VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

MUNGESA E SHKOLLËS SHQIPE, DIKTON FORMA TJERA TË EDUKIMIT
MIQËSI, JOSHJE MAGNETIKE PËR MYSAFIRËT E LARGËT
Fotoreportazh nga IDRIZ ZEQIRAJ

E Hënë, 04.27.2015, 06:24am (GMT1)


Kryetari Abaz Imeri me grupin artistik në Heilbronn

Qyteti i Heilbronn-it në Gjermani, për shqiptarët e Kosovës dhe të botës, është bërë i njohur qysh nga janari i vitit 1982. Në periferi të kësaj qendre urbane, në fshatin Untergruppenbach, janë ekzekutuar veprimtarët atdhetarë: Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka, sot Heronj të Kosovës. Krimi i ndodhur 33 vjet më parë, edhepse shumëçka dihet për autorësinë e tij, ndëshkimi ka munguar!

Lidhja me heronjtë Gërvalla

Rihapja e dosjes u aktivizua vitin e shkuar dhe pistat e krimit në bashkëpunim janë tri: UDB-a jugosllave, Sigurimi Shqiptar dhe LPK-ja, krahu kundërshtar i Jusuf Gërvallës.

Heilbronn-i ndodhet në mesin e qyteteve të mëdha: Mannheim-it dhe Stuttgart-it, që të tre pjesë e Landit të Baden Würtemberg-ut, Republika e dytë në Gjermani me kamje ekonomike. Pozicioni i përshtatshëm gjeografik dhe begatia industriale, ka tëhequr grumbullimin e emigracionit ekonomik dhe politik të shqiptarëve të Kosovës dhe të trevave tjera shqiptare, që nga fund-vitet `60-a e këtej.

Në këtë mjedis punuan dhe vepruan vëllezërit Gërvalla, andaj klubi i Heilbronn-it u pagëzua me emrin "Jusuf Gërvalla", ndërsa ai i Ludwigsburg-ut, fqinj me qytetin e Heilbronn-it, me emrin "Bardhosh Gërvalla". Ndonëse të dy këto qytete kishin dhe kanë emigracion të shumtë shqiptarë, edhe veprimtaritë e ndryshme kanë qenë numerike dhe janë shquar për cilësi.

Bashkëkombasit tanë në Heilbronn, Ludwigsburg, Stuttgart dhe qytete tjera përrreth, janë përlotur të parët për vrasjen e trefishtë në Untergruppenbach të Heilbronn-it. Ata janë vizitorët e parë në vend-vrasjen e djemve të Kosovës si dhe vizitorë, për dy dekada radhazi, në varrezat e Canstadt-it, në afërsi të Stuttgart-it, ku pushonin trupat e tre martirëve të Kosovës.

Klubin "Jusuf Gërvalla" në Heilbronn e kanë bërë shumë të njohur dy faktorë: djemtë e shkolluar dhe të vyeshëm, që e kanë udhëhequr dhe lokali i madh, tejet atraktiv për veprimtari të shumëllojshme. Në atë lokal është dëgjuar gjëma dhe kënga për të rënët, dasmorë të lirisë; aty janë zhvilluar debatet pluraliste; Shoqata e Intelektualëve të Pavarur; organizimi i konsoliduar i mërgimtarëve, subjekti i parë politik pluralist - LDK-ja, për ta siguruar mbijetesën e popullit të Kosovës, që daton në fund-vitet `80-a, për të vazhduar deri në çlirimin e Kosovës nga NATO-pakti.
 
Moderatoret: Majlindë Imeri dhe Liri Kaludra



Batakçinjtë


Tradita e frymës atdhetare është ruajtur mrekullisht mirë, edhepse format e organizimit në qytetin e Heilbronn-it kanë ndryshuar. Burrat dhe djemtë vullnetmirë, nuk kanë lejuar zhbërjen e organizimi bazal të hershëm. Ndonëse të shkolluar në Atdhe, të larguar që andej në kohë dhe rrethana të ndryshme, jeta mërgimtare i ka bashkuar dhe mirëkuptuar, për të punuar dhe vepruar në të mirë të Kosovës, të familjes dhe të fëmijëve të tyre.

Është për keqardhje, por, për hirë të së vërtetës duhet pranuar, se më mirë ka qenë i organizuar mësimi plotësues në gjuhën shqipe dikur, se sa sot në kohë të Kosovës së lirë! Qeverisjet e Kosovës nuk bënë as "lavrën e miut", për ta zgjidhur çështjen e arsimimit dhe të edukimit kombëtar të shumë mijëra fëmijëve shqiptarë, edhepse shtetet pritëse evropiane kanë ofruar kushte e mundësi reale dhe ideale për këtë. Qeveritarët batakçinj e hajna zyrtarë, shpërdorues, deri në skajmëri, të pozitës zyrtare, bredhin me delegacione enorme, anekënd botës, sikur Kosova ta kishte madhësinë e rëndësinë e Amerikës, Rusisë apo të Kinës, duke i marrë me vete edhe dashnoret e tyre, por nuk kanë fonde për të paguar rroga modeste, apo edhe gjysmë rroga, për mësuesit në Mërgatë.

