VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - 25 vjetori i vdekjes së fotografit të madh shqiptaroamerikan Gjon Mili Nga Besim Fusha

                                                                                      

E Enjte, 04.25.2024, 05:12am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
 

25 vjetori i vdekjes së fotografit të madh shqiptaroamerikan Gjon Mili

Nga Besim Fusha


E Djelë, 02.15.2009, 08:20am (GMT+1)

Ka qenë mes shkurti i vitit '84, kur mbarë Bota njoftonte vdekjen e Gjon Milit. (Bazuar në të shpejtën "The New York Times"). Shqiptarët këtu, të shurdhër e të heshtur... (Radiovalët që mund të çanin pengesat dëgjoheshin "hajdutshe"...e, po "hajdutshe", ende zor të përshpëritej veshëve). Në të vërtetë lajmi e kapërceu praghyrjen e ATSH-së, por "Axhanset e verdha", ashtu të blinduara, destinoheshin vetëm për "Bllokun". Qenë ditët e një tensioni të jashtnatyrshëm, qetësiprishëse, të pandodhur në ASH, duhej arritur FESH (Fjalori Enciklopedik Shqiptar), thuhej pragveshëve se "xhaxhi" (E.H) qe sëmurë dhe "t'ia bëjmë qefin në ditëlindje..."(Madje shtohej me marifet se, kush pengonte mbante përgjegjësi penale). Ç'do tetë të mëngjesit mblidheshim për detyrat, në ca zyra kote, ashtu frymëngrirë, në godinen e akullt antike të Toptanasve. A.Papa guxoi për Nënë Terezën. Të shtohej ndër figurat. Dhe foli për të. Qe hera e parë që degjova se një shqiptare pat "habitur" Indi, zhuri Nobeli (1979) dhe njerëzimin mbarë...Unë mora vrull dhe propozova Gjon Milin. "Ç'është ky?"- u pyet. Ç'ka bërë?" "Ku ka punuar? A e ka dashur Shqipërinë?..."

-"Shqiptari gjenial", e quante Bota - fola shkoqur. Dhe: "...hapi një ekspozitë në Paris, aty pak vite mbas Luftës. Prezantuesi e quajti Xhon. Ai reagoi, tha se diku ndodhej një Shqipëri dhe shqipja e kishte një Gj, që i pikniste emrin. Heshtje. Me një tis disi pasjelljeje. Qe e theu Zhan Pol Sarti: "Kjo që thotë Gjoni do duartrokitur..." Dhe nisi i pari..."

-S'do përmendim Sartrin këtu. Ai kishte të metat e veta. Po ky Gjoni ç'bënte gjatë Luftës? Ku ka punuar?-pyeti....(?). (Që kujdesej përherë mjeshtërisht për të "ripyetur" thëniet e më të "mëdhejve"...)

-Atë që bënin tërë amerikanët. Megjithatë, fotografonte të varfërit nën Statujën e Lirisë...Për revistën "Life"... -Qe thënia më kote që kam folur ndonjëherë. Sigurisht nga e papritura kësisoj dhe përpjekja për ta "shpëtuar"... Një tis bezdie nisi ta shtynte entuziazmin drejt portës së inatit...Por, s'u zgjat.

-Ama në "Life" ka punuar? Mbylle atë muhabet...edhe për Terezën. Borxh s'u kemi. Në shtypin tonë asgjë s'është shkruar ndonjëherë dhe, ne vjelim arritjet e shkencës shqiptare.

A.H. me luajti syrin. Unë heshta. Dhe u mbyll. Dy shqiptarët e mëdhenj, Nënë Tereza dhe Mili, mbetën jashtë faqeve të FESH. Eshtë ngjarja më cingërrime në tërë historinë rreptësisht të papërshkrueshme të mendësisë a situatës që ndërtoi Monumentin e Kulturës Shqiptare: FESH-in (1985). Thellësisht në kohë do të mbetet aq më shumë Monument, tamam sepse, mbart mbi kurriz ç'ka duhej e s'duhej, mangësinë a plotësinë e tamam kësaj: ç'ka duhet e s'duhet...si në refleksionin e një pasqyre të rreptë. Qenë kohë trysnie "robotike" açisoj, për produktin e së cilës, shqiptarët e punës këtu (të ndërgjegjësuar ose jo), me shumë se me faj... kanë veçse merita.

