E Premte, 04.19.2024, 07:05pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
 
GËZIM MYSHKETA - NE JEMI ARTISTË TË DHËNË ME HUA JASHTË SHQIPËRISË

E Djelë, 02.22.2015, 10:11am (GMT+1)


Një opera tragjike e cila, i lë radhën një opere komike. Bëhet fjalë për dy nga veprat më të dashura të Puçinit, të cilat vihen në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit nga artistët e nivelit botëror, Ermonela Jaho dhe Gëzim Myshketa. E para, është "Suor Angelica", vepër operistike ku interpreton Ermonela, ndërsa e dyta titullohet "Gianni Schicchi" me regji të Gëzim Myshketës, i cili do të jetë njëkohësisht edhe në rolin e baritorit, personazhit kryesor. Në një intervistë për "Shekulli"-n, artisti Myshketa tregon përveçse detajeve të shfaqjes, edhe rrugëtimin që ka bërë për t'u ngjitur në karrierën e tij artistike. Ai është një nga modelet e artistëve shqiptarë, që tregojnë se si i ka ngjitur shkallët e artit me shumë punë. Pasioni i tij për artin duket jo vetëm gjatë bisedës që ne bëjmë me të, por edhe teksa kthehet për të rrëfyer mbrapa në kohë kujtimet e fëmijërisë. Ai ka lindur në qytetin e Durrësit edhe aktualisht është një nga artistët shqiptar më të angazhuar jashtë vendit. Shfaqja vazhdon të luhet për publikun edhe në datat 16-18 dhe 20 shkurt. Qysh tani ne mund të flasim për suksesin që do të ketë, pasi interesi i publikut për të qenë në sallën e TOB-it, duket edhe nga fakti se biletat po shiten.

Zoti Myshketa, riktheheni në Shqipëri si regjisor dhe protagonist i një vepre të Puçinit. Pjesa e parë është tragjike, ndërsa pjesa e dytë komike. Cila është lidhja logjike që e bashkon këtë diptik?

Në fakt është një triptik i Puçinit, ku ka 3 subjekte, dramatik, lirik dhe tragjik. Subjekti dramatik quhet "Tabarro". Lidhje nuk ka, dhe të vetmen që mund të gjej është një personazh i vdekur në të tria. Dy veprat që vëmë në skenë nuk kanë asnjë lloj konfeksioni dramatik. "Gianni Schicchi" ka pasur fatin më të madh që të shfaqet në skenë dhe është e vetmja që shpesh përfaqësohet dhe si e vetme. Ne vendosëm të mos bëjmë "Tabarron", sepse do të kërkonte një sforco të madhe dhe do të ishim të detyruar të merrnim një pjesë të mirë të artistëve nga jashtë.

Mosvënia në skenë e subjektit dramatik e redukton apo e dëmton shfaqjen?

Në një farë mënyre po, por nuk mendoj se është ligj, që "Tabarro" të luhet bashkë me dy të tjerat. Imagjinoni publikun tonë dhe kushtet tona, nëse do të luhej si triptik, bashkë me pauzat e ndërmjetme, një opera e tillë do të shkonte rreth 4 orë e gjysmë. 6 vite më parë është vënë në skenë e plotë nga Nikolin Gurakuqi.

Cili ka qenë projekti juaj i fundit dhe si do të jetë ky vit?

Ka qenë "Traviata", në Shtutgart dhe do të jem sërish me të njëjtën në Hamburg. Besoj se do të jetë një vit i ngjeshur, ku do të jem në 6-7 shfaqje, të cilat të përsëritura shkojnë deri 15. Në Shqipëri besoj se e mbyll me këtë shfaqje, edhe pse mund të dalë ndonjë koncert a ide që do të më rikthejë.

Duke lënë mënjanë pasionin, sa e vështirë është prefesioni i të qenit artist?

