E Premte, 03.29.2024, 07:48am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DOSSIER
 
Vera Bekteshi: Blloku i dhunës dhe njerëzit e mirë të Vodëzës
E Martë, 06.30.2009, 12:40pm (GMT+1)


 

 

Vera Bekteshi, e bija e një komunisti të viteve të para, oficer i lartë i goditur brenda grupit puçist në ushtri, Sadik Bekteshi, rrëfen në një roman autobiografik ngjarjet nën diktaturë që ndryshuan jetën e saj.


Një portret i rrallë i çiftit Hoxha tek "Vila me dy porta", sipas dëshmive të drejtpërdrejta dhe pa komente të Vera Bekteshit.
Dhe një pjesë incipit nga romani: "Arrestimi i babait"


"Vila me dy porta" i Vera Bekteshit, që hidhet në qarkullim këtë javë, pavarësisht se ka formën e një romani, është bazuar në historinë familjare të Bekteshëve.


Sadik Bekteshi ishte jo vetëm komunist i viteve të para, po dhe i nomenklaturës, familja e të cilit jetonte në vilën me dy porta të Bllokut, deri në vitin 1974, kur ai, oficer i lartë, u godit si "anëtar" i grupit puçist me në krye Beqir Ballukun, ministër i Mbrojtjes.


Pesë vjet internim dhe 25 vjet burg. E bija, Vera Bekteshi, rrëfen ngjarjet pa komente, romanin e karakterizon një frymë sinqeriteti, shtrihet tek rrënjët epike të familjes, tek stërgjyshërit dhe gjyshërit që kanë dhënë për këtë vend, për të ardhur tek ditët kur fati i familjes rrokulliset.


Duke u kthyer dhe rikthyer me kuajt e kujtesës sa në Bllok, sa në vendet e internimit, autorja, ndërsa përshkruan vendin e udhëheqjes dhe çiftin e udhëheqësve, i zhduk një hendek lexuesit, i cili do të ekzistonte nëse tregimi do të ishte shkruar si nga një status politik.


Vera është gruaja e lënë papritur nga i burri, është nëna që rrit vetëm fëmijën, është bija dhe mbesa, motra dhe mikja e të afërmve që ndodhen në një hall si ajo. Halli ishte që jeta e saj do të ndryshonte përgjithmonë, dhe kjo ndodhi me dhunë.


Një pjesë, "Arrestimi i babait", që "Shekulli" e boton incipit, duke e marrë prej romanit që do të prezantohet ditën e enjte, ora 19.00, te hotel "Diplomati" në Tiranë, nga botuesit "K&B".

Kur është shkruar ky libër që lexuesi do ta ketë në duar javës që vjen?


Kam menduar në vite që unë dikur do ta shkruaj këtë histori. Gjithë ajo dhimbje është dhe një lloj revanshi duke u shkruar. I kam hedhur me shpejtësi ngjarjet që më vinin me një qartësi dhe përpikëri të jashtëzakonshme. Bile edhe emrat që mendoja se i kisha të harruar, emrat e fshatarëve që janë bërë 30 vjet që nuk i takoj më që nga Kutallia.

Prandaj keni shkruar një histori duke thirrur kujtesën, e cila ju është gjendur pa shumë mund. Kjo e bën objektiv romanin?


Jeta ia kalon artit. Nuk doja të ndryshoja asgjë. Njeriu mund të shkruajë nëse ka impresione shumë të forta nga jeta dhe nëse ka talent. Unë kisha diçka për të thënë, veç kësaj, m'u duk se kisha një detyrë për ta bërë.


Detyrë ndaj vetes, familjes, po dhe ndaj shoqërisë. Sepse në vitet e para kur u shemb sistemi diktatorial, njerëz si puna ime, ose njerëz që nuk ishin falsë për demokracinë, filluan të shkruajnë nëpër gazeta. Por unë nuk jam tipi i gazetës.


"Familjet e mëdha" të nomenklaturës dhe të Byrosë Politike ju i shihni paralel me ngjarje, situata dhe personazhe në nivele të tjera të shoqërisë, duke e bërë lehtësisht të kapërcyeshëm hendekun politik dhe duke mos i parë gjërat prej statusit politik.
Nuk më pëlqen t'i quaj "familje të mëdha". Këto familje janë në sfond të ngjarjeve. Ja, Jakova, për shembull. Koha e tregoi se e meritoi emrin "familje e madhe". Tuk Jakova ka qenë shok i babait dhe në libër ka një episod.


Qëndresa e familjes, e dënuar që në '54-ën, tregoi se jo rastësisht meritonte fjalën "e madhe". Vetë ai ka qenë një njeri i jashtëzakonshëm, po dhe e shoqja, Mita. Tuk Jakovën e vranë, vdiq në WC e spitalit ku ishte operuar nga apendesiti, një operacion banal. E bija u sëmur rëndë dhe një djalë pas viteve '90-të iu vra në aksident.


Kur filluan të rrokullisen ngjarjet për familjen Bekteshi, u tronditën vlerat e jetës, thoni ju. U imunizuat?


