VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Lascia o raddoppia?Nga Mike Bongiorno

                                                                                      

E Shtunë, 04.20.2024, 01:34am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DOSSIER
 

Lascia o raddoppia?

Nga Mike Bongiorno


E Enjte, 09.10.2009, 07:59am (GMT+1)

 

 

I.

"Lascia o raddoppia?" sipas shumicës së njerëzve ka qenë suksesi më i madh i televizionit në Itali. Mendim të cilin unë e kundërshtoj, sepse them se programi më i bukur dhe i suksesit më të madh është "Rischiatutto".

 

Sido që të jetë, "Lascia o raddoppia?" është shndërruar në mit, në legjendë. Ekziston ende një klub i paprekshëm fansash që e konsideron si programin kult të historisë së Televizionit tonë.

 

Një ditë, në fillim të vjeshtës së vitit "˜55, u thirra prej Sergio Pugliese-s, drejtor i programacionit, i cili më thotë: "Mike, ti ke pasë dhe vazhdon të kesh një sukses të dukshëm me radion. A e di se ke pesë milionë dëgjues të martën në mbrëmje? Nuk ka pra arsye që të mos arrijmë te një sukses edhe më i madh me televizionin! Kemi absolutisht nevojë sepse industritë italiane janë duke filluar prodhimin e aparateve të parë televizivë të paracaktuar të futen në të gjitha shtëpitë e Italisë. Përveç kësaj, nëse nuk lëvizim shpejt, industritë e mëdha të televizioneve amerikane, do ta pushtojnë Italinë".

 

Industritë amerikane tashmâ kishin treguar se po bënin shumë për përhapjen e televizionit në Itali. Pak kohë mbas fillimit të programit tim, ata do të organizonin në Milano një ceremoni gjatë së cilës një përfaqësues i shoqatës së tregtarëve amerikanë më dorëzoi një trofe me një statujëz që nënkuptonte Oscar-in amerikan, me ndryshimin se personazhi në vend të shpatës klasike, mbante në duar një valixhe udhëtari. Në te qe shkruar: "Distinguished Salesman's Award - Mike Bongiorno-s për "shitjen" e televizionit italianëve". E gjitha ishte përkthimi i letrës së një fraze që megjithatë tingëllonte saktësisht më mirë në anglisht: "To Mike, who sold television to Italians". Në anglisht fjala "sold" ka një kuptim të ndryshëm nga ajo që ka në Itali. Për ata nënkuptonte se i kishte bindur italianët të blejnë televizorin.

 

"Drejtor, - iu përgjigja Pugliese-s, - në Amerikë ka disa kohë që është duke pasur një sukses të madh të paparë, deri në pesëdhjetë milionë spektatorë! Quhet "The 64.000 USD Question", që e përkthyer do të thotë "Pyetja për 64.000 dollarë". Dhe po vazhdon gjithnjë me sukses në CBS. Mekanizmi i lojës është krejt i thjeshtë, fillon me një shifër dy dollarësh, dhe dyfishohet duke mbërritur deri në 64.000 dollarë".

 

Kjo përbënte një shifër shumë të lartë për atë kohë. "Përse nuk bëjmë diçka të ngjashme edhe në Itali?" - vazhdova unë. "Jo, jo Mike! Nuk është e mundur kjo, duket se ende nuk e njeh mirë këtë vend. Mbi të gjitha, nuk kemi ku i gjejmë çmime të tilla, dhe nuk besoj se drejtimi i ndërmarrjes do ta lejojë. Mandej, njerëzit do të kujtojnë se gjithçka është e sajuar prej nesh për të krijuar personazhe rreth të cilëve të bëhet zhurmë.".

 

"Drejtor, më dëgjo! - i thoja unë duke u treguar shumë këmbëngulës. - Nëse nuk më beson, shko në SHBA dhe shih një puntatë. Do të shohësh se ke për të ndërruar menjëherë mendim".

