VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Gorbaçov heroi i rastësishëm i 1989

                                                                                      

E Shtunë, 04.20.2024, 06:45am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DOSSIER
 
Gorbaçov heroi i rastësishëm i 1989
E Djelë, 08.16.2009, 07:26am (GMT+1)

Në një intervistë me një reporter jo shumë kohë më parë, Mikhail Gorbaçovi, solli ndërmend vitet e tij në apogjeun e pushtetit në Bashkimin Sovjetik. Sapo fillon, normalisht është e vështirë ta ndalësh së foluri, por në këtë rast hezitoi, qëndroi i heshtur për një kohë të gjatë dhe ia nguli sytë intervistuesit me ato sy shpues. "Shiko, mund të kisha qenë akoma atje, në Kremlin", thotë ai. "Sikur të isha motivuar vetëm nga pushteti personal, mund ta kisha akoma në dorë atë... Sikur thjesht të mos bëja asgjë, të mos ndryshoja asgjë në Bashkimin Sovjetik ashtu siç ishte atëherë, vetëm të qendroja ulur dhe të vazhdoja si ata përpara, kushedi...". Më pas qeshi. Nëqoftëse ndjeu hidhërim, e fshehu mjaft mirë. Pjesë e kësaj qe vetëzhgënjimi i zakonshëm i liderëve të dorëhequr, të mundur apo të përmbysur, por Gorbaçovi ka një pikëpamje më të thellë, veçanërisht e rëndësishme këtë vit: 20-vjetori i vitit 1989, fillimi i fundit të sundimit të tij. Edhe me nuhatje, nuk duket e pashmangshme që perandoria sovjetike - ai monolit i madh që dy breza në Perëndim qenë rritur, duke ia pasur frikën - do të zhdukej brenda natës.

 

Analistët mendonin se, Bashkimi Sovjetik mund të zvarritej për dekada, duke u përpjekur dhe dështuar për ta reformuar komunizmin: Voltë e Sipërme me armë atomike, por një fuqi serioze. Gorbaçovi është ende një 78-vjeçar i mbajtur, një moshë ku shumica e paraardhësve të tij konsideroheshin në moshën e artë të tyre. Në vitet Tetëdhjetë, një Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste Sovjetike kishte pothuajse fuqi diktatoriale, nëqoftëse zgjidhte t'i përdorte ato. Gorbaçovi mund të kishte luajtur me to.

 

Ai mund të kish futur reforma të vogla për një sistem që në themelet e tij nuk kish ndryshuar qysh nga koha e Stalinit dhe mund t'i kish shmangur rreziqet lidhur me pozicionin e shteteve të Traktatit të Varshavës në Europën Qendrore dhe Lindore, por ishte tepër ambicioz për këtë. Qëllimi i tij ishte të shpëtohej dhe të rinovohej komunizmi - komunizmi i "vërtetë" i themeluesve të fesë, në të cilën ai besonte. Më pasion të njëjtë ai besonte në vendin e tij, jo tek Rusia, por tek Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike. Megjithatë, qe Gorbaçovi ai që bëri më shumë se kushdo tjetër për ta vrarë komunizmin. Në vend që të sundojë nga Kremlini, siç beson një pjesë e tij se po bën akoma, Gorbaçovi tani udhëton pa ndërprerje, duke përdorur padyshim valixhen e tij Louis Vuitton, të cilën e reklamon anëembanë botës.

 

Ai bën goxha para në rrethin ndërkombëtar të leksioneve dhe ka shumë aktivitete të tjera. Vetëm në qershor, ai incizoi disa prej këngëve të tij popullore që i pëlqejnë më shumë për një shumë të madhe, që shkoi për bamirësi. Teknikisht ai jeton në Moskë, por kalon pak kohë në Rusi. Miqtë e tij më të mirë janë oligarkë miliarderë, të cilët ndihmojnë të mbahen dy fondacionet e Gorbaçovit, njëri që mban arkivën e dokumentave të tij, tjetri në kujtim të bashkëshortes së tij të ndjerë Raisa, që lufton kancerin tek fëmijët. Ai është një figurë pothuajse e injoruar në Rusi, edhe pse ka aksione në një gazetë moskovite me një prej mbështetësve pasanikë të tij, oficerin e dikurshëm të KGB-së, Aleksandër Lebedev, i cili kohët e fundit shkaktoi një eksitim mediatik kur bleu "Evening Standard".

