E Premte, 03.29.2024, 04:23pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DOSSIER
 
Lufta e Dytë Botërore filloi 70 vjet më parë në Poloni
E Martë, 09.01.2009, 01:23pm (GMT+1)

 

Përpara 70 vjetësh, më 1 shtator të vitit 1939 në orën 04:45 të mëngjesit, anija luftarake gjermane Schleswig-Holstein goditi për herë të parë me top Poloninë në Luftën e Dytë Botërore, duke e mbuluar me zjarr bazën polake Westerplatte, pranë Gdanskut. Ky sulm shënoi fillimin e një lufte që shkaktoi vdekjen e rreth 50 milion personave në të gjithë botën, afro gjashtë milion prej të cilëve polakë.

 

"Polonia këmbëngul në atë që 1 shtatori i vitit 1939 të mbetet i gdhendur në kujtesë si data e fillimit të kataklizmës më të madhe të shekullit XX, që lidhet me agresionin e Gjermanisë, më tej të Rusisë sovjetike, kundër Polonisë", deklaroi kryeministri polak Donald Tusk.

 

Sot, rreth 20 kryetarë qeverish do të jenë të pranishëm në këtë përvjetor në monumentin kushtuar mbrojtësve të Westerplatte-t. Mes të ftuarve, janë kancelarja gjermane Angela Merkel, kryeministri rus Vladimir Putin dhe kryeministrat François Fillon i Francës, Silvio Berlusconi i Italisë, Julia Timoshenko e Ukrainës dhe Fredrik Reinfeldt i Suedisë, që është edhe president i radhës së Bashkimit Evropian.

 

Administrata amerikane përfaqësohet nga ish-sekretari i Mbrojtjes, Yilliam Perry dhe Këshilltari për Sigurinë kombëtare, James Jones. Numri jo i madh i anëtarëve të delegacionit amerikan ka shkaktuar komente të ashpra në Poloni.

 

Pjesëmarrja e Angela Merkel dhe e Vladimir Putinit është e veçantë, ndërkohë që interpretimet historike të luftës ndryshojnë në të tre vendet.

 

Me afrimin e përvjetorit, media polake publikoi shumë deklarata të historianëve rusë, të cilët akuzojnë Poloninë për paktin e nënshkrur në vitet 1930 me Hitlerin dhe ia hedhin Varshavës një pjesë të përgjegjësisë për shpërthimin e konfliktit. Shërbimi rus i zbulimit të brendshëm (SVR) njoftoi bërjen publike së afërmi të dokumenteve të reja të "papublikuara ndonjëherë" lidhur me politikën e Polonisë në vitet 1935-1945, ku përfshihen veçanërisht disa "plane sekrete" të Varshavës në prag të luftës. Një projekt memorial në Berlin kushtuar zhvendosjes së popullsive në Europë pas vitit 1945 vazhdon të ngjallë shqetësime në Poloni duke parë të vihen në të njëjtin plan vuajtjet e viktimave të nazizmit dhe ato të gjermanëve të dëbuar nga vende të Europës Qendrore pas luftës. Disa miliona prej tyre janë detyruar të largohen nga territoret e dhëna Polonisë nga fuqitë aleate në kompensim të territoreve lindore të marra nga BRSS-ja. Në këtë mënyrë, miliona polakë kanë qenë viktima të këtyre ndryshimeve të kufijve.

Në një deklaratë të përbashkët të publikuar me afrimin e përvjetorit, peshkopët katolikë polakë dhe gjermanë paralajmëruan për "tentativa për shfrytëzimin e plagëve të së kaluarës dhe për zgjimin e ndjenjave me interpretime të njëanshme të historisë". Ata dënuan në të njëjtën kohë krimet e Luftës së Dytë Botërore dhe dëbimet që rodhën prej saj. Pasi arriti të aneksojë, pa goditje me armë zjarri, Austrinë në mars të vitit 1938, më tej territore në perëndim të Çekosllovakisë, Adolf Hitleri kërkoi nga Polonia një rrugë kalimi, të quajtur korridori i Dancingut (Gdansk në polonisht), mes Prusisë Lindore dhe pjesës tjetër të Gjermanisë, një kërkesë e kundërshtuar nga Varshava.

