VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Rreth librit të Prof.Dr.Ksenofon Kristafi: "Në kërkim të arit"

                                                                                      

E Premte, 04.19.2024, 12:09pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DOSSIER
 
Rreth librit të Prof.Dr.Ksenofon Kristafi: "Në kërkim të arit"

E Hënë, 07.20.2009, 01:44pm (GMT+1)

 Përgatitur nga Alfred Papuçiu




Historia e arit shqiptar e rrëmbyer gjatë Luftës së Dytë Botërore vjen në një libër me vlera akademike të rralla, nga Prof. Dr. Ksenofon Krisafi. Libri "Në kërkim të arit", mund të quhet me plot gojën një manual i vërtetë shqiptar i arit të negociatave diplomatike. Një përvojë e rrallë për diplomatët, shtetarët dhe zyrtarët, të cilët mund të mësojnë nga përvojat personale dhe profesionale, nga formati, taktikat, stategjitë, etika dhe gjuha e përdorur nga diplomacia ndërkombëtare, gjatë debatit 50 vjeçar për artin shqiptar.


Ari ishte shqiptar, kurse gjetja e rrugës së kthimit të tij ishte ndërkombëtare, gjë që i jep temës dhe trajtimit të saj një hapësirë më të madhe se koha kur kanë ndodhur ngjarjet. Ksenofon Krisafi është diplomuar në Fakultetin e Shkencave Politike dhe Juridike në Universitetin e Tiranës,  ka punuar në ministrinë e Jashtme si drejtor dhe ambasador në Zyrën e Kombeve të Bashkuara dhe në Organizatën Botërore të Tregtisë, në Gjenevë. Për shumë kohë ka qenë sekretar i përgjithëm i Këshillit të Ministrave dhe këshilltar diplomatik i kryeministrit. Si diplomat ai ka marrë pjesë në disa dhjetra konferenca ndërkombëtare dhe takime dy e shumëpalëshe.


Ksenofon Krisafi ishte një nga pjesëtarët kryesorë të grupit të ngushtë të punës, që ndërmorën 10 vjet bisedime me palën britanike, për kthimin e 1574 kg ar, të depozituar atje pas Luftës së Dytë Botërore. Ai e njihte thellë atë problem dhe dha një ndihmesë të veçantë, në ecurinë pozitive të bisedimeve me anglezët, që natyrisht ndiqeshin me interes, nëpërmjet kanaleve të tyre diplomatike, edhe nga vendet e tjera europiane apo SHBA. Interesimi ishte i madh edhe nga shtypi perendimor edhe ai i pavarur në Gjenevë, kur zhvilloheshin bisedimet dhe duhej të kishe kujdes të përgjigjeshe në mënyrë të saktë dhe jo si "robot" apo të përgjigjeshe: "Les bureaux sont fermés" ( Zyrat janë të mbyllura), si ai diplomati i mefshtë diku në një ambasadën tonë atë kohë të trazuar.


Përmes dokumenteve dhe kujtimeve, ai sjell për lexuesin përmes librit "Në kërkim të arit", këtë proces të gjatë që nuk solli vetëm kthimin e arit, por ishte edhe një hap i rëndësishëm për hapjen e Shqipërisë drejt Perëndimit. Unë kam marrë pjesë në bisedimet e Gjenevës midis delegacionit shqiptar dhe atij britanik dhe të them të drejtën ka qënë një punë e lodhshme që vazhdonte deri natën vonë, për të vënë në dijeni për ecurinë e tyre, ministrin e jashtëm të përkushtuar dhe tepër njerëzor, Reis Malilen dhe Presidentin e Republikës. Gjithashtu për të ndërtuar bisedimet me një frymë të ngrohtë, miqësore, që do të shpinin shpejt në rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Britaninë e Madhe, por edhe me SHBA. Sidoqoftë, në përgjithësi e ndjeja vehten të qetë pasi Ksenofoni ishte aty, si dhe Muhamet Kapllani, zëvëndës ministër i punëve të jashtme, njohës i thellë i problemeve ndërkombëtare dhe i gjuhës angleze, me të cilin kisha qënë 8 vjet në OKB dhe kishim ndarë orët e mira dhe ato me shqetësime...


Kisha shumë respekt të veçantë për Ksenofonin, në krahasim me kolegët e tjerë, pasi më kishte qëndruar në çdo kohë pranë. Jo vetëm që njiheshim familjarisht kur ishin në Tiranë dhe bashkëshortja e tij, Evgjenia dhe e imja Roza ishin shoqe të ngushta. Por për më tepër, ky njeri fisnik,  më kishte dhënë një ndihmë të çmuar dhe një këshillë "të artë", kur një ish kolegu ynë i mbrapshtë dhe cmirëzi, të llojit të Mihal Bishës me shokë, për përfitime personale, donin të ndalonin ecurinë time në rrugën e diplomacisë. Vazhdimin e saj ja dedikoj në radhë të parë, fisnikut Cajup Rusmaili, Todit, vjehrit tim të thjeshtë dhe të mirë, Behar Shtyllës, Reis Maliles, por edhe Ksenofonit dhe disa shokëve të mi të ngushtë. Vlerësimi i tyre për punën  time me organizatat ndërkombëtare, edhe pse ishte modest, më dha forcë për të përballuar vështirësitë e jetës, por edhe katër vitet, në krye të Misionit shqiptar në Gjenevë, kur shpesh duhej të përgjigjesha vetë për probleme të koklavitura. Sa "t'i ngroheshin llampat" atij diplomatit që ishte futur në atë rrugë për përfitime personale dhe jo për të menduar për çështjen e Kombit, mund të gjendesha shumë shpejt në rrugë pa krye dhe të përfundoja si Mitrua "diplomat i dështuar"...


 Zyrat me Ksenofonin i kishim ngjitur dhe një derë nga ndante, por ajo qëndronte gjithmonë e hapur. Ai ishte drejtor i Byrosë Juridike dhe unë zëvëndës drejtor i drejtorisë së organizatave ndërkombëtare. Atëhere ishim vetëm tre vetë që mbulonim një mori organizatash ndërkombëtare, si OKB, INATOM, FAO, PNUD dhe 7 projektet e tij me Shqipërinë , UNICEF, Komisioni Ekonomik i OKB-së për Europën, UNCTAD, OMS, Byronë Ndërkombëtare të Punës, UNESCO, UNIDIR, etj. Edhe Ksenofoni kishte vetëm një punonjës dhe barra më e madhe për çështjet e koklavitura juridike, politike, si edhe kjo e arit shqiptar, i binin atij. Qëndronte deri vonë, duke shfletuar analet e diplomacisë shqiptare. Për çështjen e arit, por edhe të tjera, që ishin objekt i diskutimeve tona të hapura dhe të sinqerta, pa doreza. Shpesh mbyllnim derën dhe pinim nga një gotë të vogël, duke bërë shaka, për të hequr lodhjen. Me ne bashkohej dhe Pirua juristi, Sulo, diplomat i vjetër. Shkonim edhe përballë tek restorant "Arbana" ku na përgatisnin atë "tavën e Tiranës" dhe kalonim çaste që nuk harrohen...


Sa herë kemi diskutuar bashkërisht me Ksenon për "çështjen e arit", sidomos kur unë duhej të shkoja të ndiqja Komisionin e gjashtë Juridik në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, si dhe para nisjes sime me detyrën e të ngarkuarit me punë në Misionin shqiptar pranë OKB-së në Gjenevë. Ishte një nga problemet kryesore të asaj kohe, e një rëndësie të veçantë politike, diplomatike, ekonomike, juridike, si dhe historike. Në vitet 80-90, kur unë ndodhesha në Nju Jork dhe ndiqja, për rreth tre muaj nga shtatori në dhjetor, me një grup të vogël kolegësh, Asamblenë e Përgjithëshme të OKB-së dhe 6 Komisionet e saj, jo vetëm përfaqësuesit grekë, por edhe të vendeve të tjera mund të atakonin për çështjen e arit, pasi ai lidhej me një problem juridik të pazgjidhur: incidentin e Kanalit të Korfuzit. Në biseda të veçanta me ta në korridoret e OKB-së, mund t'u a mbushje mendjen për të vërtetën e çështjes së arit shqiptar, por në diskutime para Komisionit ishte ndryshe.


Siç dihet ari u bllokua për shkak se u ndërthur me incidentin e kanalit të Korfuzit, që ndodhi në tetorin e vitit 1946. U desh një rrugë e gjatë dhe e mundimshme, që të arrihej në zgjidhjen e çështjes së koklavitur: për rikthimin e së drejtës së pronësisë së shtetit shqiptar, mbi 15745 kg ar. Zanafilla e saj është viti 1925, kur u themelua Banka Kombëtare e Shqipërisë me një kapital fillestar italian. Do të vazhdonte me ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore, për t'u përfshirë më vonë në ngjarjet që përshkuan historinë e trazuar të Shqipërisë së asaj kohe...