 

Arrita ta bindja Pugliese-n që të nisej për në SHBA për të verifikuar me sytë e tij, dhe ata shkuan së bashku me drejtorin e atëhershëm të RAI të Milanos, Alberto Passante. Mbas një jave vëzhgim, ata u kthyen të bindur dhe entuziastë.

 

"Mike, më thotë Pugliese, "ke patur plotësisht të drejtë, një gjë të tillë nuk e kemi parë kurrnjiherë në Itali. Duhet megjithatë, të bëjmë një diçka të zgjuar në mënyrë që t'ia përshtatim programin shijes së italianëve".

 

Dhe kështu, vjen 19 nëntori 1955. Një datë historike për televizionin italian. Prej një teatri të posaçëm të përshtatun në Panairin e Milanos, unë iu paraqita drejtpërdrejt publikut televiziv, i cili ende nuk dinte asgjë prej të jashtëzakonshmes që ne po fusnim në valë.

 

Kishim njoftuar përmes gazetave se është në rrugë një nismë e paracaktuar për të tërhequr tejet vëmendjen e gjithë vendit. Ishte periudha ku shtypi italian nuk kishte marrëdhënie të mira me televizionin, dhe pavarësisht ftesave që kishim bërë, unë u gjenda krejtësisht i vetëm në studio për të shpjeguar se si do të funksiononte "Lascia o raddoppia?".

 

Dola nga teatri i zhgënjyer sepse më dukej se gjeta një mungesë të plotë interesi. Duke menduar kështu ecja nëpër Milano për të shkuar në Hotel Cavalieri ku qëndroja, dhe njihesha mirë në bar midis grupeve njerëzish të cilët bisedonin. Ndërkaq, i dëgjova tek flisnin për paraqitjen e programit tim, që sapo e kishin pa, dhe natyrisht kishte tërhequr interesin e tyre. Ideja e telequiz-it, dëgjova të thoshin ata, iu dukej diçka e re dhe me të vërtetë e madhe.

 

Gazetat, duke iu përgjigjur interesit të njerëzve, e kuptuan menjëherë gabimin që kishin bërë. Dhe të gjithë do t'i suleshin RAI-t për një ftesë për të qenë të pranishëm javën e ardhshme në puntatën e parë zyrtare, atë të 26 nëntorit. Kaq të shumta ishin kërkesat sa që na u desh të vendosnim një tribunë për të pritur gjithë gazetarët e akredituar. I njëjti problem edhe për fotografët. Duhej të krijonim një hapësirë përballë skenës për t'i pritur edhe ta.

 

Për të treguar se po i bënim gjërat me seriozitetin më të madh, vendosëm mbi skenë një tryezë rreth së cilës qëndronin funksionarë të RAI-t, si dhe noteri i pari në historinë e televizionit tonë. Ishte Dr. Niçolo Livreri, i cili mbas 44 puntatave kishte për të dhënë dorëheqjen për shkak të akuzës se kishte ndihmuar një pjesëmarrës dhe që u zëvendësua prej noterit Carlo Marchetti. Episodi në vetvete qe tejet zhurmëmadh dhe qe përshkruar prej gazetave, çka shkaktoi lindjen e një mëdyshjeje dhe gjithmonë mund të kishte një gabim, sigurisht i bërë pa dashtë.

 

Dihej që në Amerikë, në fund të viteve pesëdhjetë, ndodhën skandale të mëdha të lidhura me fitime të pilotuara nga televizionet, por mund të them faktin se në pesëdhjetë vjet të karrierës një gjë e tillë në programet e mia, nuk ka ndodhur asnjëherë, kjo ndoshta edhe falë rreptësisë sime në studio. Kjo është një gjë për të cilën jam sulmuar dhe tallë madje, por duhet të them se për mua është një krenari, kur dihet se sa here që janë në valle çmime me miliona, të dalësh prej kufirit legal, është një rrezik shumë i rëndë, që sjell pasoja edhe më të rënda.

