VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - 100 vjetori legjendar i Rita Levi Montalçinit

                                                                                      

E Martë, 04.23.2024, 01:53pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DOSSIER
 
100 vjetori legjendar i Rita Levi Montalçinit
E Hënë, 04.20.2009, 08:44am (GMT+1)


Intervistë e Rita Levi Montalçinit në prag të 100 vjetorit

 

Rita Levi Montalçini: "Nuk mund t'i vësh dryna trurit"

 

Truri nuk ka rrudha. Nëse vazhdon të punojë pareshtur, përtërihet vazhdimisht, edhe pas tetëdhjetë viteve. Për më tepër, ndryshe nga organet e tjera, mundet madje të përmirësohet. "Me aktivitetin tim e dëshmoj: sot e shoh se kam më tepër mundësi se kur isha njëzet vjeçe për të thelluar mendimin dhe intuitën," tregon Çmimi Nobel Rita Levi Montalcini. Pastaj, si shkencëtare, shpjegon se meritë e gjithë kësaj është plasticitet neuronal: nëse nuk ndërhyjnë sëmundje si Alzheimer, truri ynë i plotëson humbjet e neuroneve me aftësinë që kanë neuronet e mbetura për të gjetur shtigje të reja. Nisur nga rasti i saj, teoria funksionon: në prag të njëqind viteve (i mbush më 22 prill) profesoresha shkon në laborator në EBRI (European Brain Research Institute, me qendër në Romë) çdo mëngjes, para pak kohësh ka publikuar librin La clessidra della vita (Klepsidra e jetës). Jo vetëm kaq: i ndjek pikë për pikë punët në Fondacionin e ideuar prej saj të ndërtojmë një të ardhme për femrat afrikane. "Shpresojmë të arrijmë në dhënien e dhjetë mijë bursave studimi brenda prillit," thotë Giuseppina Tripodi, prej dyzet vjetësh bashkëpunëtore e saj e besuar. "Për profesoreshën pa dyshim kjo do të ishte dhurata më e madhe."
Kur u regjistrua në mjekësi në fakt shpresonte të ndiqte shembullin e Albert Schweitzer, i cili i shëronte "të fundit e botës" në Afrikë. Por më parë iu desh të luftonte kundër vullnetit të babait, inxhinier, pronar fabrike akulli, që nuk ua miratonte vajzave të merreshin me studime: "Më thoshte se nuk më ndalonte dot, por nuk ma miratonte." Pastaj arritën ligjet racore dhe e reja Rita, e cila ndërkohë diplomohej në Torino e punonte pranë Institutit të Anatomisë së Krahasuar, do të pezullohej nga veprimtaria akdemike. "Instalova atëherë një laborator të neuro-embriologjisë në dhomën e gjumit." Ku operonte embrione të pulës me gjilpëra tejet të imta. Renato Dulbecco, kolegu i tij i studimeve, kujton ende shkathtësinë dhe saktësinë prej artisteje me të cilat kërkuesja i lëvizte duart. Në atë dhomë, faktikisht, ajo vendosi bazat për zbulimin e realizuar më vonë në Shtetet e Bashkuara të NGF (Nerwe Growth Factor Faktori i Rritjes Nervoze), që ia dha Çmimin Nobel.

 

PYETJE: Truri nuk ka rrudha, por ndonjë tru është më i bukur se të tjerët...

RITA LEVI MONTALCINI: "Nuk besoj, inteligjenca nuk është programuar e tëra që prej lindjes. Me një fjalë, nuk është gjenetike. Femrat, për shembull vlejnë saktësisht sa edhe meshkujt, madje kanë një fleksibilitet më të madh trunor. Mjerisht në rrjedhën e historisë janë mbajtur larg shkollimit. Por atje ku kanë pasur mundësi shkollimi, rezultatet nuk kanë munguar. Ka dalë para pak kohësh një libër për femrat matematikane në Rusi: janë shumë dhe kanë aftësi të dalin në pah edhe mbi burrat."

 

PYETJE: Juve u është dashur shumë ta bëni këtë?

