E Enjte, 03.28.2024, 02:50pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DOSSIER
 
Inva Mula kulmi i një karriere dhe humbja e një dashurie
E Shtunë, 04.11.2009, 12:19pm (GMT+1)

Vetëm pak ditë më parë u bë publik fakti se sezoni i ri 2009-2010 i Operës Kombëtare të Parisit do të hapet nga ju. Është hera e parë që një artiste shqiptare hap sezonin e kësaj opere mitike. Si ndjeheni përballë një evenimenti të tillë, dhe me pas si e arritët këtë?

 

Ishte një kontratë e nënshkruar dy vite më parë, për publikun e gjerë u bë e ditur një javë më parë, në konferencën e shtypit që u dha në ambientet e operës "Garnier". Ishte një interesim i jashtëzakonshëm, jo vetëm nga shtypi francez, nga artdashësit francezë, por nga gjithë shtypi internacional. Nuk është thjesht një vënie e re, janë shumë komponentë, të cilët përmbledhin këtë pritje pa durim të kësaj vepre. Në radhë të parë "Mirelle" është një vepër që bën pjesë në repertorin francez. Dikur, në operën komike ka qenë një opera që luhej ndoshta disa herë në javë, dhe për 25 vite me radhë kjo opera nuk u luajt më. Arsyet asnjë nuk i di, por ka mbetur ne memorien e artdashësve pikërisht muzika e bukur e Charls Gounod, i cili është kompozitori që ka shkruar "Romeo e Zhuljeta" dhe "Fausti", por opera "Mirelle" mbeti në repertorin francez si një vepër, e cila nuk mund të prekej, dhe një nga arsyet kryesore ishte se është shumë e vështirë për të gjetur interpretët e kësaj vepre. Është një vepër shumë e vështirë teknikisht dhe sigurisht që personazhi kryesor që unë do luaj, Mirelle, është një gërshetim i teknikës vokale, i forcës interpretative, për arsye se vepra mbaron me nota shumë tragjike, dhe një lirizmi që përshkon operën nga fillimi në fund. Pra, janë disa komponentë dhe për këtë arsye nuk gjendej edhe interpretuesi. Ju do të thoni që pretendoj që të jem një interpretuese e denjë. Këtë nuk e di akoma. Jam në një punë kolosale, e cila ka filluar me kohë dhe në çdo moment të ditës apo të natës, kur unë mendoj për këtë vepër, jam jashtëzakonisht e zënë, pasi për të arritur deri atje kam shumë projekte të tjera, të cilat duhet t'i mbaroj deri në muajin shtator. Ju do mendoni që për mua ky ishte një fat që ndodhem në këtë vepër dhe në këtë hapje sezoni. Në fakt, është ose do të thosha që po korr frytet e një punë dhe një karriere 20-vjeçare dhe fakti që më kanë zgjedhur për të hapur sezonin e Parisit, tregon që edhe ecuria e karrierës sime ka pasur një ritëm për të më sjellë në këtë kreshendo kaq të rëndësishme, siç është hapja e këtij sezoni.

 

Për artin shqiptar është një ngjarje historike që një artiste shqiptare hap sezonin e operës mitike të Parisit, është një kontribut për artin shqiptar, për imazhin e Shqipërisë. Sa e vetëdijshme jeni ju për këtë arritje?

 

Sigurisht jam me këmbë në tokë. Kam arritur deri në këtë moment dhe nuk është ndonjë kapriço e momentit e dikujt që më jep besimin për të hapur operën e Parisit, por edhe për ta vazhduar më tej, se pas 10 netëve të "Mirelle" unë do të pasoj me operën "La Boheme" dhe janë edhe gjashtë net të tjera. Do jem sërish në sezonin 2009-2010 me operën "Tregimet e Hofmanit" të Ofenbahut, që do jenë 10 net të tjera. Në historinë e operës franceze nuk ka ndodhur ndonjëherë që një këngëtare të mbajë mbi supe tri produksione, është hera e parë dhe një arritje shumë e rëndësishme në karrierën time, por është një arritje e rëndësishme për artin shqiptar. Dhe unë jam krenare për këtë, jam e vetëdijshme.

 

Këtë verë jeni ftuar në një festival shumë interesant përkrah të famshmit Roberto Alagna me një tjetër pjesë po kaq të dashur të repertorit "Pagliacci". Çfarë është ky eveniment, ku jeni me përgatitjet e tij?

