VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - ARGITA E DELTINA ZALLI - SHKENCË NË EMËR TË BINJAKËVE

                                                                                      

E Premte, 04.19.2024, 06:05am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
 
ARGITA E DELTINA ZALLI - SHKENCË NË EMËR TË BINJAKËVE

E Hënë, 08.11.2014, 08:30am (GMT+1)


Të rralla janë historitë me binjakë të famshëm, që ndajnë edhe të njëjtat pasione, e ca më të rralla ato në fushën e kërkimit shkencor. Por ja që me motrat Zalli ndodhi kështu. Të dyja magjepseshin pas lëndëve shkencore dhe kur shihnin një stetoskop nuk u shpëtonin dot emocioneve dhe ëndrrave se kur të rriteshin do të bëheshin mjeke. Sot, ato janë të dyja kërkuese shkencore post-doktorale, të dyja të specializuara në fushën e mjekësisë molekulare. Argita punon në Universitetin e Londrës, e specializuar në fushën e kërkimeve të imunologjisë. Ndërsa Detina, e fokusuar në kërkimet e kurave mbi kancerin, po punon në tezën e saj post-doktorale në laboratorin prestigjioz të Fakultetit të Mjekësisë në Harvard

Binjakët kanë qenë gjithnjë burim magjepsjeje dhe kurioziteti për botën, aty ku shkenca përzihet me metafiziken, ku konkretja merr nga supersticioni e mistikja.Dy njerëz të krijuar nga e njëjta përmbajtje gjenetike, thonë se kanë një lidhje telepatike, shpirtërore, një shpirt i ndarë në dy, të afta për të ndjerë emocionet e binjakut identik...

Thonë se kanë aftësi të ndjejnë thellë, shpesh edhe fizikisht dhimbjen e njëra-tjetrës edhe kur janë larg, të ndajnë emocionet dhe të komunikojnë përmes një filli të padukshëm ombelikal që i ka sjellë në jetë...

Ashtu janë Argita dhe Detina, binjaket identike 28-vjeçare. E ndjejnë njëra-tjetrën në çdo çast të ditës edhe pse jetojnë larg, njëra në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe tjetra në kryeqytetin anglez. Edhe kur nuk janë duke komunikuar në Skype dy apo tri herë në ditë, e ndjejnë secila kur motra përtej oqeanit është e lumtur, e stresuar apo ka nevojë për një fjalë të ngrohtë që një motër binjake di mirë si ta falë.

Bashkë nuk kanë ndarë vetëm të njëjtin imazh si dy pika identike uji e po të njëjtën qeshje, kur ua ngatërrojnë emrat- madje edhe prindërit. Nuk kanë ndarë vetëm të njëjtin shtrat nga dëshira për ta ndjerë njëra-tjetrën gjithnjë e më afër. Nëse për dy motra do të ishte torturë të flinin në një krevat tek, për binjaket ishte lumturia më e madhe. Nuk kanë ndarë bashkë vetëm frikën kur i arratiseshin Shqipërisë problematike bashkë me familjen mbyllur në një maune që i shpinte drejt Britanisë së Madhe. Nuk kanë ndarë vetëm trishtimin kur i përbuznin në shkollë si emigrante, e as vështirësitë për t'u shkolluar...Bashkë kanë ndarë të njëjtin pasion, të cilin e kanë marrë me doza identike njëlloj si tiparet e tyre ; pasioni për shkencën.

Të rralla janë historitë me binjakë të famshëm, që ndajnë edhe të njëjtat pasione e ca më të rralla ato në fushën e kërkimit shkencor, ku fati nuk tregohet identik në kësi rastesh.

Por ja që me motrat Zalli ndodhi kështu- fati apo Zoti ua solli shtegun të njëjtë dy motrave.

Të dyja magjepseshin pas lëndëve shkencore dhe kur shihnin një stetoskop nuk i shpëtonin dot emocioneve që i mbërthenin fort dhe ëndrrave që thurnin mbi të njëjtin jastëk natën; ato të dyja, kur të rriteshin do të bëheshin mjeke. Pak rëndësi kishin pengesat, vështirësitë as nuk u hynin në sy, ajo gjëja misterioze prej binjakesh që ka mrekulluar e habitur shkencëtarë e fetarë, do i ndihmonte me patjetër.

