VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Mike Bongiorno paraqitësi më  kohëgjatë në historinë e televizionit botërorNga Besnik Dizdari

                                                                                      

E Enjte, 04.25.2024, 02:35pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DOSSIER
 

Mike Bongiorno paraqitësi më  kohëgjatë në historinë e televizionit botëror

Nga Besnik Dizdari


E Mërkurë, 09.09.2009, 09:09am (GMT+1)

 

 

Italia është më e varfër. Kështu do e niste lajmin e saj një media italiane, pasi mjekët bënë të ditur se Mike Bongiorno, prezantuesi i famshëm italian, ishte shuar në moshën 85-vjeçare pas një goditjeje në zemër. Bongiorno ishte mjaft i njohur dhe i dashur për publikun shqiptar. Gazeta "TemA" risjell këtë material të përgatitur nga gazetari Besnik Dizdari një vit më përpara, pikërisht në këtë kohë ku përshkruhet jeta e tij, shoqëruar me shënime autobiografike për dy nga emisionet e tij më të ndjekura.

 

 

Historitë e bujshme të televizionit: "Lascia o raddoppia?" dhe "Rischiatutto"

 

"Mi chiamo Michael Nicholas Salvatore Bongiorno, pa "U". ("Më quajnë Nicholas Salvatore Bongiorno, pa "U").

Kështu thotë ai në krye të autobiografisë së tij.

Ndërsa ne le t'i lëmë të pushojnë një apo dy të diela Montanelli-n dhe Biagi-n, me gjithë shkrimet e tyre modele të pangjashme të gazetarisë, e le t'i kthehemi paksa botës së televizionit, më saktë, gazetarisë dhe spektaklit televiziv. Kështu kemi vepruar disa herë, madje mu me shkrime që kanë të bëjnë me televizionin. Dhe e gjitha kjo, jo thjesht ngaqë autori i këtushëm është anëtar i Këshillit Drejtues të RTSH, e pra kësisoj e ndjen edhe si detyrë që herëpashere duke i qëndruar besnik i mirëfilltë statusit të gazetarit të vjetër, të sjellë diçka nga bota e këtij profesioni që lidhet edhe me ekranin e vogël. Kësaj radhe, duke përfituar nga botimi tash së fundi i autobiografisë së Mike Bongiorno-s, që është paraqitësi (presentatore) i shkallës botërore të emisioneve të pafund televizive, po tregojmë me gojën e tij lindjen, ecurinë dhe të fshehtat krejt të panjohura, dhe jo vetëm për shqiptarët, të dy emisioneve të tij të një fame botërore "Lascia o raddoppia?" dhe "Rischiatutto".

Vetvetiu kemi bindjen ndërkaq, se RTSH do të mund nisë "Quiz"-in e tij të parë të madh televiziv, jo thjesht për shkak të përvojës dhe arkivit të pasur që e ka vetëm ai, por sepse ky program në Shqipëri, në fund të fundit, ka të bëjë me atë që nuk po na pëlqen ta quajmë si dikur: "kulturë masive", por kulturë e vërtetë publike dijesh, enciklopedie e historie, kur kujton se ç'kanë qenë emisionet e Bongiorno-s. Ishin emisione të artit e të kulturës, të sportit po e po, të politikës e të historisë, të gjeografisë e të muzikës. Për shumë shkaqe, televizionet shqiptare e kanë lënë në fund të radhëve të tyre sidomos historinë, e kjo nuk ngjet askund në televizionet kombëtare të shteteve të tjera evropiane. Quiz-et e një horizonti të gjanë të themeluara prej Mike Bongiorno-s, në një masë jo të vogël e patën tronditë apo pështjelluar, natyrisht për mirë, Italinë e mbasfashizmit dhe atë të ashtuquajtur të Republikës së parë, duke ngjallë sidomos te brezi i ri më fort se fitimin, etjen për dije.

Brezi ynë pati fatin të ndiqte rregullisht në vitet 1970-1974, emisionin e famshëm "Rischiatutto" falë antenës që për habi Partia kishte vendosë në malin e Dajtit dhe RAI vinte në ekranet tona familjare më qartë se RTSH-ja. E kujtojnë të gjithë prej këtij brezi se çka ishte ora 21.30 e së enjtes në mbrëmje. Në ato vite të një mbylljeje të egër, kjo dritare që rrezatoi për një kohë mjaft të shkurtër, ishte kënaqësia e madhe e javës për ne. Madje ia kalonte edhe 45 minutave të një ndeshjeje të Serie A, të çdo të diele që ndiqnim po përmes RAI-t. Për fat, erdhi 1973-"˜74 me vendimin e tij të një izolimi të përtejmë të tipit të "revolucionit kulturor kinez", që i dha fund aventurës sonë me antenën e malit të Dajtit. Plenumi IV i PPSH, e tjerë, e tjerë...

