VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

MONGOLIA - VEND I PASUR, NJERËZ TË VARFËR
E Premte, 10.14.2011, 02:44pm (GMT1)

Angela Merkel dhe kryeministri Sukhbatar Batbold në Ulan Bator

14.10.2011

Angela Merkel është e para kancelare gjermane që viziton Mongolinë. Ish shteti-sovjetik që prej shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik është kthyer në një demokraci funksionuese. Por vendi i pasur duhet të zhvillohet.

Kur investuesit e huaj dëgjojnë fjalën "Mongoli", u shkëlqejnë sytë. Rezervat e lëndëve të para të vendit me dendësi të ulët popullsie mes Rusisë dhe Kinës, janë tejet të mëdha. Christopher Wood, këshilltar për investimet pranë CLSA në Hongkong, thotë: "Mongolia është historia më tërheqëse e bumit ekonomik në Azi. Por ajo nuk është për frikacakët."

Qymyr, bakër, ar, materiale të rralla - Mongolia i ka të gjitha. Në radhët e investuesve mbizotëron atmosfera e etheve të arit. Ekonomia e vendit në gjysmën e parë të këtij viti është rritur me rreth 14%. Mongolezi Dale Choi, strateg investimesh pranë firmës Frontier Securities në kryeqytetin Ulan Bator, shpjegon: "Për çdo vend kjo është një shifër mjaft e lartë. Ekonomia jonë po përjeton një rritje të fuqishme falë sektorit të minierave dhe efekteve pozitive edhe në sektorë të tjerë."

Varfëria prezente - Vetëm një elitë përfiton aktualisht

Por përftimi i lëndëve të para sapo ka filluar. Dhe rritja ekonomike deri tani ka arritur vetëm tek një elitë e vogël në vend, e cila i lejon vetes makina të reja dhe shtëpi. Një e treta e njerëzve janë tejet të varfër, thotë Jürgen Wellner, i cili punon për organizatën humanitare World Vision në Ulan Bator. "Vendi ka përpara një të ardhme të lavdishme, një e treta e popullsisë jo patjetër. Shifrat e rritjes janë gjigante, por nëse kjo rritje do të arrijë deri në shtresat e ulëta të popullsisë nuk dihet. Gjatë dhjetë viteve të fundit produkti social bruto i vendit është rritur shumë shpejt, por varfëria ka mbetur njëlloj."

Varfërinë në Ulan Bator e sheh para së gjithash në periferi. Jashtë qendrës me ndërtesat e saj me parafabrikate nga koha e socializmit, shtrihet lagjen e varfëra, në të cilat njerëzit jetojnë në çadrat tradicionale mongoleze dhe fitojnë jetën me punë të rastit. Gjysma e rreth 2,8 milionë mongolezëve jetojnë sot në kryeqytetin Ulan Bator. Shumë prej tyre janë nomadë të dikurshëm, të cilët kanë ardhur në qytet pasi blegtoria nuk u siguronte më të ardhura të mjaftueshme dhe sepse kërkojnë një jetë më moderne. Por vendet e punës janë të rralla, thotë Johannes Rey nga Fondacioni Konrad Adenauer.

Plane ambicioze

"Varfëria vjen pasi në 20 vitet e fundit ka qenë e pamundur të ndërtohet një industri në vend, dhe Mongolia jeton si të thuash nga të ardhurat e shitjes së lëndëve të para. Kjo do të thotë që aktualisht këtu nuk ka aktivitet prodhues, nuk ka industri sekondare. Ky zhvillim duhet të ecë paralelisht me tregtinë e lëndëve të para, pra që këto lëndë jo vetëm të eksportohen por edhe të përpunohen këtu."

Qeveria ka plane ambicioze për zhvillimin e një industrie mongoleze. Por për këtë fillimisht duhet të përmirësohet infrastruktura. Aktualisht 90% e rrugëve nuk janë të shtruara, rrjeti i shinave është fare i pamjaftueshëm për vendin e madh. Të gjitha këto duhet të ndryshojnë vitet e ardhshme dhe Mongolia shpreson që për këtë të marrë ndihmë edhe nga fqinjët e fuqishëm Rusia dhe Kina. Vendi shpreson gjithashtu në kontakte ekonomike me SHBA, Evropën, Japoninë dhe Korenë e Jugut. Por rruga nga një vend i izoluar nomadësh drejt një kombi modern lëndësh të para është ende e gjatë. Dhe shpërndarja e pasurive të vendit ndër banorët e tij, është një çështje politike, e cila nuk është është zgjidhur akoma.

(http://www.dwelle.de)

 

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.