E Enjte, 04.25.2024, 08:30pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
 
FLORIAN VLASHI - VIOLINA MË KA MËSUAR SE GJËRAT ME VLERË NUK BËHEN SA HAP E MBYLL SYTË SI ME SHKOP MAGJIK (Intervistë)

E Premte, 06.13.2014, 10:09am (GMT+1)



Florian Vlashi në një intervistë për "Shekullin" rrëfen për violinën, fëmijërinë, familjen, pikturën, verën dhe kujtimet që e mbajnë peng të së kaluarës, me Shqipërinë. Hartën e rrugës së tij, Vlashi e nisi qysh nga dhoma e gjumit, me librat e Zhyl Vernit dhe me zhurmën e sirenave të anijeve. Takimi i parë me violinën për të ka qenë i lodhshëm dhe i mërzitshëm, sepse duhet të mësonte lëvizjen e gishtave nëpër tela, notë për notë, rresht për rresht. Mësuesi i tij i parë ka qenë Stathi Qehajef, me të mësoi për një vit rresht, derisa e arrestuan si armik të popullit. Qehajef ishte ai që i vendosi duart në violinë dhe që e mësoi Florian Vlashin të jetë i ndershëm me violinën, pavarësisht nga vështirësitë dhe gabimet që do të haste.

"Kam parasysh si tani momentin kur e pashë rastësisht për herë të fundit profesor Stathin teksa futej në godinën e gjykatës. Nuk i fola dhe kjo gjë më ka ngelur peng edhe sot e kësaj dite. Të paktën t'i buzëqeshja...Ai do ta kuptonte se sa e doja. Por nuk lëviza fare. Pata frikë. Nuk e kthej dot mbrapsht atë moment. Nuk e korrigjoj dot...", thotë ndër të tjera Vlashi gjatë intervistës.

Violinisti shqiptar Florian Vlashi (Durrës 1963) është, që prej gati njëzet vitesh, një nga vlerat kryesore të muzikës bashkëkohore në Galicia, vendi i tij i adoptimit që nga viti 1992 kur hyri në Orquesta Sinfónica de Galicia. Si violinist i repertorit bashkëkohor, Florian Vlashi ka luajtur në programet e qendrave si Reina Sofía, Fundación Juan March apo Auditorio Nacional né Madrid, po ashtu edhe në shumë festivale në Spanjë apo në Europë. Ka bashkëpunuar me Plural Ensemble të Madridit si dhe është krijues dhe drejtues që nga viti 2003 i Festivalit "Netët e Muzikës Klasike" në qytetin e tij të lindjes Durrës.

Si jeni afruar me muzikën e veçanërisht me violinën?

Shkolla e muzikës ishte fare afër shtëpisë sime. Po ashtu dhe stacioni i trenit dhe, pak më andej, porti. Të tre këto vende përcaktuan më pas "hartën" e rrugës sime, e cila fillonte nga dhoma e gjumit ku te koka e krevatit ishin librat e Zhyl Vernit dhe nga dritarja dëgjoheshin sirenat e anijeve. Fëmijët që flenë duke dëgjuar sirenat e anijeve shikojnë në ëndërr gjithë botën. A nuk është kjo muzika?

Çfarë kujtoni nga studimet e para për muzikë në shkollën "Jan Kukuzeli"?


Nuk kam pasur ndonjë pasion të veçantë për violinën. Ishte një rrugë tepër e mërzitshme dhe e mundimshme të mësoje lëvizjen e gishtave në katër tela, notë për notë, masë për masë, rresht për rresht, ditë për ditë, javë, muaj që, më në fund, të luaje një pjesë. Atëherë nuk e kuptoja se pikërisht ky ishte mësimi më i madh që po më jepte violina: gjërat më vlerë nuk bëhen sa hap e mbyll sytë me shkopin magjik. E mbaj mend shumë mirë ditën e parë të shkollës. Kam qenë ulur te banka e fundit nga muri. Isha shumë i gëzuar, ndërsa shoku im i bankës qante pa pushim. Kanë kaluar mbi dyzet vjet dhe unë akoma nuk e kam kuptuar se kush nga ne të dy ka pasur të drejtë atë ditë...