"Rischiatutto" mbeti në mendjen tonë megjithatë, e së bashku me te Mike Bongiorno i paarritshëm.

E vërteta është se të dyja këto "shpikje" të mëdha të Bongiorno-s, nuk kanë zanafillë italiane, por amerikane. "Quiz"-in e tij televiziv Mike Bongiorno e barti nga SHBA. Edhe si fjalë, "Quiz" vjen nga anglishtja dhe është një neologjizëm që lind pas Luftës së Dytë Botërore. Sipas gjuhëtarëve, etimologjia e saj mbetet disi e paqartë. Ndërsa kuptimi i "Quiz"- t është ky: pyetje, përimtim i një argumenti të veçantë që iu parashtrohet ose me zë ose me shkrim, pjesëmarrësve në këtë provim ose pyetësor, përherë në fitim të një çmimi, konkursi, gare për të matë shkallën e kujtesës dhe të kulturës.

 

XXX

 

Mike Bongiorno, më saktë: Mike Nicholas Salvatore Bongiorno, pa "U", pra jo BUongiorno, por thjesht BOngiorno, siç përcakton ai vetë, i njohur si Mike (Majk), ka lindur në Nju-Jork më 26 maj 1924 në 65 W 12th Street të metropolit amerikan. Ndonëse origjina e paraardhësve të tij është nga Campofelice di Fitâlia e Sicilisë. Gjyshi i tij, Michelangelo Bongiorno, i cili zbarkon në Nju-Jork më 7 dhjetor 1892 dhe bëhet qytetar amerikan, është i ati i babait të tij, Filippo (Philip) i cili rritet si amerikan, mëson në Princeton University, një nga më të rëndësishmit e SHBA dhe formohet në avokaturë në një tjetër shkollë të famshme, Columbia University të Nju-Jorkut. Në Luftën e Parë Botërore ai futet në aviacion dhe duke qenë se zotëron italishten, dërgohet në Torino me detyrën e komandantit të bazës militare amerikane të skuadrës ajrore të Torinos. Këtu njeh Enrica Carello-n, me të cilën martohet në Torino më 1919 dhe më 1924 lindin në Nju-Jork Mike Bongiorno-n, mbasi tashmâ janë kthyer për të jetuar aty. Familja ka një jetë të mirë falë profesionit të babait si avokat i rangut më të lartë.

Papritmas shpërthen kriza e Wall Street-it e vitit 1929 që e falimenton të atin e Mike Bongiorno-s, i cili humb miliona dollarë brenda disa orëve! Është 1930 dhe baba Filippo nis gruan e tij Enrica t'i bëjë ballë jetës në Torino së bashku me birin Mike. Falë zotësisë së tij, ai ia arrin ta kalojë krizën, rifillon jetën e tij të sigurt disaplanëshe, aq sa bëhet edhe njëri nga tre kandidatët për kryetar bashkie të Nju-Jorkut. Janë vitet '30. Papritmas, bashkëshortët Bongiorno kalojnë në krizë, ndonëse Filippo i kërkon të shoqes që të kthehet në Nju Jork. Kjo refuzon dhe ata ndahen. Nanë e bir janë në Itali ndërkaq, dhe djaloshit Mike Bongiorno i mbeten sytë te uniforma e shkëlqyeshme e dajës së tij, Nicolo Oneto, gjeneral divizioni i bersalierëve, i cili vjen si pushtues edhe në Shqipëri! Ndërsa Mike fillon e ëndërron për Akademinë ushtarake, por, të qenunit qytetar amerikan, ia ndalon një dëshirë të tillë në Itali.

I mbetet vetëm Gjimnazi ku zbulon sportin. Është skiator i ri, por sidomos atlet i kërcimit së larti, dhe 15 vjeç djalë arrin 1.50 metra, që për moshën, asokohe quhej rezultat i një talenti të pastër. I vë vulën talentit kur mbërrin deri 1.60 metra - kampion i rajonit!

