06.08.2012
Për shumë njerëz, Lojërat Olimpike janë një aktivitet tepër i kushtueshëm. Por
në Olimpiket e këtij viti në Londër, tifozët kanë gjetur një mënyrë për të
shmangur një prej shpenzimeve më të mëdha - hotelin. Në zona të ndryshme të
Londrës, njerëzit kanë ngritur tenda dhe po shijojnë aktivitetin duke qëndruar
jashtë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Sela Hennessy vizitoi një nga këto
kampe.
Mund të mos jetë një hotel luksoz. Por në një kryeqytet të kushtueshëm si
Londra, është mënyra më e lirë për një person nga jashtë qytetit për të parë
Lojërat Olimpike.
Këta njerëz duhet të durojnë disa kushte jo të mira – si ngrënia e darkës mbi
gju... zierja e çajit të mbrëmjes nën qiell të hapur me një çadër pranë, si dhe
larja e enëve.
"Ne patëm një stuhi shumë të rëndë dje kështu që toka ka qenë pak e
lagësht. Por tani jemi duke e shijuar qëndrimin këtu dhe kur ka diell është me
të vërtetë bukur."
Në afërsi të objekteve olimpike në Londër janë ngritur dhjetë kampe me tenda
dhe me një kosto prej vetëm 15 dollarë në natë, ato kanë tërhequr rreth 2 mijë
sportdashës.
Shumë prej tyre, si Keith Regan, banojnë jashtë Londrës dhe janë vullnetarë të
Lojërave Olimpike. Ai lejoi Zërin e Amerikës të xhironte brenda çadrës së tij.
"Kam uniformën e Olimpikeve, natyrisht, rrobat e mia të tjera për kur nuk
jam në uniformë, një gazetë, një batanije, dyshekun me ajër. Kam një çekiç për
montimin e tendës, kompjuretin tim, artikujt e higjenës personale... pra,
gjërat esenciale."
Ishte hera e parë që Keith ngrinte një tendë, por ai thotë se i pëlqen.
"Jam njohur me shumë njerëz të rinj, kemi bërë mjaft shaka dhe është një
qëndrim i rehatshëm. Nuk është ndryshe nga të qenit në një hotel... dakord,
ndoshta pak ndryshe."
Kampet janë ngritur nga një grup i quajtur "Camping Ninja".
Geoff Vaughan është shefi ekzekutiv i grupit:
"Kur kontrolluam, vumë re se qëndrimi për të ndjekur Olimpiket ishte shumë
i shtrenjtë. Çmimet e hoteleve ishin shumë të larta dhe kuptuam se kishte një
boshllëk të madh në treg për njerëzit që duan të vijnë në Londër, të qëndrojnë
dhe do të vizitojnë Lojërat."
Dhe edhe pse nuk është një qendër luksoze, në fund të një dite të gjatë në
Olimpike, banorët e kampit kanë mundësi të bëjnë dush. Edhe pse u duhet të ecin
mjaft për të arritur atje.