A ju kujtohet mësuesi i parë... çfarë influence ka pasur ai te ju më tej?


Quhej Stathi Qehajef. Punova vetëm një vit me të, sepse u arrestua si armik i popullit dhe vdiq në burg. Më vendosi duart në violinë. Më mësoi të isha i ndershëm me violinën sepse, pavarësisht nga vështirësitë edhe gabimet, ashtu si edhe në jetë, duhet insistuar të bësh më të mirën e mundshme. A nuk bëhen fëmijët më inteligjentë nga gabimet e tyre? Me vjen ndër mend thënia e Samuel Becket që, çdo muzikant duhet ta ketë të shkruar brenda në instrument. "Provoje prapë. Prapë gabo. Gabo më mirë."

Kam parasysh si tani momentin kur e pashë rastësisht për herë të fundit profesor Stathin teksa futej në godinën e gjykatës. Nuk i fola dhe kjo gjë më ka ngelur peng edhe sot e kësaj dite. Të paktën t'i buzëqeshja...Ai do ta kuptonte se sa e doja. Por nuk lëviza fare. Pata frikë. Nuk e kthej dot mbrapsht atë moment. Nuk e korrigjoj dot...

Si ka qenë violina juaj e parë, a e ruani ende?


Eh...sa do më pëlqente ta kisha atë violinë. Djalit tim, Danielit, ja kam ruajtur violinën e parë. Jam i sigurt që do të vijë koha dhe do t'i duket objekti më i bukur në botë. Para disa vitesh shkova te magazina ku ishin violinat e shkollës së muzikës në Durrës. Ishin të dëmtuara, të thyera, me pluhur brenda kutizave të vjetra. Ishte si një varrezë e instrumenteve të braktisur. Sa kujtime, sa histori, sa ëndrra, sa mund për fare pak sukses e shumë dështime... Më pushtoi një trishtim i çuditshëm, i ëmbël. Atëherë, mora nga aty një kokë violine të vogël, si një skulpturë të Man Ray-t, të cilën e ruaj me kujdes mes librave.

Cili është kujtimi më i bukur në karrierën tuaj si violinist?


Po rendis disa "stacione": fitimi i vendit të parë me unanimitet në konkursin për ILA (1984), krijimin e Orkestrës së harqeve "Jan Kukuzeli" që i dha dhe emrin dhe shkollës së muzikës (1988), Çmimin e Parë në Konkursin e Solistëve Tiranë (1989), fitimi i konkursit për në Spanjë (Stuttgart 1992), krijimi i Grupo Instrumental Siglo XX" (La Coruña 1996), dhe i Bienales Netët e Muzikës Klasike në Durrës (2003)... 30 vjet punë në tre rreshta. Drama e interpretit.

Cili është kompozitori juaj i preferuar?

Mua, në veçanti, më pëlqen shumë arti modern. Më duket shumë pasionuese aventura e Artit të Ri. Për këtë arsye preferoj tre kompozitorë që krijuan thyerjen e madhe në muzikë: Debussy, Stravinsky, Schoenberg.

Biblioteka ka qenë vendi i parë nga ku ju keni bërë një emigrim imagjinar, kur ende nuk e dinit nëse do të ishit bërë violinist apo jo, ndërsa sigurinë për të qenë artistë e kishit qysh asokohe.... çfarë sillni apo merrni me vete kur largoheni nga Shqipëria?

Termin "emigrim imagjinar", brenda meje kur isha te biblioteka e kam përdorur gjatë një interviste në Spanjë. Nuk e di se sa e ka kuptuar lexuesi spanjoll atë liri brenda një dhome, por ajo nuk ishte një dhomë me katër mure, por bibliotekë, gjë që është e kundërta e murit. Aty është jeta pa kohë dhe koha pa limit. Ndërsa çfarë sjell dhe çfarë marr me vete kur largohem do ju përgjigjem konkretisht: ndër të tjera, kam marrë me vete në Spanjë telefonin e vjetër, radion gjermane Veb Stern dhe orën e murit të viteve '20 që pat sjellë gjyshja kur u martua... Të gjitha këto janë "zhurmat" me të cilat unë jam rritur. Janë "zëri" i shtëpisë.