Sot ato janë të dyja kërkuese shkencore post-doktorale, të dyja të specializuara në fushën e mjekësisë molekulare. Argita punon në Universitetin e Londrës dhe çon punimet e projektit të saj çdo ditë e më përpara. Po studion efektin e agonistëve B2 në funksionin e imunitetit. "Sapo hyj në qendrën kërkimore të gjithë më thërrasin: vampirja. Pasi kërkimi im ka nevojë për shumë monstra gjaku", rrëfen Argita duke qeshur.
Ndërsa Detina, e fokusuar në kërkimet e kurave mbi kancerin po punon në tezën e saj post-doktorale në laboratorin prestigjioz të Fakultetit të Mjekësisë në Harvard- kurora e parë e universiteteve të botës. Momentalisht po studion organelen cilia, trajektoret sinjalizuese dhe lidhjet me kancerin. Ajo është kërkuesja shkencore dhe lektorja më e re e Harvardit dhe nëse dikush e sheh pa përparësen e bardhë e pa syze, me atë buzëqeshjen e çiltër dhe flokët e gjatë, do e ngatërrojë me patjetër me ndonjë studente. " Në fillim kur nisa të jap mësim me studentët e Mjekësisë në Harvard u tregova shumë strikte. Ishin rreth 23-24 vjeç, kishin moshën time dhe nuk doja të më merrnin lehtë, sikur isha shoqja e tyre dhe jo lektorja" vijon Detina.

Kanë ardhur të dyja në Shqipëri për pushimet e verës, ndërsa Detina sapo ka kryer edhe ceremoninë e fejesës. Menduan që këto ditë vere t'i shfrytëzonin edhe në emër të shkencës.

Realizuan një konferencë Shkencore në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, ku të dyja folën gjerë e gjatë mbi fushat e tyre të kërkimit dhe i inkurajuan të rinjtë e pranishëm me projektin e tyre të fundit " We speak science"- një portal që së shpejti do të përfshijë këdo të ri që vjen me një studim të tijin, duke i dhënë një mundësi shpërfaqjeje .
Kjo është hera e parë pas 15 vitesh largimi që ato kthehen si shkencëtare. " Ishte emocion shumë i madh të ishim këtu si profesioniste. Kishim pak vështirësi në gjuhën shqipe, hera e parë që i prezantojmë tezat tona në gjuhën e nënës, por ia dolëm" tregon Argita pak pasi janë përshëndetur me të gjithë të pranishmit në konferencë, me një shqipe që nuk e kanë harruar bashkë me dialektin e vendit nga vijnë, Fierit.
Kanë dëshirë të kontribuojnë për Shqipërinë, të hapura për ftesat dhe bashkëpunimet si ajo e doktoreshës Silva Bino që e kontaktuan në internet dhe i ndihmoi për zhvillimin e konferencës . "Me aq sa mundemi do të jemi të pranishme sa herë të na kërkojnë", vijon Argita.

Kur i pyet nga e kanë trashëguar pasionin për shkencën, ato shihen në sy, buzëqeshin dhe përgjigjen njëzëri: Nga askush, është pasioni ynë!". "Nuk na e priste mendja kurrë që ato do të merreshin me shkencë", ndërhyn mamaja, e cila bashkë me të atin i ka shoqëruar.

Dëshira e të dyjave ishte të bëheshin mjeke, madje pas diplomimit në Universitetin e Sussex për mjekësi molekulare, ato kanë punuar disa kohë si mjeke në spital.
Por ajo që i grishte ishte fusha e kërkimit shkencor.

"Në fakt, unë e bëra këtë zgjedhje për shkak të Detinës. Ishte ajo që aplikoi në universitet për të dyja. Unë isha në një moment shumë të dëshpëruar. Nuk arritën të hynim në Universitetin e Mjekësisë në qytetin ku jetonim, për shkak se nuk kishim leje qëndrimi britanike. Por në momentin kur mendoja se kisha humbur, Detina më inkurajoi dhe tha se për një javë do të shkojmë në universitet". Ashtu ndodhi. Të dyja u pranuan në Universitetin e Sussex-it, përfunduan me rezultate të shkëlqyera Mjekësinë molekulare, konkurruan për doktoraturë; njëra në Birmingham, tjetra në Leicester dhe po njësoj fituan.

"Prapë Detina ndërhyri. I çoi dokumentet tona për post-doktoraturë në Birmingham. Nga të gjithë të intervistuarit mbaj mend që anëtarët e komisionit na i dhanë duart vetëm neve. Por fitova vetëm unë, megjithëse aplikoi Detina", qesh Argita kur kujton.

