VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

DRIANT ZENELI - 'KUR ËNDRRAT BËHEN DOMOSDOSHMËRI' Trilogjia e Zenelit titullohet “Kur ëndrrat bëhen domosdoshmëri” (2009-2014) dhe do të hapet në datën 18 shkurt

E Enjte, 02.12.2015, 08:28am (GMT1)


Artisti shqiptar Driant Zeneli prezanton për herë të dytë në galerinë "Prometeogallery" në Milano. Trilogjia e Zenelit titullohet "Kur ëndrrat bëhen domosdoshmëri" (2009-2014) dhe do të hapet në datën 18 shkurt. Cili është premtimi më joshës i lumturisë që fshihet pas një gjendjeje të përgjithshme zhgënjimi?

Vepra

 

"Kur ëndrrat bëhen domosdoshmëri" heton rëndësinë e përpjekjeve performuese, me qëllim ripërcaktimin e konceptit të dështimit, utopisë dhe ëndrrave, si momente fondamentale në ndërtimin e mundësive të reja. Ky punim përbëhet nga 3 video. E para është "Ëndrra e Icarus-it ishte që të bënte një shtëllungë", pra një përpjekje për të krijuar një shtëllungë, duke fluturuar me parashutë. (Icarus është djali i figurës mitologjike greke Deadalus-it, që ndërtoi labirintin për mbretin e Minos të Kretës). Në videon e dytë, "Disa thonë se hëna është e thjeshtë për t'u prekur", artisti hidhet nga një lartësi me litar në përpjekje për të kapur hënën në ditën kur distanca e saj me tokën është më e shkurtër. Ndërsa në videon e tretë "Mos e shiko diellin kur pret ta kapërcesh", artisti vendos që të kapërcejë diellin menjëherë pas kalimit të kometës "Lovejoy", duke kaluar në perimetrin e orbitës së saj, pa u goditur prej kometës.

Pra, në të tria videot, artisti përpiqet që të arrijë objektiva, që perceptohen gjerësisht si të pamundura. Pjesa më e madhe e videove përbëhet nga parashikimet dhe nga përgatitjet e artistit për të përmbushur objektivat, dhe pas tyre, vijnë menjëherë tentativat reale për arritjen e objektivave, duke krijuar një këputje konsekuente të iluzioneve. Imagjinata e tij nuk është aspak e tharë nga dështimet në jetën personale, apo nga dështimet shkencore, përkundrazi. Ajo i pranon sfidat deri në reflektim edhe për kërkimin shkencor, i cili mund të kthehet në një angazhim apo premtim.

Videon "Mos e shiko diellin kur pret ta kapërcesh", artisti e ka publikuar për herë të parë në "Prometeogallery". "Disa thonë se hëna është e thjeshtë për t'u prekur", është prezantuar për herë të parë në Bienalen e Venecias në vitin 2011. "Ëndrra e Icarus-it ishte që të bënte një shtëllungë", është fituese e festivalit për artistët e rinj kontemporan në Trieste.

Biografia


Driant Zeneli (1983) ka lindur në Shkodër, por jeton dhe punon në Romë. Në vitin 2011 përfaqësoi Shqipërinë në Bienalen e Venecias. Në vitin 2008 fitoi Çmimin Ndërkombëtar të Artit Kontemporan, "Onufri" dhe një vit më pas, fitoi Çmimin e Artistit më të Mirë të Ri Evropian në Trieste. Ai ka marrë pjesë në ekspozita ndërkombëtare si: Viafarini, Milano (2014); GAM, Torino (2013); Bienalja e Shtëpisë së Bardhë, Athinë (2013); KCCC, Klapeda (2013); ZKM, Karlsruhe (2012); MUSAC, Castilla León (2012); TICA, Tirana (2012); Bienalja e Pragës (2011); Project Space, Bejrut (2011); Trongate 103, Glasgou (2011); Galeria Kombëtare e Kosovës, Prishtinë (2010); Muzeu i Artit Kontemporan "Villa Croce", Xhenoa (2009); Studio Tommaseo, Trieste, (2009); Galeria Kombëtare e Tiranës (2008).
ERLAD DELIU


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.