 

Persekutimi i familjes ka influencuar në formimin tim

Çfarë roli përcaktues ka pasur babai juaj, Gjergj Vlashi në vazhdimësinë e karrierës artistike?


Shpesh me bëjnë këtë pyetje dhe me të drejtë. Është absolutisht e vërtetë që babai ka qenë figura kryesore për mua. Megjithatë, në librin e mrekullueshëm "Tingulli" të Përparim Kabos, në fragmentin ku flet për tingullin e brendshëm dhe për rrolin e nënës, ai shkruan se "ushqimi i parë shpirtëror për njeriun është muzika e zemrës së nënës. Ka brenda tij humanizëm dhe ndjeshmëri, dhembje dhe përkushtim, ka dashuri dhe ëmbëlsi. Estetika e tingullit është estetika e parë që hap udhën dhe tregon rrugëtimin". S´ka si të thuhet më bukur! Boll për këtë fragment, libri duhet mbajtur te koka e krevatit të çdo muzikanti.

Po tjetër?


Kur shikoj fotografitë e vjetra të familjes kuptoj se kjo lidhje me kulturën është shumë më e hershme, megjithëse jo gjithmonë fatlume. Gjyshi, Zefi, kishte studiuar në Vienë, vëllai i tij, Gjoni në Padova, gjyshe Vitoria në Venecia, vëllezërit e saj në Paris...Të gjithë kishin pasur fat të keq në regjimin komunist. Por më i hidhur fati u tregua me Gjonin, i cili kishte studiuar për drejtësi. Ai u burgos në Itali nga Mussolini si antifashist. Në burgun e Ventotene-s kishte pasur për bashkëvuajtës dhe Sandro Pertini-n. Ndërsa Pertini zgjidhet më vonë Presidenti i Republikës Italiane, Gjoni kthehet në Shqipëri dhe, për ironi të fatit, burgoset dhe dënohet me vdekje nga komunistët.

Megjithëse nuk u krye ekzekutimi, ai vuajti burgun gjatë. Por mbeti burrë fisnik, me dinjitet dhe i drejtë deri në ditët e fundit të jetës. Për këtë "njollë" në biografinë e familjes sime, pas shkollës së mesme, vitin e parë m'u refuzua e drejta për të kryer studimet. Edhe kur mbarova studimet e larta me notën mesatare 9.8 më emëruan larg, shumë larg. Gjoni e vuajti këtë gjë më shumë se sa burgjet. Ndërsa tani e kuptoj se për mua, lidhja me të kishte qenë një tjetër shkollë, ajo e vërteta... Ka një moral në këtë botë, një moral që s´ka nevojë për shkollë, eksperiencë, inteligjencë superiore; një moral që, siç shkruan Enzo Biagi, ka të bëjë me ato dy a tre principe që na mëson nëna që në fëmijëri dhe që na shërbejnë për gjithë jetën. Pa to jemi askush ose, ajo çka është më e keqja, pa to mund të kthehemi papritur në përbindësha. Historia e Gjonit, në mënyrë direkte apo indirekte, kishte influencuar në formimin tim.

Bashkëshortja juaj, Rediana është gjithashtu artiste, violinçeliste, po fëmijët tuaj Danieli dhe Martini mendoni se do të ndikohen në zgjedhjet e tyre që të vazhdojnë rrugën tuaj?


Danieli studion violinë, Martini violonçel. Nuk e di se kush do të jetë fati i tyre në jetë, por unë dhe Redi përpiqemi t´u mësojmë atyre, atë që më mirë dimë të mësojmë, muzikën. Dhe kur them muzikën nuk e kam fjalën vetëm të luajnë mirë në instrument, por muzikën si "harmoni" me të tjerët; muzikën si një mënyrë e mrekullueshme për të komunikuar me botën që na rrethon; muzikën si lidhje me atë botën tjetër, më të madhe, më enigmatike, atë që kemi brenda nesh.