Ksenofoni ishte gjithmonë i papërtuar dhe në çdo çast të përgjigjej me atë butësinë e tij të zakonëshme. Sa herë kemi diskutuar atëhere për ratifikimin e dokumentave ndërkombëtare, aq të domosdoshme për Shqipërinë pas vdekjes së Enver Hoxhës. Disa herë gjenim përkrahje, por shpesh ngurim, dhe kjo vinte sidomos nga këshilltari i Presidentit që vinte veton. Arritëm të botonim "Statusin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë" me përkrahjen e OKB-së, por u deshën vite që ajo të binte në dorë të lexuesit. Kur erdhi përfaqësuesi i OKB-së Nobuaki Oda e shpumë ta shihte të ekspozuar në Bibliotekën e Beratit (?!)


Kujtimet janë të shumta me Ksenon dhe me atë bërthamë të vogël diplomatësh që punonim shpesh me orë të tëra, me përkushtim, jo për t'i bërë qejfin këshilltarit të Presidentit apo dikujt tjetër, por për të dhënë një ndihmesë modeste, edhe në kushte të vështira pune, ecurisë së diplomacisë shqiptare. Mbi të gjitha u krijua një periudhë e volitëshme, sidomos pas vdekjes së Enver Hoxhës, për t'i dhënë një hop, fillimisht të ngadaltë, por pak e nga pak, më tepër marrëdhënieve ndërkombëtare me Shqipërinë. Zgjidhja e çështjes së "arit shqiptar" që paraqitet me aq finesë, pjekuri, maturi, profesionalizëm, me një gjuhë të pastër shqipe, është shembull i një përkushtimi të një diplomati të madh dhe fisnik, si prof. Dr. Ksenofon Krisafi. Uroj nga zemra që të na japë libra të tjerë si ky. Më poshtë po ju japim një intervistë të prof.dr. Ksenofon Krisafit, parathënien e analistit më me zë shqiptar, Shaban Muratit, si dhe disa pjesë të librit. Lexim të mbarë, të nderuar bashkëpunëtorë dhe lexues të Zemrës Shqiptare!


Sapo keni nxjerrë nga botimi librin tuaj "Në kërkim të arit", ç'do të thotë ky titull?


Titulli ka të bëjë me një çështje të një rëndësie të veçantë politike, diplomatike, ekonomike dhe natyrisht edhe historike. Ka të bëjë me një ndër episodet më interesante të historisë diplomatike të çështjes shqiptare, me kërkimin e një sasie ari që ishte pronë e shtetit shqiptar, që ishte njohur e pranuar si e tillë edhe nga strukturat kompetente ndërkombëtare, por që u bllokua për shkak se u ndërthur me incidentin e kanalit të Korfuzit, që ndodhi në tetorin e vitit 1946. Titulli, pra do t'i japë lexuesit idenë e rrugës së gjatë e të mundimshme, që u desh të përshkohej për rikthimin e së drejtës së pronësisë së shtetit shqiptar, mbi 15745 kg ar. Zanafilla e saj është viti 1925, kur u themelua Banka Kombëtare e Shqipërisë me një kapital fillestar italian. Do të vazhdonte me ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore, për t'u përfshirë më vonë në ngjarjet që përshkuan historinë e trazuar të Shqipërisë së asaj kohe. Më konkretisht fjala është për një sasi ari, e cila sipas statutit të Bankës Kombëtare të Shqipërisë, të vitit 1925 duhet të qëndronte në Shqipëri. Në shkelje të dispozitave të tij u vendos në Romë. Kur Italia u pushtua nga gjermanët, në shtator të vitit 1943 ata morën nga Banka e Romës arin shqiptar dhe e transportuan në Gjermani. Me pushtimin e Gjermanisë nga Forcat Aleate, e gjithë sasia e arit që u gjet në depozitat e Reichbankës u mor nga aleatët dhe u vendos në Angli.


Si u ndodhët ju në mes të kësaj historie?


U ndodha fare rastësisht. Kur fillova punë si pedagog në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Drejtësisë, pata si titullar prof. Arben Puto, i cili ishte bashkëpunëtor i jashtëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Në atë kohë ishte çelur për diskutim dosja e dëmshpërblimeve të Luftës dhe mes tyre edhe çështja e arit. Profesori im i nderuar më rekomandoi të fokusohesha tek tema e përgjegjësisë juridiko-kombëtare me mendimin se do të ishte e nevojshme një ekspertizë e kualifikuar, nëse më vonë do të nisnin bisedimet me gjermanët, apo anglezët. Studimi dhe thellimi në aspektet teorike të çështjes, bëri që Ministria e Punëve të Jashtme të më aktivizonte fillimisht si bashkëpunëtor të jashtëm e më pas si punonjës të saj. Kur u mendua t'i jepej përgjigje pozitive propozimit britanik për bisedime, u caktova pjesëtar i grupit të punës, që do të përgatiste platformën e dosjen dhe më vonë edhe anëtar i delegacionit. Me këtë cilësi kam marrë pjesë në të gjithë raundet e negociatave për një periudhë të gjatë kohe.

 

Me anglezët jemi takuar dhe kemi biseduar në Paris, Romë, Gjenevë, Tiranë e gjetkë.


Sa i vështirë ka qenë ky proces?


Ka qenë shumë e vështirë. Grupi negociator merrte përsipër një ndërmarrje delikate në një kohë kur pozicioni politik i Shqipërisë ishte i dominuar nga qëndrimet tradicionale tepër të ideologjizuara të tipit, që "ne edhe bar do të hamë, por parimet nuk i shkelim". Ndërkohë, ne në Ministrinë e Punëve të Jashtme, të informuar më shumë se të tjerët për shkak edhe të faktit që dilnim jashtë dhe e kishim më të qartë realitetin, kishim një ndjenjë padurimi për kapërcimin e asaj gjendjeje asfiksuese izolimi, në të cilin ndodhej vendi. Nga kjo pikëpamje, oferta që u bë nga anglezët dhe amerikanët përmes francezëve për të filluar negociatat për çështjen e arit, na u duk një rast fatlum. Besonim se fillimi i bisedimeve me anglezët mund të kontribuonte për fillimin e një epoke të re hapjeje të Shqipërisë drejt botës së jashtme.


Filluam punën, përgatitjet paraprake dhe bisedimet. Bëmë kujdes maksimal, që informacionin për propozimin britanik ta formulonim në një mënyrë të tillë, që të siguronim miratimin e udhëheqjes së lartë të Partisë së Punës së Shqipërisë, që ishte forca e vetme drejtuese e vendit. Në krye të grupit të punës qëndronin Reis Malile dhe Sokrat Plaka, përkatësisht ministër dhe zëvendësministër të Punëve të Jashtme. Ministri kishte raporte të veçanta me Ramiz Alinë, i cili faktikisht drejtonte vendin, sepse Enver Hoxha, dergjej në shtrat shumë rëndë dhe pas pak javësh do të vdiste. Shpresonim se do të mund ta bindte atë që të jepte dritën jeshile për bisedime. Nga ana tjetër edhe vetë anglezët e lehtësuan shumë pozitën tonë, sepse pranuan që ne të bënim propozimet tona për formulimet e paraqitura prej tyre. Ata pranuan p.sh., që të mos përmendej në asnjë dokument incidenti i kanalit të Korfuzit dhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare që e dënonte Shqipërinë, që ishin tema tabu për Shqipërinë e asaj kohe.


Shpresonim gjithashtu, edhe sepse gjendja ekonomike e vendit ishte shumë e rënduar dhe po kërkoheshin shtigje, rrugëdalje nga ajo gjendje. Marrja e kësaj sasie ari, që nuk ishte më shumë se 1574 kg, do të shërbente qoftë edhe në aspektin propagandistik se diçka po bëhej dhe po gjendeshin zgjidhje. Këtyre vështirësive iu shtohej edhe fakti se mbi materialet e përpunuara nga ana e MPJ duhet të shpreheshin edhe disa punonjës në Komitetin Qendror të PPSH. Ata në përgjithësi nuk ishin specialistë apo ekspertë të politikës së jashtme. Dinin sloganet e kohës, por nuk merrnin vesh nga teknika e bisedimeve, nga nevoja e kompromiseve, si rrugë për zgjidhjen e problemeve ndërkombëtare. Atje sundonte ende fryma e përgjunjies së kundërshtarit, e detyrimit të tij që të pranonte propozimet dhe kërkesat tona, pa i lëshuar asgjë. Ata vinin nga fusha që nuk kishin lidhje me politikën dhe diplomacinë. Ata nuk ishin në favor të kompromisit me britanikët dhe amerikanët.