Është e vështirë. Kur flasim për Opera jemi në të tjera kushte. Dikur ka qenë luks dhe përfitimi monetar ka qenë i jashtëzakonshëm (flas për vitet '50-70), madje dhe ata që kishin role të vogla apo të shkurtra. Sot ka një reduktim të madh, por, kjo nuk do të thotë se ata që punojnë në skena të rëndësishme nuk përfitojnë ekonomikisht mirë. Është e vështirë sepse të mban larg afeksioneve, të detyron të udhëtosh shpesh. Duket si një jetë luksi, por duhet të kesh një mendje dhe një karakter që t'i përballosh të gjitha sfidat. Në Tiranë, këtë herë vështirësia qëndron se kemi vendosur një regji pa kohë dhe pa vend, sepse vetë "Gianni Schicchi" flet për pasione dhe për emocione që nuk kanë kohë. Dante e ka shkruar një subjekt të tillë në shekullin e XIII në vargjet e "Ferrit", por kjo pjesë është ende aktuale.

Ju flisni me shumë pasion për artin dhe operën. Si u gjendet në këtë profesion? Ka pasur një mentor që iu ka udhëhequr, janë lidhje gjenetike apo është një pasion i zhvilluar në fëmijëri?

Ka lidhje gjenetike, sepse në familjen e babait tim të gjithë janë marrë me muzikë, diku më profesionalisht dhe diku në mënyrë më amatore, por në Durrës Myshketët njihen për muzikë. Jam pjesë e një familjeje me prejardhje tregtare dhe gjatë kohës së komunizmit u zbulua pasioni për muzikën, të cilin gjyshi e ushqeu tek të gjithë fëmijët. Nga marrëdhëniet tregtare që kishte ai në Itali në vitet 20-30, solli në familje disqet e para, pianon dhe vegla muzikore. Unë vetë kam pasur shumë dëshirë që të këndoja, që kur isha fëmijë dhe të afërmit e mi më ndiqnin kur këndoja përballë tyre, por më pas gjatë jetës ka pasur disa persona të cilët i kujtoj. E tillë është mësuese Ana, e cili më çoi në një konkurs muzike apo profesor Vullnet Sabahu, i cili më dha mësimet e solfezhit. Po ashtu kujtoj edhe mësuesen Suzana Frashëri, e cila më dha repertorin e parë operistik. Pra, ka patur disa njerëz, por fati im ka qenë se këta njerëz kanë punuar dhe janë marrë me mua me shumë kujdes. Formimi im si artist i dedikohet periudhës post 17-vjeçare në Konservatorin e Parmës në Itali.

"Talenti nuk ka nevojë vetëm për fjalë, por edhe për ekonomi"


Një fotografi e parë gjatë periudhës së komunizmit, ku në fokus ishin dy prindërit e Myshketës, do ta bënin artistin që të kuptonte se përtej Shqipërisë që dukej, ekzistonte edhe një botë me mentalitet tjetër. Ndikimi nga kultura italiane ishte ndier edhe në familjen e tij, e cila do të ndikonte më tej në formimin e tij, pavarësisht se revolucioni kinez kishte ndalur çdo lidhje me Perëndimin.

A ekziston një lidhje mes artistit dhe vendlindjes, e ushqyer kjo nga mjedisi apo klima? I referohem këtu detit si element shoqërues i formimit tuaj dhe zonë gjeografike identifikuese e qytetit të Durrësit...

