VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Profesor Doktor Nestor Thereska flori i dalë nga floririNga Agron SEJAMINI

                                                                                      

E Martë, 04.23.2024, 10:38am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DOSSIER
 

Profesor Doktor Nestor Thereska flori i dalë nga floriri

Nga Agron SEJAMINI


E Premte, 07.31.2009, 08:50am (GMT+1)

 

 

 

Emri i tij qëndron denjësisht mes profesorëve më të shquar të mjekësisë shqiptare. Prej vitesh drejton me sukses shërbimin nefrologjik, duke arritur kulmin në mars të këtij viti, kur u realizua transplanti i parë i veshkës. Është autor i një sërë studimesh dhe botimesh për nefrologjinë si "Infeksionet urinare", "Radio-izotopët për sëmundjet e veshkave"... akademik, fitues i një urdhëri të lartë që shtetit francez jep për personalitete të shquara. Mjafton kaq, për të thënë që është një pasuri e çmuar për mjekësinë tonë. Ose thënë ndryshe flori. Jo më kot e shkruam edhe në titull, flori i dalë nga floriri. Sepse ka një histori shumë interesante jeta e familjes së tij. Rrjedh nga një familje qytetare beratase. Gjyshja e vet, nga babai, është mbesa e Babë Dudë Karbunarës. Dijetar dhe arsimdashës i shquar jo vetëm në qytetin e Beratit. Është një nga nënshkruesit e Aktit të Shpalljes së Pavarësisë. Por, na duket sikur historia e mbesës së tij është akoma edhe më e bujshme. Kristinë, quhej bukuroshja që erdhi në vitin 1920, bashkë me nënën e vet në Berat. Kishte braktisur Turqinë për t'u rikthyer në vendlindjen e prindërve të vet. Kishte marrë me vete tre shërbëtore dhe ajo që është më kryesorja një karvan të tërë me flori. Edhe shërbëtoreve të veta u bleu shtëpi dhe ullinj, duke i bërë pasaniket e qytetit. Dhe kur tepronte edhe për ato, kuptohet sasia e floririt që ishte lënë për brezat e ardhshëm.

