VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Fadil Kokomani, Vangjel Lezho dhe Xhelal Konprencka, tre therorë të demokracisëNga Skifter Këlliçi

                                                                                      

E Mërkurë, 04.24.2024, 01:08am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DOSSIER
 

Fadil Kokomani, Vangjel Lezho dhe Xhelal Konprencka, tre therorë të demokracisë

Nga Skifter Këlliçi


E Mërkurë, 05.27.2009, 03:46pm (GMT+1)

 Me rastin e 30- vjetorit të pushkatimit të tyre (28 maj 1979-28 maj 2009)

 

Prolog

 

Ishte mëngjesi i 20 majit të vitit të 1994, kur hyra në zyrën e Skënder Buçpapajt, atëherë Drejtor i Përgjithshëm i RTVSH. Dhe jo pa qëllim. I kujtova se më 28 maj mbusheshin 15 vjet nga dita e pushkatimit të Fadil Kokomanit dhe Vangjel Lezhos, edhe sot dy prej gazetarëve më të mirë të Radio Tiranës, që nga koha e krijimit të saj, si dhe të Xhelal Koprenckës, një të burgosuri tjetër politik që ishte pushkatuar së bashku me ta. Shtova se pas rënies së diktaturës, ishte rasti që ky përvjetor të përkujtohej me një ceremoni të veçantë.

Njeri i kulturuar, poet dhe publicist i njohur, ai me falënderoi shumë dhe së bashku të nesërmen hartuam edhe planin për organizimin e një mbledhjeje solemne në bashkëpunim me Komitetin e të Përndjekurve Politikë. Dhe kështu u bë.

Ndërkohë, unë së bashku me Piro Naçen, gazetar dhe radiokronist i njohur në Radio Tirana në vitet "˜50-"˜60, që të dy ne shokë të ngushtë të Fadil Kokomanit dhe Vangjel Lezhos, përgatitëm një kumtesë, që më pas u bë bazë e këtij shkrimi, kushtuar atyre.

Qe një mbledhje prekëse kushtuar këtyre gazetarëve martirë, si dhe shokut të tyre, Xhelal Koprenckës, të cilëve, për qëndrimin e tyre të pamposhtur, mbajtur gjatë 15 vjetëve që kishin kaluar nga viti 1963 deri në ditën e pushkatimit nëpër burgje dhe kampe përqendrimi, në atë ceremoni nga Presidiumi i Kuvendit Popullor iu dha dekorata "Martirë të Demokracisë".

Veç kësaj, si Radio Tirana, ashtu edhe RTSH, përgatitën emisione të posaçme kushtuar atyre. Me këtë rast edhe unë botova gjithashtu një artikull të gjatë në gazetën "RD".

 

Cilët ishin Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho

 

"I nderuar Kolegj gjykues,

Xixëllonjës netëve të bukura të verës i duket sikur ndriçon gjithësinë me dritëzën e saj: në të vërtetë nuk ndrit dot as edhe një fije bari. E njëjta gjë ndodhi dhe me aktakuzën e këtij procesi gjyqësor. Ajo u venit... Xhirimi si në film i tërë skenave hetimore solli këtu përpara jush dy dosje të mëdha, të fryra e të potershme, që, po t'i redaktosh, u mbetet vetëm ajo për të cilën u dënuam bashkë me Vangjelin..."

Sikur të mos e dija që këto reshta janë shkëputur nga njeri prej proceseve gjyqësore më tragjike dhe më tronditëse që janë zhvilluar ndonjëherë gjatë regjimit të tmerrshëm komunist në vendin tonë (17 maj 1979), do të gjykoja që ndonjë një shkrimtar i talentuar ka arritur të vërë në gojën e njërit prej personazheve të tij të burgosur fjalë kaq prekëse.

Por, në fakt, nuk është aspak kështu. Në këtë rast, si edhe në raste të tjera që do t'u paraqes lexuesve të këtij cikli, nuk ka punuar kurrsesi fantazia e ndonjë shkrimtari për t'ia pasur zili. Ato radhë i ka shkruar në një nga qelitë e Burgut të Ri të Tiranës i burgosuri politik, Fadil Kokomani, së bashku me shokun e tij, Vangjel Lezho, pasi të dy e dinin se, veç pushkatimit, nuk i priste asgjë tjetër.

Të habit gjakftohtësia, guximi dhe trimëria e këtyre dy të burgosurve, që, edhe në ato çaste aq të rënda, jo vetëm shkruan mbi 20 faqe, që përfaqësonin fjalën e tyre të mbrojtjes para trupit gjykues, por edhe i shkruan me frymëzim, talent, me një gjuhë fshikulluese e demaskuese, që i bëri anëtarët e trupit gjykues, sipas dëshmive të pranishmëve në sallën e gjyqit, të mbeteshin të ngrirë e të mos guxonin ta ndërprisnin ligjëratën e tyre të madhërishme.

Ç'kishte ndodhur, përse po zhvillohej ky proces gjyqësor, përse Fadil Kokomani e Vangjel Lezho, dy nga gazetarët më të talentuar të Radio Tiranës deri në vitin 1963, kur u arrestuan e dënuan me nga 25 vjet burg, po ri-dënoheshin këtë radhë me pushkatim, pasi kishin bërë rreth 16 vjet burgim të rëndë në kampet e përqendrimit. Bashkë me ta edhe Xhelal Koprencka, një tjetër i burgosur politik.

Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho ishin dy shokë që u lidhën me një miqësi shumë të ngushtë gjatë viteve të studimit për gazetari në shkollat e larta të Bashkimit Sovjetik.

Fadili kishte lindur në Durrës më 1933 në një familje me tradita atdhedashëse. Vangjeli kishte lindur një vit më parë në Fier, në një familje të varfër. Fadili kishte mbaruar shkollën e mesme në qytetin e lindjes dhe ishte dërguar të studionte për gazetari në Leningrad. Dy vjet më pas, me të mbaruar shkollën pedagogjike në Elbasan, në Leningrad do shkonte për të njëjtat studime edhe Vangjeli. Ja pra njohja midis tyre, e cila vazhdon e thellohet edhe më shumë, edhe pse Vangjeli, për arsye shëndetësore detyrohet të vazhdojë për gazetari studimet në Moskë.

Kjo miqësi bëhet edhe më e fortë në Tiranë. Fadili, me të mbaruar studimet, emërohet më 1957 gazetar në Radio Tirana. Dy vjet më pas po në Radio nis të punojë edhe Vangjeli.

I kam njohur që të dy nga afër. Në një konkurs letrar në UT më 1958 fitova një çmim me një tregim, dhe Fadili, që përgatiste "Emisionin e Rinisë", më ftoi në një intervistë. Ishte koha kur sapo kisha nisur të bëja prova për folës në Radio. Dhe ishte Fadili së bashku me folësen e mirënjohur, Vera Zheji, që më nxitën e më dhanë zemër që të punoja me ngulm në mikrofon.

Disi i shkurtër, por me trup të ngjeshur, fytyrë të lëmuar, gjithnjë të qeshur, ku binte në pah hunda e drejtë e sytë e kafenjtë, Fadili ishte po aq gazmor dhe i çiltër, sidomos në biseda, ku menjëherë të bënte për vete, veçanërisht me kulturën e gjerë në fushën e letërsisë dhe të muzikës. Dhe tërë këtë kulturë ai e derdhte në emisionet radiofonike, disa prej të cilave kam pasur rast t'i lexoj si folës në mikrofon. Ato duhet thënë se qenë të një niveli shumë të lartë artistik, krahas emisioneve të përgatitura nga Piro Naçe, Ymer Minxhozi, Liri Çeli, Maqo Afezolli, Kadri Zotria e gazetarë të tjerë të Radio Tiranës.

Edhe Vangjeli, me të nisur punën më 1959 në redaksinë e kulturës, së bashku me Fadilin, dëshmoi se kishte talent. Ai vinte i gjatë, i hajthëm, por i zhdërvjellët, me fytyrë ezmere, pakëz eshtake, ku përshkënditnin sytë e zinj dhe plot gjallëri.

Të dy ishin nga të parët gazetarë në Radio Tirana, që kishin diplomën e gazetarit, dukuri e rrallë deri atëherë në këtë institucion. Të dy ishin po të parët që kërkuan rrugë të reja për ngritjen e nivelit artistik të emisioneve në radio, ku kishte ende dobësi.

Kishte dhe një arsye: Ata vinin nga një vend ku niveli i radios ishte i lartë, sidomos pas Kongresit të 20, ku u dënua kulti i individit i Stalinit dhe letërsia, artet e gazetaria patën një hop shumë të madh cilësor. Këtë e vëreja edhe unë, që, ende student i vitit të fundit në UT për Gjuhë-Letërsi, kisha nisur të lexoja me vëmendje shtypin sovjetik.

Mbi të gjitha në fushën e letërsisë dhe arteve dhe veçanërisht kinematografisë pas kongresit në fjalë kishte nisur një luftë e ashpër kundër dogmatizmit, që i çuan ato në nivele të larta botërore (kujtoni vetëm novelën "Fati i njeriut" të Shollohovit, që u ekranizua dhe u shfaq me sukses në shumë vende të botës, madje edhe në SHBA, si dhe filmat e tjerë "Shtegtojnë krillat", "Baladë për ushtarin", "I dyzetenjëti", "Qiell i pastër", etj., që u vlerësuan me çmime në festivale të njohura ndërkombëtare).

Të ndikuar nga këto dukuri të përjetuara gjatë viteve të studimit, Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho sollën kështu shumë të reja në emisionet e tyre, të cilat nuk jemi në gjendje t'i gjykojmë, sepse, duke qenë materiale radiofonike, ato nuk janë ruajtur. Por dihet se Fadili kultivoi me mjeshtri të rrallë, përshkrimin, reportazhin e mbi të gjitha "novelat muzikore" kushtuar figurave më të mëdha të muzikës botërore, që pëlqeheshin së tepërmi nga dëgjuesit tanë.

Midis tyre më kujtohet edhe një emision shumë interesant që ai së bashku me gazetarin tjetër, Kadri Zotria, përgatiti për tenorin e madh italian, Tito Skipa. Më 1959, me rastin e festave të nëntorit ai vizitoi vendin tonë dhe, midis të tjerash, u shpreh në mikrofonin e Fadilit se krenohej që kishte origjinë shqiptare, duke u nisur edhe nga mbiemri i tij Skipa (pra, skip-shqiptar).

