VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Rrok Gera ose një pjesëz e historisë shqiptare

Nga Skifter Këlliçi


E Enjte, 08.20.2009, 02:52pm (GMT1)

Në verën e vitit 1951, kur nuk isha veçse 11 vjeç, shkova përsëri në Shkodër, në qytetin ku kishte lindur nëna ime. Por nëse vite më parë, shumë i vogël, nuk kisha shkuar më larg se varrezat e vjetra, ku diku aty, më pas u ndërtua Teatri "Migjeni", këtë herë së bashku me një kushëririn tim, më i madh se unë në moshë, i nxitur edhe nga disa prej tregimeve të vëllimit "Hijet e maleve" të Ernest Koliqit, që kisha lexuar fshehurazi, sepse ishte libër i ndaluar, shkuam më tutje.

Kaluam mëhallën "Firej", pastaj rrugën "Geraj" dhe përmes një porte që kishte mbetur e hapur na u shfaq oborri me kalldrëm, kopshti me lulet shumëngjyrëshe dhe një shtëpi e madhe, e gurtë, ashtu siç i përshkruante Koliqi.

 

-Kjo është shtëpia e Rrok Gerës, -më tha kushëriri, me zë të ulët, sikur të kishte frikë se mos na dëgjonte ndokush, ndonëse ishim të vetëm në rrugë. -Ai ka rënë në burg prej vitesh, sepse ka qenë ministër i Financave në kohë të Zogut. Por këtu në Shkodër e lëvdojnë se ka qenë burrë i kënduar e fort i zoti.

Më 1954, një vit para se të mbaroja gjimnazin, në katin e parë të shtëpisë sonë, ku banonte një familje shkodrane, erdhi për të bujtur nga Shkodra një vajzë. U njoha me të dhe u habita kur mësova se ajo ishte e bija e Rrok Gerës, atij ministrit të Financave që vazhdonte të ishte në burg, i dënuar me 20 vjet...

 

Ajo do të mbaronte një vit më pas maturën, por siç m'u shpreh nuk kishte asnjë shpresë që të vazhdonte studimet e larta, ndonëse ishte nxënëse e shkëlqyer. Dhe arsyeja merrej me mend. "Por baba im nuk ka bërë asgjë në dëm të popullit që të meritojë këtë dënim kaq të rëndë", më pati thënë ajo atëherë plot trishtim. Dhe përfundoi kështu mësuese në fshatrat e Burrelit. Në pranverë të vitit 1960, tashmë gazetar në Radio Tirana, pata rast të ndodhem përsëri në Shkodër, për të shkruar një reportazh. Dhe ja, në "Kafen e Madhe", siç quhej, u takova përsëri me kushëririn tim. Tek pinim kafe, pamë që hyri një burrë, disi i moshuar, me pamje të fisme, që u përshëndet me përzemërsi nga të tjerë, të cilët e ftuan të ulej në tryezë me ta.

-Ky është Rrok Gera, për të cilin të pata folur dikur, -më tha kushëriri. -Ka dy vjet që është liruar nga burgu. E nxorën të pafajshëm e tash punon diku nëpunës i thjeshtë, kur mund të kishte qenë specialist i rrallë në Ministrinë e Financave, ku ka punuar në vitet "˜30, pas mbarimit të studimeve në Austri.

Të gjitha këto ngjarje m'u rikujtuan pasi lexova librin "Rrok Gera, jeta dhe vepra" të prof.dr.Vladimir Misjes, në të cilin, natyrisht, lexon ngjarje e fakte të tjera të hollësishme që shpalosin jo vetëm jetëshkrimin dhe veprimtarinë e këtij këtij ekonomisti të madh shqiptar, por edhe një pjesëz të historisë së Shkodrës dhe të Shqipërisë në fushën ekonomike, në fund të shekullit të 19-të dhe në dakadat e para të shëkullit të 20-të. Por m'u kujtua edhe vetë autori, Vladimir Misja, edhe ai ndër ekonomistët më të njohur, këtë radhë të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar dhe sot, akademik, fitues i Çmimit të Republikës për veprimtari të lartë shkencore, autor i shumë veprave të rëndësishme në fushën e ekonomisë, të cilin e kam njohur në fillim të viteve "˜50-të, kur u kthye nga studimet e larta të kryera në Bashkimin Sovjetik, edhe si një ndër gjyqtarët më të mirë të basketbollit të atyre viteve.