Në Myzeqe filloi reforma agrare për tokën, por trashëgimtarët e Kristinës së florinjtë në Berat ndjenë se "trokiti" porta e tyre... Filluan të groposin pasurinë e ardhur nga Turqia. Madje, jo në oborrin e tyre, por për të qenë edhe më të sigurtë i kaluan tek komshinjtë. Por me sa duket më i dashur se florinjtë për dikë, ishin idealet e partisë....Në vitin 1950, mbërrijnë forca speciale të Sigurimit të Shtetit dhe zbulojnë jo arka e qypa me florinj, por sëndyqe të mëdhenj. Gjithsesi, jo të gjithë floririn ia besuan dheut. Mes floririt u rritën edhe Nestori dhe vëllai i tij, Jovani. Edhe pse kontrollet ishin të vazhdueshme, familjen Thereska nuk e privuan dot për të ndjerë lezetin e verdhushkave. Aq sa në vitet '60, në familjen e tyre ishin të punësuara edhe dy shërbëtore. Njëra për ushqimin dhe punët e shtëpisë, ndërsa tjetra për kujdesin e dy vogëlushëve. Madje kjo e dyta, nuk e përballoi dot shkëlqimin e floririt. Një ditë, fut në gji gjerdanin e zonjës së shtëpisë që llogaritej në 1000 franga flori dhe nuk kthehet më. Të paktën kishte kryer misionin e saj. Nestorin e la tetë vjeç dhe Jovanin tre. Por, flori e kaluar floririt për këta dy djem ishin prindërit e tyre. Pas mbarimit të ciklit të ulët në Berat, Vangjeli, babai i Nestorit, ikën në Shkodër. Mbaron me rezultate të shkëlqyera, duke fituar medalje të artë dhe të drejtën e studimit për në Itali. Dëshira e tij ishte mjekësia. E motivuan për këtë degë, shpirti human dhe nevojat e mëdha që kishin për këtë shërbim, bashkëqytetarët e vet. Caktohet në Kamerino, një qytet afër Peruxhias, ku për fat mungonte mjekësia. Ndaj detyrohet që të vazhdojë veterinarinë... I njëjti ritëm, i njëjti përkushtim për mësimet. Pas gjashtë vjetësh studime shpallet studenti më i mirë i universitetit. "E keqja" e vetme ishte se u dashurua më shumë se sa duhej me kulturën dhe muzikën italiane. Për sa kohë që qëndroi student, ai bënte abonim vjetor për koncertet që jepeshin në "Skala" të Milanos. Nuk la qytet italian pa vizituar dhe shijuar monumentet e lashta të kulturës. Ky adhurim dhe kjo simpati për vendin fqinj e detyroi që të "gënjejë" edhe familjen. Që të justifikonte qëndrimin në Itali edhe për tre vjet të tjera, pas përfundimit të studimeve, iu shkroi letër se jam duke u kuruar për mushkërinë. Me të ardhur në atdhe, emërohet mjek veteriner në Kërçovë. Pas disa lëvizjesh nëpër vende të ndryshme, në vitin 1958 emërohet pedagog në degën e Veterinarisë, pranë Institutit të Lartë Bujqësor. Breza të tërë studentësh përgatiti deri në vitin 1975 kur doli në pension. Të gjithë e kanë fiksuar në kujtesë si pedagogun e zot dhe njeriun fisnik e të kulturuar. Thamë që ishte i dashuruar me Italinë, por jo me italianet. Ndërsa ikte, muajt e verës në Vlorë, sytë e shpirtit iu ëmbëlsuan te një vajzë simpatike. I përkrahur nga të afërmit e vet, një ditë trokitën te ajo familje që kishte ardhur nga Labova e Gjirokastrës. Jo vetëm vajza, që kishte ditë që digjej nga vështrimet e zjarrta të simpatikut beratas, por edhe prindërit e saj nuk gjenin arsye për të refuzuar këtë mbarësi. Aretia kishte mbaruar në Tiranë, Institutin Pedagogjik "Nëna Mbretëresha" dhe zotëronte shumë mirë italishten dhe frëngjishten. Vangjeli ishte një baba i kujdesshëm dhe shumë i vëmendshëm ndaj fëmijëve.

-Një herë nuk mbaj mend që të më ketë puthur, kujton Nestori, por dinte të më ruante personalitetin. Ishte korrekt, i sjellshëm dhe më trajtonte si shok.

Tjetër natyrë kishte e ëma e Nestorit. Dëshira e saj ishte që fëmijët e saj, të bëheshin të shkolluar. Pesa ishte vlerësimi më i lartë në atë kohë, por një katër t'u shikonte në fletore djemve të saj, shamatanë e Aritisë do e merrte vesh e gjithë lagjja. Pa mbushur ende dhjetë vjeç, i futi djemtë në kurse të mësimit të italishtes dhe frengjishtes. Dhe jo thjesht, për t'u dalë borxhit apo shlyer një detyrim prindëror. Përcillte Nestorin për tek kursi i frengjishtes dhe ulej e përsëriste të njëjtin mësim që ai kishte atë ditë. Deshte që të ishte sa më e saktë në testimin që i bënte të birit, kur kthehej në shtëpi. Mezi priti që të rritej djali për t'i mësuar vargje nga kryevepra e Fishtës "Lahuta e Malëcisë". 1000 vargje të asaj iliade shqiptare, dinte përmendësh Aretia. Por jo pak, arriti t'i mësojë edhe Nestorit. Edhe sot doktori reciton me minuta të tëra vargjet e arta të Fishtës... Nuk e bënin këtë, për t'u mburrur tek dikushi apo për t'u shfaqur si atdhetarë, por për të ngulitur tek fëmijët se kush ishte pasuri kulturore, dinjitet dhe krenari kombëtare. Dhe mendoni, ka qenë koha kur ideologjia e kohës, të dënonte me vite burgu, nëse të gjente edhe një faqe nga ky libër në shtëpi. Vetëm të tillë prindër, mund të saktësonin me kaq precizion trasenë e udhës së fëmijëve të tyre. Sepse, pa qenë të zot për të përvetësuar librin e jetës, kurrësesi nuk mund të jesh i aftë për të zotëruar librat e shkollës.

