VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Majkëll Xhekson iku kur ndihej ende i ri

                                                                                      

E Enjte, 04.25.2024, 10:40pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DOSSIER
 
Majkëll Xhekson iku kur ndihej ende i ri
E Shtunë, 06.27.2009, 10:26am (GMT+1)

 

 

 

"Mbreti i muzikës", i cili revolucionalizoi muzikën pop, vdiq papritur. Infermierët u thirrën menjëherë në shtëpinë e këngëtarit në Beverly Hills rreth drekës, pasi ai ndaloi së marri frymë.

Pas 2 orësh ai u deklarua i vdekur në qendrën mjekësore UCLA. Vëllai i Michael, Jermaine, tha se mendohet të ketë qenë një atak kardiak, por megjithatë as kjo tragjedi e madhe nuk i ka ndaluar mediat e ndryshme botërore së bëri spekullime të ndryshme rreth kësaj tragjedie para disa ditësh, të paimagjinueshme.

 

Vdekja e tij vjen përpara turneut të tij të radhës në Londër pas më pak se një muaji. Koncertet që do të rikthenin dhe një herë idhullin e muzikës pop, që do të zhvilloheshin nga data 13 korrik deri në mars të 2010. Duke folur në emër të familjes Jackson, Jermaine tha se doktorët u përpoqën ta sillnin në jetë yllin për më tepër se një orë, por pa sukses.

 

Ai shtoi: "Familja kërkon që media të respektojë privatësinë tonë përgjatë këtij momenti të vështirë".

Por, sa e lehtë mund të jetë kjo? Fansa të dëshpëruar, media të etura për lajme dhe spekullime, njerëz të mërzitur për një humbje të madhe, pikërisht me këtë atmosferë zie ka ikur edhe ylli i muzikës, i pavdekshmi Michael Jackson... Tani pyetja e të gjithë adhuruesve të tij është, si do të jetë një botë pa Michaelin?

 

Një zëdhënës konfirmoi se Xhekson ishte sjellë në Qendrën Mjeksore të Universitetit të Kalifornisë në Los Anxhelos me arrest të plotë kardiak dhe më pas u konstatua se kishte vdekur. Ai tha se është planifikuar një autopsi, ndoshta sot, për të përcaktuar se çfarë shkaqesh mund të kenë çuar në vdekjen e këngëtarit. Sipas gazetës "Los Angeles Times", Departamenti i Policisë në Los Anxhelos ka hapur hetime rreth vdekjes së Xheksonit, megjithëse gazeta citon burime që thonë se nuk ka prova që të flasin për ndonjë akt kriminal.

Turma fansash të Majkëll Xheksonit si dhe ekipe të shumta të televizioneve u mblodhën pranë Qendrës Mjeksore. Zyrtarët e zjarrfiksëve në Los Anxhelos që shkuan në shtëpinë e tij thanë se ai u dërgua me ngut në Qendrën Mjeksore të Universitetit të Kalifornisë në Los Anxhelos, pasi nuk po merrte frymë.

 

Këngëtarit 50-vjeçar iu bë menjëherë frymëmarrje artificiale para se të dërgohej në qendrën mjeksore.

 

XHEKSON: Ulje-ngritjet e një karriere

 

Ylli botëror i muzikës pop, Majkëll Xhekson, provoi momentet më të larta, por edhe më të ulëta në jetën e tij, e cila u shoqërua vazhdimisht nga vëmendja e pandërprerë e medias. Xhekson, i njohur për lëvizjet e tij sensacionale në skenë dhe për këngët ku shkriheshin muzika pop, rok dhe soul, fitoi emër shumë shpejt në jetë me grupin që përfshinte edhe katër vëllezërit e tij të njohur me emrin "The Jackson Five". Por ai u bë një superstar i vërtetë në adoleshencën e vonë kur karriera e tij solo çoi në prodhimin e albumeve të tillë si "Off the Wall" në vitin 1979 dhe "Thriller" në 1982, të cilat u bënë ndër albumet më të shitura të të gjitha kohërave.