Në mungesë të Shkollës shqipe në Heilbronn, Këshilli Organizativ Gjithëshqiptar, me kryetar djalin e shkolluar të Mitrovicës, Abaz Imeri, me kryesinë simpatike, kanë zgjedhur forma tjera të edukimit të fëmijëve, për ta kompensuar, në një masë, mangësinë e mësimit plotësues në gjuhën shqipe. Veprimtarët e këtij Këshilli kanë ndarë detyrat, duke punuar me fëmijtë shkollarë, për njohjen sa më mirë të kulturës, traditave dhe folklorit burimor shqiptar.

Në punën me nxënësit janë angazhuar, ndër vite, madje vullnetarisht, mësuesit: Gani Kryeziu me të shoqen Fikrijen, Abaz Imeri, Bedri Kryeziu, Emin Demaj me shokë. Këta dy të fundit edhe tani vazhdojnë të ushtrojnë fëmijtë në recitime e vallëzime nga trevat e ndryshme shqiptare. Në saje të kësaj pune përkushtuese, grupi i fëmijëve dhe i nxënësve të Heilbronn-it kanë marrë pjesë, me programet e tyre artistike, në skenat e qyteteve në: Pforzheim, Kichheim-Teck, Schwabisch-Gemund, Sinsheim, Bretten, Stuttgart e tjerë.

Nxënësit, tashmë, flasin shpengueshëm në gjuhën amëtare. Janë në shoqërim të përhershëm në mes tyre, pothuajse, si një familje e madhe, duke e zgjeruar këtë shoqërim e miqësi edhe mes prindërve të tyre.
Kryesia e Këshillit është unike dhe në harmoni të admirueshme, me këtë përbërje: Abaz Imeri, kryetar, Emin Demaj, Bedri Kryeziu, Skënder Alimetaj, Fadil Delija, Cen Berisha, Shkelzen Gashi, Mustafë Demaj, Faik Camaj, Naser Sadiku, Osman Doda, Ranadan Latifi. Ata vijnë nga treva të ndryshme shqiptare, që nga Mitrovica, Istogu, Dragashi, Ulqni dhe me radhë. Jeta prej mërgimtarësh i ka bashkuar, i ka miqësuar, madje pa asnjë paragjykim, hallet e njërit, janë edhe të tjetrit, hidhërimet dhe gëzimet janë të përbashkëta. Atdheu mbi të gjitha, një nyjë-lidhëse, e pashkëputshme, e përhershme dhe e përjetshme.

Pse pëlqehen organizimet në Heilbronn?

Sapo lajmërohet një aktivitet në Heilbronn, edhe mërgimtarët e largët, i dëgjon të thonë: "Jemi mysafirë të Këshillit Organizativ Gjithëshqiptar, përkatësisht, të Qendrës Kulturore Shqiptare, në Heilbronn, gjegjësisht ke Abaz Imeri me shokë. Sepse ata dinë të presin, të respektojnë dhe të falin miqësi të pakursyer. Kryesia e Këshillit, anëtarët, sinpatizantët, janë të pranishëm me familjet e tyre në sallë dhe për mysafirët kanë një përkujdesje të veçantë, duke rendur me radhë ke tavolina, për të uruar mirëseardhje, çiltëri e ngrohtësi njerëzore. Dhe, kjo shprehje e miqësisë, është një joshje magnetike për mysafirët e largët, të cilët këmbejnë vizitat reciproke, në organizimet festive apo përkujtimore.

Festa e Pavarësisë edhe kësaj radhe i bashkoi miqtë e vjetër, duke zënë edhe miq të rinj. Një sallë e madhe, e zbukuruar me shije dhe enkas për atmosferën festive, ishte mbushur me mërgimtarë. Mbizotëronin familjet, me djem e vajza dhe fëmijë shkollarë. Skenarin, deri në detaje, e kishte përgaditur kryetari i Këshillit, Abaz Imeri. Ky skenar, i ideuar nga Kryesia dhe i realizuar nga kryetari, nuk linte asnjë boshllëk për bjerrakohë, sepse në këtë mënyrë racionalizohet koha dhe evitohet, shmangët zhurma, pëshpëritja brenda publikut. Kryesia e Këshillit, përgjatë pjesës së parë të programit historiko-politik si dhe të pjesës të dytë - programi artistik i nxënësve, fëmijëve, qendronin në këmbë, duke kontrolluar dhe zotëruar të gjithë hapësirën e sallës.
Dhe, kjo bëhet për dy arsye: 1.- Duke qenë në mjediset e sallës, publikut, njerëzit rezervohen për biseda e pëshpëritje me njëri-tjetrin dhe janë më të vëmendshëm ndaj referuesëve dhe recituesëve në tribunë, skenë; dhe, 2.- Në sallë mund të zënë vend edhe individë asocialë, me edukatë të mangët, të prirur për keqbërje ose edhe rrugaçëri, të cilët ekzaltohen nga pijet dhe shqetësojnë të pranishmit. Në këto raste, anëtarët e Kryesisë janë aty, për ta neutralizuar keqbërësin dhe për këtë kanë forca shtesë të gatshme. Ndërsa, në pjesën e tretë të programit, muzikë argëtuese, më e gjata në kohë, lejon akomodimin, uljen e anëtarëve të Kryesisë pranë familjeve të tyre, por jo edhe humbjen e kontrollit, vigjilencës, syçeltësisë, për çfarë ndodhë benda sallës dhe në mjediset e saj rrethanore, deri edhe në vend-parkime të veturave.
 