 

Është festivali më i rëndësishëm që jepet këtu në Francë çdo verë, jepen dy produksione dhe është një arenë e jashtëzakonshme, një teatër antik, ka një kapacitet prej 10 mijë vendesh, është një teatër i stilit romak, por ka një të veçantë që nuk e ka askush tjetër, për publikun është në formën e një arenë, ndërsa për skenën në formën e një muri të lashtë të mrekullueshëm, ku çdo gjë bëhet pa dekor dhe me akustikën origjinale të këtij muri, dhe jemi të varur nga kushtet atmosferike, dikur ka erë, dikur ka ujë, dikur ka hënë, dikur është ftohtë, është vërtet një sfidë edhe me kohën, me kushtet atmosferike. Por ky festival ka një magji, për arsye se është i shumëpritur, jo vetëm nga kritika, por ka publik nga gjithë bota dhe opera "Pagliacci" nuk është dhënë ndonjëherë në këtë festival. Për mua është një vepër e re nuk e kam luajtur më përpara. Jam edhe për këtë vepër në përgatitje dhe më duhet shumë punë akoma për të arritur deri në premierë që do të jetë e transmetuar drejtpërdrejt më datën katër gusht nga televizioni francez.

 

Gjithë këto produksione, për të cilat folëm, a do të pasohen me një CD, qoftë kjo edhe për publikun shqiptar?

 

Absolutisht. Unë kam mbaruar pothuaj 80% të repertorit, incizimet kanë filluar në muajin mars. Kanë qenë incizime me orkestrën filarmonike të Zagrebit, në sallën më të bukur të Zagrebit që quhet Lisincki, është një akustikë e mrekullueshme, është një sallë për 2500 veta, dhe unë e kisha në dispozicion për të regjistruar diskun tim, i cili do të dalë në vigjilje të këtij evenimenti. Më ka ngelur 20% e diskut dhe për këtë po kërkoj edhe kohën kur ta mbaroj, pasi më këtë ritëm është shumë e vështirë edhe të udhëtoj, edhe të mbaroj këtë disk, i cili ka dhe ai rëndësinë e vet.

 

Sa e kënaqur jeni për këtë moment të jetës suaj profesionale? Sa e lumtur jeni?

 

Siç e thashë edhe më parë, lumturia për arritjet dhe gjithë kjo përgjegjësi që kam mbi supe janë të dyja, ekzistojnë të dyja te unë. Jam e lumtur po ta kthej kokën pas, por them që nuk është shumë ajo që kam bërë. Janë dy ndjenja, të cilat ekzistojnë dhe shpresoj që do të ekzistojnë gjithnjë, por është shumë e vështirë të ndjehem komplet në satisfaksion për atë që kam bërë, se jam gjithmonë në kërkim të më të mirës dhe shpresoj që më të mirën të mos e gjej asnjëherë, sepse, në momentin që do e kem gjetur, nuk do kem për çfarë të ëndërroj.

 

Inva, unë ju uroj suksese për të gjitha këto produksione që folëm dhe që ju i keni përpara. Por tani pyetjet e mia do të marrin një drejtim tjetër. Ju deri sot keni heshtur sa i takon jetës suaj private, ndonëse shtypi shqiptar ka përfolur shumë një ndarje të mundshme tuajën me Pirro Çakon. Së pari do të doja të dija pse kjo heshtje e gjatë dhe së dyti, nëse është e vërtetë kjo, a do të pranonit ta thyeni heshtjen sot me mua?

 

Sigurisht që kam heshtur për jetën private, se ka qenë private, dhe nuk kam dashur kurrë që ajo të bëhet publike. Sot do ta thyej heshtjen, dhe jam shumë e lumtur që jemi përballë për të folur diçka të sinqertë dhe për mos të lënë që jetën time private ta tregojnë të tjerët me imagjinatën e tyre, me thashethemet e tyre dhe me gjëra që nuk janë fare të vërteta. Për mua është shumë e vështirë që ta thyej këtë heshtje, për arsye se nuk kisha marrë kurrë një vendim për të bërë publike jetën time private për artdashësit, por ndoshta kam edhe ndonjë detyrim ndaj tyre. Publiku më shikon gjithmonë në skenë, ku artisti duhet të tregojë një forcë shumë të madhe për të mposhtur paragjykimet dhe emocionet dhe të dalë fitimtar çdo natë në skenë. Duke më parë në këtë prizëm ndoshta shikojnë në personazhin tim një femër shumë të fortë, e cila nuk ka frikë nga asgjë. Prapa Invës artiste që ju shikoni, fshihet një femër e brishtë, e cila ka momente shumë të vështira personale, të cilat janë momente që kanë filluar prej kohësh në jetën time. Jam munduar t'i riparoj, nuk e di, nuk ia kam arritur qëllimit, dhe jam munduar gjithashtu t'i fsheh dhe t'i mbaj përbrenda. Ju mund të më pyesni dhe unë do vendos pikat mbi gjërat që unë kam nevojë t'i bëj publike.

