VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

BIRI IM, LARGOHU!
Nga NDRIÇIM MEHMETI

E Premte, 03.13.2015, 09:57am (GMT1)



Në fillim të viteve 1990, shqiptarët filluan të "çajnë ferrën' dhe të shkojnë ku e ku të mundnin në Evropë. Varfëria, zhgënjimi, pamundësia për të jetuar në vendin e tyre, sollën në sytë tanë atë që kishim lexuar në libra, për emigrimin, i cili, mbetej si një vegim i mjegullt në mendjen tonë. Prindërit shqiptarë të moshuar, shikonin me trishtim largimin e fëmijëve të tyre, prindërit më të rinj u bënë iniciatorët e largimit për t'u dhënë fëmijëve një jetë më të mirë. Duke u larguar, të gjithë të përlotur, mendonin se në pak vite do të siguronin të ardhura për t'u kthyer te vendi i tyre amë, prej të cilit nuk ishin shkëputur së paku prej dy brezash. Gjithsesi, ndërsa shpresa për t'u kthyer mbetej ende e pashuar, 1997, jo vetëm shuajti iluzionet që i mbanin gjallë shpirtërisht që ishin jashtë, por shkatërroi në mënyrë të pariparueshme, shpresat e atyre që ishin brenda. Nënat dhe baballarët që i kishin ende në shtëpi fëmijët e tyre, mezi prisnin të miratonin pa mëdyshje, propozimin që do të dilte nga goja e fëmijëve se "më mirë të iki, sesa të vuaj në këtë vend". Ku mund të ikje pas 7 vjetësh të migrimit më të madh të shqiptarëve pas Luftës së Dytë Botërore? Kudo. Kudo ishte më mirë se në Shqipëri, ndonëse të gjithë e dinin se pas jehonës së krijuar nga pamjet e transmetuara nga televizionet në 1997, nuk ishte shumë e lehtë të thoshe se ishe shqiptar.

Rrodhën si rrodhën ngjarjet, por u duk se së paku në 15 vitet e fundit Shqipëria kishte fituar një stabilitet politik dhe ekonomik. Pavarësisht problemeve, vendi dhe shoqëria kishin fituar një frymë optimizmi të matur. Mbase ditët e mira për Shqipërinë po vinin. Njerëzit lëviznin lirshëm në Evropë pa u dashur të kalojnë një kalvar të gjatë mundimesh dhe harxhimesh monetare, për të shkuar vetëm pak ditë tek të afërmit e tyre. Shqipëria eksportonte më parë emigrantë, figura të krimit të organizuar, trafikantë, prostituta dhe padyshim edhe punonjës të mirë e të përkushtuar për familjen. Kjo kohë nuk është se kishte marrë fund, por grupi i keqbërësve po zvogëlohej në favor të studentëve që ishin kudo: në Itali, Greqi, Francë, Britani e Madhe, SHBA, Kanada e Australi. Ishte bukur të dëgjoje më pak për probleme e më shumë për njerëz që kërkonin të përfitonin nga të mirat e edukimit global. Por duket se nuk ishte e shkruar që gjërat të ecnin siç do të dëshironin, apo më mirë të themi, ne u bëmë të gatshëm drejt një migrimi të ri, shumë më të vështirë.