RITA LEVI MONTALCINI: "Vetëm në fillim e kam pasur vështirë. Që e vogël isha e sigurtë se nuk doja të bëhesha grua dhe nënë. Shihja një familjen time një mbizotërim absolut të babait tim dhe kësaj i druhesha shumë: dy edhe dy nuk bënin katër për atë, ndonëse ishte matematikan. Nëna ime, piktore, u detyrua të linte punën pas martesës. Por në punë kish pasur gjithmonë mirëkuptim me kolegët meshkuj. Natyrisht, sot gjithçka ka ndryshuar, femrat nuk janë të detyruara më të zgjedhin midis familjes dhe punës, ndërsa burrat në shtëpi tashmë janë më bashkëpunues."

 

PYETJE: Bota duket më arsyetuese se dje?

RITA LEVI MONTALCINI: "Jetojmë ende të zotëruar nga impulse të ulëta, si ato të para pesë mijë viteve. Sepse truri ynë ka një përbërës arkaik dhe të turbullt (që e ka qendrën në hipokamp strukturë në sipërfaqen e mesme të hemisferës trunore që rregullon ndjeshmëritë e nuhatjes dhe të shijes, shënimi ynë) përbërës i cili është agresiv, emotiv e afektiv dhe ai pikërisht e ka lejuar australopitekun të shpëtohet, kur ka zbritur nga pema dhe është përballur me botën. Përbërësi tjetër, njohës dhe neokortikal (përtëritës i kores së trurit shënimi ynë) është shumë më i vonë dhe iu përgjigjet fazave të zhvillimit të të folurit. Mjerisht kjo pjesë nuk arrin të kontrollojë atë që është më e lashtë dhe që, në momente ekstreme (luftëra, kriza, varfëri) bëhet zotërues. Janë kushtet mjedisore, përfundimisht, ato që e vënë në punë: në regjimet toalitare, për shembull, aktiviteti arkaik i trurit është në maksimum."

 

PYETJE: Por atje banuakan edhe emocionet: a mund t'i bëjmë të heshtin?

RITA LEVI MONTALCINI: "Ndodh që i mbajmë nën kontroll. Dhe kjo duhet mësuar edhe në shkollë. Arsimi është ende tepër i lidhur me binomin viktorian ndëshkim-shpërblim. Fëmijët nuk janë këlyshë qenësh, kanë një përbërës njohës mbi të cilin duhet bazuar që në lindjen e tij."

 

PYETJE: Neuroshkenca këto vite ka arritur shumë. Po për Alzheimerin?

RITA LEVI MONTALCINI: "Punohet ditë e natë. NGF-ja e zbuluar nga unë më 1940 është një molekul proteinike që e shndërron një qelizë të çfarëdoshme në një neuron. Provuar në minj, ka dëshmuar se është në gjendje ta bllokojë Alzheimerin dhe kështu ia ka arritur edhe në fare pak raste njerëzore. Unë jam në një kërkim të dëshpëruar të fondeve, në mënyrë që ilaçi të vihej në dispozicion të të gjithëve: mjerisht industria deri sot nuk ka dashur të investojë."

 

PYETJE: Pavarësisht çmimit Nobel...

RITA LEVI MONTALCINI: "Çmimi Nobel më ka sjellë disa përparësi ekonomike dhe duhet të falënderoj presidentin Ciampi që më 2001 më emëroi senatore të përjetëshme. Duke mos pasur as pension as honorare, isha në gjendje të vështirë ekonomike."

 

PYETJE: Lidhur me Parlamentin, çfarë ndikimi kanë pasur politikanët tanë kur i ke parë nga afër?

RITA LEVI MONTALCINI: "Përjashtuar pak veta me vlerë të madhe, si Anna Finocchiaro, nuk është një botë që më pëlqen. Kur ish Prodi shkoja rregullisht në Parlament. Mes të tjerash kemi miq e qëllime të përbashkëta, edhe ai tani është përfshirë në aktivitete në favor të Afrikës..."