 

Flitet se keni bërë një kërkesë për divorc nga bashkëshorti juaj. Është e vërtetë kjo dhe, nëse po, cilat janë arsyet që ju çuan deri këtu?

 

Po, është e vërtetë. Kam bërë një kërkesë për divorc, dhe ka qenë ky një vendim i marrë më shumë vështirësi. Unë kam vite që kam një raport shumë të vështirë me Pirron, një raport, i cili në një moment të caktuar të jetëve tona ndryshoi, dhe mori një formë, për të cilën duhet të jepja një zgjidhje të tillë. Por për të arritur deri në këtë zgjidhje kanë qenë shumë etapa të jetës sime dhe ka qenë shumë e vështirë, kam qenë e konsultuar, e rrethuar nga miqtë. Kam menduar shumë, shumë, shumë dhe sot, nëse kjo gjë bëhet e ditur për publikun, pra që kam kërkuar divorcin, duhet të mendojnë të gjithë se përse e kam bërë, ç'më ka shtyrë dhe sa kohë kam që kam reflektuar për një vendim të tillë.

 

Na i tregoni të gjithë këto.

 

Unë kam pasur një jetë të shkëlqyer, një dashuri të jashtëzakonshme, tepër romantike. Ka qenë një nga dashuritë që edhe për publikun ka qenë një nga dashuritë nga ato të parat që nuk harrohen, në bankat e shkollës, dhe mendoja, ëndërroja dhe isha e sigurt që kjo gjë do të vazhdonte gjithnjë. Mirëpo jeta tregoi se njerëzit zhvillohen në kahe të ndryshme gjatë jetës, ka momente të vështira, mundohemi të rregullojmë gabimet, mundohemi t'i përshtatemi njëri-tjetrit deri në një pikë ku nuk mban më dhe shikon që rrugët janë hapur shumë dhe janë devijuar nga njëri-tjetri. Historia ime me Pirron ka qenë një nga më të bukurat, deri në 2005, kur Pirro vendosi që të frekuentonte Shqipërinë dhe aty të mundohej të zhvillohej nga ana profesionale. Ky ka qenë një vendim që ne e morëm së bashku dhe isha absolutisht dakord për një gjë të tillë, për arsye se Pirro është një djalë shumë i talentuar, i cili ka ëndrra të jashtëzakonshme për të arritur në fushën e muzikës dhe ka talentin e duhur për ta bërë një gjë të tillë, ndaj ka qenë një vendim i dyfishtë. Unë isha shumë e lumtur që Pirro ndante jetën e tij ndërmjet Tiranës që e do aq shumë dhe Parisit. Deri në momentin kur këto ndarje u bënë shumë të gjata, për arsye se edhe unë profesionalisht duhet të udhëtoja. Frekuentimi që Pirro bënte në Tiranë nuk ishte më si më përpara, por zgjaste jashtëzakonisht shumë. Atëherë filluan edhe çarjet e para të familjes sonë. Jam munduar dhe jemi munduar t'i riparojmë, ju mund të imagjinoni që këto ndarjet e gjata sjellin edhe pasojat e tyre. Disa herë jemi munduar t'i riparojmë duke filluar nga e para, kemi thënë, për arsye se na dukej e çuditshme që ne, që ndanim gjithçka bashkë dhe ishim shumë të lumtur, nuk arrinim më të gjenim gjuhën e përbashkët. Kanë qenë nga të dy palët shumë përpjekje për ta rifilluar nga e para, deri në momentin kur në dhjetor të 2007 Pirro me vullnetin e tij vendosi të ikë për herë të parë dhe të fundit përfundimisht nga shtëpia, nga familja, kur them shtëpia, nga Parisi. Ishte vullneti i tij, ishin lutjet e mia për mos ta bërë një gjë të tillë, por e pashë që ai vendim ishte pjekur në kokën e Pirros dhe ai duhet ta realizonte. Që nga ky moment, pra, 27 dhjetori 2007 unë Pirron nuk e kam parë më, nuk kam folur kurrë me të dhe nuk jemi takuar asnjëherë.