 

Noteri i ri, Marchetti, u bë kështu popullor jo vetëm për kontrollet e tij të drejta të pyetjeve që bëja, deri aty sa qe detyruar ta zgjerojë tejet veprimtarinë e zyrës së tij, sepse të gjithë për çështjet e tyre donin të kishin një noter si ai i "Lascia o raddoppia?", i cili ishte garancia e një ndershmërie absolute. Edhe pse dukej shumë i hidhët, në të vërtetë, ai kishte një mirësi të pafund, të një njeriu me të vërtetë të durueshëm. Për fat të mirë apo të keq, noterët duhet të mbajnë një qëndrim të tillë për të respektuar rregullat. Edhe Ludovico Peregrini, "Zotnia Jo", bashkëpunëtori im historik prej gati dyzet vjetësh, për shembull, është një njeri shumë i durueshëm edhe pse për ata që e njohin vetëm prej televizionit, nuk duket aspak i tillë.

 

Ndodhi kështu për herë të parë në Itali që duke luajtur për dyfishimin, të fillonin të dilnin para publikut të kombit, personazhe të pabesueshëm, të zbuluar prej një Italie që deri në këtë kohë kishte mbetë thuajse si e fshehur.

 

Ishin njerëz me të dhëna të mëdha të kulturës, dhe mbi të gjitha të një kujtese të pazakontë. Për t'i tërhequr njerëzit që të merrnin pjesë kishim vendosë edhe çmime inkurajuese për ata të cilët kishin frikë se mos gabonin dhe në një çast të caktuar thoshin: "E lë me kaq!", në vend që të dyfishonin.

 

Kush shkonte deri në fund mund të çonte në shtëpi 5 milionë e 120 mijë. Një shifër që sot mund të duket qesharake, por që përkundrazi, asokohe ishte e mjaftueshme për të blerë një apartament ose madje për të ndërtuar një vilë të vogël në fshat. Përveç të tjerave, në fillim, shteti nuk ndërhyri për të taksuar fitimet. Këtë e bëri më mbas, dhe atëherë mjaft pjesëmarrës të cilët kishin fituar shuma dhe që i kishin investuar duke menduar se nuk i detyroheshin asgjë shtetit, për fat u detyruan mandej që të rishitnin atë që kishin fituar.

 

Unë ndikoja shumë në zgjedhjen e pjesëmarrësve sepse, i fortë në përvojat e mia amerikane, e dija se ishte e nevojshme të përzgjidhja njerëz të cilët mund të bëheshin personazhe, dhe rreth të cilëve mund të krijohej një histori. Përzgjedhja ishte shumë e lehtë, sepse për herë të parë paraqitej rasti të vihej në pah hobi dhe kultura e përpunuar si të thuash, në mënyrë sekrete, tek shumë njerëz, të cilët edhe sepse nuk kishin një diplomë ose një titull të lartë shkolle, zotëronin një bagazh njohurish të tilla, tejet më të larta se shumë prej atyre të cilët kishin pasë fatin të vazhdonin shkollat.

 

Në katër vjet që vazhdoi "Lascia o raddoppia?" u bënë 400.000 pyetje pjesëmarrjeje. Dhe duhet thënë se niveli i lojës ishte shumë i lartë dhe pjesëmarrësi luante për t'iu përgjigjur saktë një pyetjeje të vetme, në ndryshim nga quiz-et e tjerë që sapo kishin nisë të dukeshin përditë, ku pjesëmarrësit i jepej mundësia të zgjidhte midis tri apo më shumë përgjigjeve të lehta të shkruara.

 

Futbolli, siç është edhe sot, mbetej sporti që i tërhiqte më fort italianët, por konsiderohej pak a shumë si një fushë që tërhiqte më tepër burrat. Duke bërë disa kërkime gjetëm një vajzë e cila quhej Paola Bolognani. Ajo dinte gjithçka rreth futbollit dhe tregonte me një lehtësi marramendëse rezultatet dhe formacionet e gjithë kampionateve që zhvilloheshin, si dhe të mëparshmëve. Ajo pati një sukses të jashtëzakonshëm. Në pak ditë të gjitha gazetat nisën të merreshin me te, me jetën e saj dhe të familjes së saj. Në mënyrë të veçantë gazetat e skandaleve, dëfreheshin duke shpikur gjithçka, deri dhe një flirt të saj me mua. Sepse, përveç të tjerave, ajo ishte edhe një vajzë e bukur dhe shumë inteligjente. Më vonë arriti të bëhej kryetare bashkie. "Luanesha e Pordenone"-s - kështu e thirrën -fitoi çmimin përfundimtar duke kujtuar emrat e të gjithë gjysmëmbrojtësve të Bologna-s.