Kam dëshirë t´ju tregoj një histori nga ato që ndodhin vetëm një herë në jetë: një ditë vjen të më takojë një zonjë me të bijën 5-vjeçare që quhej Alba. Vajza ishte si engjëjt e pikturave të Rafaelit. E ëma më tregoi se Alba kishte vite që adhuronte violinën dhe i lutej me dënesë ta mësonte. Unë i thashë se s´ka kurrfarë problemi dhe mund të fillonim menjëherë. "Por, më tha e ëma, vajza ka një problem...Nuk dëgjon". Unë ngriva. Kur zonja pa reagimin tim më kërkoi të falur dhe mu lut që, të paktën, të luaja diçka për të. Luajta një pjesë të Mozartit dhe më pas i vendosa violinën në qafë Albës. Ajo nxori disa tinguj me harkun që i dridhej. Pastaj m´u hodh në qafë e më përqafoi gjatë. Kurrë nuk do ta harroj atë përqafim engjëlli.

 

Një verë sublime apo një violinë e periudhës së artë, janë një poemë më vete


Koleksiononi edhe piktura nga artistët shqiptarë? Cilin piktor do të veçoje?


Po, kam vite që koleksionoj pikturën shqiptare. Ishte babai im që e filloi në vitet "˜50 të shekullit të kaluar. Janë aty nga piktorët klasikë e deri tek ato të ditëve tona. Të gjitha janë piktura në vaj. Do të veçoja kuadrot e Ibrahim Kodrës, atë që Paul Eluard e ka quajtur "Primitivi i një qytetërimi të ri".

Kam edhe skulptura. Te hyrja e shtëpisë është një skulpturë e mrekullueshme e Nikolet Vasisë. Quhet "Muzika". Është në mes luleve të kopshtit. Një mikja e familjes sonë, Laura Garcés, drejtoresha e Bibliotekës së qytetit, më thotë me humor: "Kjo skulpturë është një "test" për miqtë e tu... Kujt i tërheqin vëmendjen skulptura dhe lulet ftoje shpesh; kush të pyet vetëm për lulet, ftoje herë pas here; kush nuk të pyet as për skulpturën dhe as për lulet, mbaje larg".

Cilët autorë shqiptarë keni përzgjedhur deri më tani për të qenë pjesë e koncerteve tuaja në Spanjë e ne vende te tjera?

Ballata, Bajraktari, Buharaja, Gjevelekaj, Ibrahimi, Koci, Peçi, Shehu. Simaku, Ramzoti, Donika dhe Rafet Rudi, Zacharian pa harruar dhe muzikën e Jan Kukuzelit. Nuk e di a janë shumë apo pak, por shpesh mendoj se po nuk e mbështetëm ne këtë muzikë kush do ta mbështesë? Nëse në instrumentistët nuk do ta luajmë e përhapim muzikën tonë, ajo do të ndjehet jetime. Ne po ashtu.

Ju keni dhe një pasion tjetër - verën, por çfarë të përbashkët gjen midis violinës dhe shijes së verës?

Violina dhe vera kanë brenda shumë jetë, por edhe mister. Nuk shijohen kurrë vetëm. Një verë sublime apo një violinë e periudhës së artë, janë një poemë më vete. Ngjyra e vernikut të violinës, në të gjitha tonet e saj, koinçidon në mënyrë të çuditshme me të gjitha llojet e verave, nga të bardhat, rosé-të e deri tek të kuqet e thella. Fjalori që përdoret për të shprehur karakteristikat e një tingulli është thuajse po ai i verës. Shumë muzikantë e kompozitorë e kanë pasur verën shoqëruesen më të mirë në artin e tyre. Po ashtu dhe poetët. Madje, duke kërkuar ndjesë për krahasimin, unë do të preferoja më shumë një verë të mirë se sa një koncert mediokër.