Edhe pse miratimi për bisedime u dha, u kushtëzua me shumë vështirësi. Kjo u manifestua edhe gjatë bisedimeve. Kur ne ishim në Paris, duke biseduar dhe mund të thuhet se kishte shenja për një kompromis të pranueshëm për të dyja palët për zgjidhje të shpejtë, pati një tërheqje të menjëhershme nga KQP. Morëm urdhrin për të ndërprerë bisedimet. Pati një pauzë të gjatë gati 5-vjeçare, nga viti 1985-1990. Bisedimet tashmë bëheshin në mënyrë të tërthortë përmes ambasadorit tonë në OKB, në Nju Jork dhe përfaqësuesve britanikë. Bisedime në tavolinë nuk kishte më. Ato rifilluan në vitin 1990, në kohën kur ishte bërë e qartë, që kishte filluar hapja e detyruar e vendit. Kjo e lehtësoi situatën tonë, por për paradoks, në kohën kur pritej zgjidhja e shpejtë e çështjes, pala britanike u ngurtësua në mënyrë të çuditshme dhe të pakuptueshme në pretendime të tepruara.


Në fillim, në Paris, në vitin 1985, kishin kërkuar, që për shlyerjen e pretendimeve të tyre financiare të shpërbleheshin me një shumë prej jo më shumë se 2 milionë dollarësh amerikanë. Ky ishte një term i gjetur nga të dyja palët. Me këtë anglezët kuptonin shpërblimin për dëmin e shkaktuar në incidentin e kanalit të Korfuzit në vitin 1946, mbi bazën e në vendimi, që kishte marrë Gjykata e Hagës në vitin 1949. Askund nuk do të përmendej e nuk do të shkruhej ky fakt, sepse ne nuk e pranonim për shkak të qëndrimeve politike të kohës. Prandaj, siç thashë të dyja palët ranë dakord të quheshin pretendime financiare. E pra, në kohën kur Shqipëria po ndryshonte dhe po ecte me shpejtësi drejt ndryshimeve, britanikët ashpërsuan qëndrimin e tyre, deri në absurditet. Nga 2 milionë e rritën pretendimin e tyre në 5,6 milionë dollarë. Të kërkoje një shumë të tillë në atë situatë, nuk kishte sens, sepse e gjithë vlera ishte rreth 16 milionë dollarë. Nga ana tjetër edhe amerikanët kërkonin një dëmshpërblim prej 2 milionë usd. Për shtetasit amerikanë me origjinë shqiptare, që ishin shpërblyer nga ana e qeverisë amerikane për dëmet e pësuara në Shqipëri në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Kështu që mbetej fare pak nga ari ynë për Shqipërinë. Më pas, anglezët do të tërhiqeshin nga ky pretendim i ekzagjeruar dhe në maj të vitit 1992, në Romë u arrit kompromisi dhe britanikët zbritën në kërkesën e tyre fillestare prej 2 milionë usd.


Si trajtohej ky problem nga qeverisja e asaj kohe?


Trajtohej jo me sens realist. Dominonte ndjenja e megalomanisë. Qeveria e kërkonte arin, por papranuar të hynte dhe të bënte kompromis. Çështje të tilla madhore e delikate, kërkojnë me çdo kusht kompromis dhe tolerancë nga të gjitha palët negociuese. Ari kërkohej, madje bashkë me interesat për gjithë kohën që kishte qëndruar në Angli, kurse kërkesa britanike për shlyerjen e pretendimeve financiare (që nënkuptonte vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare për incidentin e kanalit të Korfuzit, por pa e përmendur shprehimisht) konsiderohej si një kërkesë absurde. Të mos harrojmë se në korrespondencën e shkëmbyer para fillimit të negociatave në Paris, në vitin 1985, qeveria shqiptare kishte pranuar propozimin britanik për një zgjidhje të çështjes në formë pakete, të dyja palët do të jepnin e do të merrnin diçka dhe çështja do të konsiderohej përfundimisht e mbyllur.

Sa i njohur ishte ky problem për opinionin e gjerë?


Opinioni i gjerë mund të kishte dëgjuar ndonjë gjë nëpër të për problemin e arit, por më shumë e ngatërronte me arin, që mori me vete familja mbretërore kur u largua nga Shqipëria në prag të pushtimit fashist italian. Ministria e Jashtme, doemos ishte në dijeni dhe madje, e kishte në dosjen e përparësive, por ndodhej gjithmonë e bllokuar nga qëndrimet e ideologjizuara që përpunoheshin e shpërndaheshin nga KQ i PPSH. Herë pas here jepeshin direktiva për përfaqësitë tona diplomatike në vende të ndryshme, të bënin sondazhe të tërthorta nëse kishte ndonjë predispozicion nga ana britanike për këtë zgjidhjen e kësaj çështjeje. Por, gjithmonë me idenë që të mos lëshojmë nga parimet, sepse ne jemi në të drejtën tonë dhe në këtë pikëpamje jemi superiorë.


Trajtohej jo me sens realist. Dominonte ndjenja e megalomanisë. Qeveria e kërkonte arin, por papranuar të hynte dhe të bënte kompromis. Çështje të tilla madhore e delikate, kërkojnë me çdo kusht kompromis dhe tolerancë nga të gjitha palët negociuese. Ari kërkohej, madje bashkë me interesat për gjithë kohën që kishte qëndruar në Angli, kurse kërkesa britanike për shlyerjen e pretendimeve financiare (që nënkuptonte vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare për incidentin e kanalit të Korfuzit, por pa e përmendur shprehimisht) konsiderohej si një kërkesë absurde. Të mos harrojmë se në korrespondencën e shkëmbyer para fillimit të negociatave në Paris, në vitin 1985, qeveria shqiptare kishte pranuar propozimin britanik për një zgjidhje të çështjes në formë pakete, të dyja palët do të jepnin e do të merrnin diçka dhe çështja do të konsiderohej përfundimisht e mbyllur.

Sa e ndihmoi Shqipërinë çështja e arit?


Ari nuk ishte pak, por vlera dhe përfitimi ekonomik i tij ishte kurrgjë përpara avantazhit të jashtëzakonshëm, që i solli Shqipërisë zgjidhja e çështjes së tij. Ai inauguroi negociatat e para për hapjen e Shqipërisë drejt botës, realizimin e një aspirate sublime të brezave të tërë në dhjetëra vjet. Ai ishte episodi i parë politiko-diplomatik, që e përballi Shqipërinë me dy fuqi të mëdha, Britaninë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duke u treguar fleksibël deri në atë masë që lejonin kufizimet e asaj kohe, Shqipëria iu përgjigj pozitivisht sinjaleve, që erdhën nga Perëndimi dhe nisi hapat e parë edhe pse me shumë ndrojtje drejt thyerjes së izolimit.

Kjo ishte arritja më e madhe se vete vlera ekonomike apo financiare e arit.

Le të kthemi tek libri, si është ndërtuar ai?


Lënda e librit është shtjelluar duke kombinuar stilin dhe rigorozitetin e nevojshëm shkencor me shënimet dhe përshtypjet e çastit nga ditari im diplomatik. Tregohet historia mbi bazën e dokumenteve, por edhe mbi bazën e përshtypjeve dhe përjetimeve personale. Duke qenë aktor, pjesë e grupit negociator, madje i vetmi që nuk ndryshoi gjatë gjithë kohës, pasi disa anëtarë të grupit u zëvendësuan, sepse u emëruan në poste të tjera të rëndësishme, kam privilegjin të njoh gjithë rrjedhën e ngjarjeve, me të gjitha hollësitë, si dhe me episode që përbëjnë ngjarje dhe madje kuriozitete unikale.

Jam përpjekur t'i pasqyroj në libër edhe në një formë letrare dhe shpresoj të kem arritur të zgjoj kureshtjen dhe interesin e lexuesit.


Ç'ju ka mbetur veçanërisht në mendje?