Ka qenë një personazh i njohur në Durrës, Osman Rexha me profesion berber dhe besoj se çdo qytet ka një njeri tipik. Ai thoshte shpesh se: "Në qoftë se ngrin Adriatiku, durrsakët shkojnë në Bari me çorape leshi". Qytete të tillë me traditë, si Shkodra, Vlora, Durrësi etj., që janë afër detit kanë pasur një ndikim nga kultura italiane. Durrësi, sipas ndryshimit të regjimeve, por edhe futjes së elementëve të rinj brenda një regjimi ka qenë i prirur për të marrë nga kultura italiane. Në periudhën e komunizmit, në kohën e lidhjes me sovjetikët, unë shoh në një foto nënën time me fund të shkurtër apo babanë të krekosur me syze të zeza, çka flasin për një tendencë që i kalonte kufijtë. Më pas, lidhja me kinezët apo revolucioni kulturor kinez e hoqi çdo lidhje me Perëndimin, sidomos pas Festivalit të 11-të të Këngës në RTSH. Ajo ishte një tjetër shuplakë sepse gjeografikisht dhe në mënyrë të natyrshme, ne jemi pranë Perëndimit. Durrësi është frymëzuar dhe ka marrë, ashtu siç ka marrë me erën e detit dhe gjurmën e një kulture evropiane (deti, shkëmbimet tregtare, sende të fshehura në kabinat e marinarëve etj). Im atë fshehte një album me këngë italiane dhe prirja për të dashur atë që është e ndalur e ngjall natyrshëm kuriozitetin për ta pasur me doemos. Durrësi deri vonë ka pasur orkestra, që dashur pa dashur prodhonin dhe luanin muzikë oksidentale. Është për të ardhur keq që Durrësi nuk ka ecur sot në gjurmët e nivelit kulturor që nisi. Fakt është që sot ka muzikë live në 2-3 vende, ndërsa atëherë në mënyrë të organizuar, shfaqej kudo.

Ju vjen keq për këtë?

Normalisht që më vjen keq. Nuk dua të bëj qasje politike, por ndërmarrjet dhe organizimet tentonin të prodhonin kulturë. Pa hyrë në cilësinë apo profesionalizmin e saj, flasim për tentativa që kishin pozitivitetin e tyre. Nuk kishte asgjë të keqe që fabrika e cigareve të kishte korin e vet, porti të kishte ansamblin e vet etj. Nuk e diskutoj që programi ishte i diktuar, por njerëzit merreshin me art dhe normalisht qëllimi nuk ishte të bëheshin të gjithë artisë, por këto sipërmarrje nxori me dhjetëra talente që shkëlqyen më pas.

Si e shihni politikën kulturore në vend sot?


E shoh me pozitivitet dhe kam respekt për ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro. Më bëhet qejfi që pas shumë vitesh është në profesion. Ministria e Kulturës për disa dekada është konsideruar si trampolinë për t'u hedhur diku tjetër. Unë jam për idenë, se MK apo dhe dikastere të tjera duhet të drejtohen nga profesionistë apo specialistë të fushës. Kumbaro është e afirmuar dhe kjo është pozitive. Shpresoj që të bëhet më tepër. Duam që teatri ku unë po punoj me një grup të rinjsh, të cilët i konsideroj e tashmja e teatrit, të kenë sa më shpejt skenën e tyre dhe të jenë të angazhuar në mënyrë të vazhdueshme. Po punojmë për një projekt dhe unë e kam ëndërr një opera-studio, si një shkollë që t'i bashkëngjitet operës, ku të thirren talente shqiptarë dhe të huaj. Duhet ta dini se talenti nuk ka nevojë vetëm për fjalë, por dhe për ekonomi. Nuk diskutohet që dikush që do të marrë përsipër sakrificën e një zgjedhjeje të vështirë (dhe gjithmonë këto të fundit janë ato që të çojnë përpara), do iki. Por pyetja dhe synimi është nëse kemi mundësi ta mbajmë dhe ta rrisim, që ta kemi afër operës, që ky të arrijë të kthehet shpeshherë në skenën e atdheut të tij? Kjo do të ishte shumë pozitive dhe unë kam dëshirë të krijohet kjo opera studio ku të vijnë mjaft të rinj dhe të marrin një përvojë nga mjeshtrit shqiptarë dhe të huaj. Pse jo, këto talente duhet të marrin një bursë minimale nga shteti dhe të inkuadrohen në role kryesore. Mua nuk më pëlqen krahasimi, artistët e huaj dhe artistët shqiptarë. Ne jemi artistë shqiptarë të dhënë hua jashtë Shqipërisë.

