E Shtunë, 04.20.2024, 11:09am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
 
GËZIM MYSHKETA - ARTI NË SHQIPËRI ENDE VUAN NGA MENTALITETI KOMUNIST (Intervistë)

E Hënë, 09.01.2014, 04:21pm (GMT+1)



TIRANE-
Kjo është një intervistë për dashurinë, familjen, vështirësitë, sukseset... Kjo është një intervistë për jetën e një artisti të ri, që ka po aq shumë për të rrëfyer sa çdo artist i madh. Djali durrsak Gëzim Myshketa, i cili me zërin e tij emocionon çdo ditë publikun e teatrove më të famshëm të botës, e ka nisur gjithçka në qytetin bregdetar të Shqipërisë së vogël. I ndjekur nga talenti dhe fati e i bekuar nga dashuria e prindërve, ai u nis drejt majave të botës së madhe dhe i arriti. Teksa rrëfehet për "Gazeta Shqiptare", Gëzimi zbulon se asgjë nuk ka qenë e thjeshtë dhe se, pavarësisht talentit, suksesi kërkon durim e punë. Sot baritonin e talentuar e gjejmë të veshur si "Don Zhuani", teksa punon me regjisorin e famshëm anglez Graham Vick. Mirëpo skena që e ka emocionuar më fort është ajo e vendlindjes së tij, ku arti ka akoma nevojë të rritet.

I lindur në qytetin e Durrësit, si e kujton fëmijërinë atje? Ka qenë një fëmijëri e lumtur?
Kam pasur fatin të rritem në një familje të lumtur, një nga ato familje të rralla në të cilën nuk mbaj mend qoftë edhe një episod të vetëm dhune fizike apo verbale midis prindërve apo ndaj ne fëmijëve. Ndaj nesh ka pasur vetëm dashuri e sakrifica për të na rritur më së miri. Me siguri që ky faktor ka qenë determinant në faktin që, me të vërtetë kam kaluar një fëmijëri tepër të lumtur.
E kujtoj si sot shtëpinë tonë të parë, një ambient i ndarë në dy pjesë, me banjë të përbashkët, në një ish-kazermë të ushtarakëve italianë të cilët durrsakët e thërrisnin "baraket". Ishin vërtet të tilla: barake prej tallashi dhe eterniti. E gjitha kjo, vetëm pak hapa pranë njërës nga vilave të familjes Myshketa, në të cilën banonte tashmë një anëtar byroje. Kujtoj furnelat e vajgurit dhe erën e tyre të fortë, lojërat tona të thjeshta por të "shëndetshme", librat e shumtë të sime motre, si edhe muzikën që bënin xhaxhallarët dhe im atë netëve në dhomën më të madhe të "barakes" së përbashkët, atë të xhaxha Ahmetit.
Një fëmijëri e varfër me privacione, por e lumtur.

Vëlla i vetëm mes dy motrash, sa të kanë përkëdhelur?
Mua më ka rritur për një pjesë të mirë motra e mesme, Nevjana, pasi prindërit ishin gjithë ditën në punë. Nevi ka qenë gjithnjë më e dhembshura në familje. Jo se motra e madhe, Ledi, nuk kishte të njëjtën dashuri, por ishte gjithnjë e zhytur në studime, e pandarë nga librat e saj dhe tip mjaft ëndërrimtar. E destinuar që në adoleshencë për të krijuar në lëmin e letrave.
Unë isha tmerrësisht i lëvizshëm; njëherë mbaj mend që motra, e sfilitur nga sjellja ime më pat lidhur me litar në hekurat e dritares. Fatmirësisht më "shpëtoi" një komshija jonë e përhershme. Isha tepër xheloz për prindërit i vogël; besoj se motrat e mia kanë pak foto të shpëtuara në të cilat janë edhe ato. Në të shumtën e rasteve kujdesesha të bëja një "fotoshop" të lehtë me prerje gërshëre.

Ku i ke bërë shkollën fillore e tetëvjeçare? Si ishe me mësime? I mban mend shokët e atëhershëm?
Filloren e kam bërë në shkollën "29 Nëntori", tek fusha e druve i thoshim, pasi pas oborrit ishte fusha e druve të qytetit. Ime më punonte shitëse në ushqimore aty afër dhe mua më thërrisnin "Gëzim marmelata", sepse isha ndër të paktët fatlumë që kthehesha nga çdo pushim me marmelatë nëpër gishta apo "vapik" a lëpirëse. Mendo që në vitet '88-'89 të ushqyerit ishte një problem i vërtetë për të gjithë. Kurse tetëvjeçaren e kam bërë tek "17 Nëntori" apo "Nënë Tereza" sot. Me mësime isha mjaft mirë, mbi të gjitha për faktin e buzëqeshjes dhe sjelljes sime prej rrufjani, me të cilën i bëja për vete të gjithë mësuesit. Kam qenë gjithnjë i prirur në lëndët shoqërore e më pak në ato ekzakte. Kjo kuptohet mirë edhe nga karakteri im i sotëm, ëndërrimtar e i shoqërueshëm, me pak apo aspak prakticitet për çka është materiale.