Në mars të vitit 1985, ndodheshim në Paris për bisedimet e para me anglezët. Ishim boll të impresionuar, sepse pas një periudhe 35-vjeçare, dy delegacione, një shqiptare dhe një britanike takoheshin ballë përballë. Ne arritëm në tre raunde bisedimesh, të gjenim një gjuhë kompromisi dhe ishim shumë afër zgjidhjes së problemit. Na vjen një porosi në një orë të vonë, pak pasi kishim mbaruar takimin, që në orën 7.00 të mëngjesit të nesërm duhet të ishim në zyrën e sekretarit të parë të Komitetit të Partisë, Ramiz Alisë. Ishte e parealizueshme kjo kërkesë, sepse në atë kohë nuk kishte linja direkte Paris-Tiranë dhe lidhjet e Tiranës me kryeqytetet e tjera të Evropës ishin shumë të pakta. Ishin vetëm 3-4 shoqëri ajrore që fluturonin në Tiranë. Prandaj na u duk një kërkesë e çuditshme, megjithatë të ndodhur para presionit dhe frikës se mund të kishte ndodhur diçka, aq më tepër që nuk na u tha motivi i kësaj kërkese kaq urgjente, i kërkuam kolegëve tanë në Paris të gjenin një mënyrë për ta zgjidhur këtë situatë. Ishte fati ynë që u gjet një fluturim i "Air France"-s në drejtim të Vjenës, në orën 10 e gjysmë, ku qëndruam 2-3 orë dhe me një makinë të ambasadës shkuam në Budapest. Në orën 5.30 të mëngjesit shoqëria ajrore "Malev" kishte një fluturim për në Tiranë. Erdhëm në Tiranë, të palarë, të parruar, mbërritëm në zyrën e Ramiz Alisë me një ndjenjë ankthi dhe frike, ku pasi informuam gjerësisht për bisedimet, ndonëse nuk u qortuam, u duk se diçka nuk ishte pëlqyer. Me sa duket kishim avancuar më shumë se ç'duhej në kompromis me britanikët.

Sa e pranishme ishte frika se mos bënit ndonjë "gabim politik"?


Gjendja e frikës ishte evidente. Ajo përplasej me dëshirën e grupit të punës për të bërë diçka, për t'i sjellë një gëzim këtij populli. Ne ishim para një momenti historik, që do të hapte rrugën drejt perëndimit dhe në këtë përplasje frikë dhe përgjegjësie historike, kishte raste që frika dominonte. Kjo ishte arsyeja pse në negociatat me britanikët, kishte
edhe momente kur ne prezantoheshim të ngurtë dhe përsërisnim deri në mërzi veten tonë. Duhet të përcillnim slogane, të cilat ishim të detyruar t'i thoshim. Ishin direktiva nga udhëheqja e lartë e asaj kohe.


PARATHËNIE E LIBRIT "NË KËRKIM TË ARIT"

 

Në historinë e diplomacisë shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar (1944-1991), janë të pakta çështjet dhe fushat, ku diplomacia mund të veçohet për një përvojë apo për një shfaqje të një kapaciteti profesional gjurmëlënës. Një ndër të paktat, nga më interesantet është ajo e arit shqiptar të grabitur nga forcat gjermane në periudhën e pushtimit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Rikthimi i arit si pronë e popullit dhe e shtetit shqiptar, që doli si detyrë e diplomacisë shqiptare fill pas Luftës së Dytë Botërore, u transformua në një nga betejat më interesante diplomatike, jo vetëm të historisë së diplomacisë shqiptare, por edhe të asaj ballkanike në përgjithësi. Si një problem që kërkoi 50 vjet për të arritur drejt zgjidhjes, duke kaluar nëpërmjet përplasjeve të ngatërruara të interesave divergjente apo të kundërta të pjesëmarrësve, nëpërmjet ballafaqimit të shkollave të ndryshme ideologjike dhe periudhave intriguese historike, që nga lufta e ftohtë e deri tek shembja e komunizmit, çështja e rikthimit të arit shqiptar mund të thuash se ka një karakter unikal, sa diplomatik, aq dhe juridik, sa politik, aq edhe teknik e shkencor.


Sipërmarrja shkencore e Ksenofon Krisafit për ta hulumtuar, zbërthyer, ndriçuar dhe analizuar atë, pikërisht për këtë është një nismë e qëlluar dhe e lavdërueshme dhe sjell një kontribut të shquar në faqet e historisë së diplomacisë shqiptare. Eshtë një temë e vështirë, për të cilën mungon pothuaj plotësisht literatura e specializuar, dhe ku autorit i duhet të thotë për herë të parë shumë gjëra. Mund të pohosh pa droje se vështirë të gjendesh një studiues më i përshtatshëm për ta trajtuar atë se sa autori, i cili ngërthen në personalitetin e tij portretin e shkencëtarit dhe të diplomatit, juristit dhe të bankierit.


Mbi të gjitha, autori ka pasur rastin dhe fatin të jetë protagonist i kësaj ngjarjeje dhe zhvillimi të veçantë historik, në cilësinë e pjesëmarrësit dhe anëtarit të delegacionit të Shqipërisë (1985-1992) në bisedimet për çeshtjen e arit, jo vetëm si diplomat, por më shumë si ekspert jurist, drejtor i Departamentit Juridik në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Nuk ndodh shpesh në studimet të shkrihet studjuesi me protagonistin, çka përbën një rast fatlum për një mision kërkimor serioz dhe, siç dëshmon kjo monografi që po i jepet lexuesit, mund të thuhet se mishëron një shembëlltyrë suksesi shkencor.


Çështja e rikthimit të arit në Shqipëri nuk ishte e vështirë, vetëm pse zgjati afro 50 vjet, gjë që kërkon nga studjuesi një punë kolosale, si dhe një operacion sistematik të qëmtimit të arkivave të Shqipërisë dhe të shteteve të implikuara në këtë çeshtje. Nuk është e lehtë të ndërmarrësh një maratonë kërkimi e analize nëpër etapat gjysëm shekullore të çështjes se arit shqiptar, nëpër analet dhe dosjet e panumërta të Konferencës së Paqes në Paris më 1946, të vazhdosh me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë më 1954, të përballesh me kalvarin e tratativave jo të barabarta me Komisionin Tripalësh të Arit (SHBA, Britani e Madhe, Francë), të krijuar më 1946, dhe pastaj me negociatat e veçanta me gjithë shtetet e interesuara apo të përfshira në çështjen e arit, si Italia, SHBA, Franca dhe sidomos Britania e Madhe. Po të mbash parasysh se dosja e arit ngërthehet me probleme të mprehta të marrëdhënieve dypalshe me çdo shtet bisedues, të pretendimeve reciproke të komplikuara apo të çështjeve konfliktuale, si incidenti i kanalit të Korfuzit i 22 tetorit 1946 me anijet angleze, e kupton se detyra e studjuesit ka qenë shumëdimensionale për ta ndriçuar atë siç duhet. Do të nevojiteshin dekada përgatitje e bisedime, që të arrihej tek marrëveshjet dypalshe me anëtarët e Komisionit Trepalësh të Arit, me Britanine e Madhe më 1992, me SHBA më 1995 dhe me Francën 1996, dhe vetëm në vitin 1998, me përfundimin e gjithë transaksioneve dhe formaliteteve juridike dhe kalimin në llogari të Bankës Shqiptare të arit të grabitur nga gjermanët dhe të bllokuar nga Anglia, mund të quhet e mbyllur dosja e pafund e çështjes së arit monetar shqiptar.


Një nga meritat kryesore të kësaj monografie serioze shkencore, frut i një pune të lodhshme shumëvjeçare, është se autori ka arritur të shmangë me aftësi profesionale rrezikun e kurthit ideologjik dhe politik të kohës, kur është zhvilluar lufta diplomatike për arin. Duke i qëndruar besnik pozicionit profesional të juristit dhe shkencëtarit, ai ka ditur të paraqesë një çështje të komplikuar juridiko-diplomatike, e cila ndonëse notonte në ujrat e një kohe të ngarkuar ideologjikisht, siç ishte koha e luftës së ftohte dhe e ideologjise komuniste, ia del t'i japë lexuesit me një trajtim shkencor anatominë e nje rebusi historik të ndërlikuar.


Në kuptimin dhe zbërthimin e çështjes së arit duhen mbajtur parasysh dy elemente kryesore: së pari, rikthimi i arit ishte një sipërmarrje me interes kombëtar, dhe së dyti, ajo kishte gjithashtu edhe interes të drejtëpërdrejtë financiar dhe ekonomik për qeverinë e asaj kohe, e cila drejtonte një shtet në vështirësi të jashtzakonshme ekonomike dhe plot borxhe. Janë dy elemente, ku mund të gjente një hapësirë shprehjeje profesionalizmi dhe angazhimi personal i diplomatëve, që u përfshinë në këtë mision të gjatë dhe të vështirë diplomatik. Po këto dy elemente kanë qenë kollonat dhe piketat ndarëse të kësaj monografie nga interpretimi apo keqinterpetimi ideologjik dhe politik, që i është bërë çështjes së kthimit të arit gjatë periudhës së regjimit komunist. Autori ka ditur të ruajë distancën e nevojshme të shkencëtarit nga implikimet ideologjike dhe të paraqesë betejën diplomatike për arin si një çështje, e cila nuk u ndihmua nga ideologjia dhe politika, por përkundrazi u pengua prej tyre. Ai argumenton bindshëm efektet negative të qëndrimeve politizuese të ngurta të kohës, të cilat i shtynë negociatat për dhjetë vjet, kur ato mund të kishin mbaruar më përpara.