Më 1 shtator të vitit 1939, pa deklaratë zyrtare lufte, ushtria gjermane sulmoi Poloninë. Shtatëmbëdhjetë ditë më vonë, Bashkimi Sovjetik pushtoi pjesën lindore të Polonisë, në bazë të një klauzole të fshehtë të një pakti gjermano-sovjetik të arritur më 23 gusht të vitit 1939. Kujtimi i Luftës së Dytë Botërore vazhdon të jetë mjaft i gjallë në Poloni. Rreth 5,6-5,8 milion qytetarë polakë, tre milion prej të cilëve hebrenj, kanë gjetur vdekjen gjatë këtij konflikti, mësohet nga llogaritjet e fundit të historianëve polakë.

 

Datat kryesore të Luftës së Dytë Botërore

 

Sulmi i trupave gjermane ndaj Polonisë në orën 04:45 më një shtator të vitit 1939, shënoi fillimin e një lufte që për pak kohë përfshiu 50 vende. Kur më dy shtator të vitit 1945 lufta përfundoi edhe në frontin e Lindjes së Largët, konflikti botëror i shkaktoi jetën 55 milion personave. Rreth 20 milion ishin rusë, 5.25 milion gjermanë, 4.5 milion polakë, 1.7 milion jugosllavë, 1.8 milion japonezë, 810 mijë francezë, 386 mijë britanikë, 440 mijë italianë, 259 mijë amerikanë, 378 mijë rumunë, 420 mijë hungarezë dhe 84 mijë finlandezë. Ndërsa viktimat civile ishin shtatë milion në Bashkimin Sovjetik, 600 mijë në Japoni, 500 mijë në Gjermani, 470 mijë në Francë, 284 mijë në Itali, 62 mijë në Britaninë e Madhe.

 

Më poshtë vijojnë datat kryesore të Luftës së Dytë Botërore.

- 1 shtator 1939: Ushtria gjermane sulmon Poloninë. Më 3 shtator Britania e Madhe dhe Franca, aleate të Polonisë, i shpallin luftë Gjermanisë por nuk nisin operacionet luftarake. Më 17 shtator ushtria sovjetike hyn në Poloni. Më 6 tetor dorëzohen edhe trupat e fundit ushtarake polake.

- 10 maj 1940: Gjermania pushton Holandën, Belgjikën dhe Luksemburgun për të pushtuar Francën që kapitulloi më 22 qershor. Dyqind mijë ushtarë britanikë dhe 140 mijë francezë arritën ta kalojnë kanalin e La Manshit për të shkuar në Britaninë e Madhe. Ndërkohë që Norvegjia dhe Danimarka ishin pushtuar që në muajin prill.

- 10 qershor 1940: Italia hyn në luftë në krah të Gjermanisë.

- Shkurt-prill 1941: Trupat gjermane drejtuar nga Erwin Rommel, ndërhyjnë në Afrikë për të ndihmuar italianët dhe dëbojnë britanikët nga Libia.

- 22 qershor 1941: Divizioni "Wehrmacht" me tre milion ushtarë, sulmon Bashkimin Sovjetik. Në dhjetor të vitit 1941 pushtimi neutralizohet.

- 7 dhjetor 1941: Avionë japonezë bombardojnë bazat ushtarake në Pearl Harbour, arkipelagu i Havait në Oqeanin Paqësor. Më 11 dhjetor Gjermania i shpall luftë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

- 2 shkurt 1943: Ushtria e gjashtë gjermane dorëzohet në Stalingrad.

- Maj 1943: Dorëzohet edhe "Afrika-korps" e përbërë nga 250 mijë ushtarë.

- 10 korrik 1943: Aleatët zbarkojnë në Siçili.