 

Xhekson u shqua edhe për novacione qysh herët në botën e videove muzikore kur ky zhanër filloi të zhvillohej në fillim të viteve '80. Videot e tij për albumin "Thriller" përfshinin lëvizje të ndërlikuara kërcimi dhe disa herë edhe formën e një tregimi, gjëra që nuk ishin bërë ndonjëherë më parë. Ai krijoi një stil të tillë kërcimi që përfshinte teknika të pantomimës, lëvizje super të shpejta dhe një ecje karakteristike e njohur si "Ecje në Hënë". Kjo ecje i magjepste shikuesit - Xhekson rrëshqiste prapa, ndërkohë që dukej sikur lëvizte përpara. Edhe stili i tij i të kënduarit ishte po aq i veçantë - aty shkriheshin balada të muzikës soul me lëvizje kërcimi të shoqëruara me klithma të mprehta. Xhekson ka qenë mjaft i njohur edhe në fushën e filantropisë gjatë viteve '80. Në vitin 1985, ai ndihmoi në organizimin e nismës "SHBA për Afrikën" për luftën kundër urisë në kontinetin afrikan, duke grumbulluar këngëtarët më të famshëm të kohës për të interpretuar himnin "We Are the World", i cili u shkrua posaçërisht për këtë qëllim dhe u bë ndër këngët më të shitura. Por në jetën private, Majkëll Xhekson ishte një njeri i tërhequr nga bota dhe ekcentik. Ai e portretizonte veten si personazhi për fëmijë Peter Pan, duke thënë se nuk kishte patur kurrë rast të shijonte fëmijërinë. Ai e rrethonte veten me fëmijë dhe shkoi deri aty sa ndërtoi një park lojërash, madje edhe një kopsht zoologjik në territorin e shtëpisë së tij në Kaliforni. Gjatë gjithë jetës së tij si i rritur ai bëri një sërë operacionesh plastike për të ndryshuar hundën dhe mjekrën, duke e ndryshuar në mënyrë dramatike krejt fytyrën. Xhekson u martua dy herë, së pari në vitin 1994 me Lisa Marie Presley-n, vajzën e legjendës së rokut, Elvis Presley; më pas me një grua të panjohur, Debbie Rowe, e cila ishte nëna e dy fëmijëve të tij të parë. Asnjëra martesë nuk zgjati më shumë se 3 vjet. Xhekson pati edhe një fëmijë të tretë, siç thuhet me një grua të panjohur. Por ndërkohë, ai u akuzua për marrëdhënie të pahijshme me fëmijë dhe në vitin 2005 ai u shpall i pafajshëm nga akuzat për ngacmim seksual. Problemet e tij ligjore çuan në probleme financiare dhe tërheqje nga sytë e njerëzve. Xhekson kishte në plan të fillonte një seri koncertesh këtë vit në Londër, të cilat do të shënonin rikthimin e tij në skenë. Biletat e shfaqjeve u shitën brenda pak minutash në muajin mars.

Ai u bë një yll i muzikës kur ishte ende një djalë i ri, më pas u bë ikona e muzikës pop i ndjekur gjithnjë nga shkëlqimi, fama, fansa të çmendur, që e adhuronin, por edhe skandale, thashetheme dhe ndjekje penale. Ndërkohë që priste të festonte 50-vjetorin e tij, muaj më parë, ai i thoshte "Mirëmëngjes Amerikë" në një intervistë ekskluzive, duke theksuar se "po kalonte kohë shumë të bukura thjesht duke u qetësuar".

Ikona e popit fliste në mënyrë shumë të moderuar rreth karrierës së tij, fëmijët dhe planet për të ardhmen. Duke folur në telefon nga shtëpia e tij në Kaliforni, me atë zë aq të ulët dhe të qetë saqë dëgjohej me vështirësi, thoshte që ishte duke dëgjuar muzikë të James Brown dhe se po përgatitej për 50-vjetorin e tij dhe se do ta kalonte atë "thjesht duke ngrënë një copë tortë me fëmijët e mi dhe duke parë filma me kartona" - para se t'i rikthehej punës.

- Fakti që po shkoni drejt të pesëdhjetave do të thotë se jeni pajisur edhe ju me siguracion shëndeti për të moshuar?

"Nuk di asgjë për këtë", - thotë ai duke qeshur.

