VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ARBËRESHËT E SICILISË PËRKUJTOJNË PAPA MATEUN

E Enjte, 03.05.2015, 02:15pm (GMT1)

 
Komuniteti arbëresh i Sicilisë, të shtunën e 7 marsit do ta kujtojë papa Mateun Shambra, me rastin e 100-vjetorit të lindjes.

Një simpozium do mbahet mu në Kishën konkatedrale të Arbëreshëve, "la Martorana", në Palermo, ku i ndjeri ishte famullitar për disa dekada.

Sipas një komunikate për shtyp, Papa Mateu, përveç se prift arbëresh i ndershëm, ishte edhe ligjërues i Gjuhës dhe i Letërsisë Shqipe në Universitetin e Palermos dhe bashkëpunëtor i zellshëm i At Zef Valentini-t.

Ndër botimet e tij më me vlerë, janë Liber Brevium të Papa Kalistit, lidhur me epokën e Skënderbeut dhe përpunimin e Arkivit të famullisë greke-koroneze-arbëreshe të Sh. Kollit në Palermo.

Fjalën e rastit do ta mbajë Prof. Mateo Mandalà, ligjëruesi i sotëm i Shqipes në Universitetin e Palermos, i ndjekur nga famullitari i ri i Kishës Arbëreshe, papa Nikola Kuçi.

Ceremonia do marrë fund me koncertin e muzikës bizantine arbëreshe drejtuar nga profesori i shquar shqiptar, Tonin Tarnaku.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.