Nga e majta: Bedrush Nezaj, Shpresë Maxharraj-Fetahaj, Isuf Fetahaj, deputeti Josip Juratovic,
kryetari Abaz Imeri, Idriz Zeqiraj, Riza Zeqiraj

REALIZIMI I PAVARËSISË, VEPRA KULMORE E
PRESIDENTIT IBRAHIM RUGOVA

Vajzat moderatore, të shkolluara dhe të shpenguara: Majlindë Imeri dhe Liri Kaludra, hapin siparin e skenës, me përshëndetjen e tyre për të pranishmit: Mirë se keni ardhur dhe - Gëzuar përvjetorin e 7-të të Pavarësisë të Kosovës! Fjalën e ka kryetari Abaz Imeri. Në emër të Këshillit Organizativ Gjithëshqiptar, në Heilbronn, kryetari i këtij Këshilli, Abaz Imeri, përshëndeti të pranishmit, duke i falenderuar për pjesëmarrje masive dhe, njëherësh, ua uroi të gjithëve festën e Pavarësisë të Kosovës!

Përshëndetja dhe fjala e rastit e kryetarit Abaz Imeri

Kryetari Imeri vazhdoi me përshëndetjen e mysafirëve: Deputetin në Bundestag-un gjerman, në Berlin, Josip Juratovic; familjet e dëshmorëve dhe të viktimave të luftës; të burgosurit politikë Idriz dhe Riza Zeqiraj, të ardhur, përkatësisht, nga Mynihu dhe Ludwigshafeni; Isuf Fetahaj, përfaqësues nga Jugendamt-i në Heilbronn; Kryesinë e Klubit "Bardhosh Gërvalla" nga Ludwigsburg-u, e kryesuar nga Bedrush Nezaj e Xhevdet Pajaziti; Kryesinë e Klubit Futbollistik "Kosova" nga Ludwigsburg-u, të kryesuar nga Mentor Zenaj dhe Enver Muzliukaj; Drejtorin e "Radio Drita", me seli në Stuttgart, Qani Rexhepi; Aferdita Dauti - Xheladini, kryetare e Shoqatës së Gruas Shqiptare "Nëna Tereze" dhe përfaqësuese e Degës së Fondacionit "Nermin Vlora - Fallashi", nga Heidelberg-u, e shoqëruar nga anëtarja e kryesisë Valbona Makolli; Shoqatën "Kosova", në Sinsheim, e kryesuar nga Nazim Bajrami.

Në këtë përvjetor po shoh se kanë ardhur shumë mysafirë, madje nga të gjitha anët e Gjermanisë, klube e shoqata kulturore, veprimtarë dhe personalitete të subjekteve të ndryshme politike. Prandaj, në pamundësi për t i përmendur të gjithë me emër, ju përshëdes të gjithëve dhe, në veçanti, mysafirët e rrugëtimit të gjatë!
Në fjalën e rastit, kryetari i Këshillit Organizativ, Abaz Imeri, veç tjerash, tha: "Edhepse përballë sfidave që po kalon shteti i Kosovës, shqiptarët kudo që janë, e sidomos ata në Kosovë, kanë shumë arsye për të festuar dhe për t`iu gëzuar këtij shteti dhe kësaj lirie.

Padyshim se data e 17 Shkurtit 2008, e mbylli faqen më të rëndë dhe më të vështirë të historisë sonë. Para 7 viteve u realizua projekti më i madh, që e kishin synim shumë breza shqiptarësh, një projekt që sot simbolizohet me liderin nacional, politik, arkitekti i Pavarësisë të Kosovës, Presidenti Historik Dr. Ibrahim Rugova dhe luftëtarët e lirisë, që nga Sali Çekaj, vëllezërit Hamëz e Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Ahmet Hoxha me shokë, heronj të luftës çlirimtare", - e përmbylli fjalën e tij kryetari Imeri.
 