Një vlerë e jetës ishte familja. Lehtësia me të cilën dhëndurët e nomenklaturës lanë si me një komandë të vetme vajzat e të dënuarve. Kjo do të thotë se familja s'kishte qenë familje. Është shumë fyese lehtësia me të cilën u bënë këto ndarje.

Pastaj humbja e profesionit...
Kisha investuar shumë në studime. Isha pedagoge në universitet dhe sa do filloja doktoraturën për Trupin e Ngurtë, bile po merrnim mostra për përmbajtjen e siliciumit në qymyrët e Shqipërisë, në minierën e Valiasit, kur ndodhi kjo gjë: të japin një kazmë dhe të thonë shko hap "tokë të re."


Çfarë raportesh u krijuan mes të internuarve dhe atyre që i pritën?


Thënia e tim ati "populli është gjithnjë i mirë" dhe pavarësisht kushteve ku ishim, të survejuar, vlen.


Shpesh më është dukur se kënaqësia që kam marrë nga humori i grave të fshatit, me gjithë frikën që ato mund të raportonin dhe me siguri raportonin po t'i shtrëngonin, se ishin të detyruara, ka qenë shumë më e madhe se një mjedis pseudointelektual.


Shakatë e vërteta që dilnin nga shpirti në ato momente lodhjeje, nuk e di...Gratë e fshatit ishin të jashtëzakonshme dhe atje kam njohur gruan shqiptare, për të cilën kam një konsideratë veçanërisht të lartë.


Ju shkruani: Punën në kooperativë s'e bënin as traktorët dhe as burrat, po qetë dhe gratë.


Kjo është e vërtetë. 16 vjet në kooperativë, e kam kuptuar që bujqësia mbahej nga gratë dhe fshatarët e thoshin vetë këtë shprehje, nuk është se e nxora unë. Por, po të shikosh dhe tani në arat private, përsëri gratë - i vetmi ndryshim është që vënë kapele në kokë, mbase dhe gjyslyke - janë ato që punojnë. Burrat shihi, të gjithë janë me bark të madh.

Cilat mendoni se ishin pasojat tek njerëzit e internuar, të dënuar...


Kohët e fundit, në Amerikë është bërë një studim i brezit të tretë të Holokaustit në popullatën çifute të Amerikës, dhe ka rezultuar që në brezin e tretë, tashmë janë të shkruara në gjen traumat e gjyshërve të tyre dhe kjo popullatë është e prekur nga sëmundjet mendore.


Ka të bëjë me egërsinë e represionit. Sa i egër qe Holokausti e dimë të gjithë. Por edhe represioni i diktaturës shqiptare ka qenë jashtëzakonisht i madh, i hidhur.

Ju çfarë vini re tek këta njerëz?


Njerëzit që kanë vuajtur kalvarin e dënimeve nuk janë pak. Është e vërtetë që të gjithë të dënuarit që njoh, tani që kanë gjetur një lloj qetësie, shoh shenja në përgjithësi, ndaj të cilave nuk jemi imun asnjëri. Libri, mua personalisht më ka ndihmuar shumë, sepse në njëfarë mënyre e ka ekzorcizuar dhimbjen e internimit.


Sa herë i jam rikthyer në pjesët që janë të rënda, aq herë kam derdhur lot. Mendoj se më ka bërë mirë dhe më ka çliruar. Edhe djalit, që i ka bërë një përkthim në anglisht versionit të parë.


Titulli i romanit "Vila me dy porta", sugjeron një periudhë të qetë dhe deri diku të lumtur të jetës në Bllok?


Po, por ky titull është më tepër metaforik. Vilat e Bllokut që ishin marrë me dhunë nga pronarët e vërtetë, të gjithë njerëzit që banonin në to, dëboheshin me dhunë. Ti hyn në portën e parë i gëzuar dhe nga porta e dytë shkon në burg ose në internim.

Duket si goditje e fatit...
Po..., nganjëherë duket sikur ato vila qenë të mallkuara ngaqë iu morën pronarëve të vërtetë. Thonë tiranasit: "malli është baras me shpirtin". Ato ishin pronë e dikujt që i kishte bërë me djersën e vet.


I more këta njerëz që kishin këto vila dhe jo vetëm i hoqe, po shumë prej tyre dhe i dënove. Ka dhe nga ata që jetuan dhe mbijetuan në Tiranë, po gjithnjë me frikën dhe me pronën e marrë.

Në mënyrë vetjake keni dhënë portretin e Nexhmijes dhe të Enver Hoxhës. Sot në distancë, si do ta përkufizoje dyshen në raport me shqiptarët?


Mendoja se ishte më mirë të jepja takimet që kam pasur me çiftin e udhëheqjes së lartë. Unë jam ruajtur që të mos bëj komente, por të jap vetëm ngjarje. Sot mund të them se kombinimin e tyre mua më dukej që e kishte bërë vetë djalli. Ata plotësonin njëri-tjetrin për të arritur në një nivel aq të lartë të të keqes.