Gëzim, kur kuptove se ishe artist? Si u zbulua talenti yt i madh?
Këndoja që i vogël, dëgjoja në familje xhaxhallarët, babain, hallën time Ismete me zërin e saj të mrekullueshëm prej mexosopranoje dhe i imitoja. Kështu lindi talenti im, mbi tavolinën e drunjtë, e cila qe edhe skena ime e parë.

Si ndodhi rruga jote drejt Italisë? Po ditët e para në vendin fqinj, si ishin? Je ndjerë në vështirësi?
Pasi kreva studime tepër të nevojshme dhe që më dhanë formimin e parë muzikor, pranë mjeshtres Suzana Frashëri, vendosa të konkurroj në Parma për kanto. Gjithashtu në Akademi në Tiranë bëra konkursin për kanto dhe mbaj mend që kanë qenë bashkë me mua Saimir Pirgu, Ermal Mamaqi, Migen Gjata e shokë të tjerë. U pranova në Tiranë, por pasi më konfirmuan edhe në Itali, u drejtova drejt Konservatorit të Parmës "Arrigo Boito". Për mua ishte tepër e vështirë, pasi ishte mosha kur unë ia kaloja më së miri me shoqërinë time goxha të zgjeruar, vite të vështira si '97, '98, por nuk do t'i harroj kurrë peripecitë e aventurat e netëve të vona nëpër rrugë, me shokë si Florian Mumajesi, Erson Shabani, Erjost Ballushi, Elton Murati e mjaft të tjerë.
Natën kur jam nisur me traget drejt Ankonës nuk do ta harroj kurrë. Një natë më parë kisha bërë të "pirën e fundit" me shokët e lagjes, Saimirin, Denisin, Alketin, Dorin, Andin, Tonin etj. Me vete në traget kisha një kasetofon me kufje e dëgjoja pa pushim Vaçe Zelën tek këndonte "O Moj e Bukur Arbëri" e lotët më rridhnin vetiu. Ka qenë një moment mjaft i fortë dhe emocionues. Në Itali, sidomos në fillim kam pasur vështirësi nga më të ndryshmet, punoja çdo ditë si kamerier edhe si larës makinash në një pikë benzine. Kam qenë gjithnjë tip krenar në kufijtë ekstremë dhe nuk doja kurrsesi të rëndoja familjen. Mbi këto duhet shtuar edhe racizmi ndaj shqiptarëve, që në ato vite ishte në maksimumin e mundshëm. Por kaluan shpejt vitet dhe unë u integrova më së miri e u bëra pjesë e asaj shoqërie të cilën në fillim e ndjeja tmerrësisht të huaj.

Cila ishte ëndrra jote më e madhe në ato vite? E ke realizuar?
Ëndrra ime ka qenë të bëj "TEATER", e jo thjesht të këndoj dhe, përpos kësaj, të mos i kem borxh askujt dhe të jem në paqe me ndërgjegjen time. Duke hedhur vështrimin pas, jam i bindur që e kam realizuar plotësisht! Të vetmit persona të cilëve u dedikoj gjithçka janë familjarët e mi.

Thonë se është në kufijtë e së pamundurës të arrish suksesin në një botë të huaj e të madhe. Ti, si ia dole? E kujton herën e parë në skenë? Çfarë ke ndjerë?
Talenti i pastër vlerësohet kudo ku ka dashamirës që, në radhë të parë duan artin. Mua m'u dha mundësia të debutoj në një moshë gati të pamundur. Isha 22 vjeç dhe interpretoja rolin e Figaros në operën "Dasma e Figaros". Emocionet kanë qenë të jashtëzakonshme dhe kisha praninë e kushëririt tim, që ka qenë dhe është vëlla për mua, Fatit, i cili tashmë është mjek në Padova, si edhe të shokëve të ardhur nga Parma, Leçe, Padova. Një natë që do të mbetet në mendje e ngulitur përjetësisht dhe që për nder të së cilës kam tatuazh poshtë gjurit një pjesë nga Aria e Figaros: 'Non più andrai'.

Po punë të rëndomta, të është dashur të bësh ndonjëherë?
Siç e thashë më lart po, megjithëse nuk mendoj që ka punë më shumë a më pak të rëndomtë. Ka vetëm punë të ndershme ose jo, si edhe "parazitë".

Dimë që ke një marrëdhënie shumë të ngushtë me familjen, prindërit. Duke qenë larg për kohë të gjatë, si ke arritur ta ruash afrimitetin aq të madh me ta, si të mos ishe larguar kurrë?
Mjafton të duhesh, të dëgjohesh shpesh, t'i respektosh duke e konceptuar familjen si një qenie unike dhe jo një grupim personash. E thashë më lart: fati im më i madh ka qenë të jem pinjoll i një familjeje fisnike e të urtë durrsake.