Veprimtari dhe arsimtari veteran Skënder Alimetaj

Fjala e anëtarit të Kryesisë - Skënder Alimetaj

Referatin, në emër të Kryesisë të Këshillit, për historikun e Pavarësisë të Kosovës, e mbajti veprimtari dhe arsimtari veteran Skënder Alimetaj, anëtar i Kryesisë të Këshillit Organizativ. Zotëri Alimetaj bëri një përvijim konstruktiv të historikut kronik, përgjatë një shekulli, të përpjekjeve të shumta, mënyrave të ndryshme të kundërshtisë të robërisë, protestave masive e deri ke lufta e armatosur e popullit tonë, për t`u çliruar nga pushtuesi barbar serbo-sllav.

"Dhuna, torturat, përndjekjet, arrestimet, dënimet, burgjet - qenë të përhershme, në një kohëzgjatje shekullore. Persekutimi dhe cinizmi kaloi çdo përmasë njerëzore dhe kjo i dha shkas e hov kundërshtisë ndaj pushtuesit dhe zgjimit masiv, gjithëpopullor për çlirim, liri, pavarësi. Ndërsa demokracia ka mbetur peng i forcave të kuqe staliniste-enveriste, të majtës të errët shqiptare.
Në vitet `90-a, krahas popujve të Lindjes evropiane e ballkanike, edhe për shqiptarët u krijuan rrethanat e pluralizmit politik, si mundësi e legalizimit të kërkesave për liri të fjalës, të mendimit dhe të denoncimit të shtypjes dhe të mjerimit nacional të shqitarëve nga popujt sllavë, në veçanti, nga ai serb. Lëvizja kombëtare, nën drejtimin e dr. Ibrahim Rugovës, bëri hapin e duhur, të mençur, duke krijuar sistemin paralel të institucioneve të Kosovës, përfshi këtu Parlamentin dhe Qeverinë. Kjo masë supreme, i devalvoi institucionet e dhunshme të Serbisë, deri në përmasën e mosekzistencës së tyre.
Luftërat e Serbisë me Republikat tjera brenda Jugosllavisë në shpërbërje e sipër, i dhanë shans e mundësi intelektualit Ibrahim Rugova, për të përgaditur opinionin dhe qendrat e vendosjes ndërkombëtare, për rrezikshmërinë e Serbisë agresive e fashiste, që ajo paraqet për Kosovën dhe popullin e saj. Ndërkohë, filloi edhe përgaditja për luftë, në rast se do të dështonte zgjidhja paqësore, për shkëputjen e Kosovës nga Serbia.
Meqenëse Serbia agresore kulmoi dhunën ndaj shqiptarëve të Kosovës, Forcat e Armatosura të Repubikës të Kosovës filluan luftën, edhepse raporti i forcave ishte i pabarabart dhe në favor të pushtuesit. Masakrat e shtuara ndaj popullsisë civile, prekën ndërgjegjen e botës liridashëse, e cila ndërhyri me forcën e organizuar ushtarake - NATO- paktin dhe dëboi pushtuesin serbo-sllav nga trojet tona, duke e çliruar përfundimisht Kosovën tonë.
Çlirimi e gjeti Kosovën të rrënuar dhe të përflakur nga zjarri armik. Populli i Kosovës po i kthehej vatrës lindake, me gëzimin e madh të çlirimit, të lirisë. Rindërtimi i shtëpive dhe mëkëmbja e përgjithshme nisi me vrull. Prania ndërkombëtare derdhi 5 (pesë) miliardë euro për ndihmë sociale. Shpërdorimi, vjedhja e popullit dhe e shtetit u bë modë. "Komandantët" e "luftës", pavarësisht se kush zotëronte pushtetin në letër, ata, de fakto, realisht, sundonin dhe zhvatnin pasuritë e Kosovës, pasurinë e brezave shqiptarë! Dhe, këtë e realizonin me forcën e armëve, të mujëshisë, në sytë UNMIK-ut, i cili, mjerisht, u korruptua turpshëm nga "komandantët" e pas luftës.

Shqiptari më meritor

Megjithatë, Presidenti Ibrahim Rugova, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me aleatët, miqtë e tyre dhe Shqipëria demoktratike, punuan shumë për realizimi e Pavarësisë të Kosovës. Pa asnjë mëdyshje, arkitekti dhe themeltari i Pavarësisë të Kosovës është kolosi vizionar, Presidenti Historik Dr. Ibrahim Rugova. Realizimi i kësaj Pavarësie, më 17 Shkurt 2008, është vepra kulmore e "Shqiptarit më të madh të shekullit, Ibrahim Rugova", siç e ka cilësuar shkrimtari i njohur, Ismail Kadare.