Edhe Vangjeli ndiqte rrugën e Fadilit, sidomos në emisionet për fëmijë. Është e rëndësishme të theksoj se që të dy gjetën mbështetjen dhe përkrahjen e drejtorit të atëhershëm të Radio Tiranës, Petro Kito dhe zëvendësit të tij, Ymer Minxhozi, të cilët i çmonin për nivelin artistik dhe pjekurinë profesionale.

Por, në janar të vitit 1961 drejtor i Radio Tiranës u emërua Thanas Nano, ish-drejtori i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, e më pas zv. drejtor i drejtorisë së propagandës në Komitetin Qendror të PPSH, njeri i vrazhdë, i ftohtë, pedant dhe konservator. Ishte periudha kur pas mbledhjes së Moskës të 81 partive, në nëntor të vitit 1960, Enver Hoxha, për të ruajtur fronin "perandorak", u shkëput nga Bashkimi Sovjetik.

Pas një periudhe liberalizmi që u shfaq edhe në letërsinë, artet tona, dhe madje edhe në gazetari, pra, edhe në programet e Radio Tiranës, dalëngadalë nisi një censurë ndaj çdo risie që në radio u frenua me shumë zell nga Thanas Nano.

Megjithatë, në këtë periudhë Fadil Kokomani shkroi përshkrimin "Shungullon lugu i Malësisë" që la mbresë te dëgjuesit, u transmetua dhe u ritransmetua dhe madje u çmua edhe në një konkurs të radiove të vendeve të Lindjes.

Ishte përsëri Fadili në këtë periudhë që nisi rubrikën "Universiteti Popullor i Radios" me emisione të larmëta nga fusha të ndryshme të shkencës, kulturës, artit, që u bë nga programet më të pëlqyeshme të Radio Tiranës, rubrikë që transmetohej çdo të martë e të enjte në orën 20. 30-21. 00.

Pikërisht, në kuadrin e kësaj rubrike, ai filloi ciklin "Dukuri të letërsisë botërore të shekullit XX" dhe vazhdoi të shkruante, veç novelave muzikore edhe emisione të tjera në këtë fushë sepse muzika ishte pasion i tij. Fadili kishte ndjekur një kurs për kanto në Konservatorin e Leningradit dhe vazhdoi edhe një kurs tjetër në Tiranë me sopranon e njohur Marie Kraja, e cila dëshmonte se ai mund të bëhej tenor i mirë.

Si Fadili, ashtu edhe Vangjeli ishin të dhënë shumë pas letërsisë artistike. Lexonin vazhdimisht rreth 20-30 faqe në ditë. Fadili, përveç rusishtes që e zotëronte në mënyrë të përkryer, mësoi edhe italishten.

Të dy bashkëpunonin edhe me organe të tjera të shtypit. Penës së tyre u përkasin për shembull disa krijime gazetareske, midis të cilave reportazhi "Në kilometrin 10", botuar në revistën "Nëntori", nr. 10, 1961.

Për të kuptuar se ç'prirje realiste përshkonte krijimtarinë e tyre, mjafton të citojmë fragmentin e fundit të këtij përshkrimi:

"Do të kalojnë vite, kur nga shtëpitë e reja do të hiqen skelat e ndërtimit dhe në bërrylin e rrugës do të largohet kamioni i fundit me mbeturinat e lëndëve të ndërtimit. E, megjithatë, fasadat do të jenë ende të njoma, dritaret e panumërta me sy të gëzuar e të lumtur do të mbushen plot dritë. Ja, pra, e tillë është tabloja e jetës sonë. Ajo nuk është as simbol, as alegori, as analogji. Ajo duhet kuptuar ashtu siç është...".

Fraza e fundit, për mendimin tim, me domethënie të qartë, siç duket, u ka shpëtuar redaktorëve. Fadili e Vangjeli, me sa duket, nuk i kishin shkruar rastësisht ato fjalë. Kjo ishte kredoja e tyre. Dhe, po të jetonin, në veprat e tyre do të dinin të zbërthenin më thellë këtë kredo me talentin e tyre që nuk u mungonte, por që vdekja mizore dhe e parakohshme nuk ua la ta shprehnin më gjatë.

Fadil Kokomani ndërkohë botoi edhe shkrime në organe të tjera të shtypit. Jo shumë, sepse puna intensive në Radio e pengonte. Por, ndër shkrimet e tij po përmend artikujt "Madam Baterflai dhe artistët tanë', ("Zëri i Rinisë", 19 prill 1961), "Ludvig Van Beethoven", ("Zëri i Rinisë", 5 korrik 1961), "Në rrugë", ("Zëri i Rinisë", 21 tetor 1961), "Këngëtarët e malësisë", ("Zëri i Popullit", 26 qershor 1960), tregimin "Kënga na bashkoi", "Zëri i Rinisë", 4 mars 1961 dhe krijime të tjera në revistën "Ylli".

Ndonëse shkroi pak tregime, Fadili tregoi se i kishte të tëra mundësitë të bëhej shkrimtar serioz, sepse, veç të tjerash, kishte gjuhë të rrjedhshme, dialog të shkathët dhe të natyrshëm, forcë përshkruese, që e dëshmon edhe ky fragment nga tregimi "Malësorja e vogël", ("Zëri i Rinisë", 31 maj 1961), të cilin po citoj më poshtë:

"Bulëzat e fundit të vjeshtës ndërkohë u shkrinë, u tretën njëherësh nga rrezja e parë e diellit mëngjesor, m'i lëbyri sytë ende të mugëtuar.

Shfletoja veprën e Migjenit dhe herë pas here, për t'u këndellur, hidhja vështrimin në thellësi të bjeshkës, ku, mes gurësh të stërmëdhenj, që zbardhonin, shfaqej një si njollë e zezë- shpella e trimave... Qetësia përreth, pyjet e gjelbëruara ku kishte bredhur poeti, i kredhur në botën e tingujve vrungullues, të tingujve të natyrës magjepsëse, freskia flladitës, sikur më hovëzonin ..."

Fadili gjatë punës në Radio Tirana provoi jo pa sukses të shkruante edhe drama. Në vitin 1962 në emisionin "Teatri në mikrofon" u transmetua një dramë e tij kushtuar atdhetarit të shquar Mihal Grameno. Për fat të keq, as ajo, dhe as ndonjë krijim tjetër i tij dhe Vangjelit, pas arrestimit të tyre, nuk u ruajtën në fonotekën e Radio Tiranës.

Të dy shokët e ngushtë jetonin në kushte të vështira. Fadili në një dhomë të ftohtë në Radio dhe Vangjeli në një hotel të mjerë në qendër të Tiranës, së bashku me gruan, një moskovite e këndshme, e quajtur Ina, që kishte lindur një fëmijë dhe, siç i kam parë vetë, ndjeheshin tepër ngushtë në atë mjedis. Për më tepër, e shoqja ishte studente dhe i duhej edhe të të mbante fëmijën, edhe të studionte. Sidoqoftë, të dy ishin optimistë, ashtu si edhe Fadili, i cili në verë të vitit 1960 priste të shkonte për vizitë në Bashkimin Sovjetik.

Të dy shokët kishin një konceptim shumë realist jo vetëm për letërsinë, por edhe për jetën. Këtë e kuptova kur në gusht të vitit 1959, pas mbarimit të studimeve në UT, u emërova gazetar në Radio. Tashmë isha koleg me Fadilin dhe më pas edhe me Vangjelin. Dëshira ime ishte të bëhesha gazetar si ata, sidomos si Fadili. Dhe kështu ndodhi. Nisa të ndjek krijimtarinë e tij dhe të përfitoj nga ajo. Siç do të shohim në pjesën e dytë, edhe njohja u bë më e madhe, më e çiltër.

 

Si u afrova edhe më shumë me Fadilin

 

Nuk harroj shkurtin e vitit 1960, kur mua dhe Fadilin na caktuan të bënim të ashtuquajturën punë fizike në kodrat e Tiranës, aty ku ngrihet Sanatoriumi. Ishte muaji i dytë që kishte nisur të zbatohej kjo metodë kineze, e cila do të shërbente gjoja për të shkundur e çmpirë administratën që duhej, edhe ajo, të dinte në praktikë se çfarë ishte puna në prodhim.

Gjatë janarit të atij viti punën fizike e kishte kryer as më shumë e as më pak edhe vetë kryeministri, Mehmet Shehu, për të cilin poeti dhe gazetari i njohur, Dritëro Agolli, kishte botuar edhe një reportazh në "Zërin e Popullit".

Dhe ja, një mëngjes ishim ulur diku në një bregore pranë godinës së Sanatoriumit të Tiranës, që ishte në mbarim e sipër, e po hanim ato që kishim marrë me vete. Shtrëngoja në dorë një kothere buke të zezë, të qullët, të cilën nga nxitimi nuk kisha mundur ta thekja.

- Ama ç'bukë! - shpërtheu Fadili pa pritur.

- Dhe kur, pas kaq vjetësh që shkruajmë e gënjejmë se po ndërtojmë socializmin!

Të them të drejtën, u befasova. Ishte hera e parë gjatë atyre tre vjetëve që njihesha me Fadilin e nuk kisha dëgjuar kurrë që ai të shprehej në këtë mënyrë, ndaj ia ktheva:

- Ç'të bësh, kalojmë po ato vështirësi që ka kaluar Bashkimi Sovjetik në vitet "˜30. Të kujtohet se si shkruan Majakovski në një poemë për atë punëtorin që ngjesh bukën në pëllëmbët e duarve që t'i heqë lagështirën?

- Të bukur krahasim që po më bën! A e kupton se jemi në vitin 1960?!

Nisi kështu të më fliste më me mllef për jetën e rëndë që po kalonim, duke fajësuar drejtpërdrejt Enver Hoxhën dhe ata që e rrethonin. U vura në pozitë të vështirë. Fadili rridhte nga një familje komuniste. Veç kësaj, një vëlla e kishte oficer madhor.

Ai nuk reshti. Shtoi se në një vend si Shqipëria ku sundonte diktatura jeta do të bëhej edhe më ë vështirë, sepse vendi po kthehej në burg të madh. Kurse në Bashkimin Sovjetik, pas vdekjes së Stalinit, punët po shkonin krejt ndryshe.