Po dashuria për Durrësin, ka ndryshuar?
Absolutisht jo! Është rritur vetëm dhembshuria për një qytet të cilin çdo vit, fatkeqësisht e njoh gjithnjë e më pak. Jo gjithnjë përparimi urbanistik shkon në paralel me atë kulturor, si edhe të ruajtjes e vlerësimit të trashëgimisë kulturore. Në këtë sens, që pas viteve '90 e deri më sot, është në fakt një tragjedi, që ka të bëjë me identitetin e tij kulturor dhe arkitektonik.

Si të duket Shqipëria sot? Çfarë mendon sa herë zbret në aeroport?
Mendoj që, si çdo vend i dalë nga një diktaturë totalitare shumëvjeçare, do t'i duhet kohë për të fituar vitet e humbura. Gjithashtu mendoj se, përveç zhvillimit ekonomik, objektiv kyç për Shqipërinë duhet të jenë arsimi dhe kultura. Zhvillimi i një mentaliteti me të vërtetë të hapur europian, i cili është në bazë të tolerancës, respektit për tjetrin dhe bashkëjetesës paqësore. Përveç kësaj, në Shqipëri ndihem në shtëpi dhe në shtëpi mund të ndihesh vetëm mirë.

Çfarë i mungon artit në Shqipëri?
Arti shpesh shihet si kornizë, shtojcë apo kontur i një shoqërie. Arti nuk ka vetëm qëllim argëtimi, por edhe edukimi dhe lartësimi, fisnikërimi të shpirtit njerëzor. Shihni shoqëritë më të zhvilluara në botë dhe nivelin e sferës artistike në to. Gjithnjë ky raport shkon në mënyrë paralele e të drejtë e askurrë e kundërta. Arti në Shqipëri vuan akoma mentalitetin 50-vjeçar komunist, ku "një kalë është i barabartë me dy gomerë". Në të gjithë botën, përkundrazi, një artist "race" ka vlerësimin që meriton. Arti nuk është sasi, por kualitet, kërkim dhe eksperimentim. Në këtë ide duhet të gjithë të japim një kontribut për të qenë me hapin e kohës.

Ndërkohë që arti yt po shkëlqen çdo ditë e më shumë, na rrëfe diçka nga puna jote e fundit?
Në këto momente jam i impenjuar në rolin e "Don Giovannit" në operën me të njëjtin titull, në një produksion të ri të regjisorit të madh anglez Sir Graham Vick. Po bëjmë një punë të shkëlqyer për zbërthimin dramaturgjik në një këndvështrim modern, të psikologjisë së këtij heroi moxartian me një mijë e një ngjyrime. Do të debutojmë më datë 26 dhe ky spektakël do të shëtisë skenat e teatrove kryesorë të veriut në Itali.

Mendon ndonjëherë të kthehesh për të jetuar në Shqipëri e ta bësh këtu artin tënd?
Po, pikë synimi është një akademi e mirëfilltë e artit operistik. Pra jo vetëm këndim, por aktrim, përgatitje interpretative dhe skenike, për të pasur artistë të mëdhenj të së ardhmes. Duhet t'i japim kësaj toke të paktën një të dhjetën e asaj çka na ka dhuruar.

Cila ka qenë skena që të ka emocionuar më fort deri më sot?
Salizburgu me festivalin e tij madhështor.

Ëndrra jote më e madhe sot, cila është?
Një Shqipëri europiane me "kulturë e mentalitet europian", për mbesat e mia që do të rriten në këtë vend
.
ADELAJDA XHAMANI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
DUKE MENDUAR SE JETOJMË PËRKOHËSISHT NË MËRGIM, PADASHJE NE BIEM NË NJË GRACKË QË NUK  E KE IDENË SE EKZISTON DHE NUK SHEH NJË KTHIM PRAPA-thotë mësuesja Ermira Morina, që mban mësimin e Gjuhës shqipe në shkollën shqip (08.29.2014)
KLEDI KADIU - MOS U BËNI PALAÇO, JEPNI PËR ALS! (08.28.2014)
BAHTIR LATIFI ME LIBRIN E TIJ, “EDHE NE JEMI BOTA”…Nga Prof. MURAT GECAJ publicist e studiues Tiranë (08.26.2014)
MAQEDONI - MËRGIMTARËT SJELLIN MË PAK PARA (08.24.2014)
ATA, BIJTË E SHQIPES (1)Fotoreportazh nga AJET NURO (08.23.2014)
GJERMANI - GJITHNJË E MË SHUMË EMIGRANTË HAPIN BIZNESE PRIVATE (08.22.2014)
SKANDAL NË SHBA - SHQIPTARI I DËNUAR FINANCON FUSHATËN E KONGRESMENIT DEMOKRAT (08.22.2014)
NJOFTIM - FESTIVALI KOMBËTAR I LETËRSISË PËR TË RINJ, PODUJEVË (08.20.2014)
6 SHQIPTARË NË GARË PËR DEPUTETË TË SUEDISË (08.19.2014)
VDES SOPRANOJA LICIA ALBANESE NË MOSHËN 105 VJEÇARE (08.18.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lart]