Krimi i organizuar politik, pra, vrasjet politike, gjatë dhe pas luftës, në Kosovë, me qëllim të marrjes të pushtetit me dhunë, shumësia e këtyre vrasjeve, janë unikale në hapësirat ballkanike dhe evropiane. Pa zbardhjen e këtyre krimeve makabre, nuk ka ecje përpara as demokratike dhe as politike në Kosovë. Shteti është kapur nga krimi, nga SHIK-u. Sistemi i drejtësisë nuk funksionon, sepse ligjbërësit janë pjesë e krimit.
Kosova e kapluar nga papunësia, korrupsioni zyrtar, nepotizmi, nihilizmi, haraçi, zhvatja, anarkia, për rrjedhojë, njerëzit kanë humbur çdo shpresë për jetë normale, ose edhe më troç, për ta siguruar bukën e gojës, për vete dhe familjen, andaj kanë marrë botën në sy, ikjen. Ndërkohë, pushtetarët megallomanë e huliganë, krejt të papërgjegjshëm, anashkalojnë të vërtetën dhe flasin "kodra pas bregut", duke fajësuar se "turmat e eksodit kërkojnë jetë luksi", prandaj edhe largohen!?! Kjo është shpifje monstrume dhe përtallje me ndjenjat, hallet dhe fatin e njerëzve në nevojë.

Ne apelojmë që shqiptarët e Kosovës të mos i lëshojnë vatrat e tyre, edhepse jemi të vetëdijshëm se këshilla dhe thirrja jonë janë të pamjaftueshme, janë një ngushëllim, por jo edhe zgjidhje, për ata që eksodin e konsiderojnë si rrugë të vetme shpëtimi, ikjen nga varfëria e skajshme. Ne u themi pushtetarëve batakçinj e vagabondë në Kosovë, të kenë një qasje më serioze karshi fenomenit shumë të rrezikshëm, siç janë largimet masive të këtij fillim-viti", - e përfundoi referatin anëtari i Kryesisë të Këshillit Organizativ, Skënder Alimetaj.

Deputeti i Bundestag-ut, Juratovic:
"JEMI ME JU SOT DHE MOT"!
 
Përshëndetja e deputetit gjerman, Josip Juratovic
Në fjalën e tij, më shunë se përshëndetëse, deputeti i Parisë Socialdemokrate, në Parlamentin gjeman, në Berlin, ishte i sinqertë, i drejtëpërdrejtë dhe shumë miqësor për shqiptarët, në përgjithësi, dhe për Kosovën, në veçanti. Njohës i mirë i problemeve dhe ngatërresave ballkanike, ai foli për konfliktet e viteve` 80-a brenda Jugosllavisë dhe luftën e viteve `90-a. Në të dy rastet fajësoi hegjemonizmin serb, prepotencën, mujëshinë e hapur, duke u thirrë në zgjidhjen e problemeve me forcën e armëve. Ishte pikërisht oreksi i shfrenuar i nacionalizmit serbomadh, i cili çoi në konfliktin e armatosur dhe në shpërbërjen e Jugosllavisë.

Përballja e Kosovës me dhunën serbe, ishte më e rënda

Deputeti gjerman foli i shpenguar dhe me shumë kompetencë, për historinë e dhimbshme të shqiptarëve të Kosovës, për dhunën dhe gjenocidin e ushtruar në dekada dhe të tepëruar në vitet `90-a, për të kulmuar me masakrat e vitit 1998 dhe 1999. Përballja e Kosovës me dhunën serbe, ishte më e rënda, sepse ishte krejt e pabarabartë, qoftë në njerëz, meqë nuk kishte ushtri, siç kishin Republikat tjera, qoftë në armatim, të cilin e zotëronte edhe brenda Kosovës, Serbia.

Në historinë më të re kjo masakër ka hyrë si "Lufta e Kosovës"! Realisht, kjo është qejfbërje vetës, përndryshe, i gjithë bilanci i kësaj "lufte", rezulton në vrasje seriale anekënd Kosovës dhe rrumbullakoset me masakër masive. Vizionari Rugovë parashikoi se në Kosovë, me raportin aktual të forcave, më parë se luftë, do të jetë një masakër karshi popullit të Kosovës. Dhe, ky profetizim, parashikim, u dëshmua katërcipërisht. Janë tej 13 mijë shqiptarë të vrarë, të masakruar dhe vetëm fare pak qindra serbo-sllavë të vrarë, që nuk arrijnë kurrë as 4 (katër) shifrorin.

Deputeti gjerman, Josip Juratovic, ka një të kaluar të pastër si loti, ka një logjikë të shëndoshë evropiani, me ndjenjen e zhvilluar të lirisë, andaj mbron edhe shqiptarët ballkanas, në emër të humanitetit dhe të detyrës morale, që kanë kombet e lira, karshi atyre të shtypura.

Po të provonim të tërhiqnim ndonjë paralele në mes të deputetit të Parlamentit gjerman, me ata të Parlamentit të Kosovës, do të dilnim qesharakë e skandalozë. Deputetët e Kosovës janë robër të cenzurës dhe të vetëcenzurës, sepse bashkëpunojnë dhe bashkëkuvendojnë me kolegë të inkriminuar e vrastarë të shumëfishtë, të cilët kanë përgjakur Kosovën, duke vrarë kundërshtarët politikë, kuadrot, veprimntarët, oficerët dhe ushtarët e Ibrahim Rugovës, për të marrë dhunshëm pushtetin, madje edhe kryekarrikën e Parlamentit!

