E Shtunë, 04.20.2024, 04:06am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
 
EMIGRANTËT SI INFORMATORË?

E Djelë, 05.18.2014, 03:53pm (GMT+1)


Qendra Kryesore për Marrjen në Pyetje - Berlin

Qendra Kryesore për Marrjen në Pyetje për dekada me radhë ka mbledhur informacione nga azilkërkuesit në Gjermani. Në fund të qershorit ajo do të mbyllet por praktika e deritanishme nuk do të marrë fund.

Në verë merr fund me Qendrën Kryesore për Marrjen në Pyetje (HBW) një pjesë e historisë së shërbimit të fshehtë. Më shumë se 50 vjet me radhë ka ekzistuar autoriteti nën varësinë e Shërbimit Informativ Federal (BND). Por pasi nëntorin e kaluar u bë publike se atje shërbimet sekrete në mënyrë të rregullt merrnin informacione fshehurazi nga azilkërkuesit, qeveria gjermane pak kohë më vonë njoftoi mbylljen e autoritetit.

Fundi i autoritetit nuk nënkupton fundin e marrjes në pyetje

Aktualisht pranë HBW punojnë ende rreth 40 punonjës, deklaroi qeveria gjermane pas një kërkese për informacion të drejtuar nga grupi parlamentar i Partisë E Majta në muajin prill. Planifikohet që HBW të shpërbëhet në 30 qershor 2014, bëri të ditur Shërbimi Informativ Federal pas një pyetjeje të Deutsche Welles.

"Në vend që të vihet në shqyrtim dhe të ndryshohet praktika e autoritetit, kemi të bëjmë këtu me një manovër për të larguar vëmendjen", kritikon zv/kryetari i Partisë E Majta, Jan Korte, në një deklaratë për DW: "BND thjesht vendos etiketa të tjera mbi dyer dhe njerëzit në situata të vështira vazhdojnë të shfrytëzohen".

Marrja në pyetje e azilkërkuesve nuk përfundon me mbylljen e Qendrës për Marrjen në Pyetje. Shërbimet informative gjermane mund të marrin edhe në të ardhmen informacione nga azilkërkuesit në Gjermani. Kështu shkruhet në përgjigjen e qeverisë gjermane ndaj pyetjeve të drejtuara nga grupi parlamentar i Partisë E Majta, një kopje të së cilës e ka agjencia e lajmeve dpa. Sipas saj Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët (BAMF) i përcjell edhe më tej informacioneve nga procedurat e azilit, Shërbimit Federal Informativ (BND) dhe Zyrës për Mbrojtjen e Kushtetutës.


Strehë refugjatësh në Friedland

Shfrytëzim i azilkërkuesve nga shërbimet sekrete në Gjermani?

Sa kohë që marrja në pyetje e azilkërkuesve bëhet hapur nga shërbimet sekrete nuk ka asgjë për të kritikuar, thotë avokati Victor Pfaff i specializuar në legjislacionin për të huajt, dhe anëtar themelues i organizatës "Pro Asyl". Problematike është kur "azilkërkuesit i lihet të besojë se bëhet fjalë vetëm për njohjen ose jo të tij si refugjat dhe i kërkohet të japë informacione të sakta." Nëse marrja personale në pyetje në procedurën e azilit përdoret për të nxjerrë informacione për shërbimet sekrete, kemi të bëjmë me një keqpërdorim të procedurës, thekson avokati. "Azilkërkuesit duhet t'i garantohet që ajo që ai thotë nuk do të përcillet më tutje dhe do të përdoret vetëm për shqyrtimin e kërkesës së tij për azil", thotë Pfaff. Por praktika ka treguar se njohja e azilit dhe dokumentet e udhëtimit jepen shumë shpejt kur azilkërkuesi arrin të japë informacione relevante për shërbimin sekret.

E kontestuar: Përcjellja e informacioneve tek shërbimet sekrete aleate

Këto informacione janë ndarë edhe me shërbime sekrete mike. Në nëntor 2013 BND konfirmoi për DW se ka në dispozicion të dhënat e mbledhura në Qendrën Kryesore për Marrjen në Pyetje dhe se këto të dhëna mund t'i përcillen edhe partnerëve ndërkombëtarë. Kjo do të vazhdojë në këtë mënyrë edhe pas mbylljes së autoritetit: "Shkëmbimi i përgjithshëm i informacioneve me shërbimet sekrete të huaja mbetet i paprekur", thuhet në përgjigjen e qeverisë gjermane për grupin parlamentar të Partisë E Majta.