Dhe të tëra këto ai po i shqiptonte me bindje, kur marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik ishin ende shumë të mira, kur gjashtë muaj më parë, në qershor të vitit 1959, Hrushovi kishte vizituar Shqipërinë dhe ishte pritur si perëndi edhe nga vetë Enver Hoxha.

E vërteta është se babai dhe xhaxhi im, menjëherë pas largimit të misioneve anglo-amerikane nga vendi ynë, në vitin 1946, mbetën të zhgënjyer. Të dy, si dhe shumë e shumë të tjerë, kishin pritur që Shqipëria të kishte marrëdhënie si me Perëndimin, ashtu edhe me Lindjen. Veç kësaj, që ajo të kishte një qeveri demokratike, të dalë nga zgjedhje të lira, pluraliste. Por ja që tani vendi ynë po lidhej pas qerres jugosllave, për të rënë pastaj plotësisht nën sferën komuniste ruse.

Sidomos këtë e ndiente edhe më shumë xhaxhai im, Reshat Këlliçi, i cili së bashku me figura të tilla të njohura, si Sejfulla Malëshova, Tajar Zavalani, Llazar Fundo etj., pas kthimit të Zogut, që kishte rrëzuar qeverinë e kryesuar nga Fan Noli, ishin detyruar të linin Shqipërinë, për t'u vendosur në B. Sovjetik.

Xhaxhai im që kishte mbaruar atje edhe studimet e larta, kishte kaluar një jetë të vështirë dhe ishte kthyer në atdhe, i zhgënjyer nga ky vend ku... po ndërtohej socializmi stalinist, kishte përjetuar veç të tjerash, dhunën e tmerrshme që ushtrohej mbi popullin sovjetik me të ashtuquajturën luftë klasash, me përndjekjet nga KGB (Sigurimi sovjetik), burgimet, internimet, dhe për këto edhe në praninë time, ndonëse isha ende i vogël kishte biseduar shpesh edhe me babanë tim.

Jo vetëm kaq, gjatë atyre viteve të kaluara në Moskë, ai ishte martuar me një ruse. Kur ishte larguar përfundimisht nga B. Sovjetik, më 1934, me shumë dhembje kishte lënë atje një djalë katërvjeçar, me shpresë se një ditë do ta shihte përsëri.

Dhe ja kjo ditë erdhi. Selim Shpuza, shoku i tij i viteve studentore në Rusi, më 1945 ishte emëruar ambasador i parë i Shqipërisë në këtë vend. Atëherë xhaxhai e kishte porositur që të bënte ç'është e mundur që të gjente ish-gruan e tij dhe djalin, që tashmë duhej të ishte 14 vjeç.

Dhe Selim Shpuza kishte premtuar. Por më kot. Me gjithë përpjekjet e tij, autoritetet shtetërore dhe KGB ... nuk kishin mundur të gjenin se ku ndodhej ish-gruaja e tij së bashku me djalin.

Çfarë drame!. . . Me siguri të dy, nënë e bir, kishin përfunduar në ndonjë qytet të humbur siberian, ose për më keq, në ndonjë kamp përqendrimi. Po përse? Mos ndoshta sepse ishte ajo martuar me një emigrant shqiptar që kishte lënë pastaj Bashkimin Sovjetik?. . . Nuk harroj atë ditë, aty nga fundi vitit 1946, kur misionet anglo-amerikane po largoheshin përfundimisht nga Shqipëria, xhaxhai u shpreh kështu: "Tani në Shqipëri do të ndodhë ajo që kam parë për gati nëntë vjet në Rusi. Edhe më shumë dhunë, shtypje, mjerim. Të gjitha në emër të idealeve komuniste. "

Që atëherë familja dhe të afërmit tanë filluan ta urrenin Bashkimin Sovjetik dhe Stalinin, që, me ato mustaqet e tij të mëdha mua më dukej atëherë aq babaxhan.

Mirëpo, siç dihet, pas vdekjes së Stalinit dhe ardhjes së Hrushovit në fuqi, në këtë vend filloi një kurs i ri, që hodhi poshtë kultin e individit të Stalinit dhe nën parullën e bashkekzistencës paqësore, zhdukjen e luftës së ftohtë, përmirësimin e marrëdhënieve miqësore me vende të tjera perëndimore, sidomos me SHBA dhe Britaninë e Madhe, zbutjen e luftës së klasave, rehabilitimin e mijëra njerëzve të dënuar nga diktatura staliniste, etj.

Atëherë xhaxhai me babanë dhe të afërm të tjerë, filluam t'i shihnim më miradije këto ndryshime që po ndodhnin në Bashkimin Sovjetik, duke shpresuar se edhe Enver Hoxha do të ndiqte të njëjtin shembull. Por, fatkeqësisht kjo nuk ndodhi.

Ja përse disa javë pas bisedës që kishim bërë gjatë punës fizike në shkurt të vitit 1960, dhe gjatë ditëve të tjera, i kujtova Fadilit ato që më kishte rrëfyer xhaxhai për jetën e tij dhe tmerret që kishte parë në atë vend.

- Për të tilla ngjarje tragjike, - më tha Fadili, kur shëtitnim një ditë në Parkun e madh, - më kanë folur jo rrallë shokë të mi, studentë sovjetikë. Por në Shqipëri do të ndodhë edhe më keq se ç'po ndodh tani. Mbase do të ndodhë që të prishemi me Bashkimin Sovjetik dhe të mbetemi të veçuar nga bota mbarë.

Ato ditë dhe më pas isha i pushtuar nga një ndjenjë e thellë krenarie: një gazetar, që ishte pesë vjet më i madh se unë (ai 27 dhe unë 22), për më tepër edhe më i zoti se unë, më ishte hapur aq çiltërsisht. Kështu po i hapesha edhe unë atij. Dhe atëbotë nisa ta doja edhe më shumë atë që deri atëherë e çmoja si mësues në fushën e gazetarisë. Që atëherë gjithashtu midis meje, e më pas edhe Vangjelit, nuk kishte të fshehta për çështje politike.

Më pas ndodhi ajo që kishte parashikuar Fadili...

 

Kohë të vështira...

 

Në dhjetor të vitit 1961, për hir të së vërtetës me nismën e Hrushovit u prishën marrëdhëniet midis Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë. Pikërisht këtë ishte parashikuar Fadili. Veç të tjerash filluan të largoheshin gratë e martuara me burra shqiptarë. Midis tyre u largua edhe gruaja e Vangjelit. Fadili, që kishte qenë në Bashkimin Sovjetik për herë të fundit në shtator të viti 1960, tashmë kishte humbur edhe ai çdo shpresë se do të shkonte përsëri në atë vend, ku kishte studiuar për katër vjet dhe ku pasur lidhje dashurie edhe me një vajzë estoneze.

Ndërkohë, gjendja në Radio Tirana, si në çdo organ shtypi, zuri të bëhej e nderë. Në radio këtë e ashpërsonte edhe më shumë drejtori, Thanas Nano, i cili tashmë ishte kthyer në një censor të padurueshëm. U kritikuan emisione gjoja me frymë liberale. Midis tyre edhe emisionet e Fadilit.

Kjo ndodhi tamam në kohën kur ai ishte bërë komunist e, kësisoj, duhej të reagonte, të bënte autokritikë. Madje jo vetëm kaq, por nuk duhej të shfaqte më as një shenjë të ndikimit nga kultura perëndimore, as në veshje, gjë që binte në sy te ai, as të dëgjonte muzikë italiane. Për më tepër, të mos fliste në zyrë as rusisht.

Një ditë sekretari i partisë në Radio madje e qortoi atë dhe mua që po flisnim në këtë gjuhë, duke theksuar se kjo ishte gjuha e... Hrushovit. Dhe Fadili nuk përtoi t'ia këpuste pa iu dridhur qerpiku se kjo gjuhë ishte edhe e Pushkinit dhe Leninit. Sekretari pas këtij shpjegimi të thekur, nuk bëzani.

Lidhjen e Shqipërisë me Kinën e Mao Ce Dunit, gjatë bisedave qe bëja, Fadili e quante një aventurë të radhës që Enver Hoxha e ndërmerrte për të shpëtuar përfundimisht atë vetë dhe Byronë Politike që e ndiqte verbërisht.

Një herë më kujtoi një ngjarje me të vërtetë për të qeshur, që kishte ndodhur më 1957, pra vitin e fundit të studimeve të tij në Leningrad:

"Një student kinez, siç duket për t"˜u treguar atdhetar i flaktë, i bindi shokët me të cilët jetonte në konviktin tonë, që të blinin me kursimet e tyre një traktor dhe të ndihmonin kësisoj bujqësinë kineze. Dhe shokët e tij nga halli iu bindën këtij kokëkrisuri.

I shihja këta kinezë të gjorë çdo ditë në mensën tonë të hanin çorbë me lakra dhe pa mish. Vëreja se tek hanim ne, dhe duhet thënë se ushqimi sidomos për studentët e huaj ishte i mirë, atyre sa nuk u shkonte lëng nga goja. Kjo ndodhte çdo drekë e darkë. Dhe kështu dikur ata vërtet e blenë traktorin. Doemos, ne dhe shokë studentë rusë e të vendeve të tjera, nga Lindja dhe Perëndimi, sa nuk ia plasëm gazit nga kjo bëmë e marrëzishme, aq më tepër kur pamë që nga Moska në Leningrad, erdhën punonjës të ambasadës që t'i përshëndetnin këta studentë për këtë vepër kaq të rrallë atdhetare në ndihmë të bujqësisë së vendit të tyre. Ja, pra me këtë vend me plot e plot kokëkrisur të tillë dogmatikë, që e adhurojnë Mao Ce Dunin si perëndi do të lidhemi ", - përfundoi Fadili trishtueshëm.

Erdhi kështu fundi i dhjetorit i vitit 1962. Ishin ditët kur po bëheshin provat e Festivalit të Parë të Këngës në Radio Tirana, idenë e zhvillimit të të cilit, veç kompozitorëve Abdulla Grimçi e Vath Cangu, që punonin në Radio, e kishte dhënë edhe Fadili. Madje ai, si njohës i muzikës, ishte caktuar edhe të bënte pjesë në jurinë e këtij festivali.