Më 30 qershor 1968. Nestori mbaron universitetin për mjekësi. Atë ditë i ati, e ftoi për të bërë një shëtitje buzë Lanës. I bëri përshtypje kjo ftesë jo e zakonshme. Iu gëzua dashamirësisë së prindërit, por jo dhe aq përmbajtjes së bisedës.

- Urime! Unë të këshilloj që të ikësh jashtë Tiranës. Do të jetë shumë mirë, ta nisësh punën në ndonjë rreth tjetër...

Disa herë i ranë cep më cep Lanës, duke e mbyllur bashkëbisedimin që të pranonin zhvillimin normal të emërimit, pa bërë ndërhyrje tek miqtë. Nuk është se e ndjeu veten dhe aq mirë Nestori pas kësaj xhiroje me babanë e tij. Por, tek kujtonte merakun dhe porositë e përditshme të së ëmës, shpresonte se edhe babai do të hiqte dorë nga kjo ide. Sa herë që dilte dhe hynte në shtëpi Vangjeli, refreni i Aretisë ishte i njëjtë.

- Hë burrë! E takove Nikollën. Po Kasëmin?

Ishin miqtë e familjes, që mund të bënin diçka për të siguruar një vend të mirë pune për Nestorin. Herë kthente përgjigje, herë bënte sikur nuk dëgjonte Vangjeli. Por edhe pse i ati nuk trokiti në asnjë derë miku, fati edhe këtë radhë ishte me Nestorin. Nga 40 mjekë që mbaruan atë vit, 38 prej tyre u emëruan në Tiranë. Lumturohej nënë Aretia për djalin e saj. Më pas, tek vërente atë vullnet dhe dëshirë për profesionin edhe Vangjeli gëzonte për fillimin e karrierës profesionale të Nestorit. Vazhdimisht ia përsëriste çelësin e suksesit.

-Vetëm puna do të nxjerrë matanë lumit, o bir...

E dinte i ati se çdo të thoshte biografi e keqe. Pasojat e luftës së klasës ishin tragjike... Jo shumë larg këtij fati ishte edhe familja Thereska. Gjithë jetën kjo frikë i ka shoqëruar. Edhe sot, i duket sikur do i dalë përpara punonjësja e kuadrit Ollga dhe t'i pëshpërisë në zyrën e saj:

- Nestor! Cfarë e ke Ilia Thereskën?

Po a gjendej dot përgjigjja. Ilia, ishte djali i xhaxhait, dënuar me 38 vjet burg. Arsyeja, mbante varëse floriri dhe vishej me të bardha si oficerët amerikanë në Kore. Akuzë pa lidhje dhe pa kuptim sot, sepse i shkreti Ilia nga viti 1951-1989, plot 38 vjet, i kaloi në qeli. Si në derë të burgut ndjehej edhe doktor Thereska në pavionin e spitalit. Përsëri do e thërriste Ollga. Përsëri pyetje:

-Nestor! Çfarë e ke Llambi Tavanxhiun? Po Nestor Nepravishtën?

Kishte të drejtë Ollga e shkretë po a mund t'i pohoje dot të vërtetën. Të parin e kishte burrë halle, të dytin djalë teze... Të dy të dënuar nga Partia. I pari, eksponent i Ballit Kombëtar dhe një nga pasanikët më të pasur të Beratit, tjetri dikur Prefekt i Tiranës.

E ndërsa kalonte me një "asgjë" këto pyetje, mblidhej një grusht, kur Ollga i tregonte letrat anonime. Vetëm gjatë vitit 1973, zyrës së kuadrit i erdhën 42 letra anonime që dëshmonin biografinë e keqe të doktor Thereskes.

Natyrshëm i bëmë pyetjen: -Atëhere si mbijetove në këtë situatë kaq të tensionuar? - pyesim doktor Nestorin. Qetë dhe me krenari përgjigjet se në jetë kam patur tre engjëj mbrojtës...

Tre engjëjt mbrojtës...