Symbolbild - Predator Drohne

Përcjellja e informacioneve të caktuara të azilkërkuesve është e kontestuar, sepse kështu Gjermania mund të merrte pjesë indirekt në vrasjet e qëllimshme të SHBA në vende të tjera. E kontestuar në këtë mes është edhe natyra e të dhënave që mund të përcillen. Sipas këndvështrimit të qeverisë gjermane të dhënat e telefonisë mobile për shembull janë shumë të pasakta për "zbulimin konkret të objektivit". Por ekspertët e IT kundërshtojnë: teknikisht është në çdo kohë e mundur të lokalizohet pozicioni i një telefoni celular nga çdo vend i botës.

Sipas informacioneve të gazetës Süddeutsche Zeitung (SZ) dhe radios Norddeutscher Rundfunk (NDR), në të kaluarën SHBA kanë shfrytëzuar për sulme me avionë pa pilot, informacione që vinin nga azilkërkues në Gjermani. Të dhëna të tilla si numra telefonësh celularë kanë ndihmuar p.sh. të zbulohen, kapen apo edhe të vriten persona të dyshuar si terroristë.

Qeveria gjermane në këtë mes i referohet të ashtuquajturit "ndalim i përcjelljes së informacionit". Në këtë rregull të brendshëm shërbimi për përcjelljen e informacioneve tek partnerët ndërkombëtarë thuhet ndër të tjera: "Të dhënat e përcjella nuk duhet të shërbejnë si bazë apo argument për (...) një dënim me vdekje." Në përgjigjen e qeverisë gjermane thuhet se supozohet që "informacionet nga marrjet në pyetje përdoren për krijimin e një pamjeje të përgjithshme të situatës nga shërbimet sekrete të huaja". Por nuk ka asnjë informacion se si përdoren saktësisht të dhënat e përcjella nga shërbimet sekrete aleate.

"Kjo praktikë e shfrytëzimit të njerëzve në nevojë duhet të marrë fund pa vonesë", kërkon Jan Korte nga Parta E Majta. "Veçanërisht duke pasur parasysh se qeveria gjermane nuk është në gjendje të përjashtojë se informacionet e përftuara nuk përdoren për vrasjet me avionë pa pilotë të SHBA, që bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare."

Një fund të marrjeve në pyetje nuk do të ketë një herë për një herë. Se si do të jetë praktika në të ardhmen, është ende e paqartë. Po kështu edhe se kush do ta kryejë atë dhe nëse punonjësit e shërbimit sekret do të paraqiten qartë si të tillë para azilkërkuesve. Shërbimi Informativ Federal nuk jep përgjigje për këtë pyetje duke iu referuar ruajtjes së sekretit.
--
II - Luftë e fshehtë me të dhënat e azilkërkuesve

Agjentë amerikanë ose britanikë kanë marrë pjesë madje edhe personalisht në marrjen në pyetje të refugjatëve.

Shërbimet sekrete amerikane kanë përdorur informacione nga dëshmitë që japin azilkërkuesit që merren pyetje në Gjermani në lidhje me shkaqet se përse kërkojnë azil. Sipas të dhënave të një ish-punonjësi të lartë të Pentagoni informacionet e mbledhura gjatë intervistave të azilkërkuesve përfshihen në "sistemin e objektivave" të shërbimeve sekrete të SHBA. Me sa duket edhe informacione në dukje pa asnjë rëndnësi mund të jenë të vlefshme "për të konfirmuar një objektiv - dhe ndoshta edhe për të dhënë urdhër për vrasjen e dikujt me avionë pa pilot." Supozohet se autoritetet gjermane i kanë furnizuar SHBA-të në mënyrë sistematike me informacione që rrjedhin nga refugjatët. Ndër to bëjnë pjesë edhe të dhëna për celularët e personave të dyshuar si terroristë.

