VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
100 vjetori legjendar i Rita Levi Montalçinit E Hënë, 04.20.2009, 08:44am (GMT1) Intervistë e Rita Levi Montalçinit në prag të 100 vjetorit
Rita Levi Montalçini: "Nuk mund t'i vësh dryna trurit"
Truri nuk ka rrudha. Nëse vazhdon të punojë pareshtur, përtërihet
vazhdimisht, edhe pas tetëdhjetë viteve. Për më tepër, ndryshe nga organet e
tjera, mundet madje të përmirësohet. "Me aktivitetin tim e dëshmoj: sot e shoh
se kam më tepër mundësi se kur isha njëzet vjeçe për të thelluar mendimin dhe
intuitën," tregon Çmimi Nobel Rita Levi Montalcini. Pastaj, si shkencëtare,
shpjegon se meritë e gjithë kësaj është plasticitet neuronal: nëse nuk
ndërhyjnë sëmundje si Alzheimer, truri ynë i plotëson humbjet e neuroneve me
aftësinë që kanë neuronet e mbetura për të gjetur shtigje të reja. Nisur nga
rasti i saj, teoria funksionon: në prag të njëqind viteve (i mbush më 22 prill)
profesoresha shkon në laborator në EBRI (European Brain Research Institute, me
qendër në Romë) çdo mëngjes, para pak kohësh ka publikuar librin La
clessidra della vita (Klepsidra e jetës). Jo vetëm kaq: i ndjek pikë për
pikë punët në Fondacionin e ideuar prej saj të ndërtojmë një të ardhme për
femrat afrikane. "Shpresojmë të arrijmë në dhënien e dhjetë mijë bursave
studimi brenda prillit," thotë Giuseppina Tripodi, prej dyzet vjetësh
bashkëpunëtore e saj e besuar. "Për profesoreshën pa dyshim kjo do të ishte
dhurata më e madhe."
PYETJE: Truri nuk ka rrudha, por ndonjë tru është më i bukur se të tjerët... RITA LEVI MONTALCINI: "Nuk besoj, inteligjenca nuk është programuar e tëra që prej lindjes. Me një fjalë, nuk është gjenetike. Femrat, për shembull vlejnë saktësisht sa edhe meshkujt, madje kanë një fleksibilitet më të madh trunor. Mjerisht në rrjedhën e historisë janë mbajtur larg shkollimit. Por atje ku kanë pasur mundësi shkollimi, rezultatet nuk kanë munguar. Ka dalë para pak kohësh një libër për femrat matematikane në Rusi: janë shumë dhe kanë aftësi të dalin në pah edhe mbi burrat."
PYETJE: Juve u është dashur shumë ta bëni këtë? RITA LEVI MONTALCINI: "Vetëm në fillim e kam pasur vështirë. Që e vogël isha e sigurtë se nuk doja të bëhesha grua dhe nënë. Shihja një familjen time një mbizotërim absolut të babait tim dhe kësaj i druhesha shumë: dy edhe dy nuk bënin katër për atë, ndonëse ishte matematikan. Nëna ime, piktore, u detyrua të linte punën pas martesës. Por në punë kish pasur gjithmonë mirëkuptim me kolegët meshkuj. Natyrisht, sot gjithçka ka ndryshuar, femrat nuk janë të detyruara më të zgjedhin midis familjes dhe punës, ndërsa burrat në shtëpi tashmë janë më bashkëpunues."
PYETJE: Bota duket më arsyetuese se dje? RITA LEVI MONTALCINI: "Jetojmë ende të zotëruar nga impulse të ulëta, si ato të para pesë mijë viteve. Sepse truri ynë ka një përbërës arkaik dhe të turbullt (që e ka qendrën në hipokamp strukturë në sipërfaqen e mesme të hemisferës trunore që rregullon ndjeshmëritë e nuhatjes dhe të shijes, shënimi ynë) përbërës i cili është agresiv, emotiv e afektiv dhe ai pikërisht e ka lejuar australopitekun të shpëtohet, kur ka zbritur nga pema dhe është përballur me botën. Përbërësi tjetër, njohës dhe neokortikal (përtëritës i kores së trurit shënimi ynë) është shumë më i vonë dhe iu përgjigjet fazave të zhvillimit të të folurit. Mjerisht kjo pjesë nuk arrin të kontrollojë atë që është më e lashtë dhe që, në momente ekstreme (luftëra, kriza, varfëri) bëhet zotërues. Janë kushtet mjedisore, përfundimisht, ato që e vënë në punë: në regjimet toalitare, për shembull, aktiviteti arkaik i trurit është në maksimum."
PYETJE: Por atje banuakan edhe emocionet: a mund t'i bëjmë të heshtin? RITA LEVI MONTALCINI: "Ndodh që i mbajmë nën kontroll. Dhe kjo duhet mësuar edhe në shkollë. Arsimi është ende tepër i lidhur me binomin viktorian ndëshkim-shpërblim. Fëmijët nuk janë këlyshë qenësh, kanë një përbërës njohës mbi të cilin duhet bazuar që në lindjen e tij."
PYETJE: Neuroshkenca këto vite ka arritur shumë. Po për Alzheimerin? RITA LEVI MONTALCINI: "Punohet ditë e natë. NGF-ja e zbuluar nga unë më 1940 është një molekul proteinike që e shndërron një qelizë të çfarëdoshme në një neuron. Provuar në minj, ka dëshmuar se është në gjendje ta bllokojë Alzheimerin dhe kështu ia ka arritur edhe në fare pak raste njerëzore. Unë jam në një kërkim të dëshpëruar të fondeve, në mënyrë që ilaçi të vihej në dispozicion të të gjithëve: mjerisht industria deri sot nuk ka dashur të investojë."