Me syrin e diplomatit dhe juristit, që është brenda vorbullës së ngjarjeve, autori jo vetëm ndjen, por edhe analizon shkaqet e raportit diplomaci-ideologji. Me vërtetësi shkencore ai provon pengesat e mëdha, që sillnin ndërhyrjet arrogante dhe joprofesionale të disa zyrave dhe funksionarëve të lartë të nomeklaturës komuniste në ecurinë e proçesit diplomatik të zgjidhjes së çështjes së arit. Dualizmi midis Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme, (jo rivaliteti, i cili ishte i pamendueshëm), që nxjerr krye vazhdimisht në kronologjinë e stërgjatë të bisedimeve për arin, provon deformimin dhe cënimin e interesit kombëtar e shtetëror për hir të elementit ideologjik. Ne e mirëkuptojmë etikën diplomatike të ambasadorit Ksenofon Krisafi në mospërmendjen e disa emrave, që vërtiteshin si hije të protagonizmit dhe të përgjegjësisë në diplomacinë zyrtare të shanseve të humbura të asaj kohe.


Si diplomat me përvojë, Ksenofon Krisafi, përtej debatit teknik e financiar dhe kufizimeve të ideologjisë së kohës, shikon një lidhje të ngushtë logjike dhe perspektive mes çështjes së arit dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike apo të një farë mundësie hapjeje të Shqipërisë me Perëndimin. Këtë korelacion historik e përafronte largpamësia e diplomacisë perëndimore, por nuk e kuptonte dhe nuk donte ta kuptonte nomenklatura e lartë e partisë komuniste në Shqipëri. Autori analizon drejt se Tirana zyrtare nuk i kapi dot sinjalet e viteve 80', që vinin nga qeveritë perëndimore, ku fleksibiliteti për çështjen e arit sinjalizonte ofertën për marrëdhënie dhe marrëveshje diplomatike dhe politike më të afërta me perëndimin. Ndonëse ishte pragu i ndryshimeve të mëdha, të shembjes së komunizmit dhe të mbarimit të luftës së ftohtë, regjimi vazhdonte me kufizimin e objektivit të vet tek ideologjizimi i specifikës dhe modaliteteve të kthimit të arit, dhe jo rast historik për një uverturë për kohën e re dhe ndryshimet që vinin.


Një nga përfundimet interesante të librit është se në zvarritjen e procesit të çështjes së arit plekseshin interesa të qëllimshme dhe strategji meskine në radhët e nomenklaturës për të bllokuar avancimin e marrëdhënieve të Shqipërisë me Perëndimin dhe shtetet perëndimore. Nuk është rastësi, por përbën një logjikë historike fakti që çështja e arit monetar shqiptar u zgjidh përfundimisht pas ardhjes së demokracisë në Shqipëri

Libri e plotëson kuadrin e tij profesional me analizën, që i bën në mënyrë të vazhdueshme kuadrit të kohës, kur zhvilloheshin bisedimet, duke sjellë pamje dhe elemente profesionalë, të cilat bëjnë të kuptohen shumë mirë se përse ndodhej kjo pamje e proçesit të bisedimeve për arin në vitin 1950, 1955, 1980 apo 1990. Kjo lidhje e ngushtë me zhvillimet dhe politikat konkrete të kohës, me kuadrin më të gjërë të jetës dhe të diplomacisë ndërkombëtare, i jep librit një dimension më të gjërë se sa çështja konkrete e arit.


Në studimin e tij autori fut në lupën e shkencëtarit qëndrimet e shtetit shqiptar, të Britanisë së Madhe, të SHBA, Francës, Italisë, Gjermanisë, etj., duke depërtuar në konglomeratin e interesave shtetërore, që ndërthureshin me çështjen e arit shqiptar. Është me interes, që autori bën një ravijëzim të qartë dhe të kuptueshëm për secilin shtet, duke konfiguruar si koordinimin, ashtu dhe dallimet apo divergjencat e interesave mes shteteve të ndryshme perëndimore për problemin e arit shqiptar. Është shenjë serioziteti, që autori arrin të mbajë qëndrim kritik profesional dhe të bëjë një analizë objektive të qëndrimeve për të gjithë shtetet pa përjashtim, si për shtetin e tij, ashtu dhe për shtetet, që atëhere ishin palë kundërshtare dhe armiq ideologjikë të qeverisë shqiptare, dhe tani janë aleatë të rëndësishëm të Shqipërisë demokratike. Autori është ngritur mbi ngjarjet, proçesin dhe emocionin e pjesëmarrësit apo studjuesit të dashuruar me temën, ai i jep secilit hakun e vet dhe ky objektivitet shkencor e bën librin më shkencor dhe më bindës.


Libri Në kërkim të arit mund të quhet një manual i vërtetë shqiptar i artit të negociatave diplomatike. Është një përvojë e rrallë për diplomatët, shtetarët dhe zyrtarët, të cilët mund të mësojnë nga përvojat personale e profesionale, nga format, taktikat, strategjitë, etikat dhe gjuha e përdorur nga diplomacia ndërkombëtare gjatë debatit 50 vjeçar për arin shqiptar.


Ari ishte shqiptar, kurse beteja për rikthimin e tij ishte ndërkombëtare, gjë që i jep temës dhe trajtimit një hapësirë më të madhe se koha, kur kanë ndodhur ngjarjet.


Autori e ka pasuruar librin dhe e ka bërë atë më tërheqës me kujtimet dhe mbresat tepër interesante personale nga historia e takimeve, tratativave dhe debatateve per arin. Janë elemente, jo të vendosura për kolorit letrar, por me një zgjedhje tepër funksionale, që ndriçojnë më mirë ngjarje, detaje, procese, politika apo portrete diplomatike.


Monografia e Ksenofon Krisafit është një vepër shkencore, që sjell kontribut të madh në historinë e diplomacisë shqiptare dhe në literaturën tonë të marrëdhënieve ndërkombëtare. Ajo shfaqet si një domosdoshmëri për lexim për diplomatët dhe historianët, studjuesit dhe zyrtarët, per studentët dhe për lexuesin e gjërë, për të cilët bëhet emërues i përbashkët interesi që zgjon tema, thellësia e studimit dhe mënyra interesante e të shkruarit.

Libri vjen si kontribut në shkencën shqiptare të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe për diplomacinë shqiptare, por për vetë rëndësinë që mori dhe vendin që iu dha nga diplomacia ndërkombëtare çështjes së arit shqiptar, mund të thuhet se autori sjell një kontribut në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të Europës pas Luftës së Dytë Botërore.

 

Ambasador Shaban MURATI

 

Drejtor i Akademisë Diplomatike të Ministrisë

së Punëve të Jashtme të Shqipërisë


Pjesë nga libri " Në kërkim të arit"                  

 

 

KREU HYRËS

 

 

Në orën 9. 45, të datës 15 mars të vitit 1985, rreth 50 metra larg hyrjes së ambasadës shqiptare në Paris, që ndodhej në ndërtesën nr. 131, të Rue de la Pompe, në Parisin 16, ndaloi një autoveturë luksoze, me ngjyrë të zezë, targa e së cilës tregonte se i përkiste ambasadës britanike në Paris.


Te porta e hapur, ku priste prej kohësh kafazi i ambasadës, u rreshtuan një grup njerëzish, në fytyrat e të cilëve dalloheshin lehtë ndjenja emocionesh të veçanta. Sytë i kishin fokusuar drejt makinës diplomatike britanike. Dukej qartë se prisnin me një ndjenjë ankthi e kurioziteti mbërritjen e saj. Kaluan gati 10 minuta dhe ajo nuk po lëvizte. Disa prej tyre nisën të hamendësonin se mund të mos ishte makina që pritej. Pas pak u zhvendos edhe rreth 30 metra në drejtim të përfaqësisë shqiptare. Njerëzit vazhduan të qëndronin brenda saj. Disa minuta më vonë, makina u zhvendos sërish. Kësaj here ndaloi ballëpërballë portës së rëndë të ambasadës shqiptare. Grupi i njerëzve përsëri nuk po zbriste. Vetëm pas dy, tre minutash, kur ora shënoi saktësisht 10.00, dyert u hapën. Prej tyre dolën katër vetë. Shtrënguan duart me ata që ishin rreshtuar në hyrje dhe hynë në mjediset e brendshme të ndërtesës.