 

Keni tentuar ta bëni?

 

Kemi tentuar në mes miqve të përbashkët të mundohemi edhe njëherë ta riparojmë një gjë të tillë, por me sa duket kishte ardhur një moment ku ishte e vështirë të riparoje, pasi vendimi i Pirros për të ikur përfundimisht ishte vërtet shumë i pjekur dhe unë nuk kisha asnjë rrugëdalje tjetër veçse ta pranoja një gjë të tillë. Ndaj dhe sot është e hera e parë që po ju them që nuk kam dashur kurrë që familja ime të prekej dhe të prishej. Isha gati të bëja çdo lloj sakrifice, për arsye se familja është për mua gjëja më e shtrenjtë dhe ka qenë burimi i qetësisë sime shpirtërore, ka qenë burimi i frymëzimit që unë kisha. Shkoja dy ditë në shtëpi, ndoshta vetëm 24 orë, merrja atë ngrohtësi që më jepte Pirro dhe djali dhe shkoja e lumtur në produksionet e mia. Ishte shumë e vështirë për mua dhe ka qenë një moment tepër, tepër i vështirë që të pranoja që kjo familje nuk ekzistonte më. Kanë qenë momente të vështira, ku unë humba zërin dhe kam anuluar shumë kontrata, të cilat ndoshta i keni ndjekur edhe në shtyp. Asnjëherë nuk kam thënë të vërtetën, kam thënë jam e sëmurë, me grip, nuk kam thënë arsyen e vërtetë, për shkak se ajo ishte jeta ime private dhe askush nuk duhej te prekte këtë jetë private. U mbylla në vetvete, nuk e tregova kurrë as në shtypin shqiptar. E mbajta në heshtjen, në dhimbjen time për familjen tonë, për dashurinë tonë dhe për djalin tonë.

 

Meqë jemi në komentet e shtypit, flitet prej kohësh që Pirro ka një lidhje tjetër dashurie me një vajzë, së cilës i ka kushtuar një këngë që u bë hit verën e kaluar. Gjitha këto gjëra thuhen në shtyp, dhe tani që flasim, thuhet se është në një udhëtim SHBA me vajzën në fjalë? A keni komente për këtë?

 

Nuk kam komente, pasi nuk më takon të komentoj për jetën private të Pirros, këto gjëra i kam dëgjuar, gjithnjë në kuadrin e thashethemeve, në kuadrin e gazetave, unë asgjë nuk di dhe nuk duhet më ta di një gjë të tillë. E vetmja gjë që uroj, është që Pirro të jetë i lumtur, që Pirro të gjejë paqe, të gjejë ekuilibër në jetën e tij dhe të jetë i dashuruar.

 

Në shtypin shqiptar është komentuar se keni qenë ju arsyeja dhe shkaktarja kryesore e prishjes së martesës suaj.

 

Kam bërë përpjekje që kjo kërkesë për divorc të ishte nga të dy palët. Por me sa duket nuk u pranua nga pala tjetër. Është një vendim i menduar, i reflektuar, i konsultuar me miq, me specialistë dhe në radhë të parë me zemrën time. Kam tentuar që kjo kërkesë të ishte nga të dy palët, për arsye se mendoja që edhe Pirro kishte këtë dëshirë që ne të shkëputeshim edhe ligjërisht, pasi ajo ishte bërë de facto dhe ne tani vetëm duhet të ligjërojmë shkëputjen tonë. E pashë që nuk kishte më vend për përpjekje, gota ishte thyer dhe gjithë kohës ishim munduar t'i ngjisnim copëzat, por tani nuk i gjenim më. Në qoftë se doni të dini formulimin që unë i kam bërë padisë është: "Për shkak se ne nuk jetojmë më së bashku, martesa e ka humbur kuptimin". Është kërkesa më paqësore që mund të ekzistojë për të ligjëruar atë që ka ndodhur.

 

Në shtypin shqiptar lakoheni ju si shkaktare e prishjes së martesës për shkak të një marrëdhënieje tjetër që keni. Sa e vërtetë është kjo?

