VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Poetja që përuron Obamën
E Enjte, 12.25.2008, 11:43am (GMT1)

Voal-online - Presidenti i zgjedhur Barack Obama ka ngarkuar poeten Elizabet Aleksandër (Elizabeth Aexander) të shkruajë dhe ta recitojë një poezi për përurimin e tij. Është hera e katërt që një poet shkruan posaçërisht dhe e lexon një poezi në një përurim të tillë. Poetja është e përgatitur për sfidën. The New York Times shkruan këto ditë se ajo po kqyr në "Zana e Arteve të Bukura" të W. H. Auden dhe në veprën e Gwendolyn Brooks, e para nga afrikano-amerikanët që fitonte Çmimin Pulitzer në poezi. Auden, sipas saj, shtron shumë pyetje të thella rreth mënyrës si ne e kemi përballur historinë, ndërsa Brooks ka pasur shumë ndikim në poezinë e Alexander. Në një intervistë të përmendur nga gazeta në fjalë, Alexander thotë se Brooks është nga ata njerëz që do të kishin dashur të jetonin për ta dëshmuar këtë moment. "Ishte bardja e Jugut. Ajo shkroi për fqinjët e Obamës për shumë vite."

Alexander  është shefe e departamentit të studimeve arfikano-amerikane në Universitetin Yale. Ajo është mike e Obamës për më shumë se dhjetë vjet. E pyetur a mendon se miqësia ka luajtur rol në përzgjedhjen e saj, ajo thotë jo. "Nuk mendoj se miqësia të detyron të marrësh vendime të tilla. Për miqtë ka plot gjëra të pëlqyer që mund të bësh për shembull t'i ftosh në ballon përururuese. Por nuk mendoj se miqtë duhet t'ia bëjnë njëri-tjetrit ndere si ky," shton poetja.

Babai i poetes, Clark M. Clifford, ishte një këshilltar i të drejtave civile i Presidentit Lindon Xhonson dhe pati rol në Ligjin për të Drejtën e Votimit. Ai ishte i pari zezak që caktohej Sekratar i shtetit për Mbrojtjen dhe kryetar i Komisionit për Mundësi të Barabarta Punësimi. Nëna e saj Adele jep mësim në Universitetin Gjergj Uashington. Vëllai i saj, Marku, jep mësim në Shkollën e Drejtësisë Seton Hall dhe shërbeu si drejtor politik i fushatës së vitit 2000 të Bill Bradley. Ekspert në financë, ai ishte këshilltar i lartë i fushatës së Obamës dhe anëtar i ekipit të tij kalimtar. "I përkasim saktësisht së njëjtës gjeneratë," thotë për këta poetja. "Janë njerëz me të cilët kam shumëçka të përbashkët.

Kishte hamendje të shumta se a do të përfshinte a jo Obama një poet në programin e tij përurues. Më parë kishin qenë tretë poetë të tillë: Robert Frost më 1961, Maya Angelou më 1993 dhe Miller Williams më 1997. Ai nuk ka komentuar pse e bëri këtë zgjedhje. Por në stafin e tij thonë se me këtë ai tregon sa rëndësi iu jep arteve dhe letërsisë, dhe zonja Alexander "është një autore e akademike tejet e shkëlqyer". Paul Muldoon, poet fitues i çmimit Pulitzer, Maya Angelou dhe të tjerë thonë se përzgjedhja është bërë me meritë të plotë. Ndërsa vetë poetja tha se Obama ka një shqisë poetike në përdorimin e fjalës, për çka ajo e admiron pa masë.

Traditën e përzgjedhjes së një poeti në përurimin presidencial e filloi Xhon Ficxherald Kenedi kur përzgjodhi Robert Frostin. Frost bëri për vete zemrën e kombit amerikan me mrekullinë e artit të tij në një pasdite të ftohtë janari. Ai recitoi përmendsh poezinë "The Gift Outright", kur e pa se nuk do ta lexonte poezinë e daktilografuar të shkruar posaçërisht për rastin përurues. "Isha një fëmijë, duke parë përurimin në televizion, dhe ishte hera e parë që e kuptova se ç'do të thotë të jesh poet. Poetët mund të frymëzojnë një komb," tha atëherë Robert Frost. Angelou ishte një figurë e madhe mes afrikano-amerikanëve, një poet që kishte  fituar një popullaritet të madh. Kështu Bill Clinton dëshironte të bënte për vete publikun afrikano-amerikan. Dhe e kuptoi se ia arriti këtij qëllimi kur nobelistja Toni Morrison shqiptoi fjalinë e famshme se Bill Clinton ishte presidenti i parë zezak i Amerikës. Miller Williams ishte poet nga Arkansasi, tejet i talentuar, por pa publik Por Clinton donte të thoshte se ishte një djalosh me rrënjët në Arkansas. George Bush u mjaftua duke përmendur vargje nga Robert Frosti.