Mirëpo ndodhi një e papritur. Pikërisht natën e parë, Fadili nuk u pa në sallën e Teatrit të Operës dhe Baletit (sot salla e Akademisë së Arteve të Bukura). Erdhi në zyrë të nesërmen në mëngjes duke u justifikuar se papritur ishte sëmurë. Arsyetim që u pranua, aq më tepër kur bëhej fjalë për një gazetar tashmë me personalitet në shtypin tonë. (Vetëm pas arrestimit dhe procesit hetimor, doli në shesh e vërteta. Atë natë Fadili me Vangjelin e shokë të tjerë ishte orvatur të arratisej nga lumi i Bunës, por nuk kishte mundur). Për këto synime të tij, pavarësisht nga besimi tepër i madh që kisha me të, unë nuk arrita të kuptoj gjë. Fadili kurrë nuk m'u hap për këtë synim, as për veprimtarinë që kishte nisur me shokë të tjerë. Nuk mund të më besonte për një të fshehtë kaq të rëndësishme. Isha ende i ri për të.

Dija që shokë të tij të afërt, veç Vangjelit ishin Robert Vullkani, i cili edhe ai kishte mbaruar bashkë me ta studimet për gazetari në Bashkimin Sovjetik, poeti ushtarak Trifon Xhagjika, Stavri Rafaeli, këngëtar i njohur e piktor në TOB, vëllai i tij ushtarak, Thomai e disa të tjerë.

Gjithçka do të kthjellohej më pas.

 

Arrestimi pas një përpjekjeje për t'u arratisur

 

Në muajt e parë të vitit 1963, nëpër muret e disa rrugëve të Tiranës u panë të ngjitura trakte që kishin këtë përmbajtje:.

"Qytetarë! Mos u besoni udhëheqësve tanë dogmatikë. Ata po e çojnë atdheun në katastrofë. Hoxha dhe Shehu kanë humbur çdo ndjenjë humanitare. Demokracia është varrosur. Do të vijë ora jonë. Çdo qytetar i ndershëm le të jetë gati. Nuk jemi vetëm.

Liri të burgosurve politikë! Rroftë e vërteta!

Komiteti Ilegal për Shpëtimin Kombëtar"

Të them të drejtën, vetë nuk arrita të shoh asnjë trakt të tillë, sepse ato u zhdukën në çast nga njerëzit e besuar të Sigurimit. Por kjo ngjarje bëri bujë dhe për të u fol natyrisht nën zë për javë të tëra.

Në një nga të dielat e para të korrikut të vitit 1963, një gazetar i Radios, me rastin e martesës së tij, na ftoi, ne, shokëve të redaksisë së kulturës, për urim në shtëpinë e tij. Më bëri përshtypje se Fadili dhe Vangjeli munguan. Ishte një mungesë jo shumë e justifikuar, por gjithsesi të nesërmen nuk e gjeta të arsyeshme ta pyesja Fadilin. Por edhe nuk pata kohë sepse menjëherë na ra si bombë një lajm shumë tronditës. Në përpjekje për t'u arratisur nga Liqeni i Pogradecit, ishte kapur një grup ku bënte pjesë edhe... Vangjel Lezho.

Nuk më shkoi ndërmend se edhe Fadili mund të ishte përfshirë në këtë orvatje shumë të rrezikshme. Ndaj, duke përfituar nga besimi që më kishte dhënë në biseda, tashmë tepër të mprehta, një pasdite, kur u ndodha në ballkonin e zyrës vetëm për vetëm me të, e pyeta rreth kësaj çështjeje shumë të ndërlikuar. M'u përgjigj se nuk dinte asgjë të saktë. Madje shtoi se sekretari i partisë së radios e kishte thirrur në një bisedë dhe i kishte thënë të reflektonte rreth kësaj ngjarjeje, duke gjykuar se Vangjelin e kishte shokun më të ngushtë.

"I shpjegova sekretarit të partisë se Vangjeli nuk më ka vënë kurrë në dijeni lidhur më këtë qëllim të tij, " më tha Fadili. Kaluan kështu tri javë, gjatë të cilave ai dukej i qetë, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Por të papriturat e tjera do të ndodhnin më datën 6 gusht. Ishte ditë e hënë dhe sipas orarit, në administratë punohej edhe pasdite.

Nuk di përse, por Fadili dukej atë pasdite më i gjallë se herët e tjera. Si ngaherë na tregoi barsoleta, të cilat i shoqëronte me gjestikulime si të ishte aktor. Në orën tetë të mbrëmjes lamë punën dhe zbritëm nga kati i katërt i ngrehinës së radios për të shkuar secili në shtëpinë e tij. Por në të dalë nëpunësi i rojës, që zakonisht ishte oficer i Ministrisë së Brendshme, e thirri të vinte brenda në zyrën e tij. Dhe Fadili, si u përshëndet me ne, ashtu bëri.

Nuk na shkoi ndërmend asgjë e keqe. Mirëpo të nesërmen, kur nuk kishim as dy orë që kishim nisur punën, përgjegjësi i redaksisë sonë na erdhi në zyrë dhe na tha me shumë me rreptësi këto fjalë:

"Siç e dini, para disa javësh është arrestuar Vangjeli. Mbrëmë u arrestua edhe Fadili".

Mezi përmbajta një klithmë, gjë që nuk e bëri një daktilografiste, e cila sa nuk ulëriu, duke dëgjuar ato fjalë të mynxyrshme.

"Pusho, - iu hakërrye shefi. - Mos të vika keq për këtë armik?"

Fadili armik?! I kujt?... Ai, gazetari i talentuar, që më kishte folur aq shpesh për demokracinë, e cila i mungonte popullit tonë? Mirëpo pikërisht ai ishte tashmë armik i popullit, domethënë shtetit që mbronte jo popullin, por diktaturën.

Atë ditë, dhe më pas, në mjediset e radios u krijua një gjendje e nderë. Brenda tri javësh ishin arrestuar dy gazetarë, dy shokë, dy miq të ngushtë të mi, por edhe të të tjerëve. Midis tyre edhe të Pirro Naçes, siç kam theksuar më lart, njërit prej gazetarëve më të talentuar të Radio Tiranës, të cilin Fadili e vlerësonte shumë. Ai, ngaqë drejtori i Radio Tiranës, Thanas Nano, vazhdonte të krijonte një atmosferë gjithnjë e më mbytëse për krijuesit, ishte detyruar më 1961 të kalonte në revistën "Ylli". Por, megjithatë, vazhdoi të ruante miqësinë me Fadilin.

Dhe duhet thënë se Thanasit ato ditë i shkonte buza vesh më vesh... Për të ishte hequr qafe një njeri që gjithmonë e kishte përçmuar me aftësitë e tij dhe me vlerat e krijimeve që ishim bërë të njohura për dëgjuesit dhe lexuesit.

Gjatë atyre ditëve thuajse të tërë mezi mbanin veten nga këto që kishin ndodhur. Mbi të gjitha këto arrestime u kujtonin atyre arrestimin e Vehip Demit, edhe ai gazetar në Radio Tirana, dënuar pas ngjarjeve të Konferencës së Tiranës më 1956 dhe më pas vdekur pas torturash fizike e shpirtërore në internim.

Po të kthehemi te shefi i redaksisë. Pasi na njoftoi për arrestimin e Fadilit, më urdhëroi të merresha me emisionin që ai kishte nisur të shkruante, i cili duhej të transmetohej të nesërmen. O zot, si mund të shkruaja, kur më dridheshin duart!... Mirëpo ishte një gjë që duhej ta bëja patjetër.

Hapa sirtarin e Fadilit dhe në një fletë të bardhë më ranë menjëherë në sy këto fjalë të shkruara me germa karakteristike të shkrimit të qartë të tij: "...Sonte në emisionin "Universiteti Popullor i Radios" në vazhdim të ciklit... do të dëgjoni një bisedë kushtuar piktorit të njohur francez, Nikola Pusen...".

Në ato çaste ai sikur më drejtohej mua: "Vazhdo shkruaj miku im, mbaroje këtë emision të saponisur nga unë, se ne nuk dihet se kur do të shihemi... Mbase kurrë...". Gati m'u mbushën sytë me lot...

U përfshiva atëherë edhe nga një ndjenjë e tmerrshme frike: mos ndoshta Fadili dhe Vangjeli gjatë procesit hetimor do t'u rrëfenin hetuesve se kishin bërë me mua biseda, në të cilat kishim vjellë së bashku vrer kundër Partisë së Punës dhe diktatorit Enver Hoxha, të cilat i kam përmendur më sipër e kështu do të më arrestonin edhe mua si armik?

Sa herë që shihja nëpër rrugët ku kaloja ndonjë "GAZ 69-sh", kujtoja se ai do të ndalej dhe se sigurimasit që ndodheshin brenda tij do të dilnin si hije që të më arrestonin.

Në këtë gjendje ankthi u ndodha deri në ditën kur filloi procesi gjyqësor kundër tyre. Vetëm atëherë u qetësova. Fadili dhe Vangjeli, me sa shihej, ishin treguar burra, ashtu siç u treguan edhe më pas dhe nuk u kishin rrëfyer hetuesve asgjë rreth bisedave që kishin bërë prej vitesh me mua kundër diktaturës komuniste.

Më pas u arrestuan edhe shokë të tjerë të Fadilit dhe Vangjelit, poeti ushtarak, Trifon Xhagjika, gazetari Robert Vullkani, piktori dhe këngëtari Stavri Rafael së bashku me vëllanë e tij, Thomain Rafael, edhe ai ushtarak si Trifoni e të tjerë shokë të grupit që donte të arratisej, të cilët iu nënshtruan më pas një procesi të gjatë hetimor që zgjati katër muaj.

 

Gjyqi

 

Ai u zhvillua në ditët e para të dhjetorit të vitit 1963. Aty doli qartë se ky grup kishte bërë përpjekje për t'u arratisur nga Liqeni i Pogradecit atë të diel korriku të vitit 1963, por ishte diktuar. Fadili, i ndodhur në makinën e dytë, për të humbur gjurmët, kishte vazhduar rrugën për në Korçë dhe që atje ishte kthyer rishtas në Tiranë. Ja përse ai u arrestua më vonë se shoku i tij, Vangjeli.

Qëllimi i pjesëtarëve të grupit ishte që nga Jugosllavia të shkonin në Bashkimin Sovjetik. Fadil Kokomani e Vangjel Lezho, siç kemi përmendur më sipër, ishin njohur dhe dashuruar me gjithçka që kishte ndodhur atje pas Kongresit të 20 të PK të BS më 1956, që solli një frymë liberale, krejt të kundërt më atë që sundonte në Shqipëri gjatë sundimit tiranik të Stalinit.