Kosova i ka të gjitha shanset

Deputeti Josip Juratovic foli edhe për domosdoshmërinë e gëzimit të lirisë nga njerëzimi, përgjegjësinë që kanë popujt për menaxhimin ligjor të lirisë dhe të pasurive të vendeve të tyre, duke luftuar korrupsionin dhe paligjshmëritë e pushtetarëve dhe të qytetarëve. Liria duhet vlerësuar në masën e duhur, demokracia është vlerë, e cila kurrë nuk duhet shpërdoruar. Kosova i ka të gjitha shanset dhe mundësitë, për zhvillim ekonomik dhe demoktratik.

Nga foltorja festive në Heilbronn, deputeti gjerman foli edhe për integrimin e domosdoshëm në shoqërinë gjermane të migracionit, të ikur nga krizat e luftërave dhe të diktaturave në vendet e tyre. Ai foli me konsideratë për integrimin e shqiptarëve, të fëmijëve dhe të rinisë shqiptare në shtetin, shoqërinë gjermane.
Deputeti gjerman, Josip Juratovic, përgjatë ndejës së tij në sallën festive, ndjehej gazmor dhe shumë i relaksuar, nga pritja fort e ngohtë dhe dashamirëse. "Pritja juaj kaq dashamirëse, e sinqertë dhe shumë miqësore, tipike shqiptare, më obligon ta bëj premtimin publik. masdje qysh sonte, se edhe 8 vjetorin e Pavarësisë të Kosovës do ta gëzojmë së bashku. Me ju do të jemi sot dhe mot", - tha deputeti Juratovic, duke i shtrënguar duart e bashkuara lart. Të pranishmit premtimin e dhënë e pritën me duartrokitje dhe ovacione të zëshme. Moderatorja Majlindë Imeri, në shënjë respekti e nderimi, i dhuroi deputetit gjerman një tufë me lule.
 
Moderatoja Majlindë Imeri - buçetë lulesh pë deputetin Juratovic

Në Heilbronn edhe rinia është e organizuar

Veterani i arsimit, Gani Kryeziu, nga Rogana e Kamenicës, me të shoqen Fikrijen kanë shërbyr në arsim, tej dy dekadave, në Kosovë, por kanë ndihmuar, vullnetarisht, fëmijtë shqiptarë edhe në Heilbronn. Ata i gëzohen këtij organizimi në qytetin e tyre, si mundësi reale për të ruajtur identitetin kombëtar të fëmijëve të lindur, të rritur dhe të shkolluar në mërgim. Të kësaj mendjeje janë edhe shumë intelektualë të tjerë. Një merakosje e veçantë e prindërve për fëmijtë është edhe krijimi i familjeve të shëndosha dhe brenda llojit, origjinës.

Isuf Fetahaj, përfaqsues i Jugendamt-it, i cili hyri në sallë në shoqërim të deputetit të Bundestag-ut gjerman, më përshëndeti me shtrirje dore, duke përmendur dy elemente të veshjes time si mësues. Pa e njohur, e kuptova se ai ishte nxënës i yni në Shkollën e Vrellës të Istogut, megjithëse nuk jipte moshën e viteve. Pas pak u ndodhem së bashku në një tavolinë. Isufi ishte shkolluar në Kosovë dhe kishte vazhduar edhe studimin plotësues në Gjermani, duke u akomoduar në institucionin edukativ për të rinjtë. Integrimi nuk ka të bëjë në asgjë me asimilimin. Nusja, Shpresa, gjithashtu nga Vrella, një vajzë nga gjyshër dhe prindër të mirë, tani nuse, bashkëshorte dhe nënë e shkëlqyer, me fëmijë të rritur dhe të shkolluar. Dhe, kishte arsye veprimtari Emin Demaj të krenohej me tezën Shpresë.

Kryesia e Këshillit Organizativ Gjithëshqiptar, në Heilbronn, ka menduar dhe ka realizuar edhe organizimin e Shoqatës e të Rinjve Shqiptarë të Qendrës për Kulturë dhe Integrim në Heilbronn, e cila përfaqësohet denjësisht në veprimtaritë e ndryshme. Grupi artistik i të rinjve, i parë në ekzekutimin e valleve, kërcimeve duet, recitimeve, ngjason më një trup artistike profesionale. Mirëkuptimi bashkëpunues me mësuesit e muzikës dhe të mjeshtrive tjera të artit, brenda Këshillit Organizativ, ka zgjuar interesin e moshës rinore, për aktivitete kulturore dhe artistike. Në krye të Shoqatës rinore është e reja veprimtare Jehona Mehmetukaj. Në mungesë të saj, kësaj mbremje, në emër të rinisë, të Heilbronn-it me rrethinë, përshëndeti, në gjuhën gjermane, përfaqësuesja e të rinjve - Trëndelinë Kryeziu:
" Zonja dhe zotërinj të nderuar, ne, si Shoqatë shqiptaro-kosovare, të Qendrës për Kulturë dhe Integrim, në Heilbronn, sot, së pari, duam të falenderojmë shtetin gjerman, për mbështetjen dhe dhënien e mundësisë për aktivitetet tona në Heilbronn. Në plan të parë, falenderimi ynë është për promovimin e zhvillimit të mëtejshëm të demokracisë dhe të Integrimit të shtetit më të ri të Evropës, Kosovës tonë. Përzemësisht ju falenderojmë"!
 