Ai thoshte se ishte akoma në gjendje të bënte kërcimin dhe lëvizjet e tij të famshme, madje edhe më shumë... "Tashmë ndihem shumë i mençur dhe i ditur, por në të njëjtën kohë ende shumë i ri", - tha ai. Duke reflektuar më gjatë, Jackson tha se koha më e lumtur e jetës së tij ka qenë me shumë mundësi ajo kur ka incizuar albumet e tij "Thriller", i lëshuar më 1982 dhe "Off the Wall", i lëshuar më 1979. Ato albume ishin të shoqëruara me një zinxhir hitesh solo dhe videoklipesh dhe korrespondojnë me kohën kur ai ka bërë debutim me kërcimin e firmosur prej tij "Moonwalk", i cili e katapultoi edhe në majën e karrierës dhe famës së tij. "Kjo ishte shumë domethënëse për mua, pasi dukej se u prit shumë mirë nga publiku dhe nga e gjithë bota atë kohë", tha ai. "Ishte periudha më e lumtur e jetës time".

Kur iu kërkua që të zgjidhte një këngë të vetme si më të preferuarën nga të gjitha sukseset e tij, Jackson u rikthye po në të njëjtën periudhë. "Kjo është me të vërtetë një pyetje e vështirë", tha ai para se të fillonte të përmendte disa tituj "We Are the World", "Billie Jean" dhe "Thriller". Megjithatë, Jackson nuk ishte ende i kënaqur me listën e sukseseve të tij dhe thoshte se mezi priste të bënte gjëra akoma më të bukura që do ta bënin atë të pavdekshëm. Ai shpresonte të krijonte muzikë të re dhe të fillonte zinxhirin e koncerteve të tij. "E kaloj pothuajse të gjithë kohën duke shkruajtur", tha ai. "E adhuroj muzikën dhe kompozimin e saj, megjithatë jam edhe shumë i zënë me rritjen e fëmijëve. Jam duke i mësuar atyre të lexojnë dhe t'i japin biçikletës. Jam shumë i dhënë pas tyre dhe më pëlqen të kaloj kohën në këtë mënyrë".

Muzika dhe fama

Ai thoshte se shpresonte të ishte "vetvetja" në punën e tij të ardhshme, por që frymëzohej gjithashtu nga shumë artistë të mëdhenj, duke theksuar se gjithnjë kishte ëndëruar të punonte me James Brown ose Fred Astaire. Ai thoshte se e shikonte influencën e tij në disa këngëtarë të rinj të momentit, duke përmendur edhe Chris Brown. Ai thoshte se e kishte sakrifikuar fëmijërinë e tij me shumë punë të vështira dhe se i dukej sikur ia kishte dhuruar jetën artit. Megjithatë, ai e donte jetën e tij dhe thonte se do ta rijetonte edhe një herë në të njëjtën mënyrë nga e para.

"Mendoj se mund ta bëja", tha ai. "Një jetë e përkushtuar artit ia vlen të jetohet. Gjithmonë e kam adhuruar biznesin e artit dhe më ka pëlqyer gjithnjë që të argëtoja dhe të lumturoja njerëzit. E adhuroj muzikën, kërcimin, artin. Thjesht e adhuroj".

Kur u pyet nëse do të ishte i lumtur sikur dy djemtë e tij dhe e bija të kishin të njëjtën jetë dhe të njëjtin sukses me të ai thonte se do t'i pëlqente më shumë që ata të kishin kohë të mjaftueshme për të shijuar fëmijërinë e tyre sa më shumë të jetë e mundur.

"Unë i çoj ata në cirk, në kinema dhe i lë të argëtohen sa të duan", thoshte ai. "Dua që ata të shijojnë çdo gjë që unë s'e kam patur dot, në këtë mënyrë ua mbush ditën me sa më shumë argëtim dhe lojëra. Fundja, kjo është ajo që fëmijët duhet të bëjnë. Emocionohem shumë kur i shikoj se si argëtohen dhe kënaqen", shtonte ai, "kur janë duke i dhënë biçikletën, kur janë duke luajtur me njëri tjetrin, duke qeshur dhe bërtitur... Këto momente më prekin shumë, bëhem shumë emotiv kur i shikoj që kalojnë momente të bukura".

Jackson thoshte se fëmijët e tij e adhuronin muzikën, se janë shumë të dhënë pas artit, por ai asnjëherë nuk i shtynte. Nëse do të rikthehej pas në kohë dhe t'i jepte një këshillë vetes së tij në moshën 9 apo 10-vjeçare, që është edhe mosha mesatare e fëmijëve të tij, ai do të thoshte "nëse je i bindur që do të ndjekësh këtë rrugë, atëherë përkushtohu, mësoje mirë zanatin tënd dhe përfshihu në të gjitha aktivitetet". Ai do t'i thoshte vetes të ishte i fortë dhe të kishte "lëkurë rinoceronti" kur bëhet fjala për t'u marrë me presionin e famës.