Dhe ja që sporti krejt befasisht e çon te gazetaria! Luigi Cavallero, kryeredaktor i faqeve sportive të "La Stampa"-s të Torinos, kërkon ta intervistojë si një kampion të shquar. I pëlqen ky djalë me vështrimin miqësor, disi zhbirues, aq më tepër që në këtë kohë, redaksitë po boshatiseshin prej largimit të gazetarëve për në front...

Luigi Cavallero i propozon Mike-ut të shkruante raportet nga stërvitjet e Torinos e Juventus-it si dhe të realizonte intervista me çiklistët. Personazhet e tij tash janë Valentino Mazzola, Rava, Combi, Rosetta, Caligaris, Varglien. Të gjithë bashkëlojtarë të Riza Lushtës sonë. Nisin vitet '40. "Eh, çfarë skuadre që ishte Juventus-i i kësaj kohe!" - shkruan sot Mike Bongiorno në kujtimet e tij. Dhe shton: "Sporti, atletika, Luigi Cavallero i kishin dhënë rrugë karrierës sime të gazetarit dhe të njeriut të palkut (skenës)".

Por... lufta! Ai shfaq antifashizmin e tij derisa në fillim të viti 1944 arrestohet nga gjermanët së bashku me t'ëmën dhe dërgohen në burgun San Vittore ku gjen disa të arrestuar të rangut të lartë, e midis tyre, as më pak e as më shumë, por deri dhe Indro Montanelli-n me të shoqen e tij. Mandej historia e personazhit tonë që vazhdon në kampin e përqendrimit në Bolzano, i njohur si kampi Gries, prej ku të burgosurit niseshin për në kampet e shfarosjes. Mandej në kampin Stalag XVIII-AZ në Corinzia, por ku aventurat bongiorniane, që mbarojnë gjithmonë në mënyrën më sensacionale, siç do të ishin sensacionale vetë bëmat e tij të përbotshme televizive.

Papritmas "New York Times" publikon emrat e të burgosurve amerikanë të cilët do të ndërroheshin me robër gjermanë në Zvicër. Midis emrave është edhe ai i Mike Bongiorno-s, i njohur si i burgosuri Nr. 2264. Më 21 shkurt 1945, mbasi ka udhëtuar me anijen "S. S. Gripsholm", Mike Bongiorno zbret në Nju-Jork. E mirëpret babai Philippo me të cilin nuk ishin pa prej dhjetë vjetësh. Ai e gjen të atin të martuar për herë të dytë, por ndjen gjithë përkujdesjen e tij si prind. Mikpritje. Shtëpi. Mbështetje financiare. Por Mike Bongiorno kërkon të gjejë vetveten. Dhe fati që e ndjek mbas si gjithnjë, për keq e për mirë: e thërrasin në Departamentin e Shtetit ku i propozohet të punojë për seksionin italisht të Zërit të Amerikës. Dhe nëpërmjet emisioneve të "Zërit të Amerikës" merr vesh nëna e tij, e sapoliruar nga burgu, se i biri është gjallë.

Vazhdon ndërkaq, aventura amerikane e Mike Bongiorno-s, gjithnjë brenda profesionit të tij tashmâ të fituar, atij të gazetarit. Shkrime publicitare. Intervista. Lajme. Kronika. Kërkon të studiojë, por i ati i thotë, se nuk është koha e studimit, por e punës për të fituar mbijetesën. Dhe mu ky është çasti kur Mike lidhet me radion. Është radio "Whom". Përsëri befasi e rastësi së bashku. Një spiker i kërkon Mike-ut që ta zëvendësonte një ditë të vetme. Në të vërtetë duheshin lexuar titujt e gazetës në mbyllje të saj, në mbrëmje vonë. Të nesërmen shpërthimi! Mbërrijnë dhjetëra telefonata të dëgjuesve të cilët qenë mrekulluar prej një zëri tipik italian të Veriut! Kaq mjafton. Kështu radhazi: reklamë, muzikë, dhe deri tek emisioni i lajmeve të marra nga anglishtja e të përzgjedhura prej tij, të redaktuara e të lexuara prej tij. Një gazetari e pastër në gjithë kompleksitetin e saj të pasur.