Angazhimi i baritonit shqiptar në skenat botërore

Gëzim Myshketa u lind në Shqipëri në vitin 1982 dhe u diplomua në Arrigo Boito në konservatorin e Muzikës në Parma nën drejtimin e Giuliano Ciannella dhe Lelio Capilupi. Ai bëri debutimin e tij në Le Figaro Nozze di Figaro nën dirigjimin e Antonello Allemandi. Në vitin 2006, ai fitoi As.Li.Co. Konkurrencës, pas të cilës bëri debutimin si Leporello në Don Giovanni në një turné në Itali dhe në Operën de Massy. Më pas fitoi "Francesco Paolo Tosti" Konkursin Ndërkombëtar në Ortona në Muzikë Dhome (Itali ). Myshketa bashkëpunoi me dirigjentë të tillë të njohur si: Bruno Aprea, Philippe Auguin, Frédéric Chaslin, Diego Fasolis, Will Humburg, Daniel Oren dhe Nello Santi; dhe drejtorët Robert Carsen, Giancarlo del Monaco, Dante Ferretti , Pierluigi Pizzi dhe Graham Vick. Myshketa, ka kënduar në Maria Stuarda me Arturo Toscanini Fondazione në Piacenza dhe Modena; Semiramide (Oroe) në Montpellier; Die Lustige Witve (Danilo) në Filarmonico Teatro në Verona; Le Convenienze e inconvenienze teatrali (Biscroma) dhe Pazzi per Progetto (Venanzio) në Zyrih; Cléopatre në Festivalin e Salzburgut; I Puritani dhe Le Villi në Operën Kombëtare Sllovake në Bratislav; Carmen ( Escamillo ) në Novara dhe në Festivalin e Operës Sferisterio në Macerata; La Gazza Ladra në Verona; Gianni Schicchi në Teatro Verdi në Trieste LaBattaglia di Legnano ( Rolando ) në Teatro Regio për Verdi Festivalit në Parma; L' Elisir d' Amore në masiv Paris Sud. Planet e tij të ardhshme përfshijnë: Don Carlo dhe Turandot në Toulouse; Falstaff në Shtutgart; Lucia di Lammermoor në Marsejë; Il Barbiere di Siviglia në Treviso dhe Ferrara; Puritani në Teatrin Kombëtar të Sllovakisë dhe recital në Romë dhe Berlin.
NERITAN GJERGO


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
POZITIVITETI SHQIPTAR NË BRUKSELNga JORGJI KOTE (02.15.2015)
DRIANT ZENELI - 'KUR ËNDRRAT BËHEN DOMOSDOSHMËRI' Trilogjia e Zenelit titullohet “Kur ëndrrat bëhen domosdoshmëri” (2009-2014) dhe do të hapet në datën 18 shkurt (02.12.2015)
IKJET LEGALE - ËNDRRAT E REALIZUARA (02.08.2015)
U MBAJT MBLEDHJA E KËSHILLIT DREJTUES TË VATRËS (02.02.2015)
KOSOVA ENDE NUK E KA REGJISTRUAR DIASPORËN E SAJ (01.29.2015)
PARATË E DIASPORËS 'SHPËTIM' PËR TË RINJTË NË KOSOVË (01.25.2015)
ENDRIT SADIKU 19 VJEÇ - KANDIDON PËR PARLAMENTIN E KANTONIT BASELLAND (01.24.2015)
DOKTOROJNË NË ETH TË ZYRIHUT DHE MOTIVOJNË TË RINJTË SHQIPTARË PËR STUDIME (01.23.2015)
PËRSËRI SHOQATA E PËLLUMBAXHINJVE 'KRAHBARDHI' NË DÃœREN KISHTE FESTËFotoreportazh nga AGIM GASHI (01.19.2015)
ZVICËR - BESNIK EMINI NGA TUPALLA E MEDVEGJËS DIPLOMON SI EKSPERT FEDERAL I PRODHIMIT (01.18.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lart]