 

Është një mashtrim, një deformim i së vërtetës. Dhe unë sot përpara jush dua vërtet të vendosen gjërat në vend. Nuk mund të abuzohet me një tregim të tillë, për shkak se nuk qëndron aspak. Ndoshta u ashpërsova për të treguar pikërisht se sa më ka prekur ky informacion, i cili ka qenë edhe lajtmotivi i gjitha shkrimeve në gazetat shqiptare. Për asnjë gjë në botë, për asnjë njeri në botë nuk do kisha prishur familjen time, nuk do ta kisha prishur as 20 vjeçe, në atë moment kur nuk mendojmë shumë, dhe jo sot që për mua ka qenë burimi i frymëzimit tim dhe burimi i gjithçkaje të bukur që unë kisha, qoftë në jetën time private, qoftë në profesionin tim. Dhe unë kurrë nuk kam vënë profesionin mbi familjen, dhe të dyja jam munduar t'i ekuilibroj dhe t'i menaxhoj të dyja, që ato të rrinin dhe të frymëzonin njëra-tjetrën. Kjo është një gjë që nuk mund ta mbaj mbi supe, është një gjë e padrejtë. Në këto momente kam vetëm gati një urrejtje për ata njerëz që nuk dinë të respektojnë punën dhe jetën e një njeriu që mundohet të bëjë mirë në jetë, që mundohet të punojë me ndershmërinë më të madhe, me sakrificat më të mëdha dhe më në fund të ketë dhe të mbaj mbi supe një thashethem, i cili është krejtësisht i gënjeshtërt.

 

Kush është zoti Ethem Ramadani për ju? Ku dhe si e keni njohur?

 

Zoti Ramadani është lakuar gjithë këtë periudhë në gazetat shqiptare. Në radhë të parë më ka ardhur keq mënyra se si është komentuar ky personazh. Në muajin mars, kur ndodhi historia e Gërdecit, dhe më pas kam lexuar për herë të parë si zoti Ramadani erdhi me dëshirën e tij në Shqipëri për të kontribuar në atë katastrofë dhe për të ndihmuar sadopak ato familje të varfra që kishin humbur gjithçka. Ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme humanitare në Shqipëri, në Kosovë për gjithë shqiptarët kudo që janë. Kanë qenë gjithmonë anonime përpjekjet e tij personale, të pakomentuara nga shtypi dhe do të thosha që zoti Ramadani është një nga filantropët më të vullnetshëm shqiptarë, gjëra që nuk i kemi parë diku. Më pas ai bëri një gjest të jashtëzakonshëm duke dhënë disa çmime për 15 artistë shqiptarë. Ishte një gjest që nuk kishte precedencë, ishte një gjest nga më të bukurit që mund t'i bëhet një artisti, i cili ka bërë një karrierë dhe është paguar shumë pak për atë që ka bërë, sot është pensionist, bëhet një njeri i zakonshëm, një njeri që ndoshta duhet të numërojë dhe paratë në fund të muajit, dhe papritmas një njeri humanitar kërkon që këtyre njerëzve t'u japë një shpërblim modest, duke qenë se këta njerëz kishin ndërtuar në vite një konto emocionale në këtë njeri. Pra, ishte një gjest i jashtëzakonshëm që nuk e kishim parë më parë. Nuk e kam njohur zotin Ramadani absolutisht në këtë periudhë, vetëm kam dëgjuar dhe njohja me të ka qenë rastësisht në fund të muajit shtator të vitit 2008 në një festë familjare, dhe më pas jemi takuar në muajin tetor, pikërisht për të marrë një vendim të përbashkët në krijimin e një fondacioni shqiptar, i cili do ndihmonte më në fund talentet e reja. Një fondacion që filloi të lëshonte bulëzat e para të këtyre iniciativave, që gjithmonë i kisha ëndërruar dhe nuk i realizoja dot, dhe në këtë rast ishte një takim shumë i rëndësishëm, i cili është bërë më 5 tetor 2008 këtu në Paris dhe është një nga takimet më të bukura, në kuptimin si mund të bëhet arti pjesë e biznesit dhe e kundërta biznesi të ndihmojë artin. Ka qenë një nga ëndrrat e mia për të realizuar disa projekte duke qenë se gjithnjë më është varur mbi supe slogani i misionares së artit shqiptar kudo në botë dhe gjithnjë ndjehesha në pamundësi për të realizuar projekte, të cilat në Shqipëri ndoshta kushtojnë shumë dhe sot për sot shteti shqiptar nuk është në gjendje që t'i realizojë. Duke parë ndjenjën e filantropizmit te zoti Ramadani i kërkova të kontribuonte. Personaliteti im, dëshirat e mia dhe ajo iniciativë që kishte filluar prej kohësh të flinte në mendjen time, pashë që mund të realizoheshin nëpërmjet këtij bashkëpunimi, dhe filluan bulëzat e para të këtij fondacioni. Sot për sot, është një fondacion që ende nuk e kemi shpallur në shtyp, për arsye se shtypi nuk na la kohë që ta bënim këtë, pasi na vuri epitete të tjera, të cilat duhet t'i sqarojmë përpara një kauze kaq të rëndësishme siç është kjo e fondacionit. Në këtë rast kemi ndërtuar bordin ku bëjnë pjesë intelektualët më të shquar shqiptarë, jo vetëm në Shqipëri, por kudo ku flitet shqip. Duke qenë se është një kombinim i shkëlqyer mes artit dhe biznesit, nuk ngelet vetëm në kuadrin e biznesmenit Ramadani, por është një iniciativë që po shtrihet edhe në biznese të tjera, pra, do të jetë një fondacion i shkëlqyer për artin shqiptar dhe për të ndihmuar iniciativat private, gjëra që janë shumë të vështira për t'u realizuar në Shqipëri. Ideja ime ka qenë kjo, kur kam ardhur në Francë për herë të parë, kam ardhur me 50 dollarë dhe nuk kisha ku të mbështetesha për të realizuar ëndrrën time, për të ardhur sot dhe për të kënduar në operën e Parisit, dhe unë e di sa talente ka Shqipëria, unë e di sa mundësi janë në këtë popull kaq të talentuar për të bërë diçka, por gjithmonë mungon mbështetja. Dhe këtë mbështetje unë kam dashur gjithmonë ta kem, por financiarisht nuk ia kam arritur qëllimit dhe ky ishte kombinimi, ishte takimi më 5 tetor 2008, mes meje dhe zotit Ramadani. Pra, ne sot flasim për një fondacion shumë të rëndësishëm dhe nëse shtypi shqiptar, dhe nëse thashethemet duan ta kombinojnë dhe duan të flasin që prishja e familjes sime ka ardhur nga unë dhe pikërisht nga kjo lidhje, është komplet e gënjeshtërt.

