VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SHQIPTARËT I FESTUAN PASHKËT NË LUCERNË TË ZVICRËS

E Martë, 04.07.2015, 03:48pm (GMT1)



Pashkët në Lucernë të Zvicrës (Foto)

Misioni Katolik Shqiptar në Lucernë të Zvicrës, solemnisht kremtoj Javën e Madhe dhe Ditën e Pashkëve. Edhe pse shumë mërgimtarë kishin marrë rrugë për vendlindje, që bashkë me të afërmit të festojnë Pashkët, shumë të tjerë festuan në qendrat tona në Zvicër.

Pashkët që janë festë e promovimit dhe mbrojtjes së jetës, vlerave jetësore në përgjithësi, mbi të gjitha për të krishterët janë festë e ngadhënjimit të së mirës mbi të keqen dhe jetës mbi vdekjen.

Kështu, pas dyzet ditë pendese, lutjeje e agjërimi nga e Mërkura e Përhimjes, filluam Javën e Madhe dhe erdhi dita e Pashkëve Ringjalljes së Jezu Krishtit. Për të krishterët kjo është festa më e madhe, pasi që me Ngjalljen e Krishtit merr kuptim çdo festë tjetër fetare, qoftë edhe ajo e Krishtlindjes. Kështu, si kudo ndër të krishterë, edhe në bashkësinë e Misionit në Lucernë, Java e Madhe dhe festa e Pashkëve u kremtua solemnisht.

Java e Madhe që fillon me të dielën e Luleve (e diela para Pashkëve), na përkujton hyrjen solemne të Jezusit në Jerusalem. Mesha e shenjtë u kremtua në Sursee në prani të shumë besimtarëve. Ajo që veçohet gjatë kësaj Jave, janë tri ditët e shenjta, e Enjta, e Premtja dhe e Shtuna e Madhe, ditë këto që na bëjnë të meditojmë mistere të mëdha të shëlbimit tonë.

Të Enjten, Mesha e darkës së Mbramë, gjatë së cilës përkujtojmë themelimin e sakramentit të Eukaristisë dhe Meshtarisë. Pastaj, tradita e larjës së këmbëve, gjest që shpreh çartë porosinë e Krishtit që u jep apostujve, të jenë gjithmonë në shërbim të besimtarëve. Mesha u kremtua në Luzern, ndërsa për apostuj ishin përzgjedhur të moshuar e të rinj, duke theksuar kështu përgjegjësinë e çdo njërit, të jenë dëshmitarë të mirë të porosisë së Krishtit.

Të Premten e Madhe, në Einsiedeln u mbajt devocioni i Udhës së Kryqit nga tri Misionet Katolike Shqiptare në Zvicër (Luzern, Sirnach dhe Aarau). Morën pjesë mijëra besimtarë. Është një përvojë e mirë se Zoti na bashkon në tempujt e shenjtë dhe si vëllezër e motra mes veti, kujtojmë ngjarjet që Zoti bëri për ne, mbi të gjitha duke e përjetuar praninë e Tij. Të njëjtën ditë, në mbrëmje u mbajt liturgjia e të Premtes së Madhe në Luzern që përmban Shërbesën e fjalës, Adhurimin e Kryqit dhe Kungimin.

Gjatë të Shtunës së Madhe Kisha nuk kremton meshë, por është në meditim para Varrit të Krishtit i cili pret Ngjalljen e tij të lavdishme. Gëzimi i Pashkëve fillon me meshën e Vigjiljes së Pashkëve që është në mbrëmje ose në orët e vona të së shtunës. Në Luzern ritet filluan në ora 21. Së pari bekimi i zjarrit që është shenjë e jetës që shndritë dhe ngrohë. Prej tij ndizet qiriu i Pashkëve që simbolizon Krishtin e Ngjallur. Më pas, misionari ynë don Agim Qerkini solemnisht e këndoj himnin e Qiriut. Liturgjia vazhdoi me leximin e Fjalës së Zotit, bekimin e ujit, përtëritjen e premtimeve të pagëzimit dhe shërbesës Eukaristike. Në fund të këtij kremtimi ishtë bekimi i bukës së Pashkëve.

Të dielën e Pashkëve në Misionin e Lucernës ishin dy meshë: Në Godau dhe Sursee. Shumë kohë para fillimit të kremtimeve, kishat ishin të mbushura me besimtarë. Edhe pse shumë prej tyre ishin në këmbë, ishte për çdo lëvdatë pjesëmarrja e tyre aktive në lutje dhe rregulli gjatë gjithë kremtimit.

Në pretkun e rastit në Sursee, udhëheqësi i Misionit, misionari don Agim Qerkini, foli për Pashkët si festë e jetës, se Zoti është Zot i jetës. Pastaj përshkroi Pashkët tona tradicionale, por theksoj se Pashkët na ftojnë në falje dhe pajtim. Duke u bazuar në porosinë e Ungjillit, ai iu drejtua sidomos të rinjve, të cilët sipas dëshmisë së Shën Gjonit, duhet t'i vlerësojnë të moshuarit që e kanë guximin dhe përvojën e jetës, mos ta harrojnë gjuhën e bukur shqipe, të gjejnë gjuhë të përbashkët me prindërit, t'i ruajnë vlerat dhe traditat tona të mira. Një vëmendje të veçantë tregoj ndaj të sëmurëve, duke u lutur për ta, pastaj për të varfërit, të krishterët e persekutuar në vende të ndryshme, me urimin që në botën mbarë të mbretëroj paqja e Zotit.

Në fund të meshës, don Agimi falënderoi të gjithë ata që kanë ndihmuar në përgatitjen dhe mbarëvajtjen e festës, duke filluar nga Këshilli i Misionit, Kori e ndihmës të tjerë.

Edhe pse me mot paksa të ftohtë, në fytyrat e të gjithëve shihej gëzim e hare. Jehonin fjalët përshëndetëse Për shumë mot Pashkët, me dëshirat për shëndet e bekim. Dhashtë Zoti që populli ynë te festoj i bashkuar, sepse është Një Zot që na don dhe bekon të gjithëve.

Koha e Pashkëve që zgjatë 50 ditë, është kohë gëzimi, pra, për të kënduar edhe ne "Alelujen" e liturgjisë duhet të ringjallemi shpirtërisht me Krishtin duke filluar një jetë të re në paqe me Zotin dhe të afërmin.
Për shumë mot Pashkët!

Për Misionin, Angjelina Markaj-Gjokaj
Lucernë, 5 prill 2015
Angjelina Markaj-Gjokaj


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.