E Enjte, 03.28.2024, 09:21am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DOSSIER
 
Horhe Luis Borhes mjeshtri i fantazisë dhe trillimit
E Djelë, 06.14.2009, 07:54am (GMT+1)

 

 

 

 

Horhe Luis Borhes (Jorge Luis Borges), mjeshtri Argjentinas i tregimit të shkurtër, poeti dhe esseisti i cili është konsideruar si njëri prej shkrimtarëve më të mëdhenj të Amerikës Latine vdiq në Gjenevë, ku kishte 3 muaj që qëndronte, më 14 Qershorin e vitit 1986. Ai ishte 86 vjeç dhe vdiq prej një kanceri galopant. 

I panjohur deri në vitin 1961 jashtë Argjentine, tregimet e tij, formaliste në gjuhë dhe misterioze me paradokset e tyre opake, të patejdukshme, të errëta, u ndoqën në fillim me pak vemendje në SHBA, vëmendje që erdhi duke u rritur e duke marrë përmasa ndërkombëtare.

Gjuha e tij eksploronte labirintet e shpirtit njerëzor, fantastiken me pamje tokësore, imagjnatën me pamje shtazarake dhe përrallat e bibliotekave të pushtuara me kohë nga pluhuri dhe dijet e misterëshme. Proza e tij ngacmon imagjinatën tek lexuesi i zakonshëm, ai profesionist dhe kritika dhe të shumtë janë ata që e çmojnë Borhesin si shkrimtarin më të shquar Latino Amerikan të shekullit XX. 

Nga të parat midis prozave artistike që u shfaqën në SHBA janë: "Ficciones", "Alef dhe proza të tjera" dhe "Labirintet", të gjitha botuar më 1962, dhe "Një Histori Universale e Poshtërsisë", më 1971. Midis përmbledhjeve më të rëndësishme të esseve janë "Libri i Qenieve Imagjinare", 1969, "Një Hyrje në Letërsinë Amerikane", "Poezi të zgjedhura, 1923-1967", botuar më 1972 dhe "Çmimi i Errësirës" që përmbledh poezi dhe drama të shkurtra, botuar më 1974. Më 1975, Xhon Apdajk (John Updike) shkroi se "paragrafi shterues i Zotëri Borhesit  të ngjall respekt." Se "fabulat e tij janë të shkruara me një zgjuarsi të mprehtë, që gjendet më rallë në filozofi dhe në shkencat e natyrës, se në prozë," thotë Apdajk. "Për më tepër, atë mund ta marrësh për dikë shijet e të cilit rendin të të çorodisin, që shfaqen si një spekulim i pastër, apo thjeshtë janë si një zbavitje e hirëshme." Përveç kësaj, Apdajk ngulmon: "Megjithë thjeshtësinë dhe tonet e arsyeshme, Borhes propozon një lloj rishikimi të thelbit të letërsisë në vetvete." "Ai është historian dhe filozof, ndoshta diçka shumë më tepër", shkruan Xhorxh Shtajner (George Steiner) për Borhesin. "Universalizmi i Borhesit është strategjia e një imagjinate thellësisht të ndierë, një manovër, një karrem, një rreng, një grackë për të rënë në pikëprekje, në pikëpjekje me erërat e mëdhaja që fryjnë nga zemra e sendeve."

"Kur ai i shqipton me aq lehtësi titujt, duke i ndërthurur me referencat imagjinative, kur ai tregon për shkrimtarë që kurrë nuk kanë ekzistuar, Borhes është duke përmbledhur realitetin në shtjellat që i takojnë botëve të mundëshme. Kur ai lëviz, përmes lodrafjalëve dhe jehonave, nga njëra gjuhë tek tjetra, ai është duke e kthyer kaleidoskopin, duke e hedhur dritën në një arnë tjetër të murit." 