Ajo që më shohin këto ditë sytë, më çon vetëm një gjë në mendje: Biri im largohu! Shko sa më larg të jetë e mundur. Largohu pa pezëm, pa brengë, pa shumë nostalgji. Biri im! Ti u rrite në pallat që i ngjante një fjetoreje, pa asnjë pëllëmbë vend ku të luaje. T'i ngjesheshe në krahët e mia ose të nënës tënde, për të pritur me orë të tëra radhën tek i vetmi vend argëtimi, në qytet, që mbante emrin "7 xhuxhat". Nga frika e makinave, ne nuk të linim të blije vetë një akullore, por pranoje të haje atë që të sillnin, boll që të quhej akullore. Tani ti bir, ke shansin që të marrësh në duart e tua fatin tënd, deri dje të shënjuar prej meje. Në dallim do ta kesh pak të vështirë, por më beso në pak kohë, nuk do të ketë ditë që të mos lusësh Zotin për vendimin që more. Në rrugët e pastra e të zhurmshme të botës së qytetëruar nuk do të shohësh njerëz që pështyjnë në tokë, as që flasin me vete. Nuk do të gdhihesh e erresh me mendjen tek kronika e zezë, për të mësuar makinën e radhës që është hedhur në erë. Atje do të dëgjosh, rrallë shumë rrallë, njerëz që në kafene, shajnë e bërtasin për ministra, prefektë, kryetarë bashkie, punonjës të elektrikut e ujësjellësit. Në kafenetë e hijshme të botës nuk do të shohësh njerëz të parruajtur pranë një gote rakie, një pjate gjize marinuar me qepë të njoma e ullinj, të diskutojnë e japin mend, për politikën e gabuar apo të mirë të Obamës Merkelit, Tsiprasit e Renzit. Në ekranet e televizionit nuk do të shohësh 6 herë kryeministrin, tri herë ministrin e Brendshëm dhe 2 herë drejtoreshën e Doganave dhe të Tatimeve. Nuk do të hasësh rëndom zyrtarë, që nuk janë në zyrë dhe sekretare që të shtyjnë takimet me ditë e javë. Kur të jesh në bankat e shkollës, askush nuk do të pyesin "se i kujt je?", por sa di dhe sa vlejnë dijet e tua për shoqërinë. Bijtë dhe bijat e "të mëdhenjve", mos i mundo t'i shquash. Ata nuk përdorin, "Porshe", "Tuareg", "BMW X6" dhe "Corvet". Ata vijnë në shkollë me autobus, ose metro si gjithë të tjerët. Mos u shqetëso shumë për rrobat e palara, se edhe po s'pate makinë larëse, në bodrumin e pallatit do të gjesh radhë të lash rrobat e tua e t'i marrësh të thara.

Kur të nisësh të mësosh, mendja nuk duhet të shkojë se dritat do të ikin dhe më mirë të flesh e të çohesh herët, të mësosh me dritën që Perëndia i ka falur Tokës, Diellin. Këshilla e mamasë për t'u veshur trashë në shtëpi nuk vlejnë atje ku do të shkosh, pasi "mund të zësh kos". Kështu që lahu pak më shpesh në dimër se nuk është ftohtë dhe gripi edhe po të zuri, nuk është se kthehet në sëmundje periodike.

Biri im largohu, që të mos mësosh se vetëm politika dhe lidhja e fortë pas saj të bën me para. Të mos mësohesh, se duke qenë anëtar i partisë e gjen punën më lehtë, bëhesh më krijues, bën më shumë para dhe në fund del nga dyert e administratës së shtetit skiç, nga shëndeti i marrë prej drekave e darkave qyl. Biri im. Ndërto një jetë, në të cilën djali apo vajza jote nuk do të shohin babanë të rrijë në shtëpi me të vetmin mëkat, se nuk është anëtar i partisë-shtet.

Biri im, largohu. Largohu, që të mos ndotesh aq shumë, sa zhuli të bëhet pjesë e trupit me të cilin mësohesh dhe nuk rron dot pa të, por mos harro: Një ditë të kthehesh në vendin tënd me shumë shokë e shoqe, e t'u tregosh atyre që do të jenë sa ti tani, të mos e humbin shanin, siç e humba unë dhe shokët e mi. Tregoju atyre se e keqja nuk i mund dot, njerëzit që duan lirinë, të vërtetën, drejtësinë. Biri, im e di që është e vështirë të them largohu. Por kam besim se ti dhe brezi yt do të bëheni njerëz më të mirë. Mençuria do të zëvendësojë tek ju paditurinë, urtësia zemërimin, dashuria urrejtjen, drejtësia, padrejtësinë.

Biri im. Nëse do t'i lexosh këto reshta, mos më kërko shumë shpjegim. Një ditë do ta kuptosh, se të largohesh, është edhe kjo një zgjedhje dhe jo zgjidhje.
NDRIÇIM MEHMETI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.