 

I paharrueshëm ishte ndërkaq, skeçi që bëmë me Ugo Tognazzi-n, i cili imitonte Bolognani-n, dhe me Raimondo Vianello-n i cili më imitonte mua. Duke ndërtuar një "pyetje/përgjigje" tipike të programit, Tognazzi dhe Vianello jepnin pa ndalesë deri në pambarim, dhjetëra e dhjetëra emra, pa asnjë rregull dhe pa e ndalur asnjeri tjetrin.

Një tjetër personazh femëror që e bëri gjithë Italinë që të merrej me te, ishte Maria Luisa Garoppo, e cila u paraqit si njohëse e tragjedive greke. Ishte e pajisur me një kulturë të lartë, por publikun televiziv, ajo që e tërhiqte më fort ishte mbi të gjitha, gjoksi i jashtëzakonshëm i madh i saj, çka nuk ishte parë deri atëherë! Ishte kaq i madh saqë për ta inkuadruar përmes kamerës, regjisori Romolo Siena, duhej të lodhej së gjeturi largësinë për ta përfshirë të gjithin në ekran. Gjatë pjesëmarrjes së saj, një grup gazetarësh lojcakë e bënë që t'i pozonte mbi tryezë gjinjtë e saj; poshtë tyre vendosën një fletë të madhe letre mbi të cilën shkruan me laps masat. Erdhën mandej në dhomëzën time, duke më kërkuar që ta transmetoja. Por asokohe RAI ishte tejet i moralshëm, dhe nuk mund të lejonte kurrnjiherë gjëra të tilla. Më vonë Garoppo hyri në politikë, duke zënë madje edhe një vend të rëndësishëm në partinë e saj.

 

Personazhi i parë mashkull, i cili krijoj një revolucion të vërtetë të vet në Itali si midis dëgjuesve ashtu dhe midis kritikëve televizivë ishte Luigi Marianini. Ai ishte një njeri me kulturë të rrallë, kishte katër diploma dhe fliste në një mënyrë veçanërisht elegante. Vinte gjithmonë me një kostum të shndritshëm: xhaketë, jelek, këmishë, kravata që deri atëherë nuk i kishte veshë askush. Më quante "inkuizitori im i pamëshirshëm", dhe ende sot, herë mbas here, televizioni transmeton puntata të pjesëmarrjeve të tij në "Lascia o raddoppia?". Veshja e tij e asokohe sot nuk krijon sensacion kur sheh veshjen e rinisë së tashme, por inteligjenca e tij nuk është kaluar asnjëherë prej askujt. Ai kishte një eksentricitet të pabesueshëm, ndonjëherë vinte i veshur si prift dhe kalonte nën portalet e rrugës "Roma" ose "Torino", duke këmbëngulur se qe thirrë prej Zotit.

Shumë emocione krijoj pjesëmarrësi që quhej Felice Mannarelli, origjinar i një fshati të humbur në Abruzzo, Montenero Val Coçhiera. Erdhi në "Lascia o raddoppia?" për të paguar studimet. Ishte kaq i varfër aq sa na befasoi të gjithëve kur e pamë duke mësuar nën të vetmen llambë të rrugës së fshatit të tij. Pjesëmarrja e tij ishte kaq emocionuese sa që nga çdo pjesë e Italisë mbërrinin për te ndihma të llojeve të ndryshme. Mannarelli arriti deri te pyetja pesëmilionëshe dhe vendosi ta dyfishonte duke krijuar një emocion të papamë në publik për guximin e tij. "Nëse fitoj këtë shumë që kam fituar deri tani unë mund t'i vazhdoj studimet e mia", tha, "por më duhet të ndihmoj edhe familjen time". Kur doli nga kabina ne u trembëm, sepse ai ishte zverdhur dhe të dukej se po mbaronte, por unë dhe Edy Campagnoli, shoqëruesja ime e programit, iu gjendëm menjëherë pranë, të lumtur dhe të gëzuar që kishim mundur të kontribuonim në zgjidhjen e problemeve të tij. Në këtë çast mua më rrodhën lotët.