Këtu është çasti fatmadh kur Mike Bongiorno njeh "Quiz"-in e parë, atë të amerikanit Robert Q. Lewis, një përzierje midis show dhe varietesë, prej ku do t'ia arrijë të shpikë edhe Mike, Quiz-in e tij! Muzikë, reklamë dhe të ftuar në mikrofon, biseda, gjallëri. Nuk mbaron këtu. Mike punon pa ndalesë për "Zërin e Amerikës" dhe për "Whom"-in. E, prapë befasia tjetër, siç e tregon ai vetë. Një ndër gazetarët më të mëdhenj të RAI-t, Vittorio Veltroni, i ati i politikanit të sotëm italian, Walter Veltroni, i kërkon të jetë korrespondent i RAI-t për "Giornale radion". Kështu, gjatë 1948-52 Mike Bongiorno realizon radiokronikat e tij historike, duke mbërritur deri në intervistat me presidentin Eisenhower, shkencëtarët e përbotshëm Enrico Fermi dhe deri radiokronikë prej koncertit të Duke Ellington në Metropolitan Opera House! E prej këtu te sporti, nga automobilizmi, boksi e deri te "Madison Square Garden". Gjithnjë pranë kronistëve dhe telekronistëve më të famshëm amerikanë. "Prej tyre e kam mësuar profesionin e vërtetë", - thotë sot Mike Bongiorno. Ishin tetë vjetët e tij amerikanë që përforcojnë tejet fatin e tij profesional.

 

XXX

 

Është 1953 dhe prapë befasia apo rastësia. Petrinella, një pronar i shtypit, e çon në një stacion tjetër radiofonik, "Wov", konkurrenti i "Whom"-it, duke i propozuar që të kthehej në Itali si korrespondent i saj. Mike shtang, mendohet dhe më në fund pranon. Ky do të ishte rikthimi i tij përfundimtar në atdheun e origjinës dhe bashkimi me nënën e tij.

Dhe drejt e aty ku kishte lindur profesioni i tij: në "La Stampa" e cila i kishte blatuar gazetarinë në fillim të vitit '40, në kërkim të mbështetësit të tij të madh Lugi Cavallero. Nuk e gjen. Ai ishte vrarë në katastrofën e skuadrës së Torino-s në Superga më 1949! Mandej takimi me Vittorio Veltronin, drejtorin e "Giornale radio" dhe të radiokronikave të RAI-t, sidomos ato të Giro d'Italia. Dhe fjalët e tij që thuajse janë lutëse: "Mike, ti je një element shumë i çmueshëm për ne". Propozimi është miklues dhe i qartë: Përveç detyrimeve me radiot amerikane, një rubrikë për RAI-n me titullin "Arrivi e partenze", me synimin për t'i bërë të njohur publikut italian përmes televizionit, personazhet më të shquara të politikës dhe të artit të cilët jetonin jashtë Italisë. Ky është shpërthimi i parë italian i personazhit tonë.

Këtu merr fund gjithçka, ose rifillon gjithçka, që e shndërron qytetarin italo-amerikan Mike Bongiorno në qytetar italian. Fama e tij do të mbërrijë deri te rekordi i paraqitësit më kohëgjatë televiziv që njeh historia e njerëzimit.

E kam pa nga afër një herë të vetme fare pranë, vetëm dy metra larg, Mike Bongiorno-n. Në Montecarlo në dhjetorin 1995, në Gala IAF (Fondacioni Botëror i Atletikës) në sallën elegante "Etolies" ku zhvillohej ceremonia e shpalljes së atletëve më të mirë të Botës. Ai ishte mik personal i Presidentit të ndjerë të IAAF-it, Primo Nebiolo, i cili e kishte marrë me vete këtë "atlet të vjetër" për ta nderuar në këtë mbrëmje të rrallë. Ishte një çast kur televizioni i Montekarlos po intervistonte presidentin Nebiolo. Mike Bongiorno i qëndronte çuditërisht pranë, me buzëqeshjen e tij që kishte diçka shpotitëse e humane bashkë, që edhe ne telespektatorët shqiptarë ia njihnim aq mirë. Unë shtanga para këtij miti që e kisha ndjerë aq të afërt për vite të tana përmes ekranit të vogël, dhe që më mahniste me shkrirjen në një, të gazetarisë së folur e asaj të televizionit, me elokuencën shprehëse dhe me shpërthimet e aktorit apo të paraqitësit. Nebiolo mbaroi ndërkaq, Mike Bongiorno i futi krahun, kaloi rrufeshëm krejt ngjitur me mua dhe dëgjova që i tha vetëm kaq: "Sei grande Primo!" Dhe m'u zhdukën sysh në morinë e sallës "Etolies" të Montekarlos, e cila në vetvete përmbante një etikë aristokratike e ti assesi nuk mund të guxoje të bëje të shpenguarin e aq më pak fansin e dikujt...

Kjo është historia e jetës së njeriut, i cili quhet disi gjatë: Michael Nicholas Salvatore Bongiorno, pa "U", i mirënjohur shkurt si Mike (Majk) Bongiorno, i cili sot 84 vjeç jeton i lumtur me bashkëshorten e tij Daniela dhe tre djemtë, duke vazhduar të shquhet në ekran me emisionet e tij.

Ky është Mike Bongiorno, njeriu i cili e pakta çdo të enjte në mbrëmje në orën 21.30 të viteve 1970-"˜74, ishte edhe për ne, qytetarët e Shqipërisë, personazhi më i dashtun; njeriu të cilit Umberto Eco i ka kushtuar trajtesën e tij socio-filozofike "Fenomenologia", njeriu të cilin Silvio Berlusconi ia ka rrëmbyer RAI-t duk e bërë avangardën dhe flamurmbajtësin e aventurës së tij të bujshme televizive. Në fund të fundit, ky është Mike Bongiorno, paraqitësi (presentatore) televiziv më kohëgjatë që njeh deri më sot njerëzimi. Dhe po aq edhe sportisti atlet, alpinisti apo dhe skiatori që ngjitet deri në Pol (!), gazetari kronikan, radiofonik dhe televiziv, showman-i sui generis, aktori i 8 filmave deri me regjisorë të tillë si Luigi Zampa, Vittorio De Sica apo Ettore Scola. Madje me aktorë të tillë si Toto ("Toto lascia o raddoppia?"), të cilit ai i kritikon vetëmadhështinë, teksa na thotë se Toto qenka titulluar edhe si kont dhe dukë i Drishtit dhe i Durrësit ("...conte e duca di Drivasto e di Durazzo"..).

Bongiorno mbetet kësisoj paraqitësi televiziv, i cili krijoj shkollën e vetme në historinë e përbotshme të televizionit, me një biografi profesionale të përmasave gjigante: në 11 Festivale të Sanremos, 13 transmetime epokale të RAI-t, në 35 programe të bujshme të Mediaset, mbajtës i 40 çmimeve teleradiofonike, rekordmeni i pambërritshëm (3125 puntata në Quiz-n "La ruota della fortuna"), si dhe rekordmeni i pranisë më kohëgjatë para kamerës brenda një viti: 400 orë më 1995!

Në librin e përbotshëm "Guinness" ai përcaktohet kështu:

"Paraqitësi (presentatore) më aktiv për sa i përket numrit të viteve që mban mbi supe, me karrierën e tij të filluar më 1946 si drejtues i një emisioni radiofonik të "Quiz"-it në emitentin "Whom" të Nju-Jorkut."

Kjo është jeta e Mike Bongiorno-s, ashtu siç nuk e kanë njohur kësisoj as shqiptarët, adhuruesit e tij të fillimit të viteve '70.

Tash, le t'ia lëmë fjalët vetëm atij, Mike Bongiorno-s, që të na tregojë historinë e dy kryeveprave të tij televizive që tronditën Evropën e televizionit: "Lascia o raddoppia?" dhe "Rischiatutto".
www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Dituria e humbur Enokiane (09.08.2009)
Daily Telegraph: Kur do të pastrohen Kina dhe Rusia nga monstrat?Nga George Walden (09.07.2009)
BBC: Pakti sovjetonazistNga Orlando Figes (09.02.2009)
70 vjet më pas: Rusia dhe Traktati Molotov-Ribentrop (09.02.2009)
Lufta e Dytë Botërore filloi 70 vjet më parë në Poloni (09.01.2009)
Rosie Schintter rrëfen si u ndërtua Ura e Zogut në MatNga Eduard M. Dilo (08.31.2009)
Wall Street Journal: Familjet Reagan dhe KennedyNga Peggy Noonan (08.30.2009)
Nderim dhe respekt për Senatorin Kenedi në ceremoninë funebre (08.30.2009)
Trashëgimia që la pas senatori Ted Kenedi (08.29.2009)
Presidenti Obama: Ted Kenedi një nga ligjvënësit më të mëdhenj të kohës (08.29.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]