Horhe Luis Borhes lindi në Buenos Aires, në shtëpinë e gjyshërve nga nëna më 24 Gushtin e vititi 1899. I jati, me prejardhje italiane, hebreje dhe angleze, ishte jurist, për të cilin Borhes shkruan "ishte një filozof anarkist dishepull i Spenserit dhe gjithashtu një mësues psikologjie". Nëna, me prejardhje nga Argjentina dhe Uruguaji, jetoi deri në të nëntëdhjetat duke përkthyer në spanjisht William Saroyan, Nathaniel Hawthorne, Virginia Woolf dhe Herman Melville. Në moshën 6, 7 vjeçare Borges filloi të shkruajë. "Unë prisja që të bëhesha shkrimtar", do ta kujtonte vetë këtë kohë. Në fillimet e tij është i intriguar nga letërsia klasike spanjolle, më së shumti nga Servantes. Më 1914 familja e tij erdhi në Europë, ku Horhe dhe motra e tij filluan mësimet në një Kolegj në Gjenevë të Zvicrës. Gjermanishten e mësoi përmes Haines, dhe gjermanishtja e çoi tek Shopenhauri, njëri prej filozofëve që e deshi më shumë. Më pas ai filloi të mahnitej prej stilit të Walt Whitman. "Fillimi i vërtetë" i Borhesit do të shënohet kur më 1930 do të botonte librin "Një Histori Universale e Poshtërsisë."

Më 1946, Juan Domingo Peron - ''një President,'' shkruan Borhes, ''emrin e të cilit nuk dua ta përmend erdhi në pushtet." Borhes u emërua si inspektor i pulave dhe lepujve për tregun publik, gjë që e konsideroi si fyerje duke dhënë dorëheqjen. Por në këtë kohë ai e kishte fituar emrin si krijues, duke u ftuar që të jepte letërsinë Angleze në një Kolegj të Lartë Studimesh dhe në Asosacionin Argjentinas të Kulturës Angleze. Pas qeverisjes së Peronit, Borhes u emërua drejtor i Bibliotekës Kombëtare në Buones Aires. Një vit më vonë ai filloi të jepte mësim si profesor i letërsisë Angleze dhe Amerikane në Universitetin e Buenos Aires. 

Nga fundi i vitit 1950 Borhes u verbua krejt. "Një pasojë e dukshme e verbësisë time ishte braktisja e plotë që unë i bëra vargut të lirë në favor të metrikave klasike", do të shkruante më vonë. "Që kur drita e diellit më braktisi, më duhet që t'i kthehem kujtesës, e cila më sjell ndërmend më lehtë vargjet se prozën, më lehtë vargjet e rregullta se vargjet e lira." 

Duke qenë kandidat i Nobelit, çmimi iu mohua dhe ai e mori këtë fakt pa kokëçarje. Kur më 1982, shkrimtari kolumbian Gabriel Garsia Markez, do ta fitonte këtë çmim ai do të thoshte për Borhesin: "Unë shpresoj se ai do ta marrë atë, dhe nuk e kuptoj se përse nuk ia kanë dhënë derimë tani". Disa zëra thonë se çmimi nuk iu dha, sepse Borhesit i mungonte dëshira për të kritikuar represionin post-Peronist. "Unë besoj se ata janë një djall i domosdoshëm në 50 vite e ardhme". Këto fjalë nuk e kanë lejuar Borhesin që të bëhej laurat i Nobelit. Sa për jetën private, mund të thuhet se ishte hermetik. Prej verbërisë, ai ishte i detyruar që të mbante pranë një asistent për t'i lexuar libra: "Për mua, leximi është një mënyrë jetese. Unë nuk e mendoj veten në një botë pa libra..." Në moshën 68 vjeçare ai u martua për herë të parë me një shoqe fëmijërie, Elsa Astete Millan, e veja e një miku të tij, me të cilën u nda pas tri vjetësh. Ai u martua tri javë përpara se të vdiste me sekretaren e tij për 41 vjet Maria Kodama. 