Të mësuar me këtë frymë, ata, me t'u kthyer në atdhe, gjetën një atmosferë krejt të kundërt, të zymtë, në të cilën askush nuk guxonte qoftë me shaka të bënte ndonjë kritikë për gjendjen në një kohë që në Bashkimin Sovjetik për udhëheqësit, duke përfshirë edhe Hrushovin, tregoheshin haptas edhe barsoleta, madje edhe në tren, autobus a gjetkë. Po të shtohet këtu edhe fakti që ata, sidomos Vangjeli, kishte gruan dhe fëmijën në Moskë, kuptohet qartë dëshira e tyre për të shkuar në Bashkimin Sovjetik.

Para prishjes së marrëdhënieve midis dy vendeve, të kishe shoqëri me punonjës të ambasadës sovjetike, ishte krejt normale. Madje edhe unë shoqërohesha me Viktor Nerubaillon, punonjës i kësaj ambasade, të cilin e takova përsëri më 1991, kur ai u emërua ambasador i parë i Rusisë në vendin tonë. Dhe kjo sepse gruaja e tij, Galina, kishte qenë studente në një kurs me mua, në fakultetin histori-filologji të UT,(1955-"˜59) dhe unë e kisha ndihmuar në lëndë të vështira si gramatika historike e gjuhës shqipe. Madje, me ta kisha shkuar jo vetëm në Klubin Sovjetik, por u kisha bërë vizita edhe në shtëpinë e tyre.

Kuptohet se marrëdhëniet e Fadilit dhe aq më tepër të Vangjelit dhe gruas së tij, Inës, me punonjës të tjerë të ambasadës sovjetike, qenë edhe më të ngushta, sidomos me një punonjës të quajtur Valentin, i cili fliste edhe shqip.

Pas mbledhjes së Bukureshtit, në qershor të vitit 1960, kur u pa se marrëdhëniet sovjeto-shqiptare ishin në zgrip, gjatë takimeve me Valentinin, Vangjeli siç u tha atëherë, i kanë dorëzuar atij letra të në të cilat kritikonin hapat e ndërmarra nga Enver Hoxha për t'u shkëputur nga Bashkimi Sovjetik. Megjithatë, ajo që pritej, ndodhi: marrëdhëniet midis të dy vendeve u prishën dhe një pjesë e mirë e grave sovjetike, siç e pamë, u larguan nga Shqipëria. Midis tyre edhe Ina, gruaja e Vangjelit.

Ja, pra, dhe një shtysë tjetër e të dy miqve për t'u arratisur në Bashkimin Sovjetik, ku Fadili pati rast të shkonte për pushime në shtator të viti 1960. Ai më foli atëherë shumë më i hovëzuar nga gjithçka që kishte parë atje për dy javë.

Që nga viti 1957, kur ai ishte kthyer në atdhe pas mbarimit të studimeve në Leningrad, kishte vënë re ndryshime të dukshme. Njerëzit ishin më të shpenguar, më të lirë. Edhe niveli i jetesës, sidomos në krahasim me vendin tonë, kishte nisur të ndryshonte. Mbi të gjitha, ishin shpeshtuar ardhjet e delegacioneve të huaja nga të gjitha fushat, dukuri që dëshmonte se Bashkimi Sovjetik, pavarësisht nga kundërshtitë në fushën ideologjike, kërkonte gjithnjë e më shumë afrimin, veçanërisht me vendet perëndimore.

Për sa u përket letrave të mësipërme, publicisti i njohur, Fatos Lubonja, i cili siç do të shohim më poshtë, do të jetë protagonist i këtij cikli, në dëshmitë që sjell në librin e tij "Ridënimi", me vlera të mëdha artistike botuar më 1997 thekson: "Teksti i letrave të tyre u afishua në stendat e Kongresit të 22 të PK të BS që u mbajt në Moskë më 1962. Mbi to ishte shkruar: "Ja se ç'thonë komunistët e vërtetë shqiptarë". Enver Hoxha dhe të tjerët u tërbuan krejt dhe urdhëruan të gjendeshin me doemos autorët e letrave" ("Ridënimi", faqe 148).

Gjatë procesit gjyqësor doli hapur veprimtaria e këtij grupi, mbështetur qoftë dhe nga trakti që kemi përmendur më sipër, i cili kërkonte përmbysjen e regjimit stalinist të Enver Hoxhës që mbahej me dhunë të pashembullt.

Nisur nga akuza për tradhti të lartë në formën e spiunazhit për shkak të letrave të dërguara me anë të ambasadës sovjetike, të trakteve që bënin thirrje publike për kryengritje, për terrorizëm, sepse kishin menduar edhe për një atentat të mundshëm kundër Enver Hoxhës, si dhe për tradhti ndaj atdheut me përpjekjen për t'u arratisur, prokurori kërkoi dënimin me vdekje të Fadil Kokomanit, Vangjel Lezhos dhe Trifon Xhagjikës e Thoma Rafaelit që ishin ushtarakë.

Në vendimin e trupit gjykues, më 6 dhjetor të vitit 1963, dënimi i Vangjelit dhe Fadilit u kthye në 25 vjet burgim, kurse për të dy ushtarakët mbeti në fuqi dënimi me vdekje.

Mbaj mend se atë paradite të lagësht, kur ishte dhënë vendimi i mësipërm, po prisja zemërdredhur rrëzë godinës së Gjykatës, e cila ndodhej në rrugën e Durrësit, jo larg ndërtesës së Radios, që të dilnin që andej të dënuarit, gjyqi i të cilëve kishte tronditur Tiranën.

Kisha dëshirë të shihja për herë të fundit Fadilin dhe Vangjelin. Ca më tutje më zunë sytë dr. Llukan Xhagjikën, mjek i njohur kardiolog, që kishte studiuar edhe ai në Bashkimin Sovjetik. Me sa dukej ndodhej në këmbësoren para Gjykatës, në pritje të daljes së të burgosurve, midis të cilëve ndodhej dhe vëllai i tij, Trifoni.

Me ta parë atë më pranga ai briti me tërë forcën e zërit të tij, që ushtoi dridhshëm: "Mbahu Trifon, mbahu!..." Policët menjëherë kthyen kokën rrëmbimthi nga doktori dhe, sa të hapësh e mbyllësh sytë, e shtynë vrazhdësisht. (Më pas atë e internuan për vite të tëra në vise të largëta të Veriut). Pastaj vështrimi im rrëshqiti dhe u ndal mbi dy miqtë e mi, Fadili dhe Vangjeli. Sa qenë ligur, sa qenë dobësuar në ato katër muaj të mynxyrshme të kaluara në birucat e hetuesisë!...

I shoqërova me sy deri në derën e pasme të autoburgut, me shpresë se shikimet tona do të kryqëzoheshin, por më kot.

Dhe ishte hera e fundit që i shihja të gjallë...

Më pas morëm vesh se si Fadili, ashtu edhe Vangjeli po kalonin dënimin në kampin e "riedukimit" ose më saktë të përqendrimit të Laçit. Madje atje, herë pas here, luajtën edhe rolin e përkthyesve të specialistëve kinezë që drejtonin punimet për ngritjen e disa fabrikave.

Pastaj nuk pata asnjë informacion për ta. E vërteta ishte se edhe mund të dija më shumë, sepse një motër e Fadilit punonte në nja nga sallat e studimit të Bibliotekës Kombëtare të Tiranës dhe me të njihesha mirë edhe para arrestimit të Fadilit. Por, kur e pyeta një herë, vura re se ngurroi të më përgjigjej. Nuk kishte asnjë faj. E kisha vënë në pozitë të vështirë.

Nuk mjaftoi kjo, por pa kaluar dy vjet nga arrestimi dhe dënimi i Fadilit dhe Vangjelit, një ngjarje tjetër po kaq e rëndë na tronditi në mënyrë të befasishme. Në përpjekje për t'u arratisur në kufirin shqiptaro-jugosllav në zonën e Përrenjasit, u kap së bashku me vëllanë e tij një tjetër gazetar i Radio Tiranës, Abdulla Sallaku, i cili ishte komentator politik në redaksinë e informacionit.

E kisha shok fëmijërie dhe koleg. Ashtu si edhe Fadili, edhe ai kishte prejardhje komuniste, por kjo nuk e pengonte të mbante qëndrim kritik, duke u nisur që nga përplasjet që kishte pasur Fadili me drejtor-diktatorin e Radios, Thanas Nano.

Abdullai me vëllanë e tij, Nuriun, dhe shokët e tjerë kaluan një proces të gjatë hetimor dhe pastaj gjyqin, ku ai pati debate te forta me prokurorin dhe u shpreh hapur se donte të arratisej në Perëndim dhe atje të punonte gazetar për të dëshmuar se në ç'gjendje të rëndë ndodhej populli shqiptar. Kjo solli dënimin e tij me 18 vjet burg të rëndë, me këtë motivacion: "Me vendimin nr. 41, datë 10.7.1965 të Gjykatës së qarkut të Tiranës dënohet për krimin e arratisjes jashtë shtetit, mbetur në tentativë dhe për agjitacion dhe propagandë me 18 vjet heqje lirie. Me vendim nr. 12.1.1980 në Gjykatën e rrethit të Tiranës, për agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor dënohet edhe me 10 vjet heqje lirie."

Edhe Abdullai kaloi në disa kampe përqendrimi, ku u takua me Fadilin dhe Vangjelin, me të cilët njihej mirë, që kur punonin në Radio.

Tre të dënuar nga Radio Tirana brenda më pak se dy vjetësh!... E po t'i shtoje edhe Vehip Demin, që përmendëm më sipër, kuptohet se si ky institucion u vu gjithnjë e më shumë në shënjestrën e Komitetit Qendror dhe Ministrisë së Brendshme. Dhe, me të vërtetë, pa kaluar mirë 10 vjet, do të shpërthenin ngjarjet e Festivalit të 11 të Këngës në RTVSH që do të sillnin arrestimin edhe të dy të tjerëve, përsëri nga RTVSH, të Drejtorit të Përgjithshëm, Todi Lubonja, dhe të udhëheqësit artistik, Mihal Luarasi e më pas të gazetarit Gramoz Mborja.