Sipas gazetarëve të gazetës Süddeutschen Zeitung dhe të stacionit televiziv Norddeutsche Rundfunk azilkërkuesve në Gjermani u është kërkuar që të japin të dhëna të hollësishme për gjendjen e sigurisë në vendet e tyre, apo për persona të caktuar, që dyshohet se janë ekstremistë islamikë. Kështu një refugjat nga Somalia tregoi se kur e kishin marrë në pyetje në lidhje me kërkesën për azil nëpunësit gjermanë, e kishin pyetur edhe për drejtues të milicëve islamikë Al-Schabaab dhe se ndër të tjera i kishin kërkuar të tregonte numrin e telefonit dhe detaje për vendndodhjen e një nga udhëheqësve të kësaj milicie. Personi që e kishte marrë në pyetje nuk i kishte thënë se ishte punonjës i shërbimit sekret.

Sipas ish-nëpunësve të shërbimeve sekrete të SHBA dhe Britanisë së Madhe, "Zyra Qendrore gjermane për Marrjen në Pyetje" u ka përcjellë atyre informacione nga intervistat me refugjatët. Ndonjëherë agjentët amerikanë ose britanikë kishin marrë pjesë madje edhe personalisht në marrjen në pyetje të refugjatëve. Një bashkëpunëtor shumëvjeçar i Pentagonit thotë se kishte intervistuar vetë azilkërkues në Gjermani dhe se informacionet e mbledhura nga deklaratat e azilkërkuesve ishin përdorur për plane bombardimesh.

Një zëdhënëse e qeverisë gjermane konfirmoi se rreth 40 nëpunësit e "Zyra Qendrore gjermane për Marrjen në Pyetje" e cila është themeluar në vitin 1958, marrin në intervistë azilkërkues dhe gjermanë të riatdhesuar, që vijnë nga rajone krizash të "cilat kanë një domethënie të veçantë për çështjet e politikës së jashtme dhe të sigurisë." Pjesëmarrja në këto intervista është vullnetare dhe nuk bëhet me detyrim. Në lidhje me përmbajtjen e bisedave, nëse informatat u përcillen shërbimeve të huaja apo nëse të dhënat përdoren për operacione ushtarake, zëdhënsja tha se nuk mund të jepte përgjigje, sepse kjo nuk lejohet nga rregullt për ruajtjen e sekretit.
--
III - Azilkërkuesit përgjohen nga shërbimet sekrete

Zyra federale për Marrjen në Pyetje (HBW), me seli në Berlin, merr në pyetje edhe azilkërkues. Ka azilkërkues që janë marrë në intervistë drejtpërdrejt nga agjentët e shërbimit të fshehtë.

Para se t'u jepet e drejta e qëndrimit azilkërkuesit duhet t'i nënshtrohen një interviste në Gjermani. Punonjësit e Zyrës Federale për Emigrimin dhe Refugjatët i pyesin azilkërkuesit për vendin nga vijnë, përse ndjehen politikisht të persekutuar, si kanë ardhur në Gjermani etj. Këto pyetje janë normale dhe aplikohen edhe në vende të tjeta të botës.

Por shpesh ndodh që azilkërkuesit merren në pyetje edhe nga një institucion pak i njohur për njerëzit në Gjermani: Zyra federale për Marrjen në Pyetje (HBW), me seli në Berlin. Zyrtarisht, ky institucion është në varësi të zyrës së kancelarit. Që nga viti 1958 HBW mbledh informacione që mund t'i shërbejë sigurisë në Gjermani. Sipas gazetarëve të Süddeutsche Zeitung dhe stacioni televiziv NDR, punonjësit e kësaj zyre kanë marrë në pyetje edhe azilkërkues duke i pyetur nëse njohin nga afër persona të caktuar në vendet nga vijnë. Këta persona u përkasin grupeve terroriste. Po ashtu ata janë pyetur edhe nëse dinë se ku ka depo të fshehta armësh. Këto informata teorikisht mund të përdoren edhe për kapjen e terroristëve ose për asgjësimin e tyre me avionë pa pilot.

Lojë e rrezikshme?