Përshëndetja e përfaqësueses të rinisë Trëndelinë Kryeziu

PËR EDUKIMIN E BREZIT TË RI
Veprimtarit Enver Camaj - Mirënjohje (pas vdekjes)
 
Nga e majta: Emin Demaj, Faik Camaj, Abaz Imeri, Bedri Kryeziu,
duke dorëzuar - Mirënjohjen - për veprimtarin Enver Camaj

Programi i asaj dite festive vazhdoi me ndarjen e mirënjohjes për veprimtarin Enver Camaj (pas vdekjes), me motivacionin: "Për kontribut të shquar në udhëheqjen e rezistencës të mërgatës shqiptare, në Heilbronn dhe të gjithë veprimit politik, për fitoren e Pavarësisë të Kosovës, për rolin e rëndësishëm, si veprimtar i respektuar nga bashkatdhetarët e Heilbronn-it".

Mirënjohja iu dorëzua të vëllait, Faik Camaj, nga kryetari Abaz Imeri dhe anëtarët e Kryesisë të Këshillit Organizativ Gjithëshqiptar: Emin Demaj dhe Bedri Kryeziu.

Gjurmë të pashlyeshme

Në përshëndetjen e tij, veprimtari Idriz Zeqiraj, përgëzoi Kryesinë e Këshillit Organizativ Gjithëshqiptar, në Heilbronn, për punën e mirë që kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë edhe tani, në edukimin e brezit të rinj dhe ruajtjen e kultivimin e traditave shqiptare, të gjuhës dhe të kulturës kombëtare. Heilbronn-i është një qendër ndërlidhëse e disa qyteteve, me një grumbullim të madh të bashkëkombasëve tanë.

Në këtë mjedis gjurmë të pashlyeshme kanë lënë dy djemtë e devotshëm të Kosovës: Jusuf Gërvalla dhe Enver Camaj. Familja Camaj kishte zbritur nga Jabllanica e Madhe e Pejës në Novosellë. Enveri i kishte të mishëruara virtytet e malësorit dhe cilësitë e bashkëkohorit. Njeri i qetë, i dashur me njerëzit, i sinqertë dhe fort i përkushtuar për shokët dhe miqtë. Për një kohë jetoi në Suedi, pastaj erdhi në Gjermani dhe u vendos në Heilbronn.

Enveri ishte njeri me nisjativë dhe filloi me bisnese pune, duke mos u ndarë kurrë nga aktivitetet për Kosovën. Në Suedi kishte lënë miq të mirë, si: veprimtarin dhe ish të burgosurin politik, Sabri Novosella - Maxhuni, historianin Dr. Muhamet Shatri, kryetar i degës të LDK-së në Suedi dhe të tjerë. Kur Enveri donte t`i kishte për ndonjë aktivitet, në Heilbronn apo Stuttgart, miqtë e tij nga Suedia, u telefononte: "Ejani me avion në Stuttgart, shpenzimet janë të miat". Pra, ai përdorte bisnesin e vet modest, për të mirë të aktiviteteve, sidomos ndihmën për mbijetesën e Kosovës.

Kur Enver Camaj bëri një kapital mesatar, u tërhoq në vendlindje, ndërtoi lokalin e drunjtë "Antika" dhe nisi një hotel disa katësh. Por, u pengua, për një kohë, nga ndërrimi i markes gjermane në euro.
Kur ngritëm memorialin për djemtë tanë: Kosovë dhe Ben Zeqiraj, në Banjë të Pejës, të ekzekutuar më 10 dhjetor 2001, Enver Camaj ishte i pranishëm, si përfaqësues i Mërgatës dhe në këtë cilësi u përshëndet nga organizatorët.

Kur u përkujtua, në Studenicë të Istogut, dëshmori më i ri i Nacionalizmës Shqiptare, Rexhep Smajl Zeqiraj, xhaxhai im, ushtar i komandantëve nacionalistë: Bajram Gashit dhe Bardh Isuf Gashit, i vrarë në mbrojtje të tokave shqiptare në Rozhajë, organizuar nga Instituti Historik i Kosovës, pas ceremonisë, deputeti Fadil Geci propozoi lokalin "Antika" të Enver Camaj, për një ndejë shokësh: Dr. Muhamet Shatri, kuadri i LDK-së, ish i burgosuri politik, Nezir Gashi, organizatori i demonstratave të vitit 1968, Xhemajl Gashi, veprimtari Hamit Gashi, mësuesi Ibrahim Shala dhe një veprimtar i LDK-së nga Peja, emrin e të cilit nuk po më kujtohet. Enver Camaj e gjetëm në lokal. U gëzua shumë dhe na mirëpriti, siç dinte vetëm ai për t`i pritur miqtë. Edhepse ne kishim shkuar me vullnetin e mirë, për t`i bërë pak xhiro arkës së tij, dështoi prova jonë për pagesë pijesh. Enver Camaj ishte i veçantë në dorëdhënie, andaj nuk mund të ishte bisnismen shumë i suksesshëm, për të vënë një pasuri solide.

