VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

AVOKATËT NË NDIHMË TË FËMIJËVE PA DOKUMENTE

E Premte, 05.09.2014, 05:39pm (GMT1)


Një numër në rritje fëmijësh pa dokumente po përballen me procedurat e deportimit në gjykatat e emigracionit të Shteteve të Bashkuara. Disa, nga Amerika Qendrore, u kapën në kufirin SHBA- Meksikë. Të tjerë, nga Evropa apo Afrika, erdhën në Shtetet e Bashkuara si turistë, por kanë ndenjur më gjatë se sa i lejonin vizat. Një projekt ligjor në Nju Jork punon për t'u siguruar avokatë këtyre të rinjve në gjykatat e imigracionit ku të miturit, të cilët përballen me deportim, zakonisht nuk kanë mbështetës ligjorë.

"Safe Passage", Kalimi i Sigurtë, është një projekt për t'u siguruar fëmijëve në gjykatat e emigracionit avokatë vullnetarë.
 
Lenni Benson është themeluesja e projektit:
"Muajin e kaluar, një tre vjeçar ishte ulur në karrigen e deportimit. Ndodhej një prokuror i qeverisë, një gjykatës, dhe një fëmijë ulur me një përkthyes, dhe në këtë rast, një gjyshe. Dhe në qoftë se ne nuk do të kishim qenë atje, nuk do të kishte patur njeri që të luftonte për atë tre vjeçar, ose për të ndihmuar gjyshen të merrej me sistemin gjyqësor."

Zonja Benson, një profesore në Shkollën e Juridikut të Nju Jorkut, shpenzon të paktën një ditë në muaj në gjykatën e imigracionit të Nju Jorkut, dhe shpesh shumë më tepër, për t'u gjetur fëmijëve emigrantë avokatë vullnetarë:

"Shumica e njerëzve që kemi takuar, kanë një arsye përse nuk duan të kthehen në vendet e tyre: jo vetëm për shkak të varfërisë,  por edhe për shkak të rrezikut në komunitetet e tyre."

Ajo thotë se ndërsa ligji amerikan i imigracionit u jep fëmijëve mbrojtje të veçantë ligjore, nuk u jep atyre avokatë për t'i ndihmuar në sigurimin e këtyre të drejtave. Isik Basiri mbërriti nga Turqia në moshën 15 vjeçare dhe e zbuloi programin Safe Passage rastësisht:

"Motra ime i mori dokumentet e qëndrimit, rreth dy vjet pas ardhjes time,  por ngaqë nuk kishte nënshtetësinë, nuk mund të më sponsorizonte. Pyetëm avokatë privatë nëse mund të bëhej diçka, por ata gjithmonë thonin jo, nuk ka mundësi."
 
16 vjeçari Ousmane Barry erdhi nga Guinea në moshën tetë vjeçare. Prindërit e tij kanë vdekur dhe ai jeton me një xhaxha. Avokatët e programit Safe Passage i siguruan atij të drejtën e qëndrimit të ligjshëm.

"Dhe kjo ka shumë rëndësi, sepse tani mund të udhëtoj jashtë vendit, mund të vizitoj vendlindjen. Mund të shkoj atje dhe të kthehem."

Barry është një nga të paktët me fat; Safe Passage dhe projekte të ngjashme mund të ndihmojnë vetëm një numër të atyre që kanë nevojë, ndërsa numrat e fëmijëve imigrantë të pashoqëruar janë në rritje. Vetëm këtë vit, qeveria federale parashikon se më shumë se 60 mijë adoleshentë dhe fëmijë, shumica e tyre nga Amerika Qendrore, do të kapen në kufirin meksikano-amerikan.za
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.