- 25 korrik 1943: Arrestohet Musolini.

- 3 shtator 1943: Italia firmos dorëzimin e pakushtëzuar te aleatët, publikisht shpallet më 8 shtator. Më nëntë shtator qeveria Badoglio dhe familja mbretërore strehohen në Brindizi.

- 13 tetor 1943: Italia i shpall luftë Gjermanisë.

- 22 janar 1944: Aleatët zbarkojnë në Anzio dhe më katër qershor çlirojnë Romën.

- 6 qershor 1944: Aleatët zbarkojnë në Normandi. Më 22 tetor pushtojnë qytetin e vogël gjerman Aachen.

- 20 korrik 1944: Dështon një atentat kundër Adolf Hitler.

- Dhjetor 1944: Dështon kundërofensiva e "Wehrmacht" në rajonin Ardennes.

- Janar-shkurt 1945: Ushtria e kuqe nis një ofensivë në shkallë të gjerë kundër Berlinit. Në shkurt Forca Ajrore Mbretërore bombardon Dresdenin ku ishin mbledhur 250 mijë të shpërngulur, duke shkaktuar 35 mijë viktima.

- Shkurt 1945: Në konferencën e Jaltës, Stalini, Çërçilli dhe Ruzvelti vendosin të çmilitarizojnë Gjermaninë, ndarjen e saj dhe sistemimin e Evropës në përgjithësi.

- 30 prill 1945: Adolf Hitler vetëvritet. Tetë ditë më pas Gjermania firmos dorëzimin e pakushtëzuar.

- 24 prill 1945: Nis rebelimi i Rezistencës italiane në Xhenova që më 25 prill përhapen në të gjithë Italinë veriore. Më 28 prill kapet Musolini ndërsa tentonte të arratisej dhe pushkatohet në Komo.

- 17 korrik-2 gusht 1945: Zhvillohet Konferenca e Potsdamit, pranë Berlinit, ku SHBA, BRSS dhe Britania e Madhe ngritën bazat për trajtimin e Gjermanisë dhe pikërisht atje vendosin kufijtë perëndimorë të Polonisë dhe BRSS-së.

- Gusht 1945: Shtetet e Bashkuara lëshojnë bombat atomike në Hiroshima (6 gusht) dhe Nagasaki (9gusht). Më 15 gusht perandori Hirohito, me anë të një mesazhi radiofonik drejtuar kombit, shpall dorëzimin që zyrtarisht firmoset më dy shtator.

- 30 shtator-1 tetor 1946: Dymbëdhjetë nga njerëzit e qeverisë dhe komandantë të Rajhut të Tretë, ndër ta Goering dhe Ribbentrop, u dënuan me vdekje nga gjykata e Nurembergut me akuzën për krime lufte.

 

Merkel: Gjermania shkaktoi dhimbje të pafund gjatë Luftës së Dytë Botërore

 

Në një mesazh me rastin e 70-vjetorit të fillimit të Luftës së Dytë Botërore, kancelarja gjermane Angela Merkel rikujtoi përgjegjësinë e Gjermanisë që, duke shkaktuar konfliktin, solli dhimbje të pafund në Evropë dhe botë. "Një shtatori është një ditë zie për dhimbjen dhe kujtimi i fajit të Gjermanisë që u bë përgjegjëse duke nisur Luftën e Dytë Botërore", deklaroi Merkel në një videomesazh. "Konflikti u kushtoi jetën 60 milion personave dhe ndikoi për dhjetëra vjet në rregullimin politik evropian", shtoi Merkel, e cila e ka origjinën nga Gjermania lindore që pësoi edhe dëmet më të mëdha të luftës. "Por 1 shtatori duhet të jetë edhe një ditë mirënjohjeje dhe besimi. Është një sinjal pozitiv që kryeministri polak Donald Tusk ka ftuar kancelaren gjermane në ceremonitë përkujtimore që do të zhvillohen atje. Dhe ne të gjithë nuk do të shkojmë si armiq, por si partnerë politikë dhe miq", theksoi Merkel. Merkel do të marrë pjesë në fakt të martën në ceremonitë përkujtimore që do të zhvillohen në Dancing, ku nisi edhe lufta, bashkë me shumë anëtarë të tjerë të qeverisë. Me rastin e 70-vjetorit, ish ministri i Jashtëm gjerman, Hans Dietrich Genscher, një nga pionierët e bashkimit gjerman, bëri apel për solidarizim të përgjithshëm me ndjeshmërinë e Polonisë. "Polonia gjithmonë ka qenë viktimë e ambicieve të fuqive të mëdha dhe Gjermania ka bërë shumë për ta ndihmuar, saqë përpjekjet për të përmirësuar të shkuarën janë të ndjeshme", deklaroi Genscher sot në radion Deutschlandfunk.