Nuk ia di për nder, suksesin e arritur në karrierën e tij profesionale, as zotësisë së vet dhe as monedhave të floririt... Për gjithçka, u është mirënjohës tre njerëzve, Ylli Popës, Isuf Kalos dhe Sali Berishës. Me gojën e vet, pohon se "këta kanë qenë tre engjëjt mbrojtës për Nestor Thereskën!".

Me profesor YLLI POPËN, kishin diferencë të madhe në moshë, por po kaq e dukshme ishte simpatia dhe ngrohtësia e mjekut të shquar për djaloshin simpatik. I kishte bërë përshtypje mënyra e komunikimit dhe akoma më shumë, pasioni dhe përkushtimi në punë. Me siguri, profesori ka pikasur që në atë fillim, se sa larg do të ecte ai... Ndaj, nuk "dëgjonte" e nuk "shikonte" kur i pëshpërisnin apo i tregonin copa biografie të familjes Thereska... Dhe nuk ishte pak për kohën, të ishe i ledhatuar dhe i shoqëruar nga Profesor Popa. I mjaftoi kjo përkrahje mjekut të ri Nestor Thereska, për të punuar pa u lodhur dhe i qetë në rritjen e tij profesionale. Aq sa pas pak vitesh, Prof. Popa dhe Prof. Fejzi Hoxha, konsultoheshin shpesh me të, për shqetësimet shëndetësore që kishte udhëheqësi, i cili në atë kohë vuante edhe nga diabeti.

Jo më pak mirënjohës i është Profesor Isuf Kalos. Ky mjek i shquar, me shumë autoritet dhe personalitet për kohën, bën atë që edhe në ëndërr nuk i ishte shfaqur Nestorit... Ikën në Ministrinë e Brendshme dhe bëhet garant se Nestor Thereska është mjek i talentuar sa dhe i besuar. Mjaftoi kjo deklaratë që atij t'i çelej udha për jashtë shtetit. Më 1977, niset për specializim në Hungari. Më shumë se të rejat që mësoi në Budapest, kjo dalje jashtë i dha pavarësinë jetike, duke dalë nga ai rreth i kuq i organeve të sigurimit. Fillon kështu udha e çmuar e specializimeve të shumta e të frytshme. Më '78 në Romë, më '79 në Paris. Më pas edhe katër herë të tjera në Francë, dy në Itali...

Me Profesor Sali Berishën, njohja ishte edhe më e madhe. Fillimisht një shoqëri e thjeshtë. Ai në katin e gjashtë, ndërsa doktor Saliu në katin e dytë. Ajo që i ftonte për bashkëbisedim ishte ambicja profesionale. Tek kardiologu shumë herë më e theksuar. Më 1979, u qëllon që të jenë të dy për specializim në Paris. Bashkë me ta shoqërohej edhe Mentor Petrela, duke krijuar një treshe që binte në sy mes gjithë specialistëve të ardhur nga Shqipëria. Veç pasionit për profesionin, i lidhte dëshira për të lexuar dhe mësuar çdo të re të kohës. Si të ishin vënë në një garë mes tyre, gëzonin kur shtonin njohjet me personalitetet e shquara franceze apo pjesëmarrjen nëpër tubime të ndryshme ndërkombëtare. Qytetërimi dhe kultura franceze i tërhiqte pa masë. Së bashku vizituan gati të gjitha qendrat antike të kryeqytetit, por edhe jashtë tij. Pasuruan ndjeshëm bibliotekat personale me literaturë dhe botime që përcillnin arritjet e mjekësisë bashkëkohore. Fjala vjen, mbahet mend blerja e një libri mbi sëmundjet e veshkave të Zhan Hamburger, nga Nestori. Jo thjesht për çmimin që i kalonte të 700 frangat, por për zellin e shqiptarit... U bënë me turp profesorët francezë, kur këtë botim të jashtëzakonshëm nuk e panë fillimisht në vitrinat e odeonëve të librit, por në duart e mjekut shqiptar.

