VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PAS 17 VITESH

Nga MIMOZA DAJÇI


E Mërkurë, 07.21.2010, 06:49am (GMT1)

 

Duhej që në Shqipëri të përmbysej rregjimi i egër diktatorial, që i riu 17-të vjeçar nga Shkodra , Andi Zegani të njihej për herë të parë me babanë e tij në Sidne-i të Australisë. I ati, Halil Zegani kishte punuar në Ndërrmarjen Gjeologji - Miniera në Vermosh. Fyerja e rëndë politike që i bëhej çdo ditë nga drejtuesit e ndërrmarjes dhe organizatës së frontit demokratik ku banonte, për shkak të origjinës së familjes së tij si i persekutuar politikë e detyroi të lerë atdheun, prindët dhe gruan e tij Sadijen me të cilën prisnin që së shpejti të bëheshin prindër.

Pas arratisjes nga vendi e pas peripecive të mëdha Halili arrin të stabilizohet në Kontinentin e ri të Australisë, ndërsa të shoqen Sadijen së bashku me të birin Andin e posa lindur (4 ditësh) i internojnë për pesë vjet në fshatin Bedat të rrethit të Lushnjës. Ishte data 4 shtator e vitit 1973, ankthi e tmerri për pasigurine e jetës pushtoi nënën e re lehonë që as qumshtin nuk siguronte dot për foshnjën e saj, pasi i kishte ikur nga tronditja e madhe që po përjetonte. Kasollja me kashtë e puna e rëndë në bujqësi ishin të vetmet mundësi mbijetese për ata në ato vite, ashtu si dhe për mijra e qindra gra e familje të pafajshme shqiptare që ai rregjim i ndryshoi rrjedhën e jetes duke i izoluar nëpër tela me gjemba, e duke shkelur çdo normë e çdo të drjetë morale e njerëzore. Për tu kujdesur për foshnjën e porsa lindur e për mos ta lenë vetëm të bijën i vajti pas edhe e ëma. Por edhe nga familja e saj Sadija rridhte nga një familje e përndjekur politke, pasi të atit të saj Haxhi Mehjanit sigurimi i shtetit i kishte pushkatuar dy vëllezërit Saliun e Velën, në akuzën si armiq të betuar të kombit e popullit shqiptar, e ndërsa megjithëse i moshuar i duhej të mbante mbi supe edhe "turpin" e vajzës që i lindi fëmijë në derë të tij.

Pasi kryen dënimin Sadija kthehet në shtëpinë e prindërve të saj në Shkodër. Kishin kaluar 13 vite, djali tashmë ishte rritur, ndërsa ajo megjithëse shumë e re në moshë kishte filluar të plakej para kohe e zemrën e kishte të copëtuar. Një ditë sapo kishte hyrë pravera pa pritur i troket dera, postjeri i lagjes i sjell letrën e parë e të vetme nga i shoqi. Çfarë të bënte e mjera Sadije edhe u gëzua edhe u hidhërua. Sigurimi i shtetit si gjithmonë vigjilent, lajmëroi menjëherë organizatën e frontit demokratik të lagjes ku ata jetonin, e drejtuesit e kësaj organizate e demaskuan dhe e diskritituan nënën e re pa asnjë faj e pa anjë arsye në masën e gjerë të popullit.

Por vitet kalonin e brenda vetes Sadija përjetonte dramën e hidhur të atij rregjimi që shkatërroi në palcë familjet shqiptare. Dhimbja për të birin Andin që rritej me kokën ulur për të atin e arratisur e që nuk e kishte parë kurrë e brengoste çdo ditë e më shumë.

Por më në fund kohët e reja përmbysën atë rregjim mostruoz e jo human edhe në Shqipëri. Ppopulli si një vullkan i fuqishëm u ngrit e me madhështinë e tij rrëzoi njëherë e përgjithmonë atë klon të hekurt gjakosur me gjakun e kuq të rinisë shqiptare. Zoti solli mrekullinë në derë edhe për këtë familje të mirë e të vuajtur padrejtësisht. Pas 17 vitesh familja Zegani u takua për herë të parë në Aeroportin e bukur të Sidne-it në Kontinentit Australian.

Mimoza Dajçi


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.