Vdekja tragjike e Enver Camaj ishte shokuese për Pejën dhe të gjithë miqtë e dashamirët e shumtë në Kosovë dhe diasporë. E pamja ngushëlluese, e organizuar nga Familja Camaj, në Untergruppenbach-un e Jusuf Gërvallës, me një pjesëmarrje masive të mërgimtarëve nga anekënd Gjermania dhe jashtë saj, ishte shprehje e një dhimbjeje të skajshme, për shqiptarët e Heilbronn-it, Stuttgart-it dhe më gjerë në Gjermani e diasporë. Osman Doda i Malësisë të Ulqinit hyri i përlotur në sallë, por kur u përball me fotografinë e Enver Camajt, shpërtheu në vajë. "Pas shuarjes të Presidentit Rugova, kjo ishte dhimbja ime më e madhe në jetë. Enver Camaj ishte shok i mirë. Ishte i rrallë në shoqëri dhe miqësi", - u shpreh, përvajshëm, Doda

Rinia dhe fëmijtë në aktivitete kulturore

Vajzat elegante, moderatoret Majlindë Imeri dhe Liri Kaludra, përsëri në foltore: "Rinia, nxënësit shkollarë dhe fëmijtë e Heilbronn-it me rrethinë, kanë përgaditur një program artistik për ju, të dashur bashkëkombas. Është logjike që në festimin e pavarësisë, nisma të jetë me poezinë "Pavarësia", në recitim të vajzës Dorina Kaludra, për të vazhduar Bleonita Hoxha me poezinë "17 Shkurti", e më pas , Rozana Imeri reciton poezinë "Shqiponja".

"Valle Tiranëse" e prezanton suksesshëm grupi i vajzave valltare: Arbnora Sadiku, Laura Kryeziu, Ilirida Sadiku, Arta Demaj, Doruntina Maraj, Laureta Rama, Laurenta Demhasaj, Diellza Ferizi. Ndërsa Lirjeta Bajrami, e njohur edhe përkëtej këtij mjedisi, si kërcimtare e talentuar, me partner babain e saj valltar, Nazim Bajrami, nga Sinsheim-i, shkëlqeu me poezinë "Kosova e kuqe".

Moderatorja Majlindë Imeri, u drejtohet të pranishmëve: "Të nderuar bashkatdhetarë, poezia e radhës dhe e fundit vjen si mesazh për ne, që të mos e harrojmë gjuhën shqipe. Të flasim me fëmijtë tanë gjuhën tonë më të bukur. Ju lutem, ta dëgjoni me vëmendje!" Dhe, kolegia moderatore, Liri Kaludra, prezanton djaloshin simpatik nga Heilbronn-i, Blendi Shala, me recitalin "Gjuha jonë", i cili u mirëprit nga publiku. Përsëri në skenë grupi i vajzave, por, këtë herë me "Valle Kosovare".

Pas grupit të vajzave të rritura, radhën e kanë fëmijtë. Bedri Kryeziu, Emin Demaj me shokë janë përkujdesur që tradita të bartët ndër breza, në mënyrë që skena festive të jetë gjithëherë aktive: me recitime, vallëzime dhe këngë. Dhe, fëmijtë artistë luajnë "Vallja Shqiptare": Learta Sadiku, Ariela Beiqi, Florida Hoxha, Rozana Imeri, Dorina Kaludra, Bleonita Hoxha.

Programi artistik i të rinjve dhe fëmijëve të Heilbronn-it mbyllet me "Vallja e Shotës", të kërcyer bukur dhe me shkathtësi nga Laura Kryeziu dhe Arianit Imeri.


Laura Kryeziu dhe Arianit Imeri në "Vallën e Shotës"
 

Si rëndom, ndër festime të ndryshme, muzika argëton dhe disponon të pranishmit, duke i bërë pjesë shumëfishuese argëtuese, me vallëzime grupore e masive si dhe shoqërues të disa këngëve që, tashmë, kanë fituar qytetarinë e të qenit kushtrimdhënëse e mobilizuese, si shprehje e atdhetarizmit, dashurisë dhe përmalljes për Atdheun, duke qenë larg tij, të mërguar të përjetshëm. Kësaj mbremjeje festive i shërbeu, me përkushtim e mjeshtëri, këngëtari i mirënjohur i estradës shqiptare, fort i adhuruar në Kosovë e diasporë, Qamil Hondozi me grupin e tij simpatik.

IDRIZ ZEQIRAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.