 

Kur Gorbaçovi kujtohet në vend, ai akuzohet në mënyrë të pandryshueshme si njeriu që dorëzoi një perandori pa luftë dhe shkaktoi kolaps ekonomik kur bashkimi u prish në vitin 1991. Për nacionalistët rreth Vladimir Putinit kjo qe një katastrofë poshtëruese, për të cilën Gorbaçovi qe direkt përgjegjës dhe nga e cila Rusia tani po e merr veten. Në librat e rinj shkollorë mezi përmendet dhe pastaj në mënyrë mizore si shënim në fund të faqes, ndërsa Stalini përshëndetet si "një lideri i madh rus" (nuk ka rëndësi se qe gjeorgjian). Jashtë Rusisë, historia do të ishte më e përzemërt.

Gorbaçovi do të kujtohet si figura kryesore në çlirimin e një të tretës së Europës nga pushtimi ushtarak dhe totalitarizmi, për rolin e tij në mbarimin e Luftës së Ftohtë, dhe si një prej lojtarëve kyç në javët konfuze të revolucionit në vitin 1989. Veç kësaj, vitet e fundit të sundimit të tij dhe disa të parët nën pasuesin e tij, Boris Jelcin, mund të vijnë e të shikohen si një epokë e qetë e shkurtër lirie në Rusi. Sigurisht, Gorbaçovi nuk kish ndërmend që të sillte asnjë prej këtyre gjërave. Ai u përzgjodh nga një grup prej 18 manjatësh të plakur komunistë kryesisht për shkak të rinisë relative, energjisë dhe sharmit të tij. Kishte pasur tri funareale liderësh sovjetikë në 2 vjet e gjysëm përpara se Gorbaçovi të zgjidhej më 10 mars të vitit 1985. Leonid Brezhnjevi, qe në pushtet për pothuajse 20 vjet dhe mishëronte atë çka dhe këshilltarët e tij privatisht e quanin "një epokë stanjacioni".

 

Në vitet e fundit të tij, Brezhnjevi qe aq i dobët sa që u desh të ngjitej me ashensor në Mazoleumin e Leninit gjatë paradave në Sheshin e Kuq. Juri Andropovi, qe i sëmurë terminal kur mori pushtetin. Në pjesën më të madhe të 13 muajve të tij në detyrë, ai e drejtoi vendin nga një krevat spitali. Konstantin Çernjenko, detyra kryesore e të cilit në qeveri kishte qenë ndezja e cigareve të mikut më të mirë Brezhnjev, qe një 70-vjeçar i sëmurë i përkohshëm. Brishtësia e tij simbolizonte gjendjen e vendit. Bosët e partisë në vitin 1985 do të kishin dashur të zgjidhnin një prej racës së tyre, por asnjë kandidat i besueshëm më i moshuar nuk ishte gjendje dhe bile edhe ata i kishin dëgjuar barcaletat që qarkullonin në vend. "Shokë, do ta fillojmë kongresin në mënyrën tradicionale, me gjetjen e Sekretarit të Përgjithshëm".

 

Përzgjedhja e Gorbaçovit u bë nga Andrei Gromiko, ministri i Jashtëm, fytyrëngrysur i linjës së ashpër që për katër dekada ishte njohur si "Mr. Nyet" i diplomacisë sovjetike. Ai i siguroi kolegët e tij se Gorbaçovi, anëtari më i ri i Byrosë Politike në moshën 54-vjeçare, ishte njeri i brumit të tyre, por me energjinë për të rivendosur prestigjin e Bashkimit Sovjetik. Ata nuk e përzgjodhën Gorbaçovin pse pak muaj më parë Margaret Theçeri kishte thënë, se ajo mund të bënte biznes me të. Ata e zgjodhën atë, sepse mendonin se kishte energjinë për ta ringjallur sistemin e atrofizuar sovjetik. Gromiko tha se, Gorbaçovi besonte në mbrojtjen e fortë dhe ruajtjen e perandorisë evropiane të Bashkimit Sovjetik. Ai konkludoi: "Ai ka një të qeshur të bukur, por, shokë, Mikhail Sergejeviçi ka dhëmbë të hekurt".

