime ishte që balerinët të zinin më shumë vend në program.

Pse më shumë, sepse je vetë balerin?
Jo, por sepse baletit nuk i është dhënë shumë asnjëherë një hapësirë e madhe, siç është ajo për këngëtarët lirikë, apo sportistët, të cilët zënë më shumë vend në media.

Mbase se gjuha e trupit është më e vështirë?
Po, është e vërtetë, gjuha e baletit është më e vështirë, për një publik të gjerë. Përfitova nga rasti dhe mendova që së paku gjysma e sezonit të ishte për balerinët dhe këtë bëra. Pjesa e fundit është me Altin Kaftirën që ka qenë një balerin e tani është 'filmmaker' dhe janë rreth 17 ekselenca shqiptare. Sigurisht, ka edhe shumë të tjerë ndaj unë shpresoj të ketë një sezon a cikël të dytë. Publiku e priti mirë, pati shikues. Ideja ishte që ti bëjmë të njohur për një publik më të gjerë se ata që janë të lidhur nga afër me artin. Janë shqiptarë, kanë pasur sukses dhe punojnë me njerëz të famshëm, por këtë, pakkush e di. Ajo që ndihmoi këtë rast, ishte edhe financimi që iu bë programit nga televizioni, sepse unë duhej të shkoja në shtetin e qytetin që ata jetojnë, në vendin ku punojnë dhe për këtë më është dashur të udhëtoj. Intervista me shumë artistë janë marrë shumë, por ndryshe është ta marrësh në intervistë në studio e ndryshe në vendin ku jeton e punon, madje edhe në shtëpinë e tij, aty ku ka gjetur suksesin, ku ka bërë emrin, ku ka gjetur edhe familjen në disa raste. Ishte një përgjegjësi, punë dhe përkushtim i madh, por edhe u kënaqa sepse xhirova në gjithë Europën e njëherazi njoha nga afër njerëz që i kisha admiruar nga larg.

Të kemi parë në film, të kemi lexuar në libër dhe të kemi parë në skenë. Sigurisht skena do zërë vendin kryesor, por ç'vend do zënë filmi dhe libri në jetën tënde, do i qasesh më?
Unë, jam balerin kjo është jeta ime. Libri dhe filmi kanë qenë falë skenës, falë baletit, falë edhe eksperiencave jetësore që kam pasur. Jeta ime ka qenë shumë e njëjtë me kolegët e bashkëkombësit e mi nëpër botë, por unë duke pasur fatin të bëhem i suksesshëm, jo vetëm falë talentit, por edhe historisë sime, doli eksperienca e filmit dhe librit. Ishin dy përvoja që unë i përzgjodha, sepse të them të drejtën kam pasur edhe propozime të tjera, jo për këngë e muzikal, por unë nuk kam zë. Dua ti bëj gjërat mirë, jo ti bëj gjërat që të jem në gojët e të tjerëve.

Kam një dëshirë që, bashkë me Gentin (Dodën) ose me Anbetën (Toromanin) të themeloj një kompani baleti timen, po kam pasur shumë angazhime. E kam si dëshirë.

Si ia del të marrësh frymë me gjithë impenjimet?
Si marr frymë? Se di, po marr frymë për të tjerët me gjithë qejf, është pasion e emocion. Është një zanat që zgjodha dhe që më hapi rrugë. Do i mbaj për aq kohë sa të mundem të gjitha.

Je i suksesshëm në ato që merr përsipër, por çfarë bën me jetën personale?
Në jetën personale, sapo kam mbaruar një histori në tetorin që shkoi, me Federikën.

Po, por kur do ketë dasmë?
Këtë se di. Ma thonë të gjithë, por unë jam një Piter Pan i përjetshëm dhe them se dasmë do ketë kur unë të gjej gjysmën tjetër.

The më lart se po vini me "Hera e parë" edhe sepse i kishit premtuar kryeministrit Rama në pritjen që iu bëri artistëve. Nga ajo pritje, qarkulloi për një kohë të gjatë një video ku të gjithë ja morët një valleje...

Po (qesh). Të gjithë kënduan, ndërsa ne çdo të bënim? Nuk mund të kërcenim as balet klasik, e as balet kontemporan. Kështu që ia morëm valles, napolonit.

Ku morët dhe kryeministrin?
Po, por ai u fut i fundit, për të filluar e filluam neve.
FATMIRA NIKOLLI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
KA NISUR REGJISTRIMI I DIASPORËS KOSOVARE (04.17.2014)
BEATRIX RAMOSAJ - E LINDUR PËR TË QENË NË SKENË, KAM KËNDUAR LIVE QË 15 VJEÇE (Intervistë) (04.13.2014)
FTESË PËR TË MARRË PJESË NË MBROJTJEN E DOKTORATURËS NGA Mr. Sc. ISAK IDRIZI (04.10.2014)
VLADIMIR DODA - NJË AKTOR SHQIPTAR NË KINEMATË ITALIANE (04.06.2014)
MIRJETA - KANDIDATE PËR PARLAMENTIN E KANTONIT APPENZELL INERRHODENMirjeta Spirig-Mulliqi garon jashtë partive dhe synon të zë një vend të mbetur vakant pas dorëheqjes së deputetit, Clemens Wick (04.03.2014)
SHTETI SHQIPTAR - NJË SHTET I SPECIALIZUAR PËR TË HESHTURNga PJETËR ZEFI, emigrant Greqi (03.30.2014)
VOTIMI I LIGJIT TË EMIGRACIONIT (03.28.2014)
VIZITË KONSULLATËS SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS NË FRANKFURTFotoreportazh nga AGIM GASHI (03.24.2014)
KUMTESË E LEXUAR NË KONFERENCËN SHKECORE KUSHTUAR JETËS DHE VEPRIMTARISË SË PROF. DR. SHEFKI OSMANITNga DOCENT MAHIR MUSTAFA (03.24.2014)
MANIFESTIM SHKOLLOR ME GARË TË DITURISËFotoreortazh nga ISNI IDRIZI, LUL IMERI (03.24.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]