Kjo ndodhi e vërtetë, por disi e çuditshme, me të cilën mendova ta filloj librin "Në kërkim të arit, Historia e arit shqiptar të grabitur gjatë Luftës së Dytë Botërore", ka të bëjë pikërisht me një nga episodet e para të inagurimit të rishqyrtimit diplomatik të kësaj çështjeje, gati 40 vjet pas mbarimit të Luftës.


Përpara se të hyj në thelb të saj, do të dëshiroja të shuaja kureshtjen e lexuesit për zhvendosjen e makinave me targa CD para ambasadës shqiptare në Paris, mëngjesin e 15 marsit 1985.


Grupi i njerëzve në makinë ishte delegacioni i Britanisë së Madhe që, sipas një marrëveshjeje paraprake midis Tiranës e Londrës, arritur me ndërmjetësinë e Parisit, kishte ardhur në kryeqytetin francez. Aty do të fillonin bisedimet e para zyrtare shqiptaro-britanike për trajtimin e dy prej çështjeve kruciale të dosjes së marrëdhënieve bilaterale.


Ajo kishte mbetur pezull prej dekadash, në pritje të kohëve më të përshtatshme për t'u rihapur dhe për t'u trajtuar në mënyrë më racionale. Diskutimet do të fokusoheshin në rikthimin në Shqipëri të një sasie ari të identifikuar nga Komsioni Tripalësh i Arit Monetar, si pronë e shtetit shqiptar, që mbahej në sekuestro konservative nga autoritetet britanike. Ishte bërë e ditur se bashkë me të mund të flitej e mund të negociohej edhe për kërkesën britanike për zbatimin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për incidentin e ndodhur në Kanalin e Korfuzit, në tetor të vitit 1946 si dhe për një kërkesë amerikane për pretendime financiare ndaj Shqipërisë.

Seanca e parë e bisedimeve do të zhvillohej në selinë e përfaqësisë diplomatike shqiptare në Paris, në datën 15 mars 1985, në orën 10.00.


Parisi, siç dihet, ka përherë një trafik rrugor tepër të ngarkuar, i cili mund të rrezikonte respektimin e orarit të paracaktuar. Pikërisht për këtë arsye, anglezët mbërritën 15 minuta përpara dhe ndenjën në afërsi të ambasadës, për t'u zhvendosur pak nga pak, deri në arritjen e orës së saktë të takimit, për të respektuar me rigorozitetin e duhur rregullat e protokollit diplomatik.


Delegacioni britanik përbëhej nga Robert Çarlsvurth, funksionar në Drejtorinë e Evropës Lindore në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Komonuelthit, Kristofer Uomerslei, këshilltar ligjor në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Komonuelthit dhe Matju Kid, sekretar i dytë në ambasadën britanike në Paris. Ai kryesohej nga Xhon Bërç, Drejtor për Evropën Lindore në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Komonuelthit.


Delegacioni shqiptar kryesohej nga Andon Bërxholi, drejtor i Drejtorisë së vendeve të Evropës Perëndimore në Ministrinë e Punëve të Jashtme, një ndër specialistët e njohur të diplomacisë shqiptare të asaj kohe, i saktë, i përpiktë, skrupuloz dhe gjakftohtë. Kishte në përbërje Prof. Arben Puton, studiues i talentuar, historian i apasionuar i Historisë diplomatike të çështjes shqiptare dhe njëkohësisht titullari i së drejtës ndërkombëtare në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, i cili ishte thirrur me cilësinë e këshilltarit të jashtëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme, autorin e këtij botimi, që mbante detyrën e përgjegjësit të Byrosë Juridike në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Vahid Boriçin - referent në Drejtorinë e vendeve të Europës Perëndimore, me cilësinë e përkthyesit. Asistonte edhe Maxhun Peka, ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Shqipërisë në Francë.

 

  

Prolog rus në prag të bisedimeve

 

Delegacioni shqiptar kishte mbërritur në Paris dy ditë para hapjes së negociatave për shkak se në atë kohë kompanitë ajrore që kryenin fluturime drejt Tiranës (jo më shumë se një ose dy në javë) numëroheshin me gishtat e njërës dorë. Rrjedhimisht, realizimi i udhëtimeve në destinacione përtej kryeqyteteve të linjave përkatëse, kërkonte disa ditë dhe ngandonjëherë edhe një javë.


Nisur nga një kompleks i tërë rrethanash dhe konjukturash politike, takimi me anglezët konsiderohej nga pala shqiptare si ngjarje me rëndësi shumë të veçantë. Ishin dhënë porosi për të vlerësuar me seriozitet gjithçka që kishte të bënte me negociatat, duke përfshirë aspektet protokollare e teknike etj. Gjatë ditëve të qëndrimit në Paris, delegacioni u kujdes edhe për përgatitjen e sallës së bisedimeve. Si e tillë do të shërbente holli kryesor, në katin e parë të selisë së ambasadës, në të cilin u bënë përshtatjet e nevojshme. U morrën masa për pajisjen me tavolina dhe karrike të reja, për servirjen e pijeve tradicionale, rakisë, konjakut e verërave shqiptare etj. Blerja e tavolinave të bisedimeve, karrikeve si dhe e mbulesës së saj do të bëhej në magazinën e njohur "Samaritain".


Nga ana e ambasadës ishin njoftuar paraprakisht strukturat e saj përkatëse, të cilat kishin marrë masat për të realizuar një shërbim të shpejtë e cilësor. Grupi shqiptar që do të përzgjidhte pajisjet u prit në hyrje të magazinës nga një prej nëpunësve të saj si dhe nga një grua e re, e cila pasi iu uroi mirëseardhjen me fjalën "zdravstvujtje - rusisht mirëdita", vazhdoi të fliste edhe më tej në gjuhën ruse, çka shkaktoi një lloj befasie. Në vijim të pyetjes së dikujt nga grupi, për arsyen e komunikimit nëpërmjet gjuhës ruse në mes të Parisit dhe jo në gjuhën vendase, zonja shpjegoi se drejtuesit e Samaritain-it, për të dëshmuar konsideratë ndaj përfaqësisë diplomatike shqiptare, që për ta ishte thjeshtë një kliente, e përzgjodhën atë për shkak të kombësisë ruse. Ajo kishte disa vjet që jetonte në Francë, pas arratisjes nga Moska. Po pse një ruse dhe përse përshëndetjen e parë me grupin shqiptar, ajo e bëri në rusisht? Sikurse shpjegoi vetë në vijim, shefat e saj, që e mendonin ende Shqipërinë pjesë të Bllokut Lindor, gjykuan se do të ishte më lehtë komunikimi në gjuhën ruse, e cila aso kohe përdorej rëndom nga diplomatët dhe politikanët e shumë prej vendeve të atij rajoni. Diplomatët shqiptarë e vazhduan bisedën në frëngjisht, në gjuhën e vendit, edhe pse Prof. Putos, që kishte kryer studimet në Bashkimin Sovjetik, iu zgjuan nostalgjitë e të kaluarës dhe i rikthehej bisedës në "pa ruskij" rusisht, duke e befasuar rusen e natyralizuar në franceze me njohjen, theksin dhe shqiptimin e shkëlqyer të gjuhës ruse.

 

Pasi u blenë pajisjet e nevojshme, u rregullua dhe u zbukurua salla, e cila mori një pamje veçanërisht solemne, për të pritur të nesërmen negociatorët e të dyja palëve, për fillimin e bisedimeve.

 

 

Autori dhe çështja e Arit shqiptar

 

Lidhja e autorit me çështjen e Arit Shqiptar ka nisur herët, që në kohën e emërimit si pedagog i së drejtës ndërkombëtare në Fakultetin e drejtësisë të Universitetit të Tiranës.

Debutimi në këtë detyrë filloi me studimin e thelluar të përgjegjësisë juridiko-ndërkombëtare. Kjo temë, veçanërisht e gjërë e komplekse, m'u rekomandua nga profesori im i nderuar Arben Puto. Mendohej se ajo do të shërbente si sfond i domosdoshëm teoriko-juridik për diskutimin e çështjes së shpërblimit të dëmeve të shkaktuara në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, në vitet e pushtimit nazifashist të vendit, e cila në atë kohë ishte rihapur për trajtim për diplomacinë shqiptare.


Objekti u zgjerua në të gjithë aspektet me synimin për të identifikuar sa më shumë elementë juridiko-ndërkombëtarë bindës për përballimin e negociatave eventuale.


Në studim u përfshinë reparacionet nga Italia si dhe çështja e restitucioneve, që kishte si pjesë integrale edhe shqyrtimin e kërkesës për kthimin e arit  monetar shqiptar.