Por le të kthehemi te ngjarjet që lidhen me fatin e mëtejshëm të të dy protagonistëve të rrëfimit tonë...

 

Letër e Fadilit dhe Vangjelit nga kampi i përqendrimit kundër Enver Hoxhës

 

Që nga dita e dënimit e deri në fillim të vitit 1979, kur do të niste kalvari i tyre i tmerrshëm, Fadil Kokomani e Vangjel Lezho kaluan një jetë të mynxyrshme në kampet e përqendrimit të Fushë-Krujës, Elbasanit, Skravotinës, Spaçit, në burgun famëkeq të Burrelit, pastaj në kampin e përqendrimit të Tepelenës dhe së fundi përsëri të Spaçit.

Kuptohet se të jetosh një periudhë kaq të gjatë nëpër burgje e kampe përqendrimi, kur nuk e di se a do të dalësh një herë gjallë prej tyre, është një trysni vdekjeprurëse. E tillë ishte kjo periudhë ferri edhe për të dy miqtë. Megjithatë, ata nuk u pajtuan ne këtë gjendje.

Në kushte shumë të rënda, ashtu siç vepronte shkrimtari i njohur Pjetër Arbnori, që fshehurazi shkruante vepra, të cilat po fshehurazi i nxirrte jashtë burgut, për t'i botuar vetëm pas rrëzimit të diktaturës komuniste, ashtu edhe ata u morën me krijimtari artistike. Së pari përkthyen vepra të kolosëve të mëdhenj të letërsisë ruse e botërore, nga Çehovi deri te Shileri, si dhe vepra origjinale, tregime e romane si "Dashuri dhe urrejtje", "Kambanoret e shkretëtirës" e të tjera.

Mjerisht, ashtu siç u zhdukën nga fonoteka e Radio Tiranës tërë emisionet e Fadilit dhe Vangjelit, ashtu u zhdukën nga njerëzit e Sigurimit edhe veprat e mësipërme të tyre.

Duke ndjekur shtypin, duke parë se nga dita në ditë Enver Hoxha po vazhdonte me këmbëngulje të verbër një rrugë që po e veçonte Shqipërinë gjithnjë e më shumë nga bota, në verën e viti1978 ata vendosën që nga Spaçi, ku kryenin dënimin, t'i shkruanin një letër Hysni Kapos e Ramiz Alisë, bashkëpunëtorë të ngushtë të diktatorit Hoxha. Ishte një letër tepër e guximshme që deri atëherë nuk kishte guxuar ndonjë i burgosur, jo më ta dërgonte, por as t'ia shkruante ndonjë udhëheqësi, si Enver Hoxha, aq më tepër që konsiderohej si Perëndia e Shqipërisë.

Mbase kërkonin falje prej tyre?

Aspak. Në këtë letër ata u sugjeronin byroistëve në fjalë të merrnim masa për të frenuar Enver Hoxhën që po e çonte vendin në katastrofë të plotë dhe e akuzonin për krimet ndaj popullit shqiptar, që s'kishin asnjë ndryshim nga krimet monstruoze të Stalinit.

Vite më parë kam pasur rast të takoj Robert Vullkanin, bashkëvuajtës me Fadilin dhe Vangjelin, i cili më ka folur rreth këtij akti të pashembullt të shokëve të tij. Ai atëherë i kishte këshilluar ata të dy që të mos ndërmerrnin një veprim të tillë që do t'i shpinte në plumb. Por si Fadili, ashtu edhe Vangjeli, ishin treguar të palëkundur.

Në librin e tij "Ridënimi" që cituam më sipër, Fatos Lubonja shkruan: "Një hetues që u dënua më vonë dhe erdhi në burg, tha lidhur me këtë histori se letra ishte kthyer në Ministrinë e Brendshme me shënimin e Hysni Kapos: "Të dënohen me vdekje!" ("Ridënimi", 1997, faqe 66).

Në të njëjtën kohë, një letër pak a shumë e tillë i ishte dërguar Komitetit Qendror nga i burgosuri tjetër, Xhelal Koprencka, familjarisht i persekutuar prej vitesh dhe dënuar për agjitacion dhe propagandë.

Për Xhelalin, raportet e tij me Fadilin dhe Vangjelin si dhe letrën e tij, do të flas më pas.

 

Xhelal Koprencka përballë Vangjel Lezhos dhe Fadil Kokomanit

 

Siç dëshmojnë ata që e kanë njohur edhe para burgosjes, Xhelal Koprencka vinte i dobët e shëndetlig. Rridhte nga një familje e persekutuar që në vitet e para të vendosjes së diktaturës komuniste në Shqipëri dhe prej vitesh kishte kaluar dënimin në kampin e Belshit e më pas ishte dërguar në atë të Spaçit.

Me këmbëngulje të habitshme kishte mësuar gjuhë të huaja në atë nivel sa edhe të përkthente. Dhe, nga që kishte edhe një krah të paralizuar, ngarkohej të përkthente materiale për organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilat herëpashere, siç më tregonte Robert Vullkani, ua rrëfente të burgosurve të tjerë plot emocion dhe dramatizëm.

Në librin e tij "Ridënimi" Fatos Lubonja hedh idenë se Xhelal Koprencka e dërgoi letrën e tij Komitetit Qendror, i nxitur nga letra që kishin nisur më parë në këtë adresë Fadili dhe Vangjeli.

ç'është e vërteta, një akt i tillë ishte për t'u pasur zili nga të burgosurit, por kuptohet që këtë nuk kishte zemër ta bënte kushdo, kur dihej që ky veprim ishte vetëmohim i pashembullt. Por ja që Xhelali, shtat imët e thatanik, ndoqi shembullin e Fadilit dhe Vangjelit.

Pra, brenda një kohe të shkurtër drejt Kupolës së Kuqe u nisën dy letra shkundulluese. Për sa i përket letrës së Xhelalit, ndryshimi i vetëm ishte se, në qoftë se Fadili e Vangjeli në letrën e tyre ngulnin këmbë, veç të tjerash, që Shqipëria të niste procesin e demokratizimit, duke ndjekur rrugën sovjetike, Xhelali sugjeronte që ajo të vazhdonte rrugën e Kinës, që kishte vendosur marrëdhënie diplomatike me SHBA.

E shoh të arsyeshme që të ndalem në këtë pikë, sepse edhe sot e kësaj dite ka mbetur i hapur diskutimi se kush nga të tre - Fadili e Vangjeli mënjanë, e Xhelali, nga ana tjetër, kishte më shumë të drejtë. Madje, një pjesë e mirë e atyre ish-të burgosurve, që kanë marrë e marrin pjesë në diskutim e të kësaj natyre, i japin më shumë të drejtë Xhelalit, duke i cilësuar dy të parët si komunistë që donin në letrën e tyre vetëm që vendi ynë të bashkohej me Bashkimin Sovjetik.

Por problemi nuk duhet parë kaq thjeshtë. Së pari, duhet theksuar se si Fadili, ashtu edhe Vangjeli, ishin komunistë. Madje, siç më thoshte disa herë vetë Fadili, jo vetëm prindërit dhe vëllezërit, por edhe ai, ndonëse i vogël, kishte ndihmuar lëvizjen antifashiste, madje edhe ishte internuar bashkë me pjesëtarët e tjerë të familjes. Edhe në shkollë kishte qenë veprimtar rinie. Pastaj, duke qenë nxënës i shkëlqyer, kishte fituar të drejtën të studionte në vendin e sovjetëve për gazetari. Këtu kishte nisur shndërrimi i tij sepse vitet e para të studimit në Leningrad kishin përkuar me periudhën pas-staliniste.

"Atëherë, më thoshte Fadili një ditë, pashë se ç'ndryshim kishte komunizmi sovjetik me të ashtuquajturin komunizëm enverist, që nuk ishte gjë tjetër veçse një variant i verbër i komunizmit që kishte ndjekur Stalini. Këtë e kuptova mirë që atë ditë marsi të vitit 1953, kur Enver Hoxha detyroi tërë popullin në sheshin "Skënderbej" të gjunjëzohej në shenjë dhimbjeje për vdekjen e Stalinit. Kjo për mua nuk duhej të ndodhte. Pse të arrinte deri këtu nderimi për këtë diktator që Enveri e adhuronte marrëzisht? Dhe kur bisedoja me shokë sovjetikë, kjo bindje përforcohej edhe më shumë, sepse ata më flisnin me urrejtje për Stalinin dhe kursin e ri që po ndiqej pas kongresit të 20 të PK të BS, e quanin të logjikshëm.

"Në fakt, vazhdoi Fadili, atëherë u zbut në mënyrë të ndjeshme e ashtuquajtura luftë e klasave, u rehabilituan jo vetëm udhëheqës të dënuar nga Stalini, por edhe plot e plot viktima të tij, një pjesë e madhe e të cilëve pas vdekjes, dhe qenë me mijëra e mijëra që u liruan nga burgu dhe kampet e përqendrimit. Një gjë tillë ndodhi vetëm për pak kohë ne vendin tonë, aty nga viti 1956 dhe kjo për shkak të fjalimit të Hrushovit në Kongresin e 20, dhe shpejt rifilloi lufta e klasave. Madje më e ashpër".

Kjo e shtyu Fadilin dhe më pas edhe Vangjelin ta urrenin dhe më shumë komunizmin enverist. Ndaj, ndonëse ishin ende më studime në B. Sovjetik, ndoqën me dhembje ngjarjet tragjike të Konferencës së Tiranës, më 1956, ku u mbyt zëri i komunistëve të ndershëm që kërkonin demokratizimin e jetës së partisë në frymën e Kongresit të 20.

Në Bashkimin Sovjetik Fadili dhe Vangjeli, siç e kemi parë, u njohën nëpërmjet shtypit, letërsisë dhe arteve edhe me sukseset e kulturës botërore, qenë vetë dëshmitarë të ndryshimeve që ndodhën edhe në botëkuptimin dhe psikologjinë e qytetarëve sovjetike që ishin edukuar deri atëherë me idenë se Perëndimi ishte gogol.

Ky fakt u bë edhe më i qartë, kur vetë Hrushovi vizitoi Amerikën dhe pa me sytë e tij se ç'ishte ai... kapitalizëm që e kishin demaskuar aq shumë, kur kishin mjaft për të mësuar prej tij. Kjo ndodhi pikërisht në vjeshtë të viti 1959, kur unë sapo kisha nisur punë në Radio Tirana.