Definimi i Heraklitit: "gjithçka është dhe s'është, gjithçka është fluide, paprerë në ndryshim, ç'do gjë ekziston dhe zhduket vazhdimisht..." hyri thellë brendësisë së Milit, qysh herët, në vitet e para mbasuniversitare. Atëherë kur Mili e pat gjetur rrugëzimin e jetës Fotografia. A më saktë, kur ëndërronte ende kinematografinë Hollivudiane. Mbaroi në Massachusets Institute of Technology, për elektrike, më 1927. Dhe për dhjetë vjet (deri më 1938), qe inxhinier ndriçimi në Westinghouse Corporation në Cambridge. Punoi tamam në kontruktimin e fijeve të llampave për projektim. U arrit sinkronizimi i fotografimit deri në 1/250 e sekondës me flash-llampat e ndërtuara nga fije alumini (zbuluar në Gjermani më 1931). Por Mili kërkonte më shumë. Ekzistenca dhe zhdukja i ndodhin kësaj jete pambarimisht në thërmijë. Si mund të "ndalet" një predhë topi, pushke...? Si mund të copëzohej e "vilej" lëvizja e padukshme e një objekti? Dhe shansi erdhi. Bashkëpunimi me Harold Edgerton. Që mundësuan 1/100.000 e sekondës. Lindi kështu fotografimi artificial i ashtuquajtur stroboskopik. Që lypte tashmë vetëm imagjinate. Meritën për të cilën e plotpushton Mili. Me valltaren e "copëzuar" deri në "pakuptim". Me predhën e ngrirë në grykë të topit. Me... 1937: balerina e shkathët B.Fridman u fut në kurthin e eksponimit të shumëfishtë. "Life" e Nju-Jorkut ndërroi pamjen. Habiti lexonjësit. I mbërtheu në kureshtje: mendim të thellë e tisin e humortë që rrëzonte emocioni i copëzimit të lëvizjes a energjisë njerëzore brenda një kuadrati. Kjo "përkundje" në hapësirë, kjo ngulje njëkohësisht e pjesëzës së lëvizjes, theu plotësisht ligjet e kohës dhe gravitacionit. "Life" shtoi famën dhe të famshëm e bëri edhe Milin. Që nisi udhët e Botës. Në vende, popujt, njerëz.

Të thjeshtë e të njohur. Artistë, politikanë, shkencëtarë. Nëngjarje të mëdhatë e Botës: në qendra kulturore, sporti, politike, arti. "Shqiptari gjenial" shkeli Botën, e fiksoi atë me mund e mend dhe zuri vend edhe në të gjitha librat shkollore të edukatës artistike si mjeshtri i "çastit të llogaritur". Veçse jo në librat shqiptare. Aspak për arsyen e thjeshtë dhe të çuditshme: që edhe s'pati arsye.

Një nga fotografët më të mëdhenj të shekullit, Gjon Mili, ndërroi jetë në Stamford, në Connectidut, më 14 Shkurt 1984. Shërbesa fetare dhe homazhet u kryen në New York në 16 shkurt, aty ku Mili kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij.

Ai i pati kryer studimet në Institutin Teknologjik të Massachusets, MIT. Ku edhe u diplomua si inxhinier elektrik në 1927.

Menjëherë më pas u ngarkua nga Westinghouse për të bërë kërkime mbi dritën në laboratorët e tyre. Aty ju desh të punonte për 10 vjet.

Debutimi në karrierën si fotograf e pati vetëm më 1937 kur ai filloi të përdorte shkencërisht flashin elektronik, për të shprehur lëvizjen.

"Fotografia", thoshte ai, "jo domosdoshmërisht duhet të të ftojë të reflektosh, por duhet të shokojë spektatorin dhe ta "ndërsejë" të perceptojë anomalinë e arratisjes".

Mili ka qenë njohur dhe vlerësuar me të gjitha meritat në SHBA, ku ai punonte dhe jetonte.

Nga ana tjetër është një revistë e njohur amerikane "LIFE" që i siguroi një famë ndërkombëtare Milit, duke ja botuar rregullisht fotot.

Megjithate, duhet pranuar që ishte në Francë ku artit të tij ju bënë vërejtjet më depërtuese.

Mili lindi në 1904 në Korçë, Shqipërinë e jugut, vendi, kujtimi të të cilit, Mili i qendroi besnik.

 

***

Në rrethet shqiptare të mërgatës

Por ç'ndodhte asokohe në rrethet shqiptare të mërgatës, që paria e atëhershme na gjurmonte mendësinë, thuajse edhe në ëndrrat e tyre? Ta thotë këtë një botim serioz dhe i vlerëshëm që, krejt rastësisht e hasa në Bibliotekën e familjarëve tipografë, shkodranëve të nderuar Zef dhe Pjerin Vila. Botim Parisi, që s'di si hyri dikur brenda gardhit shqiptar, por që fshehtas Zefi ia la të birit, dhe Pjerini sot ka me se të krenohet. 25-vjetori i revistës "Koha Jonë" del e përmbledhur në një botim të posaçëm me nja 250 faqe format A4. Katër herë në muaj për njëzet e ca vjet, shkodrani Lec Shllaku (Drejtues) dhe pinjolli i të mirënjohurve dibranë, Isa Elez Ndreu (financues) nis e mblodhën mendësinë intelektuale shqiptare rreth një boshti të qëndrueshëm, suksesiv. Koha e jonë nisi në Firence më 1962, dhe tashmë nga Parisi më 1985 e '86 nisi të porosisë e vjelë më të mirën e për më të mirët, me një numër jubile. Ka faqet e veta këtu dhe Safete M.Juka (e bija e ish-ministrit të kohës së Mbretërisë, Musa Juka) e lauruar edhe për filozofi në Universitetin e Parisit, Prof. Dr. Sh.a. e njohur në qarqet akademike për punimet me vlerë në fushën e filozofisë të artit dhe letërsisë franceze. Në këtë numër special të revistës, drejtuar me mençuri nga Lec Shllaku, Safete Musa Juka, përshkruan vdekjen e Gjin Milit nga një këndvështrim i panjohur. Ja se si...

Gjon Mili

I ndershëm zotni Shllaku,

Në vjetin 1971, ka kenë ba në Paris, në Pallatin e Louvre-it (Musee des Arts Decoratifs, Pavillon de Marsan, Palais du Louvre) nji ekspozitë me fotografinat e Gjon Mili-t. Mjerisht, un mërrina në Paris ditën e fundit t'ekspozitës, kështu qi nuk pata mundësi me shkue e me e pa.

Kur u këtheva në Shtetet e Bashkueme, i pata shkrue Gjon Milit për me e përgëzue për suksesin e ekspozitës e për mei shprehë keqardhjen qi un vetë nuk pata kënaqësinë me e pa.

Jo shum kohë përpara ekspozitën së Parisit, Gjon Mili, mbas nji udhëtimi në Rumani, pat botue, në LIFE Magazinë, një artikull në lidhje me familjen e vet. N'at artikull as flit'te gjatë për nanën e ma shkur për të jatin. Thonte kjartas se e ama ishte shqiptare, për si i përket babës, nuk u kuptonte krejtë mirë prej tekstit në se edhe aj, si e ama, ishte shqiptar. Përfitova prej rastit, kur i shkrueva për ekspozitë, për me e pyet për kët gja. Gjon Mili m'u përgjegj pa vonesë tuej më thanë se nuk do të kishte dëshërue qi ndokush të kishte dyshim për origjinën shqiptare të babës së tij. Aj shtonte se, në fakt, si prindët e tij, ashtu edhe aj vete, kishin lindë në Korçë.

Në lidhje me ekspozitën e Parisit, Gjon Mili më falenderonte në një mënyrë fort prekëse për përgëzimet qi i pata shprehë. Bashkë me letrën gjeta edhe katalogun e ekspozitës. "Po jo u dërgoj, më shkruente Gjon Mili, mbasi u dukte se ju kishte ardhë me të vërtetë keq qi nuk erdhët".

Kurë ndrroi jetë Gjon Mili, në Fror 1984, un i dërgova të përjavshmes franceze Fransë-Amerique qi botohet në New York, një fotografi të Gjon Milit të marrun prej fotografit famëmadh, Cartier-Bresson, bashkë me një tekst të shkrimtarit të mirënjohtun, Jean -Paul Sartre. Si teksti i Sartre-it i shkruem më 1946, me rastin e ekspozitës së parë të Milit në Paris, ashtu edhe fotografija e bame prej Cartier -Bresson-it ishin të botuem në katalogun qi më kishte pas dërgue Mili më 1971. Si hymje prej tekstin e shkrimtarit francez, un i dërgova gazetës disa fjalë të mijat në lidhje me Gjon Milin. Francë-Amerique-a botoi fotografinë e gjithashtu fjalët e mia, por për arsy mungese vendi, botoi vetëm një pjesë të vogël të tekstit të Artre-it.

Tuej mos pasë mundësi me ju dërgue ndonjë shkrim t'emin të tashëm me rastin e përkujtimit të 25-vjetorit të revistës së vlefshme "Koha e jonë", po lejohem me ju postue shkrim interesant, por shum pak të njohtun, të Sartre-it mbi Gjon Milin, e gjithashtu njato pak rreshta të mijtë për fotografin shqiptar njashtu si u botuen në Francë-Amerique. Bashkanjitun do të gjeni edhe fotografinë e Milit të bamë prej Cartier -Nresson-it.

Safete M.Juka

 

 

Sartri: Ky është një njeri kurth

 

Ja se si paraqitet Mili nga JP Sartri që e zbuloi menjëherë pas luftës gjatë një ekspozite në Paris:

"Mili ka një kokë si një milingona-ngrënës, me një hundë që nuhat botën shumë përpara tij, duke besuar që do të hidhet menjëherë, brenda kësaj foleje milingonash dhe nën këtë hundë tepër të dalë, një mustaqkë".

Përsa i përket pjesës tjetër të fytyrës së tij, sytë, mollëzat, flokët e shpupurisur, ai do t'i ngjante më tepër një banditi malazez. Në këtë mënyrë ai është një gjahtar dhe një mishngrënës.

Përpara tij unë nuk njihja veçse fotografë gjak varfër, që fotografonin vetëm për mëri ashtu siç vritet. Mili nuk ka mëri, ai dashuron çdo gjë, të ngrënët, të pirët, të vallëzuarit. Ai njihte Harlemin më mirë se çdo i bardhë, New York-un më mirë se kushdo.

Ai është i gëzueshëm, ai nuk do t'ju vrasë, më keq, ai do që tju ketë të gjallë.

Në portretet tuaja më të mira, ju do të jeni të vdekur të balsamosur, të zbutur në hiposulfit, të tillë që nën vetveten tuaj më në fund, përjetësia ju ndryshon.

"Mili ju kap të gjallë, në gjendje natyrale, të papërpunuar. Ju vazhdoni të luftoni në fotot e tij si një peshk në rrjetë. Si ky xhongler i jashtëzakonshëm në formën e tij më të mirë, që vazhdon të xhonglojë në mënyrë melankolike mbi imazhin dhe nga ku stërkalat dalin herë në gjysëm lëvizje si nga një limon, herë zhyten në lumë, herë treten tërësisht, ose si ca kërcimtare të zeza që ai i ka vënë në një kafaz, dhe që duke kërcyer mundohen kotësisht për të dalë jashtë. Ose si kjo gruaja lakuriqe që besojmë se shihet nga sy me mijëra sy prizmash.

"Ky është një njeri kurth. Ai do të çorientojë me veprime prestigjatori. Ai nuk kënaqet vetëm, duke kapur njerëzit e famshëm me aparatin e tij. Ai angazhohet që çdo foto të jetë një test. Sipas tij, ka aq shumë mënyra të fotografuari sa çka edhe njerëz.

Nqs rastisni, ai jo vetëm do t'ju gozhdojë të gjallë në koleksionin e tij, por njëkohësisht, ai do t'ju vëzhgojë, do t'ju njohë, dhe atëherë ju do të dorëzoheni dyfish. Thuhet se primitivet e deteve të jugut, refuzojnë të fotografohen. Atyre ju duket se kapen dhe vihen prapa hekurave përgjithmonë. Vështroni fotot e Molotovit, nga Mili dhe do të kuptoni urtësinë e tij".
Besim FUSHA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Në Gjermani një matematikan i talentuar nga Kosova (02.07.2009)
Kryeministri Berisha takohet me diasporën e Amerikës (02.05.2009)
Rihapet shkolla shqipe e Lynn-it, Massaçustes - Nga Rozi THEOHARI - Boston (01.25.2009)
Radio Deutsche Welle: Kosova vendi i katërt i prejardhjes së azilkërkuesave më 2008 (01.14.2009)
Mërgimtarët - mall i pashuar për vatrën dhe gjuhën shqipe (01.10.2009)
Gjuha shqipe sa e mirë, sa e bukur sa e vlerë (12.27.2008)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]