Ashtu si kujton këtë libër, nuk ka si harron as blerjen e kasetës të këngëtares franceze me origjinë greke, Nana Muskuri. Duke i ditur shijet e tij, një ditë, doktor Saliu i thotë se në treg, kishte dalë kaseta e dëshiruar prej kohësh nga Nestori. Iku me një frymë, pa iu dridhur as dora, kur mësoi edhe për çmimin e kripur. E vendosi në manjetofon, duke ftuar edhe dy shokët që të shijonin zërin e saj brilant. U lumturua dhe emocionua pa masë me këngën e parë. Por...e dyta u vonua shumë. Duartrokitjet nuk kishin fund. Mundi të dëgjojë edhe të dytën, por jo të tretën. Gjithë ajo kasetë e rregjistruar në sallën e shfaqjes kishte vetëm dy këngë dhe 20 minuta ovacione... Pas disa ditësh vjen shkaja e dytë e doktor Saliut. Këtë radhë nuk i "dëmtoi xhepin" Nestorit. Në një takim me profesorë të shquar francezë, binte në sy eleganca e treshes së mjekëve shqiptarë. Ndërsa, doktor Saliu dhe Mentori, kishin blerë kostume italiane, Nestori kishte qëlluar në një prodhim rumun, që ishte më i lirë, por ishte shumë i bukur. Një nga mjekët e mëdhenj francezë përshëndetet ngrohtësisht me Nestorin, madje edhe duke e komplimentuar dhe pyetur se çfarë prodhimi është. Nestori me mburrje i thotë se është italian. Nuk vonon doktor Saliu dhe i bën me shenjë nga jaka e kostumit, ku ishte etiketa me stampën "Made in Romania". Me shumë kujdes Nestori shmanget, duke i shpëtuar plasjes së gazit edhe tek të huajt, pasi shqiptarët ishin pushtuar nga të qeshurat...

E pohon vetë, që Profesor Saliu ka qenë më kavalieri mes shokësh. Nuk ka dashur të jetë borxhli i askujt dhe nuk ka mbajtur radhë në të paguar. Përherë, ishte ai që e fuste i pari dorën në xhep... Por, ndërsa pohon këtë të vërtetë, nuk ndjehet mirë, kur mes shokësh është krijuar përshtypja se Nestori është dorështrënguar. Por edhe fati nuk e ka ndihmuar shumë që të përmirësojë këtë opinion. I kujtohet një pasdite, kur ftoi doktor Berishën për të pirë një kafe, pasi kishte futur në xhep një kartmonedhë 500 lekëshe, e mjaftueshme për dy kafe. Ulen te "Rogneri". Më pas u shtohen edhe pesë miq të tjerë. Aty nga fundi, një prej tyre bëhet gati të paguajë. E ndërsa doktor Nestori qetësohet që i shpëtoi sikletit, ndërhyn doktor Berisha dhe thotë se, sot e ka radhën për të paguar Nestori. Pranon me "kënaqësi", por edhe kërkon pak leje për të shkuar deri aty afër... Lëviz nëpër korridor dhe për fat, pasë pesë minutash syri i kap një të njohur. I kërkon 1000 lekë dhe shkon mes miqve i qetë duke ia bërë me shenjë kamarierit...
www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (3)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Femrat gjithnjë e më të bukura, jo të bukurat drejt zhdukjes (07.28.2009)
Rruga e shkrimtares Rozi Theohari drejt suksesit letrar në SHBA (07.26.2009)
Rreth librit të Prof.Dr.Ksenofon Kristafi: "Në kërkim të arit" (07.20.2009)
Hena 1969, 40 Vjet me pare zbarkimi (07.10.2009)
Vera Bekteshi: Blloku i dhunës dhe njerëzit e mirë të Vodëzës (06.30.2009)
Majkëll Xhekson iku kur ndihej ende i ri (06.27.2009)
Mbreti i Popit Majkëll Xhekson (06.26.2009)
Kameron Diaz ka yllin e saj në Shetitoren e Famës të Hollivudit (06.24.2009)
Figurë epokale e liberalizmit - Largohet nga jeta Lord Ralf Dahrendorf (06.21.2009)
Abraham Linkoln një burrë që fliste vetëNga Theodore C. Sorensen (06.20.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]