Më vonë, Fadili më pati thënë se kjo vizitë kishte pasur shumë rëndësi në ecurinë e mëtejshme të Bashkimit Sovjetik drejt normalizimit dhe përmirësimit të mëtejshëm të marrëdhënieve midis këtyre dy superfuqive. Dhe kjo sepse Fadili dhe Vangjeli ishin komunistë liberalë, që donin që ato që po ndodhnin në Bashkimin Sovjetik, të viheshin në jetë edhe në Shqipëri. Pra, lidhje me Perëndimin nëpërmjet Lindjes.

Këtë politikë, që po zbatonte Hrushovi me ndërgjegje, si stalinist i flaktë nuk donte ta ndiqte në asnjë mënyrë Enver Hoxha, sepse, shpejt do të vinte një ditë dhe atë do ta priste ajo që priti tërë stalinistët në vendet e tjera socialiste. Eliminimi i tyre plotë i politik dhe zëvendësimi me udhëheqës të rinj.

Kjo ishte dhe një nga arsyet themelore që solli prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, të cilën Enver Hoxha me zgjuarsi dhe dinakëri e justifikoi gjoja me luftën e PPSH për të ruajtur pavarësinë nga diktati sovjetik.

Për këto probleme në dhjetor të vitit 1961, kur ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike u bë publike, kam biseduar gjatë me Fadil Kokomanin. Dhe kjo, sepse fillimthi në bisedë edhe me shokë të tjerë, pata krijuar bindjen se Enver Hoxha tanimë kishte gjasa të lidhej me Perëndimin. Me një fjalë, do të ndodhte pak a shumë ajo që kishte ndodhur me Jugosllavinë e Titos, kur Stalini e përjashtoi nga kampi socialist. Por Fadili, me largpamësi më thoshte se kjo nuk do të ndodhte kurrë. Dhe nuk kishte si të ndodhte. Ai, siç thamë, vërtetë ishte filosovjetik, por, në të njëjtën kohë, ishte edhe filoperëndimor.

Dihet si rrodhën punët pas shkëputjes së Shqipërisë nga Rusia Sovjetike. Në një kohë kur tërë vendet e kampit socialist, të quajtura nga Enver Hoxha tashmë "vende revizioniste", që kishin tradhtuar parimet marksiste leniniste, nisën të ndryshonin qëndrimin ndaj vendeve perëndimore, Shqipëria u lidh me Kinën, duke mbetur prapa në të gjitha drejtimet.

Dhe kur Kina vete, duke parë që kjo politikë po e izolonte nga bota, vendosi marrëdhënie diplomatike me SHBA dhe nisi një kurs të ri, diktatori Hoxha, në vend që të ndiqte këtë politikë, u shkëput nga Kina, ashtu siç ishte shkëputur më parë nga Bashkimi Sovjetik dhe e futi Shqipërinë në një izolim të plotë nga bota.

Kjo ndodhi më 1978. Pikërisht në këtë kohë Fadili dhe Vangjeli nga një anë, e Xhelali nga ana tjetër, shkruan letrat e mësipërme. Ata u shtynë nga synime shumë të larta atdhetare, që t'u jepnin një sinjal byroistëve, të cilët më së fundi të kishin guximin që u kishte munguar, për ta hequr qafe Enver Hoxhën, për ta shpëtuar Shqipërinë, ndonëse ishin të ndërgjegjshëm që kjo vështirë se mund të ndodhte.

Nga kjo pikëpamje më realiste ishte letra e Xhelalit. Dhe kjo për arsyen e thjeshtë: Shqipëria ishte e lidhur me Kinën si mishi me thoin: "Dy luanë ka sot bota/Një Azia, një Evropa...", këndonte populli. Sikur Enver Hoxha t'i shkonte pas Kinës, askush nuk do të habitej, jo më në Shqipëri, por edhe në tërë rruzullin tokësor, sepse këto dy vende njihnin tashmë një miqësi shumëvjeçare. Po të kishte ndodhur kjo, Shqipëria do të kishte hyrë në orbitën botërore që më 1978 dhe kuptohet se në ç'nivel do të ndodhej sot.

Sidoqoftë, nuk ka shumë rëndësi, nëse ishte letra e Xhelalit më realiste se ajo e Fadilit dhe Vangjelit ose e kundërta. Ajo që ngre lart figurat e këtyre pararendësve të demokracisë, është guximi i pashembullt i tyre: Nga skëterra i bënin një paralajmërim diktatorit dhe klanit të tij që të shkundeshin e të mendonin jo më për veten, por me së fundi për Shqipërinë, të sfilitur e të rrënuar.

Që të tre letërshkruesit e mësipërm u arrestuan dhe me një proces gjyqësor u dënuan më 10 vjet shtesë për agjitacion dhe propagandë.

Çuditërisht, Enver Hoxha nuk ndoqi sugjerimin e dorës së tij të djathtë, Hysni Kapos, për eliminimin fizik të tyre. Mos ndoshta u tregua zemërgjerë apo mos ndoshta Kapo dhe Alia nuk guxuan që t'ia jepnin për të lexuar ato letra të kobshme, që do ta kishin xhindosur diktatorin e pamëshirshëm?..

Megjithatë, vdekja do t'i qëndronte mbi kokë Fadilit, Vangjelit dhe Xhelalit si shpata e Damokleut deri në një çast tjetër që do të vinte shumë shpejt.

 

Më së fundi - dënimi me vdekje

 

Disa muaj më pas drejtuesit e kampit të përqendrimit në Spaç, me anë të agjentëve të tyre "zbuluan" se Fadil Kokomani, Vangjel Lezho e Xhelal Koprencka, nuk ishin mjaftuar vetëm me dërgimin e letrave të mësipërme, por edhe kishin krijuar organizata brenda në kamp. Kjo solli si pasojë që dhjetë të burgosur, ndër të cilët dy krijuesit e këtij grupi armiqësor, pra Fadili me Vangjelin, e bashkë me ta Fatos Lubonja, Robert Vullkani, e të tjerë të akuzoheshin se "... kanë marrë pjesë në një organizatë kundërrevolucionare, antisocialiste të krijuar nga të arrestuarit... për të kryer krime kundër shtetit, si dhe kanë agjituar e propaganduar kundër shtetit, krime këto të parashikuara nga nenet 57 dhe 55/I të Kodit Penal".

"Ishte një pasdite e freskët, fillim maji, - kujton Robert Vullkani, - kur befas u dëgjuan tingujt e kambanës së kampit që njoftonin të burgosurit të mblidheshin në shesh. Pa kaluar disa sekonda, aty ia behën komandanti i kampit dhe ushtarakë të tjerë."

"Midis jush ka armiq të rrezikshëm që nuk ndreqen kurrë, - ulëriu ai. - Një i tillë është Xhelal Koprencka, që ne po e arrestojmë në emër të popullit".

Ne të tërë u stepëm. Por Xhelalit nuk i bëri syri bef.

"Në emër të armiqve të popullit dhe jo të popullit më arrestoni", - tha pastaj ai me shpoti.

"Fjalë ari", - shtoi befas me zë të lartë Ramiz Melçja, një i burgosur shkodran që u ndodh pranë Xhelalit, i cili vetëm për këto fjalë u dënua edhe me dhjetë vjet të tjera burg.

Bashkë me Xhelalin u arrestuan në çast Fadili dhe Vangjeli, të cilit e prisnin një gjë të tillë.

A ishte e vërtetë që ishin organizuar grupe të tilla në kamp? Për inkuizitorët komunistë kjo nuk kishte rëndësi. Zhdukja fizike e Fadilit, Vangjelit, Xhelalit e mbase edhe të tjerëve, ja ç'kishte më shumë rëndësi për ta. Ndaj ishin të gatshëm të sajonin gjithçka.

Procesi gjyqësor kundër të pandehurve të mësipërm u zhvillua në një nga sallat e hetuesisë së Tiranës në Burgun e Ri, në ditët e fundit të majit të vitit 1979.

Gjatë këtij procesi duke u mbështetur edhe në të dhënat e librit "Ridënimi" të Fatos Lubonjës, që ka qenë i pranishëm si i pandehur në këtë proces, si Fadili, ashtu dhe Vangjeli, mbajtën një qëndrim të papërsëritshëm në procese të tilla gjyqësore.

"Pushteti në Shqipëri, - tha midis të tjerash Fadili gjatë këtij procesi, - është uzurpuar nga udhëheqja staliniste... Kam qenë dhe jam kundër terrorit dhe kundër gjakut që ka derdhur Stalini dhe që është derdhur edhe në Shqipëri nga politika staliniste e Enver Hoxhës."

Gjatë pretencës së tij prokurori vuri në dukje:

"Në nëntor të vitit 1978, të pandehurit Fadil dhe Vangjel u ridënuan për veprimtari armiqësore. Megjithëse u ridënuan, këta armiq të betuar nuk pushuan veprimtarinë e tyre kriminale, por e thelluan atë duke synuar të siguronin "suksesin" e qëllimeve të organizatës nëpërmjet një revolte, e cila duhej të udhëhiqej nga anëtarët e saj, të pandehurit e tjerë që gjykojmë sot."

Pastaj ai u ndal edhe në grupin tjetër kundërrevolucionar që përfaqësohej nga Xhelal Koprencka, që kërkonte rrëzimin e pushtetit dhe në varësi të kësaj, lidhur me politikën pro-ruse e pro-amerikane që duhej të ndiqte vendi ynë.

Në fund të fjalës së tij prokurori kërkoi:

"Për të pandehurin Fadil Kokomani: Të deklarohet fajtor për krijimin dhe pjesëmarrjen në një organizatë kundërrevolucionare, në bazë të neneve 57 dhe 31 të Kodit Penal, të dënohet me vdekje, pushkatim...

I pandehuri Vangjel Lezho... (vazhdoi i njëjti formulim i gjatë si dhe për Fadilin) përfundimisht dënohet me vdekje (pushkatim)...

Fatos Lubonja... të dënohet me 20 vjet heqje lirie..."

Kështu prokurori vazhdoi edhe dënimet për të tjerët.