Transferimi në Ministrinë e Punëve të Jashtme, disa vjet më vonë, përkoi me kohën kur strukturat kompetente shqiptare nisën përgatitjen e dosjeve për bisedimet e mundshme për reparacionet e luftës nga Gjermania dhe për rikthimin e Arit Shqiptar nga Anglia.

Formatimi themelor që përfshinte detajet si dhe tërë aspektet teknike të kësaj sipërmarrjeje politike e diplomatike, të rëndësisë së veçantë për kohën, udhëhiqej nga Ministria e Punëve të Jashtme. Së bashku me një grup specialistësh të stafit politik, filluam punën për mbështetjen e kërkesës zyrtare me argumentet e nevojshme teoriko-juridike.

Ndërkohë, u caktova anëtar i delegacionit shqiptar dhe mora pjesë në negociatat me palën angleze për diskutimin e çështjes së arit monetar shqiptar, të cilat zgjatën shumë vjet. Kjo më dha mundësinë të thellohesha dhe të njihja në thellësi e në imtësi problematikën komplekse të kësaj teme tepër interesante.

Horizonti i njohurive u zgjerua ndjeshëm. Konceptet e deriatëhershme teorike, juridikondërkombëtare të përgjegjësisë së shtetit, u inkuadruan dhe u analizuan në gjithanshmërinë e tyre në sfondin e zhvillimeve që ndodhën në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke krijuar një përfytyrim më të plotë rreth përgjegjësisë së shteteve që okupuan Shqipërinë.

Lindi ideja e këtij libri, i cili pasqyron edhe zhvillimet e viteve '80-"˜90 të shekullit të kaluar, në marrëdhëniet shqiptaro-britanike. Ai synon të kontribuojë për të ndriçuar me prova e argumente juridike të vërtetën rreth qëndrimeve të shtetit shqiptar, diplomacisë dhe strukturave të tij përgjegjëse për trajtimin e një prej çështjeve më të rëndësishme të kohës.

 

 

Nuk është e lehtë të shkruash sot për këtë çështje. Diskutimi i saj tepër problematik përshkoi për një kohë të gjatë historinë e marrëdhënieve midis Shqipërisë nga njëra anë dhe Britanisë së Madhe, Italisë, SHBA, Greqisë dhe shteteve të tjerë perëndimorë nga ana tjetër, të cilët aktualisht janë aleatë dhe partnerë të rëndësishëm të Shqipërisë.

Subjekti i referohet një periudhe, kur ngjarjet patën një rrjedhë të caktuar, e cila, e ngurtësuar në memorien historike, nuk mund të ndryshohet ose të korrigjohet dhe as të ribëhet. Trajtimi i çështjes do të gjymtohej, do të cungohej e mund të deformohej në esencën e vet, nëse do të abstragohej apo do të sfumoheshin e anashkaloheshin realitetet.

I risjellë në vëmendje sot, pas gati gjysëm shekulli, kur mozaiku i marrëdhënieve ndërkombëtare si dhe mentalitetet e aktorëve të saj, kanë pësuar transformime rrënjësore, ai duket disi jashtë kontekstit politik aktual, por siodoqoftë ka interes të padyshimtë historik dhe shkencor.

Është bërë kujdes që përshkrimi dhe analiza e fakteve, të mbështeten rigorozisht në objektivitetin shkencor, pa cenuar vërtetësinë historike për hir të oportunitetit politik. Janë bërë përpjekje për të shmangur ndikimet eventuale nga fryma dhe formulimet e përgjithshme rutinë të raporteve, dokumenteve, trajtimeve, mentaliteteve, qëndrimeve standarde tepër të politizuara të asaj kohe.

Autori nuk është i sigurt nëse ia ka dalë mbanë plotësisht, por, sidoqoftë shpreson në mirëkuptimin e lexuesve.

 

 

Çështja e arit komponent i rëndësishëm

i historisë diplomatike shqiptare

 

Në tratativat për zgjidhjen e problemeve të prejardhura nga pushtimi fashist i Shqipërisë prej fuqive të Boshtit, gjatë Luftës se Dytë Botërore, ashtu si në krejt marrëdhëniet bilaterale e multilaterale të asaj kohe, kanë lënë gjurmë të padyshimta dhe kanë ndikuar fuqishëm faktorët ideologjikë, paragjykimet dhe prapamendimet, synimet dhe objektivat e përgjithshëm strategjikë të aktorëve kryesorë pjesëmarrës. Ky raport kontrastesh permanente, që ka përcaktuar për shumë vite fizionominë dhe dinamikën e marrëdhënieve ndërmjet tyre, është pasqyruar gjerësisht, me përmbajtje divergjente, në një literaturë të bollshme politike, ideologjike, historike e propagandistike, të prodhuar në Shqipëri e jashtë saj.

Në dekadat e para pas Luftës së Dytë Botërore, pikërisht në ato kohë, kur aleanca e kohës së luftës ia la vendin luftës së ftohtë në kohën e paqës, raportet e Shqipërisë me këto vende përcaktoheshin nga një qëndrim i kristalizuar që përmblidhte dy komponentë. Nga njëra anë ishte antipatia ndaj qeverisë shqiptare, për shkak të përkatësisë së saj politike në Bllokun Lindor komunist të Frontit të Luftës së Ftohtë. Rrjedhojë e drejtëpërdrejtë e kësaj konsiderate ishte trajtimi si regjim që dhunonte të drejtat dhe liritë e njeriut, i cili avancohej si shkak për të cilin disa Fuqi Perëndimore e legjitimonin veten për ta përmbysur.[1]

Edhe autoritetet shqiptare i gjykonin ato me mungesë të theksuar besimi. Në këtë qëndrim, përveç motivit formal të reciprocitetit, ndikonte kualifikimi i tyre si kundërshtarë të afirmuar politikë si dhe orientimi politiko - ideologjik i Tiranës zyrtare ndaj Bllokut Lindor, që përbënte një qëndrim bazë të krejt politikës shqiptare të kohës.

Nga kjo frymë u përshkua përgjithësisht trajtimi i të gjithë problemeve madhore që shtroheshin para politikës dhe diplomacisë shqiptare të kohës, sic ishin njohja ndërkombëtare e qeverisë shqiptare të pasluftës, pranimi i Shqipërisë në OKB, shqyrtimi i incidentit të Kanalit të Korfuzit në Këshillin e Sigurimit të OKB e më pas në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, rikthimi i arit shqiptar, e ashtuquajtura gjëndje e luftës midis Greqisë e Shqipërisë etj.

Kësisoj shpjegohet me sa duket edhe tejzgjatja e gjetjes së zgjidhjeve, ndërlikimet e herëpasherëshme, qëndrimet dogmatike e të ngurtësuara, mungesa e fleksibilitetit që i shoqëruan gjatë viteve.

Çështja e shpërblimit të dëmeve dhe humbjeve të shkaktuara gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri nga pushtuesit nazifashistë, që përfshinte edhe rikthimin e arit të grabitur, mund të konsiderohet si një ndër kapitujt e rëndësishëm të historisë moderne të diplomacisë shqiptare. Për vetë rrethanat e veçanta të epokës, si dhe për faktin që formalisht ngërthente një numër elementësh të karakterit teknik, ajo u përdor si kanal i favorshëm komunikimi me faktorët ndërkombëtarë vendimmarrës të kohës, duke synuar ndërkohë të kontribuonte në thyerjen e izolimit, që i ishte imponuar Shqipërisë.

Politika e izolimit ndërkombëtar të Shqipërisë, formë e qartë e presioneve për ta detyruar atë të hapej drejt Perëndimit, kishte edhe komponenten e vet shqiptare, e shprehur në politikën e mbylljes në vetvete, që ndiqej nga udhëheqja shqiptare e kohës, për shkak të frikës së rrëzimit të saj nga pushteti.

Nëpërmjet pjesëmarrjes në diskutime në forume ndërkombëtare, furnizimit të dokumentacionit provues, parashtrimit dhe argumentimit të pozitës dhe të pretendimeve të saj, diplomacia e shtetit shqiptar të pasluftës përpiqej të afirmonte ekzistencën e tij normale dhe të jepte imazhet e personalitetit të një subjekti që përmbushte kriteret e domosdoshëm politikë e juridikë.

Të vështruara nga një distancë kohore mbi gjysëmshekullore, rezulton që në këtë çështje, në thelb qëndrimet e diplomacisë shqiptare të asaj kohe, aksionet diplomatike e politike në funksion të trajtimit të saj, ishin të drejta, të motivuara e të argumentuara, përgjithësisht të justifikuara. Pavarësisht nga ngjyrimet politike e ideologjike, ato përfaqësonin e mbronin interesat kombëtare shqiptare.