 

Histori

 

Lufta e Dytë Botërore filloi më 1 shtator 1939 me të shtënat e para të topit nga një anije gjermane kundër një baze polake në bregdetin baltik.

 

Është e sigurt një gjë e tillë? ''Jo'', konfirmojnë banorët e Wielunit, të bindur se qyteti i tyre në jug të Polonisë ka qenë shënjestër e bombardimeve nga avionët gjermanë. Shtatëdhjetë vjet më pas, një tabelë e vendosur në hyrje të këtij lokaliteti me 24 000 banorë, mban sloganin "Mirësevini në Wielun" dhe ora e paharrueshme ''04:40''.

Është kjo orë që tregon që ''Luftwaffe'' ka lëshuar bombat e para mbi Wielun, pesë minuta para sulmit të armatosur të Schleswig-Holstein kundër bazës polake të Westerplatte, pranë Gdanskut.

 

"Ne duam t'u kujtojmë njerëzve që barbaria ka filluar këtu'', deklaroi kryetari i Bashkisë së Wielun-it, Mieczyslaw Majcher, 53 vjeç.

 

Për Eugeniusz Kolodziejczyk, 82 vjeç, është kështu si ka qenë atëherë. "Më kujtohet kur kam qenë pranë kësaj peme, kur kam parë avionët që po vinin'', theksoi ai me një gjest duke imituar një avion në qiell.

 

Ai shoqëronte në stacion babain e tij, që e kishin thirrur për të kryer shërbimin ushtarak në pritje të luftës.

 

"Unë i thashë atij 'dëgjoj një zhurmë të madhe. Shikoj avionë'. Dhe në atë moment ranë bomba'', tregon Kolodziejczyk, një nga 42 dëshmitarët okularë akoma i gjallë.

"Ato u hodhën mbi spitale, sinagoga, kisha dhe shtëpi. Më kujtohen gërmadhat. I gjithë vendi ishte përfshirë nga flakët, tymi na mbyste. Ishte si mjegull, nuk mund të shikoje më larg se pesë apo 10 metra. Nuk do ta harroj kurrë'', theksoi ai.

 

Qyteti i Wielun-it u shkatërrua për tre-katër ditë. Rreth 1 200 nga 15 000 banorë në atë kohë u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën. Gjysma e të vdekurve ishin hebrenj, të cilët përbënin një të tretën e popullsisë dhe jetonin kryesisht në qendër. Por, ishte ishulli i fortifikuar i Westerplattes që mbeti në historinë e Polonisë. Atje, 180 ushtarë polakë u rezistuan për shtatë ditë sulmeve të 3 500 gjermanëve.

 

"Nuk bëhet fjalë për një konkurs me Westerplatte. Janë dy gjëra të ndryshme. Westerplatte, ishte beteja e parë, ndërkohë që Wielun ishte sulmi i parë kundër civilëve pa mbrojtje'', nënvizon Majcher.

 

Polonia zyrtare nuk është kujtuar veçse kohët e fundit. Në vitin 2004, Aleksander Kwasnieëski ishte i pari president që mbërriti në Wielun për të përkujtuar 1 shtatorin.