Gjithashtu, ai u duk një diçka e re edhe në Uashington. Xhek Metlok, këshilltari kryesor për Bashkimin Sovjetik i Agjencisë së Këshillit Kombëtar të Ronald Reganit dhe shpejt për t'u emëruar ambasador i Shteteve të Bashkuara në Moskë, i ndante entuziazmi fillestar. "Në vend dhe jashtë çdo njeri qe i lodhur së shikuari perandorinë sovjetike të lëngonte nën të paaftë të dobët", shprehet ai. "Gorbaçovi ecën, ai flet, kostumet i rrinë mirë.... kështu që e marrosi botën". Gorbaçovi qe lideri i parë sovjetik i lindur pas revolucionit bolshevik. Historia e tij ishte historia tipike e një djaloshi të ri fshatar nga Bashkimi Sovjetik provincial nën Stalinin. Rajoni i tij i Kaukazit Verior vuajti tmerrësisht nga uritë e shkaktuara nga njeriu të viteve Tridhjetë. Gorbaçovi kujtonte më vonë sesi kish parë fqinjët t'i vdisnin nga uria. Fillimisht ai u mbrojt nga më e keqja: gjyshi nga nëna, një komunist i hershëm, drejtonte fermën lokale, por pas spastrimit të madh të Stalinit të vitit 1937, mbrojtësi i tij u arrestua si "kundërrevolucionar trockist i djathtë" dhe për 14 muaj familja e tij qe e refuzuar, deri kur gjyshi u kthye nga burgu. Gorbaçovi mësoi të konformohej. Ai u bë njeri i partisë dhe partia i dha atij gjithçka. Teksa ngjitej në hierarki, ai nuk tregonte asnjë shenjë joortodoksie. Ai u bë i famshëm si mjeshtër servilizmi, në një burokraci, ku servilizmi vlente për gjithçka. Më pas, Gorbaçovi tha: "Të gjithë ia lëpinim bythën Brezhnjevit, të gjithë ne". Nuk ka qenë deri kur arriti në Byronë Politike, që t'i lejonte vetes të shfaqte një prej karakteristikave të tjera më tërheqëse të tij: një ndjenjë humori. Privatisht, ai ishte grumbullues dhe tregues i madh barcaletash komuniste dhe bile i krijoi edhe vetë disa.

 

Shakatë mënjanë, Gorbaçovi i befasoi ndihmësit e tij nga besimi i sinqertë ndaj socializmit. Cinizmi ishte futur aq thellë në shpirtin e komunizmit sovjetik, sa që pak njerëz me mend brenda sistemit e merrnin seriozisht ideologjinë. Gorbaçovi ishte i bindur se, Lenini e kishte caktuar rrugën dhe se i takonte atij që ta kthente në të Bashkimin Sovjetik pas "kthesës së gabuar" të Stalinit. Ai fliste shpesh për Leninin si një "gjeni special" dhe e lexonte në mënyrë të vazhdueshme, bile edhe në ditët e tij të fundit në Kremlin. Diplomati Sergei Tarasenko, i cili punonte ngushtë me Gorbaçovin, thotë se shumica e aparatçikëve anëembanë perandorisë i përdornin pa bindje mësime të tilla: "Ishte politikisht korrekt ta kishe Leninin në bibliotekën tënde. Nëqoftëse do të shkruanit një fjalim, ju qetë entuziast për gjetjen e një citati të Leninit, kështu që i drejtoheshit indeksit". Gorbaçovi qe një besimtar i rrallë i vërtetë që mendonte se, themeluesi i Bashkimit Sovjetik kishte një dobishmëri të veçantë për vetë pozicionin e tij, 70 vjet më vonë.