Por Detina kishte një tjetër sfidë me veten; të aplikonte në Harvard. E sfidoi veten dhe i tejkaloi pritshmëritë. U përzgjodh e para si kërkuese post-doktorale.

"E kisha thjesht dhe vetëm sfidë, doja të dija limitet e mia. Kur e fitova, mendova ta refuzoja. Por Argita dhe familja më inkurajuan të vazhdoja". Sot ajo punon me një prej shkencëtarëve më të njohur në botë, Roland Baron, dhe vijon punë dhe sfidën e saj në kërkimet për kancerin.

Por sytë i ka nga Londra, që e viziton shpesh për t'u ritakuar me pjesën tjetër të vetes, binjaken Argita që jeton atje me bashkëshortin dhe prindërit dhe kur nuk janë fizikisht bashkë, flasin në Skype, ndajnë emocionet e zbulimit me njëra-tjetrën, ngjitjen në karrierë, por edhe atë lidhje të padukshme, të pakuptueshme e misterioze për botën, që shkenca nuk i zbërthen dot. As ato vetë, dy shkencëtaret më të reja nga Shqipëria, të cilat para asaj lidhjeje të fortë, vetëm dorëzohen....


Dedikimi i Argitës në studimin e saj

Të dashurit e mi, nuk kam fjalë t'ju shpreh falënderimin tim për një nga mësimet më të
rëndësishme të jetës, "edukimin". Nuk mjafton një fletë apo një libër për t'ju përshkruar
dashurinë e madhe dhe sakrificat tuaja për mua edhe Detin. Tani më vijnë në mendje veçse disa fragmente, si për shembull kur vendosnit karamelet tek koka e krevatit tonë përpara se të iknit në punë; kur na mbanit në krahë ndërsa na çonit tek poliklinika për të bërë gjilpëra; kur hiqnit xhaketat e na mbulonit teksa na thante nata e ftohtë e Francës gjatë emigrimit për në Angli; kur na mbanit e na shtrëngonit fort në prehër, siç e bëni edhe tani; kur na jepnit forcën edhe kurajën për të vazhduar përpara. Na keni mbrojtur si zogj të vegjël, na keni mbajtur ngrohtë-ngrohtë në krahët tuaj, ka qenë gjumi më i lumtur. Në atë gjumë të lumtur kemi ëndërruar një ëndërr të bukur, që në një të ardhme të bëhemi prindër aq shembullorë sa ju keni qenë për ne. Do t'jua shpërblejmë të gjitha sakrificat. Jeni jeta, bota, ajri dhe shpresa jonë. Kjo është arritja juaj në radhë të parë, pastaj e imja.

Krijimtari dyshe

Letërsia është një tjetër pasion i përbashkët i binjakeve. Me bashkautorësi, dy motrat botuan librin "True Love" (Dashuri e vërtetë). Shkas ishte historia e një vajze që ato e njihnin, të cilën e patën rrëmbyer për ta detyruar që të ushtronte profesionin e prostitutës në Itali. Romani i parë i nxiti motrat që të shkruanin romanin e dytë "Good Morning Hope!", (Mirëmëngjesi Shpresë!). Së fundi i kërkova Detinës një mesazh për të rinjtë në marrëdhënie me shkencën...

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
BEKIM ZOGAJ - ARBITRI I PARË SHQIPTAR NË SUPERLIGËN E ZVICRËS (08.10.2014)
'GJERMANIA NUK ËSHTË ENDE GATI TË PRANOJË TË HUAJ' (08.08.2014)
ME SHQIPËTARËT E ATHINËSFotoreportazh nga SOKOL DEMAKU (08.04.2014)
REMITANCAT E VJETSHME - NË KOSOVË 621 MILIONË EURO, NË SHQIPËRI 497 MILIONË EURO (07.31.2014)
SHENJTI I EMIGRANTËVE (07.27.2014)
LEJLA SELACI-TRIMRESHA MËRGIMTARENga AGIM GASHI (07.26.2014)
KU JANË PARATË E EMIGRANTËVE? (07.25.2014)
REI - SHQIPTARI QË PO MAHNIT AMERIKËN ME RAKETËN E TIJ TË TENISIT (07.22.2014)
ARTISTI QË HUMBI VEPRAT NË LUFTËN E KOSOVËS 'RINGJALLET' NË KANADA (07.20.2014)
REMITANCAT DUHET ORIENTUAR NË INVESTIME (07.20.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]