Fakti që Wielun ndodhej vetëm 21 kilometra nga kufiri polako-gjerman nuk shpjegon vetëm këtë sulm të parë.

 

"Aty nuk ka pasur as mjete ushtarake, as industri'', theksoi historiani polak, Tadeusz Olejnik. Sipas tij, kjo zgjedhje ka të ngjarë për të zbuluar doktrinën naziste "Blitzkrieg", një luftë e shpejtë". "Blitzkrieg, nuk kishte parasysh vetëm luftimet, ai kishte gjithashtu një faktor psikologjik të rëndësishëm që konsistonte në përhapjen e kaosit, panikut në rrugët e pushtuara nga turmat e refugjatëve'', shpjegon historiani. Bombardimet e ditës së parë sollën për Wielun-in një rrugë të gjatë vuajtjesh. Kur trupat gjermane hynë në qytet, hebrenjtë u mbyllën në një geto, të detyruar për të pastruar gërmadhat, më pas u dërguan drejt kampeve të vdekjes. Edhe polakët jo hebrenj u masakruan dhe u dëbuan nga gjermanët.

 

Në 1940, Eugeniusz Kolodziejczyk u internua në Gjermani, ku u detyrua të punonte në një fermë deri në fund të luftës.

 

"Mos harroni, është diçka dhe të falësh është diçka tjetër. Nuk mund të qortoj gjermanët e pafajshëm për atë që ka ndodhur'', u shpreh Eugeniusz Kolodziejczyk.

 

Lieberman kritikon Oslon për përkujtimin e Hamsun, mbështetës i nazistëve

 

Shefi i diplomacisë izraelite, Avigdor Lieberman kritikoi qeverinë norvegjeze se ka vendosur të përkujtojë 150-vjetorin e lindjes së shkrimtarit, Knut Hamsun (1859-1952), njoftoi para pak ditësh e përditshmja ''Haaretz''. "U trondita kur zbulova se qeveria norvegjeze kishte vendosur të përkujtonte 150-vjetorin e lindjes së autorit Knut Hamsun, i cili i admironte nazistët'', deklaroi publikisht dje në mbrëmje Lieberman, cituar nga gazeta. "Më 1943, Hamsun i dërgoi Joseph Goebbels, shef i propagandës së Hitlerit, medaljen e çmimit të tij Nobel për Letërsi që e mori në vitin 1920 dhe në të njëjtën kohë i bënte elozhe Hitlerit duke theksuar se ai luftonte për njerëzimin'', shtoi ministri. Norvegjia përuroi një muze në nder të shkrimtarit për të përkujtuar 150-vjetorin e lindjes. Pas Luftës së Dytë Botërore, Hamsun ishte bërë një njeri i përbuzur për simpatitë e tij naziste, por menjëherë u rehabilitua. Romanet e tij më të njohura janë "Zgjimi i Tokës'' dhe "Uria".

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Rosie Schintter rrëfen si u ndërtua Ura e Zogut në MatNga Eduard M. Dilo (08.31.2009)
Wall Street Journal: Familjet Reagan dhe KennedyNga Peggy Noonan (08.30.2009)
Nderim dhe respekt për Senatorin Kenedi në ceremoninë funebre (08.30.2009)
Trashëgimia që la pas senatori Ted Kenedi (08.29.2009)
Presidenti Obama: Ted Kenedi një nga ligjvënësit më të mëdhenj të kohës (08.29.2009)
SHBA: Personalitetet më të larta ia japin lamtumirën senatorit Ted Kenedi (08.29.2009)
Amerika kujton jetën dhe veprën e senatorit Eduard Kenedi (08.29.2009)
Liderët botërorë mblidhen për t'ia dhënë lamtumirën e fundit Senatorit Eduard Kenedi (08.29.2009)
Luani i Senatit dhe gjurmët e tij në politikën e jashtme (08.29.2009)
Në Boston homazhe pranë trupit të Senatorit Eduard Kenedi (08.29.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 

 
VOAL
[Shko lart�]