Mbrojtja e kauzës së drejtë të popullit shqiptar që kishte vuajtur e kishte pësuar privacione të shumta, përbënte avantazhin kryesor në përballimin e diskutimeve. Nuk mund të injorohet edhe influenca e një faktori, në dukje periferik. Shteti shqiptar në përfundim të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, konservoi për një kohë dhe shfrytëzoi dijet, kulturën profesionale dhe aftësitë e spikatura të një grupi intelektualësh, të konsideruar specialistë neutralë, që ishin formuar në shkolla prestigjioze perëndimore. Ata, veçanërisht përsa i përket platformës juridike, i sugjeruan udhëheqjes politike zgjidhje interesante të mbështetura me argumente juridikë rezistentë.

Në këtë vështrim, specialistët që u angazhuan për sqarimin e aspekteve teorikë e juridikë, si dhe për evidentimin, grumbullimin dhe paraqitjen e provave meritojnë homazh jo vetëm për kompetencën profesionale, por edhe për idealizmin dhe përkushtimin e demonstruar.

 

Në misionin britanik, Genève, Rue du Vermont, 37-39

 

Pasditen e të martës së 18 dhjetorit 1990, në oren 15:00, delegacioni shqiptar mbërriti në misionin britanik, pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, për të nisur bisedimet me delegacionin britanik. Të dy delegacionet kishint ë njëjtën përbërje si në takimin e mëparshëm.

Në bisedime asistonin edhe Alfred Papuçiu për palën shqiptare, i ngarkuar me punë i Misionit shqiptar në Zyrën e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë dhe për palën angleze numri 2 i misionit, këshilltari i tij, Peter Newall.

Bisedimet u hapën nga kryetari i delegacionit britanik Michael Tait, i cili ia dha fjalën kryetarit të delegacionit shqiptar. Muhamet Kapllani informoi shkurt për proceset demokratike në Shqipëri, të cilat po fitonin terren duke ecur në rrjedhën e proceseve europiane e botërore.

Tait i vlerësoi ato, duke theksuar se qeveria britanike i kishte mirëpritur ndryshimet demokratike në Shqipëri. Vuri në dukje, jo pa qëllim dhe jo rastësisht, se gazetat e asaj dite kishin njoftuar për arrestime në Tiranë. Kapllani u mundua të sqaronte se ata që abuzojnë me demokracinë, që kryejnë akte vandaliste, shkatërrojnë e prishin qetësinë, si kudo edhe në Shqipëri, duhet të Japin llogari para drejtësisë.

Në vijim, negociatat iu rikthyen çështjes kryesore për të cilën ishte organizuar takimi. Kryetarët e të dy delegacioneve informuan se kishin njoftuar qeveritë përkatëse për bisedimet e Romës.

Kapplani tha se qeveria shqiptare kishte konstatuar progres dhe përpjekje për të zgjidhur problemet që kishint ë bënin me normalizimin e marrëdhënieve dhe kthimin e arit shqiptar.

Tait gjithashtu informoi se edhe qeveria britanike kishte vënë re një progres modest në bisedime dhe shpresonte që ai të çohej përpara...

 

......................................................

 

Në misionin shqiptar, Genève, Rue du Môle, 32

 

Në atë kohë në Gjenevë ekzistonte një përfaqësi diplomatike shqiptare e cila kryente rolin e misionit të përhershëm të Shqipërisë në Zyrën e OKB-së dhe në organizata të tjera ndërkombëtare me seli në Gjenevë. Në përbërje të saj kishte edhe dy punonjës, anëtarë të personelit të ambasadës shqiptare në Vjenë (Alfred Papuçiu krahas detyrës si i ngarkuar me punë i Misionit shqiptar pranë organizatave ndërkombëtare në Gjenevë, ishte dhe këshilltar i ambasadës shqiptare në Vjenë), por me rezidencë në Gjenevë, të cilët trajtonin marrëdhëniet bilaterale me Zvicrën. Veprimtaria e misionit ishte tepër modeste. Shqipëria kishte nisur hapjen drejt Perëndimit që shprehej ndër të tjera edhe në një pjesëmarrje më aktive në organizatat ndërkombëtare, por kishte edhe ngurime dhe pasiguri. Ato vinin, me sa duket, edhe nga mungesa e përvojës dhe nga situatat problematike tranzitore brenda vendit, që po zhvilloheshin sidoqoftë me  një shpejtësi relative.

Misioni shqiptar ishte vendosur në një apartament me dy dhoma e një kuzhinë, me sipërfaqe të përgjithëshme prej 44 metra katrorë, në një ndërtesë në Rue du Mole, 32, në afërsi të bregut të liqenit të Lemanit, siç quhet ndryshe, liqeni i Gjenevës. Për shkak të këtyre përmasave, delegacioni shqiptar u ndodh në vështirësi, sepse nuk mund të veprohej si në Paris e në Romë, ku ndërtesat e përfaqësive diplomatike shqiptare ishin jo vetëm të konsiderueshme në hapësira, por edhe relativisht dinjitoze në paraqitje e mobilim. Në misionin shqipta nuk kishte kushte për t'u krijuar delegacioneve të të dyja palëve komoditetet e nevojshme për bisedime. Për të respektuar parimin e reciprocitetit, misioni shqiptar iu drejtua pronarit të godinës, Zotit Richner, të cilit i shpjegoi se i lypsej për pak orë një ambient i përshtatshëm për bisedime zyrtare. Richneri, një burrë simpatik dhe me një ndjenjë të shprehur bonsensi, u tregua i gatshëm. Në një nga zyrat e tij, në katin përdhes të godinës, u përgatit ambienti ku u zhvillua seanca e dytë e bisedimeve shqiptaro-britanike...

   Bisedimet u mbyllën me përcaktimin e një skeme rreth procedurave që do të ndiqeshin në vijim. Pala shqiptare përsëriti se një javë pas kthimit të delegacioneve në vendet përkatëse të deklarohej rivendosja e marrëdhënieve diplomatike, kurse dy javë më pas, qeveria britanike të deklaronte miratimin e saj për kthimin e arit shqiptar. Tait tha se kishte nevojë që gjith¨çka t'ua raportonte ministrave të tij dhe bisedimet të vazhdonin në një takim tjetër, diku nga fundi i janarit ose fundi i shkurtit 1991.

   Në përfundim të takimit, shtypit iu dha njoftimi standard i mëposhtëm:"Delegacionet britanike dh shqiptare u takuan në Gjenevë më 18 dhe 19 dhjetor 1990, për të diskutuar çështjet bilaterale, përfshirë edhe rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Bisedimet u zhvilluan në një atmosferë konstruktive".

 

Shënim: në numrat e ardhëshëm të Zemrës shqiptare, do t'u njohim me rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, më 29 maj 1991, ditën e mërkurë, ora 12:30, për marrëdhëniet midis dy vendeve që janë të herëshme dhe tradicionale. Ato shkojnë thellë në histori, në ato kohë, kur nuk mund të flitej ende për një shtet shqiptar të indentifikuar e të njohur ndërkombëtarisht. Do të përmenden ndër të tjera udhëtimi i Bajronit në Shqipërinë e Jugut, në aspektin zytar një vend me rëndësi zunë marrëdhëniet e Ali Pashë Tepelenës me Britaninë e Madhe, etj.

 

Libri ka 434 faqe, botim i "Dita 2000", kushton 1.000 lekë dhe gjendet në libraritë e Tiranës dhe tek "Botimpex", si dhe mund të porositet pranë Universitetit Popullor Shqiptar të Gjenevës, dhe së afërmi tek "Zemra Shqiptare" ku do të gjeni edhe libra të autorëve të tjerë shqiptarë.
www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Hena 1969, 40 Vjet me pare zbarkimi (07.10.2009)
Vera Bekteshi: Blloku i dhunës dhe njerëzit e mirë të Vodëzës (06.30.2009)
Majkëll Xhekson iku kur ndihej ende i ri (06.27.2009)
Mbreti i Popit Majkëll Xhekson (06.26.2009)
Kameron Diaz ka yllin e saj në Shetitoren e Famës të Hollivudit (06.24.2009)
Figurë epokale e liberalizmit - Largohet nga jeta Lord Ralf Dahrendorf (06.21.2009)
Abraham Linkoln një burrë që fliste vetëNga Theodore C. Sorensen (06.20.2009)
Visar Zhiti: Poezia ime më e fortë se diktatura (06.18.2009)
Horhe Luis Borhes mjeshtri i fantazisë dhe trillimit (06.14.2009)
Gruaja e Tuk Jakovës: Fjalia për të cilën Enver Hoxha urdhëroi zhdukjen e tim shoqi (06.09.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]