 

PYETJE: Jeni në favor të testamentit biologjik dhe të kërkimeve në qelizat e mbjella. Beson se do të ketë një shuarje konflikti mes shkencës dhe fesë?

RITA LEVI MONTALCINI: "Secili mund të ketë fenë që do: i krishterë, musliman...unë jam laike (qesh). Por nuk më ndal të kërkoj. Nuk mund t'i vësh dryna trurit, sepse është e vetmja gjë që na dallon nga kafshët. Sa për testamentin biologjik, besoj se secili ka të drejtë të ikë me dinjitet nga kjo botë."

 

PYETJE: Në kohën tuaj keni qenë një tru në ikje. Çfarë iu këshillon të rinjve të sotëm universitarë?

RITA LEVI MONTALCINI: "Italia ka qenë vetëvrarë: truri më i mirë gjithmonë ka dalë jashtë, ku, duke u gjendur më mirë, nuk është rikthyer. Italia duhet t'i rithërrasë, por vetëm mbi bazën e meritave dhe jo për nga përkatësia në grupet e pushtetit. Por meritokracia në Itali nuk ekziston: nuk është një moment i mirë."

 

PYETJE: Sot më shumë se dje?

RITA LEVI MONTALCINI: "E kaluara nuk ishte kurrsesi më e mirë. Nëse mendojmë për nënshtrimin e plotë të femrave, gjërat kanë ndryshuar."

 

PYETJE: Po femrat arrijnë barazi të plotë trajtimi tani që ministresha Brunetta dëshiron t'i çojë në pension 65 vjeçe? Si mendoni ju?

RITA LEVI MONTALCINI: "Pensioni nuk mund të shtyhet, sepse kemi shumë të rinj dhe sidomos femra, të cilat duan të hyjnë në botën e punës. Thënë kjo, pritshmëritë e jetës sonë janë të tilla që tashmë, së paku dhjetë vjet para pensionimit, secili duhet të mendojë për një aktivitet të dytë, për një pasion të dytë që ta zhvillojë. Përndryshe truri ndalet. Bashkë me të edhe trupi."

 

PYETJE: Midis pasioneve tuaja bëjnë prapë pjesë Bach e Schubert?

RITA LEVI MONTALCINI: "Kur isha e re i dëgjoja në pesë të mëngjesit, fqinjët më thoshin: së paku vare në derë programin e ditës. Tani? Tani më mungon koha..."/

Rita Levi Montalcini ka lindur më 22 prill 1909 në Torino, në një familje hebreje spanjolle. Bashkë me motrën binjake Paola ajo ishte më e vogla e katër fëmijëve. Në autobiografinë e paraqitur në Stokholm më 1986, me rastin e marrjes së çmimit Nobel, ajo do të kujtonte: "Prindërit tanë ishin Adamo Levi, inxhinier elektrik dhe matematikan i talentuar, dhe Adele Montalcini, një piktore e talentuar dhe një qenie e mrekullueshme njerëzore. Vëllai unë më i madh Gino, që vdiq para 12 vjetësh nga sulmi në zemër, ishte një nga arkitektët më të njohur italianë dhe profesor në Universitetin e Torinos. Motra jonë Ana, pesë vjet më e madhe se Paola dhe unë, jeton në Torino me fëmijët dhe nipat e mbesat e saj. Prej fëmijërisë ajo ishte një admiruese entusiaste e shkrimtares së madhe suedeze, Nobel në letërsi, Selma Lagerlöf, dhe ajo ma ngjiti mua këtë entusiazëm saqë vendosa të bëhem shkrimtare dhe të shkruaja një sagë italiane "a la Lagerlöf. Por gjërat morën tjetër rrugë."

 

Ajo hyn në shkollën mjekësore dhe diplomohët më 1936.
Rreptësisht e vendosur ta vazhdojë karrierën akademike si ndihmëse dhe studiuese në neurobiologji e psikiatri, është detyruar, për shkak të ligjeve raciale të nxjerra nga regjimi fashist në vitin 1938, të emigronte në Belgjikë bashkë me Giuseppe Levi-n.