Ndoshta Jackson ka mësuar se duhet të ketë një lëkurë të trashë gjatë viteve të vështira të debateve dhe polemikave. I lindur më 29 gusht 1958 në Gary, Indiana Jackson arriti famën si vëllai më i vogël i "The Jackson 5". Grupi nxori këngën e tyre të parë të quajtur Motion në vitin 1969, kur Jackson ishte vetëm 11 vjeç, duke gëzuar një seri suksesesh në vitet 1970.

Jackson Mbret i Pop-it

Grupi u bë i njohur si The Jacksons dhe Jackson pati sukses si këngëtar solist dhe si aktor.

Karriera muzikore e tij më vonë, nisi me "Off the Wall" dhe ai arriti një sukses aq të madh sa u quajt, "mbreti i pop-it."

Por gjithashtu ai zhvilloi një reputacion për sjelljet e tij të çuditëshme. Shpesh shihej se mbante një maskë kirurgjike në publik, aparenca e tij duket se ndryshonte dhe lëkura e tij sa vinte dhe bëhej më e shndërritshme dhe më e bardhë me kalimin e viteve.

Pati disa martesa të shkurtra, njëra nga to me vajzën e Elvis Presley, Lisa Marie Presley.

Në vitin 2002, Jackson u kritikua për arsye se nxori djalin e tij të vogël, Prince Michael II, nga ballkoni i një hoteli në Gjermani, në mënyrë që të shihej nga fansat. Më vonë kërkoi falje publike.

Në vitin 1993, Jackson u akuzua se pati ngacmuar seksualisht një djalë të vogël 13-vjeçar, i cili kishte vizituar shtëpine e tij në fermën "Neverland", por çështja u zgjidh jashtë dyerve të gjyqit.

Jackson u akuzua për pedofili në vitin 2003, por u lirua në vitin 2005.

A ka mbaruar melodrama?

"Të pesëdhjetat duhet të kishin qenë pika e ndryshimit për të", thotë një njeri i njohur si Phoenix, i cili njëherë shërbeu si zëdhënës i familjes Jackson dhe që sot drejton një orkestër të quajtur Dancing Machine Revue. "I madhi 50, deri tani, nuk po shkon dhe aq mirë sa ishte menduar".

Mbas procesit gjyqësor, familja u rivendos në Bahrain duke qenë se Jackson donte të largohej nga shtypi, që njëherë e një kohë aq shumë kishte kërkuar. Jackson kohët e fundit u kthye në Shtetet e Bashkuara dhe ka jetuar në Vegas, ku dhe është fotografuar muajin e fundit, në një karrige me rrota, veshur një paruke, syze dhe një maskë kirurgjie.

Fotoja duket se bie në kundërshtim me komentet e tij të fundit se ndihej akoma i ri dhe se akoma mund të performonte lëvizjet e tij të famshme.

Kur biografi i tij Stacy Brown e pa atë, mendoi, "Oh, po kërkon sërish vëmendje". "Pastaj, e pashë më nga afër dhe thashë, 'Uau, duket vërtet i dobët. Ndoshta ka ndonjë problem këtu".

Brown, i cili dikur ishte shumë pranë familjes dhe që bashkëpunoi me vëllain e Jackson, Jermaine dhe motrën e tij Rebbie në libra, tha se Jackson ka një histori sëmundjesh fizike. "Ai ka luftuar lupus për vite, sidomos kur kalon në një situatë të madhe stresi. Dhe ka qenë nën stres për një kohë të gjatë".

Gjithashtu, luftoi me dhënien mbas mjekimeve kundra dhimbjeve dhe dhenien e tij mbas alkoolit, tha Brown, bashkautor i "Michael Jackson: Njeriu i fshehur mbas Maskës".

Por Phoenix beson se janë djajtë e tij emocionalë, që po e dëmtojnë atë tani.

"Ai ka qenë nën efektin e motit për disa kohë, por unë besoj se është pak a shumë psikologjike", tha ai. "Bota gjithmonë ka pritur që ai të jetë energjik dhe aktiv. Ai ka shumë për të jetuar".