 

 

Libri "Rrok Gera, jeta dhe vepra"

 

Libri i tij i ri "Rrok Gera, jeta dhe vepra", është një portret për këtë personalitet të shquar në fushën e financës, që ashtu si studiues të tjerë, u bënë pre e diktaturës së egër komuniste, vetëm e vetëm se u përpoqën, ashtu siç ka pohuar vetë Rrok Gera në procesin gjyqësor, se gjithçka që kishte bërë, e kishte bërë për të mirën e vendit. Kur lexova këto radhë në libër, m'u kujtua një tjetër financier i dëgjuar, Haxhi Shkoza, mbaruar studimet e larta në Stamboll, që pas vendosjes së diktaturës komuniste, vërtetë nuk përfundoi në burg, por mbeti llogaritar i thjeshtë në një ndërmarrje të Tiranës, në një kohë që vepra e tij "Financat në Shqipëri", botuar më 1935, shqyrtohej nga tërë studiuesit tanë në fushën ekonomike dhe qysh në vitin e botimit cilësohej nga Rrok Gera si "...një mik i çmueshëm i të gjithë atyne që dëshirojnë me plotësue ditunitë e tyne mbi gjendjen financiare të shtetit tonë...një vepër që përmbledh legjislacionin financiar të Shqipnisë",("Rrok Gera, jeta dhe vepra", faqe 78)...

Pas studimeve me nota shumë të larta në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Vjenës, Rrok Gera i kishte të gjitha mundësitë që të qëndronte në Austri, por vendosi të kthehej në atdhe dhe më 1930 të fillonte të punonte në Ministrinë e Financave për t'u bërë, së pari sekretar i përgjithshëm dhe për të përgatitur mbi 70 projektligje të rëndësishme për çështje të sistemit tatimor dhe për të themeluar të parën revistë shkencore, me titull "Ekonomisti Shqiptar".

Për merita të veçanta në punë, më 1935 Rrok Gera u emërua Ministër i Financave në qeverinë e Mehdi Frashërit, e quajtur "e të rinjve", që bënte thirrje për marrëdhënie më të ngushta me Italinë," kurse në planin e brendshëm, angazhohej të përmirësonte dhe të forconte administratën, të zhvillonte kulturën, artin, arsimin ("Rrok Gera, jeta, vepra", faqe 80). Gjithashtu, qeveria do të luftonte për çrrënjosjen e nepotizmit e të korrupsionit si dhe do të luftonte për pavarësinë e sistemit gjyqësor. (Po aty). Por ky program u kundërshtua në parlament dhe qeveria u detyrua të jepte dorëheqjen. Bashkë me të edhe Rrok Gera.

Kjo ishte etapa e parë e veprimtarisë së tij. Më pas për Rrok Gerën, Ministria e Jashtme e Britanisë së Madhe (Forein Ofis), do të shprehej kështu: "Në tetor të vitit 1935 iu dha portofoli i Ministrit të Financave në kabinetin e Mehdi Frashërit. Ai erdhi në vendin e punës plot entuziazëm. Por pati liri të kufizuar në inisiativat e tij për të bërë ndryshime radikale në administratën financiare gjatë qëndrimit për një kohë të shkurtër të qeverisë së Mehdi Frashërit. "Rrok Gera...", faqe 80).

Etapa e dytë e veprimtarisë së Rrok Gerës në fushën e financave është riemërimi i tij si ministër i Financave, më 5 qershor të vitit 1938, deri më 7 prill 1939, ku ai do të bëhej një ndër protagonistët në përpjekjet për të ndaluar pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste. Ishte çasti kur Musolini i kërkonte mbretit Zog kontrollin e të gjitha porteve, komunikacioneve, rrugëve dhe aerodromeve...;që në çdo ministri të kishte nga një këshilltar italian; të cilëve t'u njiheshin në Shqipëri të njëjtat të drejta politike si shqiptarëve...("Rrok Gera..."faqe 86).

Këto kërkesa në formë ultimatumi nuk ishin tjetër veçse prologu i pushtimit të Shqipërisë. Siç përshkruhet në libër, në prag të pushtimit personalitetet më të larta të shtetit u mblodhën në shtëpinë e kryeministrit, Koço Kota. U vendos që për të biseduar me gjeneralin Guxoni, komandant i përgjithshëm i ushtrisë italiane, të caktohej një delegacion dhe ndonëse "...nuk ishte ministër i jashtëm dhe as komandant i ushtrisë, kjo detyrë iu ngarkua Rrok Gerës ("Rrok Gera...", faqe 90). Por qeveria fashiste nuk përfilli bisedimet me delegacionin shqiptar, të kryesuar nga Rrok Gera, që kërkonte të bënte ç'ishte e mundur për të mënjanuar pushtimin fashist të 7 prillit, të cilin ai e ka cilësuar si ditën më të tmerrshme të jetës së tij ("Rrok Gera...", faqe 91. Për rolin e tij në bisedimet e 7 prillit të vitit 1939 është shkruar edhe në revistën "Studime Historike" nr.1 të vitit 1964 dhe nr. 3 të vitit 1976). Në këtë situatë Rrok Gera vendosi të largohej së bashku me familjen në Larisa të Greqisë. Pastaj kërkoi të kthehej në atdhe, por autoritetet fashiste nuk e lejuan. Madje edhe e internuan në Itali, ashtu si edhe familjarë të tjerë të tij. U kthye në atdhe vetëm pas deklaratave se nuk do të merrej me çështje politike.