 

Qe në një "tur" në Leningrad në maj të vitit 1985, disa muaj pasi kish marrë postin, që të dy termat e identifikuar përgjithmonë me epokën e Gorbaçovit u futën në leksikun politik. Perestrojka dhe gllaznosti u bënë fjalë kyçe globale, por në rusisht ato patën definicione specifike. Kur i përdori Gorbaçovi, ato nënkuptonin saktësisht atë çka ai i zgjodhi që të nënkuptonin. Në ditët e para të saj perestrojka - "ristrukturimi" - nënkuptonte një proces modest reforme për të përmirësuar disiplinën e vendit të punës. Gorbaçovi futi një seri masash energjetike për t'u lejuar ndërmarrjeve që të tregonin më shumë inisiativë dhe bëri disa ndryshime në shpërndarjen e mallrave. Ai largoi dhjetëra njerëz të Brezhnjevit dhe burokratë të korruptuar të "epokës së stanjacionit". Ai ndërmorri hapa për të futur një çikë më shumë demokraci në sistem nëpërmjet riorganizimit të listave elektorale, por ende brenda një shteti monopartiak. Gjithsesi, asnjëra prej tyre nuk qe revolucionar. Ai nuk kishte asnjë synim, që ta braktiste planifikimin qendror, futjen e ekonomisë së tregut, liberalizimin e çmimeve dhe pagave apo të braktiste monopolin e komunistëve ndaj pushtetit.

Pas katër vitesh në pushtet, ai bëri një hap radikal: lejoi një zgjedhje për Kongresin e Deputetëve të Popullit, teorikisht trupa më e lartë legjislative në vend dhe, ndërsa siguroi një mazhorancë të manipuluar për komunistët, ai lejoi zgjedhjen e disa kritikëve, si puna e fizikanit disident Andrei Sakarov. Gorbaçovi foli shumë për demokracinë, por kurrë nuk do të rrezikonte që ta vinte veten në zgjedhje.

 

Ai donte të "ristrukturonte" gjithçka, por pa prekur themelet. Gllaznosti - "hapja" - qe gjithashtu një festë në lëvizje. Ajo filloi në mënyrë të matur, por, siç ia kishin frikën kritikët e saj konservatorë, sapo gazetarët u inkurajuan që të botonin lajme rreth zyrtarëve të paaftë, një nënklasë me varfëri masive në qytetet apo shtypjen e lëvizjeve nacionaliste dhe disidentëve, procesi u bë i vështirë për t'u kontrolluar. Bashkimi Sovjetik i Gorbaçovit nuk kishte një shtyp krejtësisht të lirë, por ai ishte më i lirë nga sa kish qenë ndonjëherë. Gorbaçovi mendonte sinqerisht se, botimi i veprave të shkrimtarëve të tillë si Solzhenicin apo Pasternak dhe zbulimet rreth tmerreve të historisë sovjetike do t'i bënin qytetarët që të përpiqeshin ta bënin Bashkimin Sovjetik të punonte më ndershmërisht dhe me më rendiment. Sigurisht, kjo thjesht i bëri ata që ta urrenin komunizmin akoma më shumë dhe vetëm një besimtar i vërtetë mund ta kish imagjinuar ndryshe.

 