"Mendoj se ka më shumë se kaq", thotë Brown. "Pati shumë presion në moshë të re, grupi, pastaj të qenurit nën dritat e famës. Ishte shumë për të. Ai hoqi dorë nga gjërat më të rëndësishme në jetë, besimin e tij. U bë i zoti i vetes. Hoqi dorë nga familja e tij".

Phoenix, që ka akoma kontakt me prindërit dhe vëllezërit e Jackson, foli me Titon vetëm pak javë më parë, duke thënë se familja do të donte të festonte momentin historik të tij me të, por ka qenë e pamundur që ai të kapej. "Familja është përpjekur të lidhet me të, por ka qenë e pamundur".

Në vend të kësaj, pjesëtarë të familjes dhe të afërm, Joe dhe Katherine dhe motra e tij e madhe Rebbie, presin koncertin e ditëlindjes së Phoenix në vendlindjen e tij në Phoenix. Në shfaqje do të luhen të zakonshmet e Jackson 5, hitet solo të tyre.

Për pak kohë, vëllezërit kanë dashur të bashkohen me Jackson për një tur. I fundit që ata kanë bërë bashkë, ka qenë Victory Tour, 24 vjet më parë. Një tur Jacksons, thotë Phoenix, jo vetëm do të lumturojë fansat, por do të ndihmonte financiarisht vëllezërit , të cilët janë rrënuar pa Michaelin.

Por Brown mendonte se për këtë nuk bëhet fjalë. "Nuk besoj se është i aftë fizikisht", tha ai.

Brown gjithashtu kishte dyshime për albumin e tij të ri. "Ka kohë që po mundohet ta mbaroje atë", tha ai. "Mendoj se mund ta bëjë. Por a ka vërtet rëndësi kjo? Nuk ka asnjë marrëveshje regjistrimi. Kjo është vërtet e habitshme. Ndoshte në një situatë ku ka nevojë t`i vërtetojë vetes se çdo gjë shkon mirë sërish".

Është një situatë krejt ndryshe nga ikonat e tjera të popit si Prince dhe Madonna, të cilët gjithashtu mbushën 50 këtë verë.

Ndërsa Prince dhe Madonna vazhdojnë të regjistrojnë, apo shfaqen nëpër revista, Jackson është ndryshe.

"Ata ishin në një tjetër nivel gjatë gjithë kohës. Pastaj jeta e Michaelit mori një drejtim të çuditshëm", thotë Jonathan Cohen, botues në revistën Billboard. "Karrierat e tyre nuk mund të ndryshonin më shumë se kaq". Megjithë spekullimet dhe thashethemet e shumta ata mendojnë se Michael Jackson do të arrinte ta përfundonte albumin e tij të fundit e të shumëpërfolur. Fansat kishin besim tek ai dhe të gjithë prisnin me padurim rikthimin e mbretit, yllit të muzikës. Ata u zhgënjyen, pasi ai nuk arriti dot të rezistonte më shumë. Iku në mënyrë të parakohshme, por për të jetuar përjetësisht në zemrat e fansave të tij besnikë, të cilët nuk e braktisën as në momentet më të vështira. Përgatiti KLARITA BAJRAKTARI

Klarita Bajraktari


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Mbreti i Popit Majkëll Xhekson (06.26.2009)
Kameron Diaz ka yllin e saj në Shetitoren e Famës të Hollivudit (06.24.2009)
Figurë epokale e liberalizmit - Largohet nga jeta Lord Ralf Dahrendorf (06.21.2009)
Abraham Linkoln një burrë që fliste vetëNga Theodore C. Sorensen (06.20.2009)
Visar Zhiti: Poezia ime më e fortë se diktatura (06.18.2009)
Horhe Luis Borhes mjeshtri i fantazisë dhe trillimit (06.14.2009)
Gruaja e Tuk Jakovës: Fjalia për të cilën Enver Hoxha urdhëroi zhdukjen e tim shoqi (06.09.2009)
Irrashai Massè: Mirsevini në Tokio kolosal (06.09.2009)
Martin Luter, në gjurmët e një reformuesiNga Dereck WILSON (06.08.2009)
Tetëdhjetëvjetori i lindjes së shtetit të Vatikanit (06.03.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]