 

Meqë kemi ardhur në fund të këtij rrëfimi, për çfarë ju vjen më tepër keq në gjithë këtë histori?

 

Sigurisht që më vjen keq në radhë të parë për thyerjen e ëndrrës që një dashuri duhet të jetojë përgjithnjë, gjë që unë mendoja që e kisha, por ja që çdo gjë paska limitin e vet dhe gjërat ndryshojnë në jetë. Kjo është gjëja që më vret më shumë dhe kjo është dhimbja që unë kam.

 

Inva, si e shikoni të ardhmen tuaj tani dhe çfarë kërkoni më tepër nga jeta?

 

Në gjithë këtë histori, personi i cili është lënduar dhe po lëndohet nga kjo ndarje është djali, është Antoni, dhe ka qenë një moment shumë i vështirë për mua pse ndodhi në familjen tonë të mrekullueshme, mund të kishte edhe një ndarje, e cila për atë erdhi në mënyrë të papritur, pasi djali nuk i dinte gjithë këto konflikte që unë kisha me Pirron. Detyra ime kryesore është që të mbroj në shpirtin e tij atë ndjenjë të bukur, e cila është thyer për t'i parë të dy prindërit së bashku. Gjëja që unë sot uroj është që djali të rritet përkrah babait të tij dhe do bëj gjithçka për këtë, të rritet përkrah babait të tij për t'u bërë burrë, dhe përkrah nënës së tij për t'i dhënë zemër. Voal-online.

 

(Marrë me shkurtime)


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Dëshmia e një spiuni (04.07.2009)
Elë Mëkferson, Trupi që Flet, bëhet sot dyzet e pesë (45) vjeçe (03.29.2009)
Monika Beluçi tregon cilat janë dhjetë komandementet e joshjes së saj (03.24.2009)
Monika Beluçi tregon cilat janë dhjetë komandementet e joshjes së saj (03.24.2009)
Madona: Elvis është mbreti, unë jam mbretëresha e muzikës pop (03.21.2009)
Të gjithë ia kanë frikën trupit të Merilin Monrosë (03.15.2009)
Duke qenë e vërtetë me veten Xhudi Foster e kalon provimin e pyetjeve për yjet (03.12.2009)
Badi Holli një ndër legjendat e muzikës amerikane (03.09.2009)
Eva Mendes bukuria kubane harkuar mbi dy brigjet e Amerikës (03.04.2009)
Automobilit të garës (02.27.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 

 
VOAL
[Shko lart�]