Shumë avokatë që këshillojnë azilkërkuesit në Gjermani e njohin Zyrën Federale për Marrjen në Pyetje (HBW). Po a janë ata të vetëdijshëm edhe për lidhjet e saj me shërbimet sekrete? Victor Pfaff punon në Frankfurt për më shumë se dyzet vjet si avokat për azilkërkuesit. Ai tregon se punonjësit e kësaj zyre nuk ngjajnë fare me punonjësit e shërbimeve sekrete. Ata janë miqësorë dhe të hapur dhe thonë se nuk kanë të bëjnë me BND-në, Shërbimin sekret të Gjermanisë për informacion jashtë shtetit. Por sipas Wikipedias HBW është një sektor i kamufluar i BND-së.

Avokati Victor Pfaff thotë se asnjë nga azilkërkuesit e marrë në pyetje nuk është ankuar për personat që e kanë marrë në pyetje. Madje në disa raste ai tregon se i është drejtuar vetë direkt kësaj zyre, kur personat që kërkonin azil kishin informacione të vlefshme për shërbimet sekrete, sepse në këtë mënyrë ata siguronin menjëherë lejen e qëndrimit në Gjermani. Këtë gjë avokati e quan një "allish-verish" legjitim. Por ai mendon se problematike do të qenë rastet kur një punonjës i shërbimit sekret dëgjon intervistën që japin azilkërkuesit dhe informacionet ua përcjell shërbimeve të huaja. Në këtë rast alizkërkuesit konsiderohen si objekte dhe shfrytëzohen dhe kjo mund të jetë edhe e rrezikshme për ta.

Kujdes prej marrjes në pyetje

Claus-Ulrich Prëlß është drejtor ekzekutiv i Këshillit për Refugjatët në Këln. Prëlß tregon se ka azilkërkues të cilët janë marrë në intervistë drejtpërdrejt nga agjentët e shërbimit të fshehtë. "Disa shpresonin se kështu mund të shkurtonin procedurat e azilit, të tjerë nuk e dinin fare se si ishte puna dhe kishin frikë." Claus-Ulrich Prëssl mendon se duhet të ketë një lidhje në mes të Zyrës Federale për Migracionin dhe HBW-së, sepse shpesh pas intervistave që japin azilkërkuesit shfaqen disa punonjës që bëjnë pyetje shtesë për gjëra që lidhen me veprimtarinë shërbimeve sekrete. Edhe Zaza Koschuaschwili, me origjinë nga Gjeorgjia, që punon si avokat për azilkërkuesit në Këln, tregon se ka raunde pyetjesh që nuk kanë të bëjnë fare me procedurën e mirëfilltë të azilit.

Për të sjellë më shumë dritë lidhur me lidhjet e mundëshme të Zyrës federale për Marrjen në Pyetje (HBW) me BND-në, Deutsche Welle bëri një kërkesë zyrtare për intervistë pranë HBW-së. Drejtorja e HBW-së mori menjëherë personalisht në telefon dhe premtoi se do të japin informacion pasi ta kenë akorduar listën e pyetjeve me Zyrën e Kancelarit. Ky proces aktualisht po vazhdon.dw

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
TEDI PAPAVRAMI - ARRATIA PËR VIOLINË, NJË DËSHIRË PËR LIRI (Intervistë) (05.16.2014)
MANIFESTIMI TRADICIONAL LETRAR DHE KONKURSI PËR MËRGATË: “AZEM SHKRELI” 2014 FTESË (05.15.2014)
MALLI I PANGINJUR I AULON NACIT (05.14.2014)
AFATET LIGJORE KUFIZOJNË VOTIMET E MËRGATËS (05.14.2014)
REPLIKË E DETYRUARNga RAIMONDA MOISIU (05.12.2014)
NGA BORÃ…SI I SUEDISË DONACION PËR LEXUESIT E VEGJËL TETOVARË (05.11.2014)
AVOKATËT NË NDIHMË TË FËMIJËVE PA DOKUMENTE (05.09.2014)
SHBA - E DREJTA E FËMIJËVE TË EMIGRANTËVE PËR ARSIM (05.09.2014)
STUDENTËT MËSOJNË NË SHTËPINË E REFUGJATËVE (05.08.2014)
DEPORTIMET NË SHTETET E BASHKUARA (05.06.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lart]