Pasioni për lëndën e saj e shtyn dhe i jep forca për të shkuar përpara në kërkimet shkencore sa të ketë edhe laboratorin e saj shtëpiak.

 

Janë vite gjithsesi të travajëshme për botën dhe për Europën. Shpërthen Lufta e Dytë Botërore dhe është tejet e vështirë të gjesh vende ku mund të jesh i qetë, aq më tepër që të ndërmarrësh kërkime shkencore. Në ecejaket e saj, në vitin 1943 zbarkon në Firence, ku do të jetonte në klandestinitet për disa vjet, duke ofruar ndër të tjera bashkëpunimin e saj si mjeke vullnetare për Aleatët perëndimorë. Më në fund, më 1945 lufta mbaron, duke lënë prapa miliona të vdekur dhe shkatërrime të papërfytyrueshme në të gjitha vendet.
Pas endjesh tejet të gjatë pa një strehë të sigurtë ku të vendosej, Rita kthehet në qytetin e saj të lindjes (pikërisht pak para pushtimit gjerman të Belgjikës, duke rifilluar me pakëz më shumë qetësi kërkimet e saj shkencore bashkë me Levi-n, gjithnjë nëpërmjet një laboratori shtëpiak. Pak më vonë merr një ofertë vështirë të mospranueshme nga Departamenti i Zoologjisë i Washington University (St. Louis, Missouri). Pranon vetëm pasi sigurohet fare mirë se mund t'i vazhdonte të njëjtat kërkime që i kishte filluar në Torino. Duke qenë ende në moshë të re, Rita ende nuk e përfytyronte se Amerika njëfarësoj do të shndërrohej në atdheun e saj të dytë, duke jetuar atje me detyra prestigjioze për më shumë se tridhjetë vjet (do të bëhej profesore e Neurobiologia), e saktësisht deri më 1977.
Por le t'i shikojmë me hollësi cilat kanë qenë etapat e kësaj historie të jashtëzakonshme të kërkimeve shkencore që e kanë çuar në rezultate po ashtu të jashtëzakonshme. Studimet e saj të para (iu përkasin viteve 1938-1944) iu janë kushtuar mekanizmave të formacionit të sistemit nervor të vertebrorëve. Në vitet 1951-1952 zbulon faktorin e rritjes nervore të njohur si NGF, që luan rol thelbësor në rritjen e diferencimit (përcaktimit) të qelizave nervore shqisore e simpatike. Për rreth tridhjetë vjet i vazhdon kërkimet shkencore mbi këtë molekulë proteinike dhe mbi mekanizmin e saj të veprimit, për të cilët më 1986 do t'i jepej Çmimi Nobel në Mjekësi (me Stanley Cohen).Në arsyetimin e dhënies së Çmimit thuhej: "Zbulimi i NGF në fillim të viteve 1950 është një shembull magjepsës sesi një vëzhgues i mprehtë mund të nxjerrë hipoteza të vlefshme prej një kaosi të dukshëm. Më herët neurobiologët nuk kishin pasur idenë se cilat procese ndërhynin në nervëzimin korrekt të organeve dhe të indeve të organizmit."
Prej vitit 1961 deri në vitin 1969 drejton Qendrën e Kërkimeve Neurobiologjike të Këshillit Nacional të Kërkimeve (Romë) në bashkëpunim me Institutin e Biologjisë të Washington University, e prej vitit 1969 deri më 1979 Laboratorin e Biologjisë qelizore. Pasi qe larguar nga kjo detyrë "për kufizime të detyruara nga mosha" vazhdon kërkimet e saj si studiuese dhe si profesor mysafir (guest professor) prej 1979 deri më 1989, e prej 1989 deri më 1995 punon pranë Institutit të Neurobiologjisë të CNR në cilësinë e Superekspertes. Hetimet e saj përqëndrohen në spektrin e veprimit të NGF, duke përdorur teknika gjithnjë e më të sofistikuara. Studimet e kohëve të fundit kanë dëshmuar në fakt se ai ka një veprimtari shumë më të gjerë se ishte menduar: nuk kufizohet në neuronet shqisore e simpatike, por shtrihet edhe në qelizat e sistemit nervor qendror, në qelizat e sistemit immunitar hematopoietik e në qelizat e përfshira në funksione neuroendokrine.
Prej vitit 1993 deri në vitin 1998 kryeson Institutin e Enciklopedisë Italiane. Është anëtare e akademive më prestigjioze shkencore ndërkombëtare, si Akademia Kombëtare e Studiuesve (Accademia Nazionale dei Lincei), Akademia Papnore (Accademia Pontificia), Akademia e Shkencave e quajtur e XL ekstralarxh- (Accademia delle Scienze detta dei XL), Akademia Kombëtare e Shkencave e SHBA (The National Academy of Sciences) dhe Shoqëria Mbretërore (The Royal Society).
Ndërkohë është si gjithmonë tejet aktive në fushata me interes social, për shembull kundër minave anti-njeri ose për përgjegjësitë e shkencëtarëve ndaj shoqërisë. Në vitin 1992 themelon, bashkë me motrën binjake Paola, Fondacionin Levi Montalcini, në kujtim të babait, kushtuar formimit dhe edukimit të të rinjve, si dhe në mbështetje të dhënies së bursave të studimit për studentet e reja afrikane në nivel universitar. Objektivi është krijimi i një klase të femrave të reja të cilat të kenë një rol leadershipi (udhëheqës) në jetën shkencore dhe sociale të vendeve të tyre.
Më 22 janar 2008 Universiteti i Milano Bicocca ia ka dhënë titullin honoris causa në bioteknologjitë industriale.