Gllaznosti pati efekte shumë më radikale nga sa ai shpresonte, në Bashkimin Sovjetik dhe në shtetet satelite e afërta të Europës Lindore. Për hir të së vërtetës, ai nuk bëri asgjë për ta ndaluar procesin apo për të marrë masa represive ndaj medias. Edhe disa prej admiruesve të mëdhenj të Gorbaçovit, njerëz të zgjuar dhe të talentuar që punuan pa u lodhur për të si këshilltarë, nganjëherë i zemëruan nga metodat e tij. Një shembull klasik ndodhi brenda pak ditësh, pasi ai mori pushtetin. Gorbaçovi ishte i vendosur të përballej me një ves të keq rus: vodka. Në vitin 1984, më shumë se 9 milion pijanecë të marrë nga rrugët e Bashkimit Sovjetik. Vdekjet e parakohshme, krimi, varfëria dhe familjet e shkatërruara mund të shikoheshin kudo. Më 4 prill të 1985, pas 3 javësh si "SekiPër", ai mblodhi Byronë Politike dhe deklaroi se, qysh nga ai çast çmimi i vodkës do të trefishohej. Birrat dhe verërat do të uleshin me tri të katërtat e çmimit. Vladimir Demencev, ministri i Financave, e paralajmëroi se do të krijohej gropë e madhe në buxhetin kombëtar. Gorbaçovi e ndërpreu dhe deklaroi: "Ajo çka thatë nuk është gjë e re. E dimë, se nuk ka para për ta mbuluar atë, por ju nuk po propozoni gjë tjetër, veçse të vazhdojmë t'i mbajmë njerëzit të dehur. Propozoni që ta ndërtojmë komunizmin mbi vodkë?". Askush nuk e vuri në diskutim autoritetin e Sekretarit të Përgjithshëm. Gorbaçovi ndoqi versionin e tij të prohibicionit me vendosmëri dhe për dreq. Pati radhë të gjata jashtë dyqaneve të pijeve dhe një treg i zi i lulëzuar u krijua brenda natës. Vrima e zezë financiare, që kish paralajmëruar Demencevi qe akoma më e madhe nga sa ai kish parashikuar. Përqindja e vdekjeve u rrit vertikalisht nga konsumi i pijeve alkoolike të bëra vetë. Pas tri vjetësh, Gorbaçovi e pranoi gabimin dhe e braktisi fushatën e tij, por një dëm i madh tashmë qe shkaktuar. Kjo qe tipike e mënyrës sesi ai qeverisi për 6 vjet e gjysëm. Gorbaçovi mund të ngjallte besnikëri dhe admirim të thellë nga vizioni, intelekti dhe sinqeriteti i tij. Mendimet dhe instinktet e tij "panoramikë" qenë të mira e të ndershme, edhe pse qenë të bazuara në analiza të gabuara. Ai donte të normalizonte marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe Europën, të abrogonte rrezikun e luftës Lindje - Perëndim, të ulte ndjeshëm shpenzimet ushtarake dhe të përmirësonte ekonominë e brendshme në Bashkimin Sovjetik. Ka rëndësi, nëse ai mendonte se të gjitha këto do të ndihmonin të forcohej komunizmi? Menjëherë, pasi mori pushtetin, ai dhe këshilltarët kryesorë të tij, më i njohur kryeapostulli i perestrojkës, Aleksandër Jakovlev, kishin arritur në konkluzionin se vendet e Traktatit të Varshavës qenë më shumë barrë sesa leverdi, por kurrë nuk doli me një strategji për t'i hequr ato nga kurrizi i vet. Pse sovjetikët e lëshuan perandorinë e tyre aq paqësisht? Dhe pse vetëm brenda pak muajsh në fundin e viteve Tetëdhjetë? Tri prej faktorëve më të rëndësishëm janë ata më pak të përmendur, sigurisht në Shtetet e Bashkuara dhe në Europës, ndoshta sepse nuk u mëshojnë roleve të luajtur nga papë, presidentë dhe kryeministra perëndimorë. Thelbësisht, europianolindorët çliruan veten, por midis arsyeve që ato qenë në gjendje të vepronin kështu ishin humbja e Bashkimit Sovjetik në Afganistan, borxhi i jashtëm dëmtues i përballuar nga regjimet komuniste në Traktatin e Varshavës dhe rënia dramatike në çmimet e naftës gjatë viteve Tetëdhjetë, që nuk bënë gjë tjetër veçse e falimentuan Bashkimin Sovjetik. Gorbaçovi po reagonte ndaj këtyre evenimenteve njëlloj si ndaj nevojës për të bërë ujdi gjeopolitike me amerikanët.

 

