VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ITALI - NJË SHQIPTARE MINISTRE LOKALE PËR PUNËT SOCIALE

E Premte, 07.11.2014, 08:42am (GMT1)



Italia është një univers më vete kur flasim për politikën. Ka rituale e tradita që vazhdojnë prej dekadash, edhe pse Kryeministri i ri Renzi ka filluar një proces rinovimi të shpejtë. Një nga gjërat që nuk ndryshonin asnjëherë për shembull ishte fakti që Bashkia e Livorno-s, qytet me rreth 100 mijë banorë, është qeverisur gjithnjë nga partitë e majta italiane. Pikërisht në këtë bashki, ende pa arritur fryma rinovuese e Renzi-t, në zgjedhjet e fundit ndodhi "hataja":  fitoi partia "Lëvizja 5 yjet" e komikut italian Beppe Grillo.

Filippo Nogarin, kryebashkiaku i ri, për të zgjedhur skuadrën me të cilën do të qeverisi në 5 vitet e ardhshme qytetin, vendosi të shpallë thirrje me CV për kandidaturat e ministrave lokalë. Dje në darkë shpalli skuadrën e tij, ku nuk mund të mos binte në sy fakti që një nga ministritë lokale më të rëndësishme (Assessorato i çështjeve sociale, shëndetësisë dhe politikave të banimit) t'i besohej një shqiptareje të re, me nënshtetësi italiane.

Bëhet fjalë për Ina Dhimgjinin, 28-vjeçare me origjinë nga Durrësi, e cila aktualisht është avokate në Livorno dhe njëkohësisht po mbron doktoraturën për të Drejtën Evropiane pranë Universitetit të Venezia-s. Shekulli

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.