Ajo e admironte, ai e dëgjonte dhe praktikisht, mbasi ai lajthiti, ka drejtuar ajo. Sigurisht që ai ka drejtuar gjithmonë. Por kam menduar gjithnjë që ata kanë qenë një binom i përkryer për të keqen, për të përfaqësuar më të keqen.


Si e keni përjetuar ditën kur Shqipëria nuk ishte më një regjim komunist.


Këtë gjë mbase nuk e kuptojnë njerëzit e zakonshëm: postinternimi është pothuaj aq i vështirë sa dhe vetë internimi. Jetuam pesë vjet në Shkollën e Partisë, në kushte më të këqija se ato të internimit. Bile, redaktori Ardian Klosi, ka prerë disa pjesë, sepse iu përzie kur përshkruaja sa lloj krimbash bashkëjetonin me ne, sa lloj minjsh. Nuk është vetëm kjo anë.


Padyshim që unë kisha lirinë dhe ajo më jepte forcë. Por nuk mund ta imagjinoni në shkencë çfarë vështirësie është për t'u integruar. Megjithatë, bëra doktoratën për rrezatimin diellor në '97-ën, në moshën 50 vjeçe.


Kishit ndonjëherë bindjet tuaja politike?


E them pa mburrje që asnjëherë nuk e kam dashur komunizmin. Kjo duket e pabesueshme, por edhe Spartak Ngjela, edhe i biri i Kryeministrit, edhe Agim Myftiu, flisnim hapur. Pavarësisht se jetoja shumë mirë, gjë që atëherë quhej luks, kur të tjerët jetonin në varfëri dhe ti shkon me pushime jashtë shtetit. Kisha shkuar 2-3 herë qysh kur kisha qenë fëmijë.


Për të kuptuar se ç'ishte ajo kohë, nevojitej jo vetëm njohja, po edhe një ndjeshmëri e brendshme...Rexhep Qosja thotë se njeriu shtron pyetje nga dashuria ose nga dhimbja.


Edhe unë nga dhimbja e kam shtruar pyetjen, por kisha edhe një sensibilitet dhe prandaj më goditën me fletërrufe. Konsiderohesha në Bllok si delja e zezë. Vishesha ndryshe, liria që kisha, nuk u nënshtrohesha rregullave të Bllokut.

Keni ndonjë koment për qëndrimin e shqiptarëve ndaj së kaluarës?


Shqiptarët kanë nevojë për libra të tillë, sepse janë gjëra që brezi i ri nuk i njeh fare. Nuk duhet të kalohen pa u dënuar krimet, të çfarëdolloj kohe.

Këtu njerëzit janë të ndarë dhe është e qartë që nuk ka për të qenë e lehtë për t'u bërë kjo edhe në dhjetëvjeçarët e ardhshëm.


Po, po, akoma ka parti komuniste, akoma ka parti naziste, ka të rinj naziskinë. Bota është e larmishme dhe ka vend për të gjitha llojet e idolatrive. Por idolatri ka vetëm për Zotin. Personalisht nuk mund të adhuroj udhëheqës, unë adhuroj shkencëtarët dhe artistët e mëdhenj.

Pse ky proces është i vështirë?


Indoktrinimi. Ndoshta faktori themelor është tranzicioni. Po kalojmë një periudhë të vështirë, edhe më të vështirë se në vendet e tjera, sepse shtypja ka qenë shumë më e madhe në Shqipëri. Edhe mënyra se si e riciklon media të kaluarën është negative.

Zakonisht, cila është gjendja juaj shpirtërore?


Jam njeri optimist, po për një gjë më vjen keq: duke u moshuar i mbaj më me zor lotët.

I keni vizituar vendet e internimit?


Po, po, dhe në Kutalli dhe në Sheqëz, fondacioni ku punoj ka ndërtuar rrugë shumë të mira. Po sidomos në Vodëz, atje ku kam ndenjur më gjatë, 11 vjet, është bërë një rrugë e mrekullueshme, unazë, dhe tërë ullinjtë që janë prerë janë zëvendësuar me pesëfishin, me ullinj të rinj të shëndetshëm. Përveç kësaj, në Kutalli po ndërtojnë dy tre-rrugë.

 
www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Majkëll Xhekson iku kur ndihej ende i ri (06.27.2009)
Mbreti i Popit Majkëll Xhekson (06.26.2009)
Kameron Diaz ka yllin e saj në Shetitoren e Famës të Hollivudit (06.24.2009)
Figurë epokale e liberalizmit - Largohet nga jeta Lord Ralf Dahrendorf (06.21.2009)
Abraham Linkoln një burrë që fliste vetëNga Theodore C. Sorensen (06.20.2009)
Visar Zhiti: Poezia ime më e fortë se diktatura (06.18.2009)
Horhe Luis Borhes mjeshtri i fantazisë dhe trillimit (06.14.2009)
Gruaja e Tuk Jakovës: Fjalia për të cilën Enver Hoxha urdhëroi zhdukjen e tim shoqi (06.09.2009)
Irrashai Massè: Mirsevini në Tokio kolosal (06.09.2009)
Martin Luter, në gjurmët e një reformuesiNga Dereck WILSON (06.08.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 

 
VOAL
[Shko lart�]