Në vitet e fundit të jetës Borhes nuk ishte i lumtur sikur kishte qenë dikur me Argjentinën dhe kryeqytetin e saj Buenos Aires. "Buenos Aires është një qytet i mërzitshëm tani", i tha ai një intervistuesi gjatë luftës me Britaninë për Ishujt Falkland, në pranverën e vitit 1982. "Unë nuk e kuptoj vendin tim. Por bota nuk është krijuar për t'u kuptuar prej njerëzve. Çdo natë unë shoh ëndërra, kam ankthe sikur kam humbur në një qytet të panjohur, ku nuk kujtoj dot emrin e hotelit dhe nuk e gjej dot rrugën që më çon në shtëpinë time në Buenos Aires: ndoshta ndihem i humbur sepse bota është bërë e pakuptimtë." Por Borhes vazhdonte ende që të gjente kuptim në punën e tij krijuese. Në ditët e fundit ai do t'i shkruante Richard Burgin, një miku të letrave këto fjalë: "Përmes viteve, një njeri e popullon hapësirën bosh me imazhet e fushave, mbretërive, maleve, gjijve të detit, ishujve, peshqëve, dhomave, veglave, yjeve, kuajve dhe njerëzve. Por vetëm pak përpara vdekjes së tij, ai zbulon se labirinti durimtar i linjave vizaton gjurmët e imazhit të vetë fytyrës së tij." /Elida BUÇPAPAJ

 

BOX

ARI I TIGRAVE

 

Deri në çastin e perëndimit të verdhë,

aq e aq herë do ta kem parë me sytë e mi,

tigrin trup-fuqishëm të Bengalit

poshtë e përpjetë në rrugën e matur me hapa,

pas labirinteve të barrierave të hekurta,

pa dyshuar kurrë se ishin burgu dhe prangat e tij.

Më vonë tigra të tjerë shfaqen:

tigri prej zjarri i Blejkut 1), flakëron vezullues;

dhe pas tij do të vijnë të tjerë prej ari -

dushi i artë i dashurisë duke fshehur Zeusin,

unaza e artë, e cila çdo natë të nëntë,

sjell në jetë nëntë unaza të tjera, dhe këto, nëntë të tjera,

dhe kjo nuk ka kurrë fund.

Të gjitha ngjyrat dalldisëse,

bashkë me vitet e ikura, më kanë braktisur mua,

e tani më ka mbetur vetëm

drita e shformët, hija e koklavitur

dhe ari i fillimit.

O perëndime të diellit, O tigra, O shkëlqime

të mitit dhe epikës,

O ari im më i shtrenjtë, ari i flokëve të tu

të cilin duart e mia dihatin për ta prekur.

                                    E shqipëroi: Elida BUÇPAPAJ

1)Borhes i referohet poezisë së famshme të poetit William Blake (1756-1827) që titullohet The Tyger dhe që konsiderohet një nga perlat më të bukura të poezisë të shkruar në anglisht.

 

 

 

Elida Buçpapaj


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Gruaja e Tuk Jakovës: Fjalia për të cilën Enver Hoxha urdhëroi zhdukjen e tim shoqi (06.09.2009)
Irrashai Massè: Mirsevini në Tokio kolosal (06.09.2009)
Martin Luter, në gjurmët e një reformuesiNga Dereck WILSON (06.08.2009)
Tetëdhjetëvjetori i lindjes së shtetit të Vatikanit (06.03.2009)
Uollt Uitman, bardi gjenial i Amerikës (05.31.2009)
Fadil Kokomani, Vangjel Lezho dhe Xhelal Konprencka, tre therorë të demokracisëNga Skifter Këlliçi (05.27.2009)
Dossier: Elbasani qyteti që u pagëzua nga tre perandorë (05.23.2009)
Air Force One avioni i Presidentit të Amerikës (05.22.2009)
15 vjet pa Zhaklinë Kenedin, Zonjën e Parë më të paharrueshme amerikane (05.17.2009)
Mark Cukerberg, themeluesi i Facebook ose alkimia e miliardierit (05.13.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 

 
VOAL
[Shko lart�]