Bienalja, Netët e Muzikës Klasike e keni quajtur projektin më familjar për ju qysh prej vitit 2003... janë shtatë netë të dedikuara muzikës klasike... ky është një rikthim në fëmijërinë tuaj.... çfarë përjetoni gjatë interpretimit të këtyre koncerteve?

Edhe në këto takime janë bashkë violina dhe vera, sepse esenca e këtyre koncerteve është të bëjmë muzikë bashkë me miq e kolegë dhe me familjen time, Aty luan edhe Rediana bashkë me Danielin. Kështu lindi ky festival, i cili vitin e kaluar festoi 10-vjetorin. Janë shtatë net që i kushtohen epokave të ndryshme të muzikës, që nga ajo e vjetër, baroke, klasike e deri te muzika moderne. Edicioni i fundit ju kushtua Durrësit 700 vjet muzikë, nga Kukuzeli në ditët tona. Është një rikthim në fëmijëri, është një detyrim moral, është një nevojë e brendshme e pashpjegueshme, por mbi të gjitha, është një mënyrë për t´i dhënë kuptim atyre mijëra orëve studimi gjatë gjithë jetës brenda katër mureve. Nëse muzika është një mënyrë komunikimi me atë që të rrethon, ku ka më mirë se sa të ndash këtë kënaqësi me njerëzit që më shumë do dhe të duan? Muzika është një marrëdhënie. Në një farë mënyre është një akt dashurie dhe, si çdo histori dashuri e mirëfilltë, nuk mund të ndodhë ndërmjet të panjohurve.

Ç´mund të na thoni për pjesëmarrjen tuaj në Festivalin e "Ditët e muzikës së re Shqiptare" çfarë eksperience ishte për ju?


Gjatë këtyre viteve kam pasur disa herë ftesa për të marrë pjesë në koncerte të ndryshme në Tiranë, por për fat të keq, ishte i komplikuar kombinimi i datave. Përfitoj nga rasti të falënderoj kompozitorin Dorian Cene dhe Haig Zacharian që e bën të mundshme. Unë dua ta konsideroj këtë kontakt si fillimin i një bashkëpunimi të vlefshëm në të ardhmen. Ka shumë për të zbuluar në muzikën e re shqiptare ashtu siç ka shumë për të zbuluar dhe në muzikën e vjetër shqiptare.
VALERIA DEDAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
EKSPOZITË E NXËNËSVE TË SHKOLLËS SHQIPE NGA LOZANAPërgatiti: ISNI IDRIZI, Fotot: LULI IMERI (06.06.2014)
XHOANA XHENETI - NJË BUKURI SHQIPTARE NË SHBA (06.05.2014)
NË UDDEVALLA TË SUEDISË U MBAJT SESIONI III SHKENCOR I SHOQATËS SË SHKRIMTARËVE DHE ARTISTËVE SHQIPTARË NË SUEDI- Një organzimin  madhështor dhe me shumë përmbajtjeNga SOKOL DEMAKU (06.02.2014)
FTESË PËR DATËN 7 QERSHOR 2014 - NË TRYEZËN E ORGANIZUAR NGA BISHZ NË ORA 14:00 (06.01.2014)
EKSPOZITA E SHKOLLËS SHQIPE NGA LOZANA (05.22.2014)
SPALA E ORKESTRËS SË ATHINËS NË VIOLONÇEL ËSHTË MIRELA RUÇI (05.21.2014)
Në Falkenberg të SuedisëDËSHIRA PËR JETËN ËSHTË E FORTË DHE NJJERIUT I JEP FORCË DHE KURAJONga SOKOL DEMAKU  (05.19.2014)
EMIGRANTËT SI INFORMATORË? (05.18.2014)
TEDI PAPAVRAMI - ARRATIA PËR VIOLINË, NJË DËSHIRË PËR LIRI (Intervistë) (05.16.2014)
MANIFESTIMI TRADICIONAL LETRAR DHE KONKURSI PËR MËRGATË: “AZEM SHKRELI” 2014 FTESË (05.15.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lart]