Në këtë kontekst, gazeta britanike "The Guardian" e quan të përkryer përzgjedhjen e Obamës. Sipas gazetës ajo përfaqëson kulturën zezake amerikane, por ndërkohë ajo i thotë publikut: "Ne jemi këtu dhe jemi shumë të zgjuar e të arsimuar, ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për kulturën perëndimore europiane dhe universin e saj; por prapëseprapë ne i mbajmë lidhjet tonë me të kaluarën tonë, me rrënjët tona, me nevojat tona, me vizionet tona."

Elizabeth Alexander lindi më 1962 in Harlem, New York, dhe u rrit në Washington, D.C. Është nënë e dy djemve, 9 dhe 10 vjeç. Ajo mori një B.A. (Bachelor of Arts e diplomuar në arte ) nga Yale University, një M.A. (Master of Arts Mjeshtre e Arteve) nga Boston University, dhe një Ph.D. (Doktor në Filozofi ) në anglisht në Universitetin e Pensilvanisë. Përmbledhjet e saj poetike përfshijnë "American Sublime" (Graywolf Press, 2005), i cili ishte një finalist për Pulitzer Prize; Antebellum Dream Book (2001); Body of Life (1996); and The Venus Hottentot (1990).

Vepra kritike e Alexander përfshihet në përmbledhjet e saj të eseve, The Black Interior (Graywolf, 2004). Ajo gjithashtu botoi The Essential Gwendolyn Brooks (Graywolf, 2005) dhe Love's Instruments: Poems by Melvin Dixon (1995). Poezitë, prozat e shkurtëra dhe shkrimet kritike janë publikuar gjerësisht në gazeta e revista si The Paris Review, American Poetry Review, The Kenyon Review, The Southern Review, Prairie Schooner, Callaloo, The Village Voice, The Women's Review of Books, dhe The Washington Post. Vepra e saj është antologjizuar në mbi dymbëdhjetë përmbledhje dhe në maj 1996, drama e saj në vargje

Diva Studies, u vu në skenë Yale School of Drama.

Për veprën e saj, Rita Dove ka thënë se poezitë e Alexander shkëlqejnë nga cilësia e parezistueshme e një bote të parë me sy të freskët. Ndërsa Clarence Major ka vënë në pah "instiktin e shndërrimit të vizionit të saj të thellë kulturor në diçka që rrezaton përvojë universale". Ajo ka marrë një mori çmimesh të larta amerikane nga shoqatat e poetëve dhe nga instancat akademike të vendit.

Ajo ka dhënë mësim në Haverford College, në Universitetin e Çikagos, në Universitetin e Pensilvanisë dhe Smith College, ku ishte Grace Hazard Conkling Poet-in-Residence, drejtorja e parë e Poetry Center në Smith College, dhe anëtare e kolektivit themelues botues të gazetës femërore Meridians. Ajo ka udhëtuar shumë në SHBA dhe jashtë duke lexuar poezitë e saj dhe duke dhënë leksione për letërsinë dhe kulturën afrikano-amerikane. Ajo ka tituj dhe grada të shumta mësimdhënëse dhe shkencore nga institucionet e larta përkatëse ndër më të famshmet në Amerikë e më gjerë.

Në poezinë kushtuar Nelson Mandelës, Alexander shkruan. "Këtu jetoj dhe është e dielë./ Nga dhoma ime dëgjoj fëmijët/ zezakë që luajnë midis shtëpive,/ dhe hekurudhën në një rrapëllimë të të shtunës./ Ndiej erë fërliku nga çdo drejtim/ dhe i dëgjoj duar zezake duke tundur këmbanën e kishës,/ Ndiej erën duke u puthur nëpër degët e rrapit,/ nëpër fijet e thata të barit./ Në një çati burgu/ Në Afrikën e Jugut Nelson Mandela kujdeset për kopshtin dhe ka ditëlindjen,/ Ashtu si gjyshi im në Harlem, Nju Jork/ rrit domatet dhe bëhet nëntëdhjetë e një vjeç./ Unë i pata falas prekjet: duart e gjyshit tim, shpatullat, pizhamat e tij me erë tableta vitaminash./ Unë kam marrë falas prekjet e të dashurit,/ E kujtoj prekjen e të dashurit këtë mëngjes/ teksa gruaja e Mandelës ndjell kujtimet nëpër vite/ dhe vite, / jet aime është zezake dhe e mbushur plot me fat."

Prej këtu poetja kalon në paralelent tjetër: "Nelson Mandela është me mua, sepse unë besoj/ në simbolet; simbolet janë plot pushtet; simbolet kërkojnë/ pushtet dhe ja pse një komb/ ndjek një burrë që udhëheq nga burgu/ dhe nuk mund t'i flasë kombit të tij. Nelson Mandela/ është me mua, sepse unë jam një vajzë zezake/ e cila nderon të parët e saj, e cila e do/ gjyshin e saj, e cila është një vajzë zezake/ ashtu si vajzat e Mandelës janë vajza/ zezake. Kjo është Filadelfia/ dhe unë e shikoj këtë të dielë qartë."/

 

 

Elida BUÇPAPAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.