Përsa i përket faktorit të parë, ekziston një arsye prioritare, se pse në fillim të revolucionit të Solidarnostit në Poloni gjatë viteve 1980 - 1981, Bashkimi Sovjetik nuk dërgoi tanket në Varshavë dhe Gdansk, siç i kish dërguar në Budapest më 1956 dhe Pragë më 1968. Përgjigja erdhi nga apologjeti më i ashpër për imperializmin sovjetik në lidershipi e Kremlinit, kryeideologu Mikhail Susllov. "Thjesht nuk mund ta lejojmë një Afganistan tjetër në duart tona", tha ai gjatë një debati shumë të vështirë lidershipi. Sovjetikët kuptuan se kishin gabuar rëndë me pushtimin e Afganistanit, menjëherë pasi trupat e tyre shkuan në fund të vitit 1979. Gorbaçovi nuk kishte dorë në vendimin për të shkuar atje. Ai ishte një aparatçik i ri në atë kohë dhe kishte marrë vesh për të vetëm nëpërmjet radios. Ai midis zyrtarëve të parë sovjetikë, që e quajti luftën "plaga jonë e pambyllur" dhe e krahasoi atë me Vietnamin. Në kohën që ai mori pushtetin, pothuajse 10 000 trupa sovjetikë qenë vrarë. Ai dhe enturazhi i tij qenë të vendosur për t'i dhënë fund luftës, sidomos ndërsa gjeneralët u shprehën se lufta nuk mund të fitohej dhe se maksimumi që forcat e armatosura sovjetike mund të bënin qe "stabilizimi i situatës". Problemi ishte si të bëhej pa humbur shumë fytyrë. Ai mund të ish tërhequr në muajt e parë në post dhe t'ia vishte paraardhësve të tij luftën gjithnjë e më shumë jopopullore. Një lëvizje e tillë do të kish fituar përgëzime të mëdha nga Perëndimi, por e humbi mundësinë. Ai nuk mund ta duronte poshtërimin e humbjes sovjetike nga një bandë e vogël "terroristësh". Siç e tha: "Miqtë tanë... do të preokupoheshin... Ata mendonin se kjo do të ishte një goditje e rëndë ndaj autoritetit sovjetik". Kështu, për katër vjet ai foli në mënyrë evazive, rreth 6000 sovjetikë dhe 200 000 afganas të tjerë vdiqën dhe hapësira për manovër sovjetike tjetërkund u reduktua. Në kohën që Ushtria e Kuqe la Afganistanin, disidentët në Europën Qendrore dhe Lindore qenë shumë më pak të frikësuar se sovjetikët do të përdornin forcë kundër tyre.

Kurse përsa i përket faktorit të dytë, Miklós Németh, kryeministër hungarez në fundin e viteve Tetëdhjetë, ka shpjeguar se si vendi i tij ka përdorur një hua prej 1 miliard dojçmarkash nga Gjermania Perëndimore në vitin 1987. Paratë supozohej që të shkonin për reforma ekonomike, por "Ne i shpenzuam dy të tretat e tyre në pagimin e interesave (të huave të mëparshme) dhe pjesën tjetër, duke importuar mallra konsumi për të lehtësuar efektin e krizës ekonomike". Të gjitha regjimet e bllokut lindor (përjashto Rumaninë) qenë masivisht në borxh ndaj Perëndimit: me pothuajse 150 miliard dollarë në fundin e vitit 1989. Ata gënjenin paprerë rreth ekonomive të tyre. Gjermania Lindore, të cilën Banka Botërore ishte mashtruar duke e radhitur si vendin e 11-të më të pasur të botës, paguante më shumë se 70 përqind të të ardhurës kombëtare të saj në huara të huaja dhe e gjente të vështirë të bënte pagime interesi. Liderë komunistë si Eric Honecker dhe János Kádár, mendonin se mënyra e vetme për të vazhduar ishte të huazohej nga bankat perëndimore. Bankat perëndimore e shikonin Europën Lindore si një bast të sigurtë - mendonin se, "garancia" sovjetike do ta përjashtonte dështimin, por Gorbaçovi nuk e kishte më vullnetin ose nuk qe i aftë që t'u jepte garanci ekonomike apo politike regjimeve të Traktatit të Varshavës. Siç e shpjegon Németh, i cili vazhdoi duke u bërë bankier, "vrasja e sistemit komunist filloi në momentin që bankat perëndimore... u dhanë huara vendeve si Hungaria. Atëherë ngecëm".

 