Erdhi tani radha e fjalës së mbrojtjes së të të pandehurve. Të parit natyrisht iu dha fjala Fadil Kokomanit. Siç kujton Robert Vullkani, Fadili shpalosi plot fletë të shkruara para dhe prapa tyre me shkrim të dendur dhe të imtë. Kishte nevojë për një palë syza, të cilat çuditërisht ia dha pa ngurruar një nga të pranishmit në sallë që ishte mbushur plot, veç të tjerëve që qëndronin më këmbë.

 

Mbrojtje para vdekjes duke sulmuar

 

Për mendimin tim, fjala e mbrojtjes së Fadilit, që është në të njëjtën kohë edhe e Vangjelit, përbën një nga faqet më tronditëse të publicistikës shqiptare, e pse jo, edhe botërore, po të marrim parasysh argumentet aq bindëse që derdhën në ato fletë të zverdhura tani nga koha, të cilat ndodhen në dosjet e arkivave të ish-Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Mbrojtja e shprehur në ato fletë ngërthen në të njëjtën kohë kulturën e gjerë që kishin fituar këta dy gazetarë, falë studimit të vëmendshëm dhe sistematik për vite e vite me radhë, plazmuar në të njëjtën kohë me një nivel shumë të lartë artistik, sikur të dhënat dhe faktet e cituara në mbrojtjen e tyre t'i kishin skeduar nga libra, të cilat i kishin lexuar në fakt para vitit 1963, pra para se të kalleshin nëpër burgje e kampe përqendrimi ku kishin kaluar deri atëherë rreth 16 vjet, dhe, çuditërisht i mbanin mend si përkufizime shkencore.

Është me të vërtetë për t'u habitur se si të burgosur që e dinin se do të vdisnin, të shkruanin në një qeli të errët faqe me aq pjekuri, frymëzim dhe urrejtje, gjë që do të mund ta bënte një shkrimtar, madje i shquar, por në kushte komode, për më tepër i qetë, i frymëzuar dhe pa asnjë shqetësim në shpirt a zemër.

Në fjalën e tyre të mbrojtjes, që do të doja të botohej një ditë e plotë, falë hulumtimit që ka bërë publicisti i njohur Fatos Lubonja mund të gjesh citime filozofësh, deduksione, aforizma, anekdota, mllef, urrejtje, ironi, sarkazëm, prej të cilave ke ç'të mësosh. Dhe të gjitha siç thamë, të shkruara nga dora e dy të burgosurve që i kishin ditët e numëruara.

Me fjalë të tjera, kjo ligjëratë ka shumë gjëra të përbashkëta me "Ditarin e Ana Frankut" ose me librin "Reportazh me litar në grykë" të Julius Fucikut. Nuk po zgjatem, por për të bindur lexuesit po citoj vetëm disa fragmente të shkurtra nga fjala e mbrojtjes së Fadilit dhe Vangjelit, lexuar nga i pari gjatë procesit gjyqësor:

"Deri më sot unë, ashtu si Vangjeli, kemi kaluar në dy gjykime: një herë në vitin 1963, të dytën herë, më 1978 (gjyqi që po zhvillohej ishte i treti dhe i fundit shën. imi - S. K). Në plenumin e 4 të Komitetit Qendror të PPSH, më 1973, vetë sekretari i parë Enver Hoxha ndër të tjera thotë: "Burgu është forma e fundit e edukimit". Bukur fort! Po ç'na del nga kjo procedurë e fundit hetimore kundër nesh? Na del se burgu na qenka edhe forma e fundit e mashtrimit, torturës dhe vdekjes së ngadalshme. Akuzantët na propozojnë: "O mangi questa minestra, o salti fuori dalla finestra".

Jo, zotërinj akuzantë, ne nuk do ta hamë këtë supë helmatisëse dhe as do të hidhemi nga dritarja, por do të kërkojmë energjikisht që përgatitësit e kësaj kornize dhe anemizmi faktik të procedurës hetimore, të kësaj hakmarrjeje pa doreza (dhe kjo sipas mendimit tonë, kryesisht për letrat e dërguara), të vijnë këtu e të japin llogari në vendin tonë e ne të shkojmë ne hesapin e në hallin që na ka zënë, për të vazhduar vuajtjet. Ne, Fadil Kokomani e Vangjel Lezho... jemi muzikantë e gazetarë dhe gjithmonë themi të vërtetën dhe veshi ynë kap çdo stonaturë në muzikën e madhërishme të kësaj aperture njerëzore që quhet jetë-liri-revolucion-patriotizëm. Pjesë nga aperturat e aktakuzës dhe procedurës hetimore u përpoqëm t'ia paraqesim kolegjit gjyqësor të këtij procesi.

I nderuar kolegj gjykues,

Xixëllonjës netëve të bukura të verës i duket sikur ndriçon gjithësinë me dritën e saj: në të vërtetë nuk ndriçon as edhe një fije bari. E njëjta gjë ndodhi edhe me aktakuzën e këtij procesi gjyqësor. Ajo u venit dhe shpresojmë se do të venitet edhe përpara gjykimit tuaj, sepse siç thonë filozofët e Greqisë së lashtë, një opinion i krijuar mbi gënjeshtrën dhe mbart në vetvete këtë gënjeshtër, fishket, vdaret, mugëtiset shpejt..."

Siç dëshmojnë disa nga ata që kanë qenë të pranishëm në sallën e gjyqit, të tërë kishin mbetur të ngrirë gjatë fjalës së mbrojtjes së Fadilit edhe në emër të Vangjelit, lexuar me një qetësi olimpike, sikur pas kësaj ligjërate, ata të dy do të dilnin të lirë, për të shkuar kudo dhe të takonin këdo që të donin, kur në të vërtetë nuk do të takonin veçse vdekjen.

Të nesërmen i erdhi radha kryetarit të trupit gjykues të jepte vendimin.

Duke sjellë ndërmend ato çaste kur e ndjente veten më afër vdekjes se jetës, Robert Vullkani kujton se priste që fjala e kryetarit, e si pasojë edhe vendimi i tij, të ishin më të butë, të paktën për Vangjelin, i cili duhej t'i shpëtonte plumbit. Por kryetari qe po aq i ashpër sa edhe prokurori. Ishte e qartë. Vendimi ishte diktuar që më parë nga lart e, pse jo, edhe nga vetë diktatori Hoxha.

Gjithë çështja ishte pra të dëshmohej se nëpër burgjet dhe kampet e përqendrimit kishte të dënuar që paraqisnin rrezikshmëri shumë të lartë, madje deri në atë shkallë sa të krijonin grupe, ku të rekrutonin sa më shumë të dënuar dhe kështu një ditë të shpërthenin në revolta të tjera, jo vetëm në Spaç, por kudo në kampe të tjera përqendrimi. Dhe ata që mund të krijonin organizata të tilla ishin në radhë të parë Fadil Kokomani, Vangjel Lezho, Xhelal Koprencka.

Ata i kishin dërguar letra Komitetit Qendror, ata pa dyshim që kishin marrë edhe mendimin e të tjerëve për këtë qëllim. Ndaj, krahas tyre, duheshin bërë kurban edhe të tjerë. Ja përse në pretencën e prokurorit ishin nënvizuar edhe këto radhë:

"Të pandehurit Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho si organizatorë e drejtues të organizatës kundërrevolucionare "Revizioniste e majtë", pasi mësuan ekzistencën e organizatës tjetër kundërrevolucionare "Nacionaliste", të krijuar nga i arrestuari Xhelal Koprencka, e cila në objektivin e saj kishte të njëjtin qëllim armiqësor përmbysjen e pushtetit popullor, kanë zhvilluar polemikë të gjatë me ta se ç'rrugë do të ndjekë Shqipëria në të ardhmen".

Deri këtu kishte disa të vërteta, por arrestimi i të burgosurve të tjerë më arsyetimin se në kampin e Spaçit "ishin krijuar grupe" përbënte shkakun kryesor për ridënimin dhe zhdukjen fizike të Fadilit, Vangjelit dhe Xhelalit.

Dhe kësaj po i mëshonte edhe më shumë kryetari i trupit gjykues, sepse i druhej argumenteve që shtroi Fadili gjatë fjalës së mbrojtjes, ku midis të tjerash, veç atyre që përmendëm më sipër theksoi: "... Edhe në këtë moment aktakuza rrëshqet në dërrasë të kalbur dhe bie, me dashje apo pa dashje, me vetëdije ose jo, në falsitetin faktik "të materialit" të psonisur pa përgjegjësi ... saqë kushdo që e lexon vë duart në kokë e thotë: "Në Spaç qenka bërë nami, qenka zbuluar një organizatë, e cila paska pasur dashur t'i vërë minat pushtetit popullor, paska pasur në plan t'u vijë në ndihmë forcave kundërrevolucionare të brendshme (të cilat për mendimin tonë nuk ekzistojnë fare)... paskan pasur ndërmend t'u vinin në ndihmë forcave ushtarake sovjetike që të pushtonin Shqipërinë!!!... Gaboheni rëndë zotërinj, gaboheni shumë rëndë!"

Këto argumente dërrmonin katërcipërisht qoftë aktakuzën e prokurorit, qoftë vendimin që po lexonte kryetari.

"Nga provat e shqyrtuara, deklaroi ai në mbyllje të fjalës së tij, i bindur me siguri në absurditetin e pseudofakteve që parashtronte, rezultoi e vërtetuar plotësisht se të pandehurit ... duke qenë armiq të vjetër të partisë dhe te të shtetit, njerëz të degjeneruar politikisht... u grupuan në një organizatë kundërrevolucionare që kishte për qëllim rrëzimin e pushtetit popullor...
www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Dossier: Elbasani qyteti që u pagëzua nga tre perandorë (05.23.2009)
Air Force One avioni i Presidentit të Amerikës (05.22.2009)
15 vjet pa Zhaklinë Kenedin, Zonjën e Parë më të paharrueshme amerikane (05.17.2009)
Mark Cukerberg, themeluesi i Facebook ose alkimia e miliardierit (05.13.2009)
Harri Truman, Presidenti i 33-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vizionar i epokës globale (05.08.2009)
540 vjetori i Nikolo Makiavelit, atij që ndau përfundimisht politikën nga morali (05.03.2009)
Shtatëdhjetepesëvjeçarja Shirli Meklein, e tejpashmja dhe mistikja (04.23.2009)
100 vjetori legjendar i Rita Levi Montalçinit (04.20.2009)
Thjesht një gazetar (04.19.2009)
Shkencëtarët: Ja si do të jetë bota pas 50 vjetësh (04.16.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]