VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Nderim dhe respekt për Senatorin Kenedi në ceremoninë funebre

                                                                                      

E Shtunë, 04.20.2024, 02:31am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DOSSIER
 
Nderim dhe respekt për Senatorin Kenedi në ceremoninë funebre
E Djelë, 08.30.2009, 07:25am (GMT+1)

 

Familja Kenedi shpesh përshkruhet me termin "familja mbretërore e Amerikës" dhe ceremonia funebre e Eduard Kenedit tërhoqi një listë të gjatë figurash nga elita e Uashingtonit. Përveç presidentit Obama, të pranishëm ishin edhe ish-presidentët Xhimi Karter, Bill Klinton dhe Xhorxh Bush bashkë me bashkëshortet si dhe mbi 60 senatorë që shërbejnë aktualisht ose kanë shërbyer më parë në Kongresin amerikan.

Ceremonia u zhvillua nën zërin e tenorit Placido Domingo në interpretimin e pjesës Panis Angelicus, shoqëruar nga violinçelisti i njohur Yo-Yo Ma.

Presidenti Obama nënvizoi në fjalën e tij se Eduard Kenedi e filloi jetën si më i vogli i familjes Kenedi me 9 fëmijë dhe se familja kishte ambicje të mëdha për të, pas vrasjes së dy vëllezërve të tij, Xhon dhe Robert Kenedi. Presidenti Obama tha se Senatori Kenedi i tejkaloi ambicjet që kishte familja për të me atë që realizoi:

"Po i japim lamtumirën më të riut të fëmijëve të çiftit Rozë dhe Xhozef Kenedi. Bota do ta kujtojë për shumë kohë djalin e tyre Eduard si mbartësin e një trashëgimie të madhe; një luftëtar i zjarrtë për ata që s'kishin asgjë; shpirti i Partisë Demokrate dhe Luani i Senatit amerikan një njeri që ka lënë vulën e tij në afro 1 mijë ligje dhe ka hartuar mbi 300 ligje vetë."

Ted Kenedi, i njohur si një ndër kongresistët më efektivë në historinë e Senatit vdiq të martën nga kanceri në tru në moshën 77-vjeçare. Bindjet e tij liberale bëheshin shpesh shkak që ai të përplasej me ligjvënës konservatorë, por ai njihej gjithashtu për aftësinë e tij për kompromis në mënyrë që të arrihej miratimi i ligjeve. I lindur në një familje të pasur irlandezo-amerikane, Eduard Kenedi u dha me shpirt në ndihmë të të varfërve, të individëve me probleme fizike, të atyre që ishin të privuar, siç e theksoi edhe zoti Obama:

"Kontributi i Ted Kenedit nuk ishte në ndihmë të kauzave të atyre që ishin të pasur dhe të fuqishëm, por për të folur në emër të atyre që nuk i dëgjonte askush, për t'u ofruar atyre një shans që të ngjisnin shkallët e mundësive, për të bërë realitet ëndrrën e baballarëve të kombit." 

Senatori Kenedi i kishte planifikuar vetë shumë aspekte të ceremonisë funebre të tij. Ai kishte zgjedhur për zhvillimin e ceremonive Bazilikatën e Zonjës së Ndihmës së Përhershme, një kishë në qendër të qytetit që njihet për ndihmën që u jep të varfërve. Rreth 1 mijë e 500 vetë morën pjesë në ceremoninë 2-orëshe nën kupolën madhështore të bazilikatës.

Fëmijët, nipat e mbesat dhe të afërmit e Ted Kenedit u lutën së bashku për disa nga kauzat më të dashura të Senatorit, përfshirë ofrimin e kujdesit shëndetësor për të gjithë amerikanët.

Ndoshta ndër momentet më emocionale të ceremonisë ishin fjalët që thanë dy djemtë e senatorit. Djali i madh, Ted Kenedi i Riu, tregoi një histori nga koha kur i kishin prerë këmbën kur ishte 12-vjeç, pasi ishte diagnostikuar me kancer. I ati e kishte ndihmuar të ngjiste një kodër të mbuluar nga dëbora e ngrirë duke e inkurajuar me fjalët "Asgjë nuk është e paarritshme për ty."

Djali tjetër, ligjvënësi Patrik Kenedi që përfaqëson shtetin Rhode Island, kujtoi me mall se si që në moshë të vogël i ati e merrte me vete në garat me jaht në gadishullin Cape Cod.

Edhe Presidenti Obama përmendi në fjalën e tij dashurinë që kishte ushqyer Senatori për lundrimin, kur u shpreh se tani Ted Kenedi do të bashkohej me njerëzit e dashur që ka humbur prej kohësh:

"Më së fundi ai bashkohet me ta përsëri, duke na lënë të gjithë ne që vajtojmë vdekjen e tij me kujtimet që la pas, me të mirat që bëri, me ëndrrën që mbajti gjallë dhe me një pamje të pavdekshme para syve atë të një njeriu në anije, duke buzëqeshur lirshëm gjatë lundrimit drejt erës, i përgatitur për çfarëdo stuhie që mund të fillojë, në udhën drejt një vendi edhe më të mrekullueshëm përtej horizontit." 

Ceremonitë funebre për Senatorin kurorëzuan disa ditë homazhesh, kur politikanë demokratë e republikanë nderuan kujtimin dhe veprën e tij. ZA

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Trashëgimia që la pas senatori Ted Kenedi (08.29.2009)
Presidenti Obama: Ted Kenedi një nga ligjvënësit më të mëdhenj të kohës (08.29.2009)
SHBA: Personalitetet më të larta ia japin lamtumirën senatorit Ted Kenedi (08.29.2009)
Amerika kujton jetën dhe veprën e senatorit Eduard Kenedi (08.29.2009)
Liderët botërorë mblidhen për t'ia dhënë lamtumirën e fundit Senatorit Eduard Kenedi (08.29.2009)
Luani i Senatit dhe gjurmët e tij në politikën e jashtme (08.29.2009)
Në Boston homazhe pranë trupit të Senatorit Eduard Kenedi (08.29.2009)
Historiani shqiptaro-amerikan Nikolla Pano vlerëson Senatorin Kenedi (08.28.2009)
Autobiografia e Eduard Kenedit del në shtator (08.27.2009)
Nderimet e fundit për Kenedin (08.27.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]