PYETJE: Pavarësisht çmimit Nobel... RITA LEVI MONTALCINI: "Çmimi Nobel më ka sjellë disa përparësi ekonomike dhe duhet të falënderoj presidentin Ciampi që më 2001 më emëroi senatore të përjetëshme. Duke mos pasur as pension as honorare, isha në gjendje të vështirë ekonomike."
PYETJE: Lidhur me Parlamentin, çfarë ndikimi kanë pasur politikanët tanë kur i ke parë nga afër? RITA LEVI MONTALCINI: "Përjashtuar pak veta me vlerë të madhe, si Anna Finocchiaro, nuk është një botë që më pëlqen. Kur ish Prodi shkoja rregullisht në Parlament. Mes të tjerash kemi miq e qëllime të përbashkëta, edhe ai tani është përfshirë në aktivitete në favor të Afrikës..."
PYETJE: Jeni në favor të testamentit biologjik dhe të kërkimeve në qelizat e mbjella. Beson se do të ketë një shuarje konflikti mes shkencës dhe fesë? RITA LEVI MONTALCINI: "Secili mund të ketë fenë që do: i krishterë, musliman...unë jam laike (qesh). Por nuk më ndal të kërkoj. Nuk mund t'i vësh dryna trurit, sepse është e vetmja gjë që na dallon nga kafshët. Sa për testamentin biologjik, besoj se secili ka të drejtë të ikë me dinjitet nga kjo botë."
PYETJE: Në kohën tuaj keni qenë një tru në ikje. Çfarë iu këshillon të rinjve të sotëm universitarë? RITA LEVI MONTALCINI: "Italia ka qenë vetëvrarë: truri më i mirë gjithmonë ka dalë jashtë, ku, duke u gjendur më mirë, nuk është rikthyer. Italia duhet t'i rithërrasë, por vetëm mbi bazën e meritave dhe jo për nga përkatësia në grupet e pushtetit. Por meritokracia në Itali nuk ekziston: nuk është një moment i mirë."
PYETJE: Sot më shumë se dje? RITA LEVI MONTALCINI: "E kaluara nuk ishte kurrsesi më e mirë. Nëse mendojmë për nënshtrimin e plotë të femrave, gjërat kanë ndryshuar."
PYETJE: Po femrat arrijnë barazi të plotë trajtimi tani që ministresha Brunetta dëshiron t'i çojë në pension 65 vjeçe? Si mendoni ju? RITA LEVI MONTALCINI: "Pensioni nuk mund të shtyhet, sepse kemi shumë të rinj dhe sidomos femra, të cilat duan të hyjnë në botën e punës. Thënë kjo, pritshmëritë e jetës sonë janë të tilla që tashmë, së paku dhjetë vjet para pensionimit, secili duhet të mendojë për një aktivitet të dytë, për një pasion të dytë që ta zhvillojë. Përndryshe truri ndalet. Bashkë me të edhe trupi."
PYETJE: Midis pasioneve tuaja bëjnë prapë pjesë Bach e Schubert? RITA LEVI MONTALCINI: "Kur isha e re i dëgjoja në pesë të mëngjesit, fqinjët më thoshin: së paku vare në derë programin e ditës. Tani? Tani më mungon koha..."/Rita Levi Montalcini ka lindur më 22 prill 1909 në Torino, në një familje hebreje spanjolle. Bashkë me motrën binjake Paola ajo ishte më e vogla e katër fëmijëve. Në autobiografinë e paraqitur në Stokholm më 1986, me rastin e marrjes së çmimit Nobel, ajo do të kujtonte: "Prindërit tanë ishin Adamo Levi, inxhinier elektrik dhe matematikan i talentuar, dhe Adele Montalcini, një piktore e talentuar dhe një qenie e mrekullueshme njerëzore. Vëllai unë më i madh Gino, që vdiq para 12 vjetësh nga sulmi në zemër, ishte një nga arkitektët më të njohur italianë dhe profesor në Universitetin e Torinos. Motra jonë Ana, pesë vjet më e madhe se Paola dhe unë, jeton në Torino me fëmijët dhe nipat e mbesat e saj. Prej fëmijërisë ajo ishte një admiruese entusiaste e shkrimtares së madhe suedeze, Nobel në letërsi, Selma Lagerlöf, dhe ajo ma ngjiti mua këtë entusiazëm saqë vendosa të bëhem shkrimtare dhe të shkruaja një sagë italiane "a la Lagerlöf. Por gjërat morën tjetër rrugë."
Ajo hyn në shkollën mjekësore dhe diplomohët më 1936.
Janë vite gjithsesi të travajëshme për botën dhe për Europën. Shpërthen
Lufta e Dytë Botërore dhe është tejet e vështirë të gjesh vende ku mund të jesh
i qetë, aq më tepër që të ndërmarrësh kërkime shkencore. Në ecejaket e saj, në
vitin 1943 zbarkon në Firence, ku do të jetonte në klandestinitet për disa
vjet, duke ofruar ndër të tjera bashkëpunimin e saj si mjeke vullnetare për
Aleatët perëndimorë. Më në fund, më 1945 lufta mbaron, duke lënë prapa miliona
të vdekur dhe shkatërrime të papërfytyrueshme në të gjitha vendet. Elida Buçpapaj
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |