VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Atlantida një sajim i Platonit?

                                                                                      

E Mërkurë, 04.24.2024, 06:31pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DOSSIER
 
Atlantida një sajim i Platonit?
E Mërkurë, 09.09.2009, 03:23pm (GMT+1)

 

 

Në shekullin e katërt para Krishtit, Platoni shkruante se plaku i urtë grek Solon, rreth dyqind vjet më parë, kish udhëtuar për në qytetin egjiptian të Saisit. Atje, një prift i kish rrëfyer atij historinë e një ishulli të madh që shtrihej në Oqeanin Atlantik, nëntë mijë vjet më parë. Ky ishte, i tha prifti Solonit, "një ishull në anën tjetër të gjirit që ju e quani. . . Kolonat e Herkulit, një ishull i madh sa Libia dhe Azia bashkë; prej aty, në ato kohë udhëtarët mund të shkonin drejt ishujve të tjerë, dhe prej tyre në të gjithë kontinentin përballë, i cili rrethon atë që mund të quhet me të vërtetë një oqean".

 

"Në këtë ishull të Atlantidës", vazhdon Platoni, "ishte ngritur një dinasti e fuqishme dhe e jashtëzakonshme mbretërish, që sundonin ishullin, bashkë me shumë ishuj të tjerë si dhe një pjesë të kontinentit: përveç kësaj, ajo kontrollonte ngushticën, Libinë, mandej kufijtë e Egjiptit dhe Evropës deri Tyrrhenia [Itali]". Platoni shkruante se, sipas Solonit, fundi i hidhur i ishullit erdhi kur ai u përpoq të pushtonte Athinën. Athinasit rezistuan dhe vazhduan duke çliruar të tjerë, që ishin skllavëruar. "Më vonë", vazhdonte Soloni, "pati tërmete dhe përmbytje jashtëzakonisht shumë të dhunshëm, dhe në një ditënatë të tmerrshme, të gjithë burrat luftëtarë u përpinë nga Toka, dhe ishulli i Atlantidës u përpi po ashtu nga deti dhe u zhduk".

 

Pak kohë pas këtij rrëfimi, Platoni shkroi një dialog të quajtur Critias. Këtu ai jep shumë më tepër detaje në lidhje me "bukurinë e mrekullueshme dhe bollëkun e pashtershëm" të Atlantidës. Ka patur tempuj, gjimnaze, kopshte, kanale dhe ura; kantierë të mbushur me anije lufte, ndërtesa prej guri të bardhë, të zi, dhe të verdhë, muret prej bronzi, një pallat "madhësia dhe bukuria mahnitëse e të cilit të linin pa mend" dhe madje edhe një pistë për gara kuajsh. Critias e ka momentin kulminant kur Zeusi, i zemëruar me arrogancën e Atlantidasve, mbledh të gjithë Perënditë. E teksa Zeusi bëhet gati të flasë, Platoni befas pushon së shkruari, duke i lënë filozofët të vrasin mendjen, në 2500 vitet e ardhshëm, se çfarë ka ndodhur më pas. Edhe të tjerë, përfshirë historianë, arkeologë, oqeanografë dhe gjeologë, janë përpjekur ta kuptojnë se çfarë ka ndodhur me Atlantidën, dhe nëse ajo ka ekzistuar me të vërtetë.

 

Ka pasur shumë teori, që e vendosin Atlantidën diku në Amerikën e Veriut (kjo u pohua së pari, nga Francis Bacon në vitin 1626, jo shumë kohë pasi anglezët u vendosën atje) në Marok (kjo sipas arkeologut francez Felix Berlioux, i cili pohoi se kishte gjetur Atlantidën atje në vitin 1874). Vendi më i qartë për Atlantidën, natyrisht, ishte aty ku Platoni tha se ishte: në Oqeanin Atlantik. Pikërisht këtu e vendoste edhe Ignatius Donnelly në vitin 1882. Ishte i njëjti Donnelly që argumentonte se Francis Bacon ka shkruajtur veprat e Shekspirit (dhe të Marlowe), por në temën e Atlantidës, Donnelly dukej se kishte edhe logjikën në anën e tij. Për grekët e kohës së Platonit, Kolonat e Herkulit janë Ngushtica e Gjibraltarit. Përtej saj ishte Atlantiku.

 

Për Donnelly, Atlantida nuk ishte thjeshtë një ishull. Ky ishte një kontinent i madh që lidhte popujt parahistorike të Evropës dhe Azisë me ato të Amerikës. Kjo ishte "bota e vërtetë para përmbytjes së madhe, Kopshti i Edenit, Kopshtet e Hesperides; Fushat Eliziane, Kopshtet e Alcinout; Mesomphal-ët, Olympos-ët, Asgard-ët e legjendave të kombeve të lashtë, që përfaqësojnë një kujtim universal të një vendi madhështor, ku njerëzimi i hershëm jetonte në paqe dhe lumturi".

 

"Perënditë dhe perëndeshat e grekëve të lashtë, Fenikasve, Hinduve, dhe Scandinavëve", thoshte Donnelly "ishin thjeshtë mbretërit, mbretëreshat dhe heronjtë e Atlantidës dhe aktet që u atribuohen atyre në mitologji janë thjeshtë një kujtim i ngatërruar i ngjarjeve reale historike". Pasi Atlantida u fundos, të mbijetuarit u nisën në rrugën e tyre në të dy anët e oqeanit. Kjo shpjegonte, ka argumentuar Donnelly, se pse, si egjiptianët, ashtu edhe vendasit para-kolumbianë të Amerikës ndërtuan piramida, pse bimë dhe kafshë të ngjashme jetonin në Evropë dhe Amerikë, dhe pse njerëzit nga të dyja anët e Atlantikut rrëfenin histori për një përmbytje të madhe. Ishujt e Atlantikut kanë qenë dikur malet e Atlantidës; brazdat në fundin e oqeanit kanë qenë dikur shtretërit e lumenjve të Atlantidës.

 

Shkencëtarë më të matur, madje edhe në shekullin e nëntëmbëdhjetë, kanë pohuar gjithfarësoj problemesh me teorinë e Donnelly.

 

Gjeologët thanë se, kanionet në fundin e oqeanit ishin për shkak të rrymave nënujore, dhe jo lumenjve të përmbytur. Gjithnjë e më shumë shkencëtarët mbështesnin një shpjegim evolucionist më tepër se sa difuzionist për zhvillimet e krahasueshme natyrore dhe kulturore në Evropë dhe Amerikë: ngjashmëritë i shpjegojnë forcat e krahasueshme në të dy anët e Atlantikut, e jo një paraardhës i përbashkët.

 

Për aq sa njerëzit dhe kafshët prehistorike kanë emigruar në Amerikë, gjasat më të mëdha janë që të kenë ardhur nga Azia se sa nga Europa. Së fundi, ishte problemi i kohës. Donnelly (dhe Platoni) flasin për ekzistencën e Atlantidës nëntë mijë vjet para Solonit, një periudhë kur - duke gjykuar nga të gjitha dëshmitë arkeologjike - njerëzit ishin shumë më tepër si shpellarë se sa si perëndi të Olimpit.

 

Me sa dukej, Atlantida ishte një fantazi, dhe ajo tërhoqi pjesën e saj të fantazistëve. Paul Schliemann, i cili identifikoi veten si nip i Heinrich Schliemann, arkeologu që zbuloi Trojën, pretendoi se gjyshi i tij i kishte lënë një vazo me mbishkrimin "Nga Mbreti Kronos i Atlantidës". Kur ai e theu vazon, gjeti në të objekte nga Atlantida, megjithëse nuk i shfaqi asnjëherë për publikun. Më vonë u zbulua se Heinrich Schliemann nuk kish patur asnjë nip të quajtur Paul. Pastaj ka patur psikikë si madamë Helena Blavatsky, e cila mësoi për Atlantidën nga një tibetian i vdekur kohë më parë me emrin Koot Hoomi, dhe (në vitet njëzetë) Edgar Cayce, që pa Atlantidën në ekstazën e tij. Në Atlantidën e Cayce paraqiteshin energji bërthamore dhe makina fluturuese.

 

Çarls Berlitz, libri i të cilit në vitin 1974 rrëmonte në Trekëndëshin e Bermudës, e pasoi atë me një libër në 1984 ku përshkruante forca jo vetëm të afta për të tërhequr aeroplanët dhe anijet në Atlantik, por edhe një ishull bashkë me qytetërimin e tij. Gjithë kjo ishte marrëzi. Përveç Timaeus dhe Critias, nuk ka dëshmi se Atlantida ka ekzistuar. Asnjë nga historianët grekë nuk e kanë përmendur Atlantidën, përveçse kanë cituar Platonin. Edhe Herodoti, i cili nuk mund t'i rezistonte një historie të mirë, nuk ka thënë asgjë. Aristoteli, i cili ishte nxënës i Platonit, dhe e njihte mirë atë, tha troç se, "ai që e kishte sajuar Atlantidën e la të zhytet përsëri nën sipërfaqen e detit". Nga mesi i shekullit XX, mes sajesave dhe fantazive, historianët seriozë kishin konkluduar se Aristoteli kishte të drejtë, dhe se Atlantida ishte trillim i pastër.

 

Në vitin 1967, arkeologu spiridon Marinatos zbuloi një qytet të varrosur në ishullin e Egjeut, Thera. Këtu kishte afreske elegantë dhe sende qeramike nga qytetërimi Minoan që lulëzoi në zonë pas vitit 2000 pes. Këtu kishte gjithashtu shumë shkëmbinj të kuq, të bardhë, të zinj, tamam si ata që Platoni tha se kishte në Atlantidë. Thera mendohet të jetë shkatërruar nga shpërthime vullkanikë, dhe sizmologët si Angelos Galanopoulos thonë se midis 1600 p.e.s. dhe 1400 p.e.s. një vullkan hapi një gropë të madhe në oqean, duke çuar në thellësitë e detit pjesën më të madhe të Theras. Vullkani shkaktoi gjithashtu tsunamë që do të përmbytnin Kretën, qendra e qytetërimit Minoan. Qytetërimi mund të mos jetë zhdukur në një "ditë të vetme e të tmerrshme", si tha Platoni, por tsunami mund të ketë shkatërruar kaq shumë Kretën saqë nuk është rigjetur asnjëherë.

 

Ishulli i mrekullive

 

Provat arkeologjike dhe gjeologjike nuk ishin përfundimtare, por kjo ishte një teori në lidhje me Atlantidën që duhej të merrej seriozisht. "Atlantida ka ekzistuar në të vërtetë fizikisht, në Oqeanin Atlantik, jo në përmasat e mëdha të legjendës. . . por në një dimension më të vogël, më të njohur, në një det plotësisht të njohur prej Platonit", ka shkruajtur inxhinieri oqeanograf, James Mavor. "Atlantida ndodhet në vetë Egjeun, dhe në një pozicion e rrethana që do të kishin garantuar që shkatërrimi i saj, i cili në fakt ka ndodhur, do të mund të mbahej mend deri në epokën greke, dhe përmes Platonit deri tek ne". Si përfundoi Atlantida në Egje, në vend të fundit të Atlantikut?

Galanopoulos dhe të tjerët argumentuan se, edhe pse në kohën e Platonit, Shtyllat e Herkulit nënkuptonin Ngushticën e Gjibraltarit, ato mund të kenë pasur një kuptim të ndryshëm për Solonin apo për priftërinjtë egjiptianë të Sais. Disa spekuluan se në përshkrimin e Solonit për Atlantidën, si një tokë më e madhe se Libia dhe Azia mund të ketë patur një përkthim të gabuar për "mes Libisë dhe Azisë"; domethënë, në Egje. Kolonat e Herkulit, atëherë, mund të jenë dy kepat më jugorë të Peloponezit - jo larg nga Thera ose Kreta.

 

Gjithsesi mbetej ende problemi i datave. Galanopoulos pranoi se datimi i Atlantidës në 9.600 p.e.s. ishte "sa i pabesueshme, aq edhe i pamundur." Pra, shpjegoi ai, Soloni duhet të ketë keqinterpretuar hieroglifët egjiptianë. "Kur dimensionet dhe datat janë dhënë me mijëra, ata janë të gjithë dhjetë herë më të mëdhenj", argumentoi Galanopoulos. "Kjo duket se tregon që kur Soloni deshifronte shkrimet egjiptiane, fjalët ose simbolet që përfaqësonin 100 ishte ngatërruar me ata që përfaqësonin 1.000-ën".

 

Në vend të nëntë mijë vjet, kanë qenë thjesht e nëntëqind vjet midis Solonit dhe Atlantidës. Kjo e vendos rënien e Atlantidës në të njëjtën periudhë kohe të përgjithshme si të Kretës. Teoria e Kretës - Atlantidë nuk ishte aspak e pranuar universalisht. Një shumicë e historianëve vazhduan të argumentojnë se Thera ishte shumë e vogël për t'iu përshtatur përshkrimit të Platonit, që Kolonat ishin Gjibraltari, që shpërthimi vullkanik në Thera erdhi tepër vonë për të shpjeguar rënien e Kretës (e jo më të Atlantidës), që Platoni nuk kish përmendur askund edhe një vullkan, dhe se një pjesë e Theras dhe e gjithë Kreta as nuk ishin fundosur, as nuk ishin humbur.

 

Megjithatë, tani Atlantida mund të diskutohej në qarqe të respektuar. "Ishulli i Kretës nuk u gllabërua nga deti", shkruante historiani Rodney Castleden në 1998, "por ndoshta legjenda ishte një kujtesë e gabuar e asaj që i ka ndodhur perandorisë tregtare Minoane. . . . Ishte sikur rrjeti i padukshëm i rrugëve tregtare dhe kontrolleve politikë qe zhytur në fund të Egjeut. . . thënë në mënyrë metaforike, qe "gllabëruar nga deti". Castleden, si edhe shumë historianë të tjerë, besojnë se Kreta ishte vetëm një nga legjendat prej nga u frymëzua Platoni. Platoni ish mësuar me tërmete, një i tillë shkatërroi qytetin bregdetar Helices rreth vitit 373 pes, vetëm njëzet vite para se ai shkroi Timaeus dhe Critias.

 

Platoni gjithashtu mund të ketë pasur në mendje ekspeditën e dështuar të athinasve në Sirakuzë, e cila u zhvillua në vitin 413 para Krishtit. Disa studiues spekuluan se, Atlantida ishte një alegori për Athinën: në vend të kritikonte drejtpërdrejt athinasit për pushtimin e Sirakuzës, Platoni mund të ketë zgjedhur të shkruante për një qytetërim madhështor të mëparshëm, që u fundos për shkak të ambicieve të tij imperiale. Brenda dialogëve ka edhe gjurmë të Luftës së Peloponezit, që ndodhi gjithashtu gjatë jetës së tij. Kjo luftë përfundoi me mposhtjen e Spartës nga Athina në vitin 404 para Krishtit. Ashtu si me aventurën e Sirakuzës, analogjia është e paplotë, por mesazhi ishte i qartë: ambicia e tepërt ishte e rrezikshme.

 

Për ta theksuar këtë, Platoni përfshiu tek Timaeus dhe Critias elementë të historisë së Sirakuzës, Spartës, Athinës, ndoshta edhe Kretës. Duke mos e kritikuar drejtpërdrejtë Athinën bashkëkohore, ai e mbrojti veten nga fati i mësuesit të tij, Sokrati, i cili u ekzekutua në 399 para Krishtit. Por, Platoni gjithashtu e dinte se këto elemente do të kishin jehonë tek lexuesit e tij. Përzierja e historisë së vërtetë dhe të trilluar e bën të pamundur të dimë, nëse Platoni kish për qëllim që rrëfimet për Atlantidën të merreshin seriozisht, por ky nuk ishte shqetësimi i tij. Ai ishte një filozof, jo një historian, dhe në veprat e tij si Republika, Timaeus, dhe Critias, Platoni foli për shtetet e mira dhe të këqia. Atlantida, edhe pse nuk ekzistoi asnjëherë, ofronte një shembull të mirë të të dyjave.

 

 

RREFIMI APOKALIPTIK/Shkatërrimi i Sodomit dhe Gomorrës

 

Libri i gjenezës përmban disa prej historive më dramatike që mund të jenë rrëfyer ndonjëherë. Njëra prej tyre ka qenë për mijëra vjet me radhë si një mësim i fuqishëm për rreziqet e ligësisë: historia e Sodomit dhe Gomorës.

 

Sipas Biblës, njerëzit e Sodomës ishin të ligj, mëkatarë të mëdhenj kundër Zotit, dhe Ai vendosi t'i shkatërrojë". Zoti lejoi Lotin, të vetmin njeri të mirë që jetonte atje, të largohej nga qyteti bashkë me familjen e tij, përpara se Perëndia të tregonte zemërimin. Por gruaja e Lotit nuk iu bind paralajmërimit të Zotit që të mos shihte pas në drejtim të Sodomës teksa largohej, dhe ajo u shndërrua në një shtyllë kripe, ku edhe vazhdoi të qëndrojë.

 

Për njerëzit mëkatarë të Sodomës, as edhe arratia nuk ishte një opsion për ta: shumë shpejt Zoti shfaqi pakënaqësinë e tij, dhe 'lëshoi drejt tyre zjarr dhe squfur ... Ai shkatërroi të gjithë që jetonin atje dhe çdo gjë që rritej në tokë". Nuk ka asnjë marrëveshje mes arkeologëve, shkencëtarëve dhe studiuesve biblikë që Sodoma dhe Gomora kanë ekzistuar në të vërtetë... " Historia është sigurisht dramatike - por a është vetëm trillim? Nuk ka fare prova që të kenë ekzistuar, e jo më të kenë pësuar një fund apokaliptik.

 

Megjithatë, një njeri është i bindur se Sodoma dhe Gomora jo vetëm që kanë ekzistuar, por janë shkatërruar edhe nga një apokalips i tmerrshëm natyror, i cili përputhet me përshkrimin në librin e Zanafillës. Graham Harris është një gjeolog në pension, me një pasion për zgjidhjen e mistereve të lashtësisë - dhe të gjithë të dhënat në lidhje me këtë, thotë ai, mund të gjenden në vetë Biblën. Bibla flet për vendndodhjen e Sodomës dhe Gomorës në rajonin e Detit të Vdekur, mes atyre që tani janë Izraeli dhe Jordania në Lindjen e Mesme. Harris ka punuar për një dekadë në atë zonë. Ai u bind se kushtet atje kanë qenë të duhura për një tërmet shumë të madh që do të shkaktonte një rrëshkitje toke masive. Aq i madh do të ishte shkatërrimi, sa që ngjarja do të bëhej pjesë e folklorit.

 

A mund të vërtetojë shkenca se skenari i Harris mund të ketë ndodhur vërtetë? Profesor Lynne Frostick, një gjeolog nga Hull University në Angli, dhe Jonathan Tubb nga Muzeu Britanik, vendosën të hulumtojnë pikërisht për këtë tezë. Ata udhëtuan për në Lindjen e Mesme për të zhvilluar studimin e tyre, dhe zbulimet që ata bënë atje i mundësuan Dr Gopal Madabhushi, në Centrifugën e Laboratorit të Universitetit të Kembrixhit në Angli, që të ndërtojë një model shumë të saktë në miniaturë të ndërtesave në Sodomë, si dhe terrenin mbi të cilin ato ngriheshin.

 

Dr. Madabhushi më pas vuri në provë modelin e tij para një tërmeti të simuluar - dhe të dhënat e tij ofruan provën përfundimtare nëse qytete të tërë mund të jenë shkatërruar.

 

Jonathan Tubb filloi nga puna duke studiuar nëse Sodoma dhe Gomora kanë ekzistuar me të vërtetë. Gjithë zona përreth Detit të Vdekur është tani e tharë dhe shterpë, dhe imazhi i qyteteve të lulëzuar është krejt i papajtueshëm. Por ka patur një moment në historinë e rajonit, kur një klimë me lagështirë nënkuptonte që e gjithë zona mund të ketë lulëzuar - në fillim në Epokën e Bronxit, midis 1800 pes dhe 2300 pes. Tubb zbuloi një vend të quajtur Tregoj es-Sa'idiyeh, në veri të Detit të Vdekur.

 

Ai gjeti dëshmi të një fabrike të hershme vaji ulliri, gjë që tregonte se sa e sofistikuar ishte bërë jeta, edhe në ato kohë të lashta. Tubb beson se epoka e hershme e Bronxit ishte e vetmja kohë kur qytete që përputhen me përshkrimet e Sodomës dhe Gomorës mund të kenë ekzistuar.

 

Pra, ka patur tërmete të mëdha në Epokën e Bronxit? Sipas mjekut antropolog amerikan, Profesor Mike Finnegan, përgjigja është po. Ai ka shqyrtuar tre skelete të njerëzve të zbuluar në Numeira, një vend me gjetje nga epoka e hershme e Bronzit pranë Detit të Vdekur. Nga mënyra se si ishin thyer kockat e tyre, ai arriti në përfundimin se atyre vdekja u kish ardhur për shkak të shtypjes - ndoshta për shkak se një tërmet shkaktoi rënien e një kulle guri mbi ta. Gjetja e kohës me metodën e karbonit zbuloi se kulla apo trarët i përkisnin vitit 2350 p.e.s. - në fillim të Epokës së Bronzit. Që të përcaktonte madhësinë e tërmeteve që mund të kenë ndodhur në atë zonë, Profesore Lynne Frostick u konsultua me gjeologun izraelit, Shmuel Marco.

 

Marco i tregoi fytyrën e një shkëmbi që përmbante shtresa gëlqere dhe guri. Në një vend, kishte një çarje të gjatë të shkaktuar nga një tërmet i lashtë. Duke matur se sa larg rrëshkiste një shtresë e caktuar, Marco mundi të masë përmasat e tërmetit. Shkarja ishte një metër dhe 75 cm - që do të thotë një tërmet me magnitudë të paktën gjashtë gradë të shkallës Rihter.

 

Një tërmet aq i madh do të kishte shkatërruar ndërtesa të Epokës së Bronxit - por do të kishte lënë pas rrënojat, dhe shkatërrimin total që është përshkruar nga Bibla. Që ideja e Harrisit të jetë bindëse, tërmeti do të duhej të shkaktonte një rrëshkitje shumë të madhe toke. Një gjë e tillë është e mundur kur në afërsi ka terren që përmban shumë ujë. I shkundur nga një tërmet, uji mund të dalë për në sipërfaqe, dhe toka mund të kthehet në ujë - një fenomen i quajtur lëngëzim. Në zonë të pjerrët, kjo mund të shndërrohet në një rrëshkitje masive.

 

Profesore Frostick besonte se, terreni rreth Detit të Vdekur ishte në gjendje të lëngëzohej. Megjithatë, qytetet u desh të ndërtoheshin në një terren që përmbante shumë ujë, kështu që ata duhet të kenë qenë m'u në buzë të Detit.

 

Që teoria e Harrisit të qëndrojë, ai duhet të shpjegojë se pse qytetet si Sodoma mund të kenë qenë ndërtuar në buzë të ujit. Ai beson se përgjigja është se disa qytete mund të kenë patur nevojë të ndërtohet sa më pranë të jetë e mundur me një burim sere, një substancë natyrale që në kohët e lashta ishte e çmuar. Egjiptianët e përdornin serën për të ruajtur në kujtesë të vdekurit e tyre: fjala e tyre moumiah, për ne 'mumje', do të thotë serë.

 

Sipas kimistes organike Arie Niessenbaum, blloqe të pastër sere mund të formoheshin në shtratin e Detit të Vdekur, dhe këto më pas mund të notonin në sipërfaqe. Kjo serë lundruese e Detit të Vdekur ka qenë matur kimikisht dhe krahasuar me serën e Epokës së Bronzit të gjetur në objekte të gjetura në Egjipt. Kjo nënkupton që në fillimet e Epokës së Bronxit ka patur një tregti sere nga Deti i Vdekur në Egjipt - dhe se duhet të ketë patur vendbanime aty ku njerëzit e grumbullonin serën.

 

Pasi përcaktuan që Sodoma dhe Gomora mund të kenë qenë qytete të Epokës së Bronzit, dhe që kishte një arsye pse ata mund të kenë qenë ndërtuar në buzë të Detit të Vdekur, dhe se një tërmet i fortë antik mund të kenë shkaktuar lëngëzimin e terrenit, mbetej një pyetje e rëndësishme. A mundet që një tërmet me madhesi gjashtë gradë të shkallës Rihter të ketë shkaktuar lëngëzim të tillë të terrenit që të ishte i fuqishëm sa për të marrë me vete qytete të tërë? Vetëm eksperimenti i Centrifugës së Kembrixhit mund të jepte një përgjigje.

 

Dr. Gopal Madabhushi dhe ekipi i tij ndërtuan strukturat dhe terren që replikonte ekzaktësisht kushtet e Detit të Vdekur në Epokën e hershme të Bronxit. Më pas, ata e vendosën këtë model në Centrifuge, duke krijuar 50 herë forcën e gravitetit në model. Kjo bëri që modeli të vepronte sikur të ishte në madhësinë reale. Ekipi i Kembrixhit më pas shkaktoi një tërmet gjashtëgradë. Rezultatet treguan pikërisht atë që do të kish ndodhur ndërtesave me përmasa reale pas një tërmeti të kësaj shkalle.

 

Rezultatet e nxjerra nga sensorët në model janë mbresëlënës. Eksperimenti vuri në dukje një skenë fatkeqësie absolute - toka do të ish kthyer në rëra të lëvizshme, me shtëpitë që do të zhvendoseshin sa më larg të mundeshin derisa arritën në fund të Detit të Vdekur.

 

Eksperimenti i Kembrixhit përligji teorinë e Harris, duke treguar se skenari i tij mund të ketë ndodhur: Sodoma dhe Gomora mund të kenë qenë qytete të ndërtuar në buzë të Detit të Vdekur, dhe mund të kenë qenë shkatërruar nga tërmeti dhe shkarja e tokës. Kur ai pa rezultatet, Harris ishte i lumtur: "Unë jam absolutisht i kënaqur - në fakt unë jam në ekstazë". Ai tani shpreson që gjeologët dhe arkeologët do të frymëzohen për të nisur një kërkim nënujor për rrënojat e Sodomës dhe Gomorës.

 

 

F E N O M E N I/"Njerëz që zhduken"

 

Njerëz që zhduken" është titulli i një numri goxha trazues të revistës me figura, "˜Dylan Dog'. Në të, autorët rrëfenin histori të frikshme të personave, qenieve nejrëzore që zhdukeshin papritur, të "anuluar" nga një forcë e panjohur nga ky dimension. Revista është fantazi, megjithatë pak vetë e dinë që ky fenomen shqetësues ekziston vërtetë dhe është gjithashtu i njohur si 'Teleportimi" (teletransportimi, ndonëse ky term shpesh herë lidhet me fantashkencën); në letërsinë e misterit ka të bëjë me fenomene të pashpjegueshëm të zhdukjes së objekteve dhe personave, apo thënë më mirë "të çmaterializimit" të papritur të tyre. Për t'u rishfaqur vetëm pas pak sekondash në një tjetër vend, larg edhe me mijëra kilometra. Ndonëse të rrallë, këto ndodhi çuditërisht janë të njohura nga shkenca, por pavarësisht kësaj vazhdojnë që të bëhen kërkime për të arritur që të kuptohet se përse ndodhin. Disa, si përshembull Spiritistët, një fenomen të tillë e quajnë "çmaterializim"; Ufologët i quajnë "transferime të çastit" apo madje teletransportim, ndërkohë që për studiuesit e fizikës bëhet fjalë për udhëtime të vërtetë të përkohshëm në hapësirë, Urat e Rosen-Einstein që përfshihen në Teorinë e Relativitetit. Pavarësisht pranimeve dhe parashikimeve matematikorë, fenomeni ende nuk pranohet si i pajtueshëm nga shkenca zyrtare.

 

Shkencëtarët mendojnë që në disa zona të botës ekzistojnë tunele hapësirë-kohë apo porta dimensionale, në të cilat nuk vlejnë më ligjet e fizikës; në këto pika mund të ndodhë që çdo send apo qenie njerëzore mund të transferohet nga njëra pikë e Tokës në tjetrën apo madje edhe në një tjetër pikë të universit. Këta tunele mund të gjenden në disa vende të caktuar, por është e mundur që edhe të ndryshojnë vendndodhjen, pra të spostohen nga një vend në tjetrin. Mendohet që ekziston një i tillë në Lisbonë, i cili lidh Portugalinë me Indinë; një tunel thuhet se ndodhet në Uruguaji, si dhe një në Argjentinë e që e lidh direkt me Meksikën. Ekzistojnë dëshmi të ndryshme për zhdukje të papritura në histori, dhe disa prej tyre janë jo pak trazuese. Mes rasteve të shumtë për shembull është ai i vitit 1593, rasti i një ushtari filipinas i gardës së guvernatorit të Manilës, i cili u shfaq krejt papritur në sheshin e qytetit të Meksikos, krejt i shastisur. Ai u arrestua dhe më pas u mor në pyetje, ku deklaroi se nuk dinte absolutisht asgjë se si kish ardhur aty; e vetmja gjë që mbante mend ishte që kish marrë shërbimin e rojës në pallat dhe sapo kishin vrarë guvernatorin. Askush nuk i besoi rrëfimit të tij, por pas dy muajsh erdhi lajmi i vrasjes së guvernatorit të Filipineve dhe ai u la i lirë.

 

Një tjetër rast ndodhi në vitin 1665 në Portugali: një njeri që, nga India, më saktë në Goa, u shfaq krejt papritur në Lisbonë të Portugalisë. I akuzuar se kishte "prishur" ligjet e natyrës, i gjori u dërgua në turrën e druve nga Inkuizicioni. Thuhet se disa prej këtyre "kalimeve" gjenden në Angli, në Yorkshire, një qytet që konsiderohet magjik; në fakt, këtu fenomeni njihej që nga shekulli XVII dhe që nga banorët njihet me emrin "Porta e fatit". Ndërsa të tjera porta mund të gjenden në Brazil, në Bahia, në New Hampshire në SHBA, në Salisbury në Rodezi (Afrikë) dhe madje edhe në Itali, në ishullin e Favignanas dhe Aronas. Disa prej tyre janë shumë të gjatë, aq sa për të përshkuar botën nga njëra anë në tjetrën, ndërsa të tjerë janë shumë të shkurtër. Cilado qoftë origjina e fenomenit, ajo që rrëfejnë zakonisht njerëzisht është që nuk janë absolutisht të vetëdijshëm për atë që u ndodh në ato momente si dhe ku gjenden. Kalimi ndodh në mënyrë shumë të shpejtë, brenda pak sekondash dhe zakonisht kush ndodhet brenda, nuk kujton atë që ka ndodhur gjatë dhe pas transferimit, pasi në ato pak momente personi ndodhet në një gjendje pavetëdije. Në kësi rastesh, këto ndodhi janë krejt rastësore dhe duket që jo gjithmonë këto "kalime" janë aktivë, por duket gjithashtu se ndodh rrallë; ndoshta pasazhet aktivizohen në kushte të caktuara të rritjes së magnetizmit tokësor. (Eshtë ky rasti i të ashtuquajturit Trekëndëshi i Bermudës). Shpesh herë ndodh që personave që kalojnë një eksperiencë të tillë, në disa raste kanë probleme fizike, që ndoshta ndodhin prej çmaterializimit. Nga dëshmia e disa prej "viktimave", ata pohojnë se janë gjendur krejt papritur në një mjegull të trashë dhe kanë parë një dritë zjarri, e pas kësaj zhduken në disa çaste.

 

Diçka e ngjashme ndodhi në vitin 1962 një braziliani, Rivalino Mafra, i cili u zhduk krejt papritur m'u përpara syve të bijve të tij, me një blic. Një rast analog u rregjistrua nga dëshmitarë të ndryshëm (mes të cilëve një gjykatës) në 23 shtator të vitit 1880 në Tennessee: një bujk, kryefamiljar, David Lang, "u zhduk" në sytë e familjarëve dhe miqve të tij, duke lënë pas një gjurmë bari të djegur. Disa muaj më vonë, bijtë e tij u ndalën në vendin e "avullimit" dhe dëgjuan në ajër zërin e tij që i dëshpëruar kërkonte ndihmë...

Në këtë mënyrë zhduken edhe objekte shumë më të mëdhenj: për shembull, në vitin 1989, një makinë tip Fiat Uno u përplas me një kolonë të një shtylle në Rozzano, në hyrje të Milanos: punonjësit e ndihmës së shpejtë zbuluan për befasinë e tyre se në timon nuk ishte askush. Në vitin 1958 i ndodhi në Siri një treni të tërë mallrash, i cili gjatë udhëtimit u zhduk bashkë me makinistët. Dy trena të tjerë mallrash në Angli, që u nisën nga Cornwelli u zhdukën po në të njëjtën mënyrë. Veç trenave, e njëjta gjë i ka ndodhur një avioni bombardues anglez, një i tipit Volcan i pajisur me aparate gjetjeje të vendndodhjes, i cili u çmaterializua mbi brigjet e Anglisë. Transponderi i mjetit, aktiv edhe në raste aksidentesh, nuk dha asnjëherë asnjë sinjal alarmi: ky fakt frymëzoi edhe filmin e James bond, "Operacioni Topi i Zjarrtë".

 

Në vitin 1978, një pilot australian u zhduk në Melbourne, pasi kishte komunikuar se kish parë një objekt shumë të madh fluturues. Një tjetër rast shumë i njohur është ai që ka të bëjë me ngjarjen që i ndodhi në shekullin XIX ekuipazhit të anijes fatkeqe Mari Celeste. Në këtë rast, faji iu vu monstrave detare, si kallamari gjigand. Në qershor të vitit 1872, anija Iron mountain u nis nga Porti i Vicksburg në Mississipit për të shkuar në Louisville, në Kentucky. Në të ndodheshin 55 persona, pjesëtarë ekuipazhi dhe pasagjerë si dhe një ngarkesë e madhe pambuku; në atë pjesë të lumit, trafiku qe shumë i rënduar me varka.

 

Pasi u nis nga Vicksburg dhe pasi kish kaluar afro një çerek ore, Iron Mountain u zhduk pa lënë gjurmë. Menjëherë u nis një hetim nga ana e autoriteteve portualë të Vicksburgut: çdo hipotezë për fundosjen u verifikua me kujdes dhe u hodh poshtë. Nëse do të ishte fundosur vërtetë, topat e pambukut që ishin pjesë e ngarkesës do të ishin gjetur mbi ujë, një zjarr i mundshëm do të kish tërhequr vëmendjen e anijeve të tjera apo të banorëve përgjatë brigjeve të lumit; dhe nëse Iron Mountain do të kish ngecur në ndonjë vend të lumit do të kish patur kohë dhe mundësi të lëshonte sinjalin SOS. U arkivua si një çështje e pazgjidhur, gjë që rriti edhe më shumë famën e Misisipit si një lumë i mallkuar.

 

Po çfarë ndodh nëse zhdukja u ndodh ushtrive të tëra? Në vitin 1707, gjatë Luftës spanjolle katër mijë ushtarë të Dukës së Austriusë u zhdukën në Pirteneje gjatë një transferimi të rëndomtë. Nuk u gjet asnjë gjurmë beteje, nuk u gjetën asgjëkundi as armë dhe as pajisje, dhe natyrisht as edhe kufoma. Njerëzit thjeshtë ishin zhdukur pa patur mundësi askush që të gjente gjurmë. Në vitin 1858, tre kompani ushtarësh kolonialë francezë, 650 burra që marshonin drejt Saigonit në Indokinë, u zhdukën drejt asgjësë. Pavarësisht të gjithë kërkimeve dhe hetimeve, nuk u arrit asnjëherë që të zbardhej ky mister. U bënë analiza në bazë të ditarëve të luftës dhe u mësua që në atë vendndodhje dhe në atë datë nuk kish ndodhur asnjë lloj luftimi, dhe më vonë asnjë ushtar i atij batalion nuk u rikthye më në Francë dhe as nuk dha ndonjë lajm për vendndodhjen. Mund të mendohet për fenomene të tillë si dezertimi, të natyrshëm në kohëra lufte: por në vitin 1915, në Sava Bay pranë Gallipolit në Turqi, tetëqind ushtarë anglezë u zhdukën gjatë përparimit për të pushtuar një bastion.

 

Një lloj mjergulle ngjyrë gri i mbështolli dhe të gjithë avulluan në sytë e shokëve dhe të armiqve turko-gjermanë. Në dhjetor të vitit 1939, gjatë pushtimit të Kinës nga Japonia, afro 3000 mançurianë u zhdukën pa lënë gjurmë në rrethana të ngjashme, ndërkohë që është e njnohur zhdukja e ushtrisë irakene të Sadam Huseinit gjatë Luftës së Parë të Gjirit në vitin 1991: amerikanët gjetën vetëm një kolonë shumë të madhe me mjete të braktisur në shkretëtirë, pa asnjë gjurmë të ushtarëve dhe asnjë lloj gjurme arratie nëpër rërë.

 

Disa studiues flasin edhe për prani të UFO-ve në raste të tilla, të cilëve Ufologët u atribuojnë zhdukjen e ushtrisë në Irak, apo në mënyrë folklorike flasin për shpirtëra apo fantazma. Në fakt, në Angli në vitin 1673, një doktor u zhduk në sy të disa dëshmitarëve: ai u ngrit nga dhjetëra fata dhe u dërgua drejt qiellit. Sipas traditave më të lashta, këto të fundit janë qenie shumë të fuqishme dhe në gjendje të shkaktojnë këto rrëmbime: në fakt thuhet se në periudha të caktuara, këto qenie rrëmbejnë persona dhe i marrin me vete në botën e tyre.

 

Personave që japin interpretime të ndryshëm "supernatyrorë" për këto fenomene u kundërvihen natyrisht skeptikët, të cilët thonë se këto lloj incidentesh ndodhin për shkak të boshllëqeve në kujtesën e viktimave, që në momentin që ata nuk mbajnë mend asgjë për atë që u ka ndodhur. Por kjo gjë nuk shpejgon se si ka mundësi që personat gjenden në vetëm pak çaste nga një vend në një tjetër, mijëra kilometra larg! Mes këtyre kemi shembujt e një biznesmeni brazilian që në vitin 1959 u nis nga Buenos Aires me makinë për të shkuar në një tjetër qytet, dhe krejt papritur u gjend i mbështjellë nga një mjergull: krejt papritur, e gjeti veten në një tjetër qytet, me mijëra kilometra larg.

Apo, gjithmonë në Argjentinë, rasti i një doktori që ishte në udhëtim me bashkëshorten e tij, sërish me makinë: të mbështjellë edhe këta nga një mjergull e trashë, u rizgjuan 4500 kilometra larg, në qytetin e Meksikos. Dhe në vitin 1961 ndodhi rasti i famshëm i vëllezërve Hill që në New Hampshire u zgjuan në makinën e tyre, të dy me një boshllëk të përkohshëm kujtese. Të dy, gjatë një hipnoize progresive thanë se ishin teletransportuar nga një UFO (ky rast i dha jetë tezës shumë të kundërshtuar dhe asnjëherë të sqaruar të Tezave të Rrëmbimeve prej Alienëve). Ndërkohë, që rasti që ka mbetur një mister i vërtetë, nga të gjithë të sipërpërmendurit, është ai i 1828, kur krejt papritur u zhduk Kaspar Hauser, një djalosh që pohoi se nuk mbante mend asgjë nga fëmijëria e tij.

 

Këto fenomene teletransportimi ndodhin edhe sot, por pa u arritur asnjëherë në një konkluzion që të bëjë të gjithë të bien dakord. E vetmja gjë që është vënë re është mungesa e çuditshme e energjisë elektrike në të gjithë rastet e dokumentuar. Sipas studiuesit Colin Wilson, bëhet fjalë për ndryshime në hapësirë-kohë që spostohen në univers, tunele hapësinorë të lëvizshëm apo minivrima të zeza. Sidoqoftë, edhe sot e kësaj dite është ende shumë e vështirë të kuptohet deri në fund mekanizmi.
www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Mike Bongiorno paraqitësi më  kohëgjatë në historinë e televizionit botërorNga Besnik Dizdari (09.09.2009)
Dituria e humbur Enokiane (09.08.2009)
Daily Telegraph: Kur do të pastrohen Kina dhe Rusia nga monstrat?Nga George Walden (09.07.2009)
BBC: Pakti sovjetonazistNga Orlando Figes (09.02.2009)
70 vjet më pas: Rusia dhe Traktati Molotov-Ribentrop (09.02.2009)
Lufta e Dytë Botërore filloi 70 vjet më parë në Poloni (09.01.2009)
Rosie Schintter rrëfen si u ndërtua Ura e Zogut në MatNga Eduard M. Dilo (08.31.2009)
Wall Street Journal: Familjet Reagan dhe KennedyNga Peggy Noonan (08.30.2009)
Nderim dhe respekt për Senatorin Kenedi në ceremoninë funebre (08.30.2009)
Trashëgimia që la pas senatori Ted Kenedi (08.29.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]