Etapa e tretë e veprimtarisë së Rrok Gerës lidhet me përpjekjet e tij për kombëtarizimin e Bankës Shqiptare në vitin 1944, kur Shqipëria ishte e pushtuar nga Gjermania naziste. Është periudha kur pozitat e kapitalit italian në Bankën Kombëtare të Shqipërisë pas kapitullimit të Musolinit, filluan të lëkundeshin. Por, megjithatë "...drejtuesit italianë të Bankës Kombëtare Shqiptare kishin marrë direktivë që të bënin të gjitha përpjekjet për të ruajtur të pacenuar interesat e grupit fianaciar të Bankës. ("Rrok Gera....",faqe 98).

Në këto rrethana, krejtësisht në kundërshtim me parimet, karakterin dhe dëshirën e tij, Rrok Gera, aty nga mesi i vitit 1944, pranoi më së fundi të bëhej ministër i financave. "Familjarët kujtojnë se herën e fundit për ta marrë nga shtëpia thuajse me detyrim, erdhi një veturë e një kamion me njerëz të armatosur... Për Gerën kishte ardhur koha të vinte në jetë projektin e tij për kombëtarizimin e Bankës. ("Rrok Gera..." faqe 104). Ky projekt u rrëzua me kundërshtimet e Fejzi Alizotit dhe Eqrem bej Libohovës, i cili kishte deklaruar "se në një projekt të tillë nuk do të hidhte kurrë firmën e tij" ("Rrok Gera...", po aty).

 

 

Kthimi në Shkodër, lirimi

 

Në këto rrethana, qeveria dha dorëheqjen dhe Rrok Gera u kthye në Shkodër. Ai kishte mundësi të largohej nga Shqipëria, por e pa të arsyeshme të qëndronte, sepse siç e kam përmendur më sipër "gjithçka që kishte bërë e kishte bërë në të mirë të vendit".

Sidoqoftë, në janar të viti 1945 u arrestua dhe u dënua nga i ashtuquajturi gjyq special në mars- prill të po atij viti. Me 10 vjet heqje lirie, ndonëse nuk pati asnjë dëshmitar kundër, u lirua nga burgu me një amnisti në nëntor të vitit 1949. Por, më 21 prill të vitit 1951 u arrestua sërishmi. Dhe, ndonëse përsëri nuk kishte asnjë provë kundër tij, u dënua me 20 vjet heqje lirie, me akuzën se "... ka ndihmuar në pushtimin e Shqipërisë dhe ka sabotuar rezistencën e popullit shqipatar'("Rrok Gera...." faqe 106).

Më së fundi, më 15 maj të vitit 1958, me vendim të Plenumit të Gjykatës së Lartë, Rrok Gera u deklarua i pafajshëm dhe u lirua nga burgu. Në shtëpinë e tij në Shkodër, ku kishte lindur, gjeti dy vajzat, por jo të shoqen, Gjyljetën, që kishte vdekur më 1955, kur ai kalonte vitet e tmerrshme në burgun e Burrelit. Rrok Gera u nda nga jeta më 28 janar 1969,pasi kishte punuar llogaritar në një fabrikë.U nda duke mbetur i respektuar nga shkodranët, ashtu i çiltër dhe i mirakandshëm, sic e njohta edhe unë nga larg, atë ditë pranvere të vitit 1960.

Thashë më sipër se libri "Rrok Gera, jeta dhe vepra" është edhe një pjesëzë e historisë sonë. Dhe jo pa arsye. Akademiku Vladimir Misja ka arritur të ndërthurë jetën e këtij ekonomisti të dëgjuar, viktimë e diktaturës komuniste, me kushtet social-ekonomike të Shkodrës dhe Shqipërisë, ilustruar gjithashtu me fakte, dokumente e foto të një periudhe prej më shumë se një shekulli, duke zgjeruar në këtë mënyrë edhe horizontin e lexuesit. Jo vetëm kaq..! Artikujt e Rrok Gerës, që në vitet e studimeve të tij në Austri dhe deri më 1940, të vendosura në fund të librit, janë një pasqyrë e zhvillimeve ekonomike të Shqipërisë së atyre viteve dhe përpjekjeve që ato të ecnin me një ritëm sa më të lartë, pavarësisht nga vështirësitë e kohës.
Skifter Këlliçi


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.