Faktori i tretë, rënia e çmimeve të naftës nga periudha 1985-1986, prodhoi krizën finale të komunizmit sovjetik. Të ardhurat e eksportit të Bashkimit Sovjetik, ranë në mënyrë vertikale, gjë që i bëri shumë njerëz në lidership që të habiteshin rreth mënyrës sesi funksiononte sistemi ekonomik i perandorisë. Ia vlente barra qiranë të subvencionoje vendet e Traktatit të Varshavës me naftë dhe gaz natyror të lirë në shkëmbim të mallrave të konsumit të prodhuara shumë keq? Ekonomistë dhe institute kërkimore në Moskë po fillonin të vinin në pikëpyetje marrëdhënien midis Bashkimit Sovjetik dhe kolonive të tij. Më pas, ndodhi një skandal i vogël që motivoi veprimin. Aleati më i ngushtë i Bashkimit Sovjetik, Bullgaria, po ia shiste Perëndimit naftën e lirë që merrte nga Bashkimi me çmim tregu dhe po fuste në xhep diferencën me valutë të huaj. Kur e dëgjoi, Gorbaçovi u bë si bishë kundër Todor Zhivkovit, diktatorit që kish qenë në fuqi në Sofje me tri dekada me radhë. Ai transformoi qëndrimin e tij ndaj Europës Lindore, në të cilën prapëseprap po u himbiste interesin. Ai ndryshoi termat e tregtisë midis Bashkimit Sovjetik dhe vendeve europianolindore dhe i tha liderëve të regjimeve se, duhej të qëndronin ose të binin vetë, se Bashkimi Sovjetik nuk do t'u vinte më në ndihmë kundër vetë popujve të tyre. Kokëfortë të vjetër si Erich Honecker, nuk i besuan dhe mendonin se Europa Lindore qe tejet e rëndësishme për Bashkimin Sovjetik sa ta braktiste.

 

Perëndimi është bërë një atraksion i madh për Gorbaçovin, jo vetëm në terma gjeopolitikë, por edhe personalë. Ai urrente përgatitjet për udhëtime në kryeqytetet e Traktatit të Varshavës, por ekzitohen në samitet në Londër, Paris apo Romë. Koka e tij ishte kthyer nga "Gorbimania" e viteve Tetëdhjetë. Ai mërzitej në kulm nga diskutimet me anëtarët e rrjedhur të Byrosë Politike në Pragë. Çfarë qenë ato krahasuar me një kortezh automobilash nëpër Avenjunë e Pestë i përshëndetur nga amerikanë që mbanin flamuj sovjetikë dhe pankarta në duar që lexonin "I bekuar qoftë Paqëtuesi"? Gorbaçovi nuk e pati kurrë një plan as për t'u tërhequr nga Europa Lindore, as për ta ruajtur pushtetin sovjetik atje. Ai imagjinonte se, mund të inkurajonte "mini Gorbaçovë" për të zëvendësuar diktatorët e plakur dhe të paaftë aq shumë të urryer nga populli. Llogaritja e gabuar më e madhe e tij ishte që me rënien e Murit të Berlinit, këto vende do të zgjidhnin që të qëndronin brenda orbitës socialiste. Por e kish marrë kohë më parë vendimin se nuk do ta përdorte forcën për të ruajtur një perandori. E njëjta mund të thuhet për jo më shumë se, një grusht të tjerësh në histori. Gorbaçovi qe një dështim. Ai besonte se, mund ta shpëtonte komunizmin. Ai qe një patriot i një vendi që kish pushuar së ekzistuari, ndërkohë që ai ndodhej në krye të tij. Ai është plot kontradikta, si njeri dhe si figurë historike, dhe më e madhja është se Mikhail Gorbaçovi do të kujtohet si njeri i madh, sepse dështoi.

 

Victor Sebestyen është autor i librit "Revolution 1989: the Fall of the Soviet Empire" (shtëpia botuese Weidenfeld & Nicolson).

Përgatiti: ARMIN TIRANA
Armin Tirana


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Misteret e së shkuarës së njerëzimit (08.10.2009)
Letra e Hapur drejtuar presidentit i shikon marrëdhëniet SHBA-Evropë Lindore të lëkundura nga Rusia (08.10.2009)
Rikthim në nënshtetësinë fillestare: hebrenjtë sot dhe Gjermania (08.05.2009)
Shekulli marsian (08.05.2009)
Misionet Apollo gjatë 4 vjetëve të eksplorimeve në Hënë (08.04.2009)
Rasmusen aleati i besueshëm i SHBA (08.03.2009)
Historia e çuditshme e Nikita Hrushovit në Hollivud (08.02.2009)
Profesor Doktor Nestor Thereska flori i dalë nga floririNga Agron SEJAMINI (07.31.2009)
Femrat gjithnjë e më të bukura, jo të bukurat drejt zhdukjes (07.28.2009)
Rruga e shkrimtares Rozi Theohari drejt suksesit letrar në SHBA (07.26.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]