Disa nga veprat e botuara të shkencëtares:

Origine ed Evoluzione del nucleo accessorio del Nervo abducente nell'embrione di pollo (Zanafilla dhe Zhvillimi i bërthamës plotësuese dhe Nervit largues në embrionin e gjelit), Tip. Cuggiani, 1942.
Cantico di una vita (Himni i një jete), Raffaello Cortina Editore, 2000
La galassia mente (Yllësia e mendjes), Baldini & Castoldi, 1999
L' asso nella manica a brandelli (Asi në mëngë i copëtuar), Baldini & Castoldi, 1998
Senz'olio contro vento (Pa vaj kundër erës), Baldini & Castoldi, 1996
Per i settanta anni della Enciclopedia italiana (Në shtatëdhjetëvjetorin e Enciklopedisë Italiane), 1925-1995, Istituto della Enciclopedia italiana, 1995
Il tuo futuro (E ardhmja jote), Garzanti, 1993
NGF : apertura di una nuova frontiera nella neurobiologia (NGF: hapja e një fushe të re në neurobiologji), Roma Napoli, 1989
Sclerosi multipla in Italia : aspetti e problemi (Sklerozat e shumëfishta në Itali: çështje dhe probleme), AISM, 1989
Elogio dell'imperfezione (Lavde së papërkryerës), Garzanti, 1987
Il messaggio nervoso (Mesazhi nervor), Rizzoli, 1975./Elida BUÇPAPAJ


Elida Buçpapaj


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Thjesht një gazetar (04.19.2009)
Shkencëtarët: Ja si do të jetë bota pas 50 vjetësh (04.16.2009)
Inva Mula kulmi i një karriere dhe humbja e një dashurie (04.11.2009)
Dëshmia e një spiuni (04.07.2009)
Elë Mëkferson, Trupi që Flet, bëhet sot dyzet e pesë (45) vjeçe (03.29.2009)
Monika Beluçi tregon cilat janë dhjetë komandementet e joshjes së saj (03.24.2009)
Monika Beluçi tregon cilat janë dhjetë komandementet e joshjes së saj (03.24.2009)
Madona: Elvis është mbreti, unë jam mbretëresha e muzikës pop (03.21.2009)
Të gjithë ia kanë frikën trupit të Merilin Monrosë (03.15.2009)
Duke qenë e vërtetë me veten Xhudi Foster e kalon provimin e pyetjeve për yjet (03.12.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]