Për sa i përket ndihmave të nevojtarëve, për publikun ngjalli një emocion shumë të fuqishëm rasti i pjesëmarrëses shumë të bukur nga Toscana, e cila quhej Marisa Zocchi nga Pratolino. Familja e saj kishte një bar, dhe ajo kishte mësuar gjithçka nga çiklizmi sepse bari ndodhej përbri një rruge ku stërviteshin çiklistët e mëdhenj. Nuk thoshte kurrë pse merrte pjesë, por më mbas zbuluam se dëshironte të ndihmonte nënën e saj shumë të sëmurë. Prej frikës së humbjes, mbasi fitoi dy milionë e gjysmë, njoftoi se nuk dëshironte ta dyfishonte shumën, sepse për te kaq mjaftonin. Në këtë çast, duke pa se publiku ishte bërë tejet i ndjeshëm për këtë ngjarje, ndërhyn nga shtëpia e tij Mbreti Faruk, i cili jetonte në Itali në emigracion, duke deklaruar se ishte emocionuar kaq fort sa që kishte vendosë të jepte ai dy milionë e gjysmë për të mbërritur çmimin e lartë përfundimtar...

 

II.

 

Do të merrnin pjesë dy personazhe, të cilët do të ngjallnin një befasi të madhe. I pari ishte një i ri me ngjyrë, të cilin e quanin Olabisi Ajala, origjinar i Nigerisë, madje ish sekretar i kryeministrit të Shtetit të tij. Kishte studiuar Psikologjinë në Columbia University të Nju-Jorkut dhe kishte ardhë në Evropë duke udhëtuar në një mënyrë shumë aventureske përmes Francës. Gjermanisë, Holandës dhe Rusisë, ku së fundi ia kishte arritë të futej falë vizës që ia kishte dhënë as më shumë as më pak, por vetë Hrushovi.

 

Ajala kishte kërkuar të takonte Hrushovin gjatë një udhëtimi të tij në Berlin, por ishte arrestuar sepse policia kishte menduar se mos ishte një atentator. Kur Hrushovi merr kërkesën e tij dhe zbulon se ai ishte aty, e liron siç kishte thënë, nisur nga ajo që kishte treguar vetë Ajala: "Të shkosh në Bashkimin Sovjetik dhe t'iu krijosh mundësinë njerëzve, të cilët nuk kishin pa kurrë se si janë zezakët"! Dhe në të vërtetë, gjatë programit ai më tregonte për takimin e tij në një shtëpi fshatarësh të cilët nuk kishin pa kurrnjiherë një njeri me ngjyrë, e se duke i ofruar një gotë me qumësht, e kishin pyetur: "Në vendin tënd edhe qumështi është i zi si ti?"

 

Ajala mori pjesë në "Lascia o raddoppia?" i veshur me kostumin tradicional të Nigerisë. Ishte një personazh plot talent dhe tip aktori, dhe vinte përherë me beretat shumë elegante nigeriane. Në mbrëmjen e fundit megjithatë, u paraqit në skenë me frak, bastun me majë argjendi dhe cilindër, ndërsa unë isha veshur me kostumin tradicional të Nigerisë. Duke e ditur se ai nuk e kuptonte mirë italishten, i bënim pyetjet edhe në anglisht. Kur fitoi, ai doli nga kabina dhe më përqafoi duke shkaktuar rrëzimin për tokë të të dyve bashkë. Me paratë e fituara ai vazhdoi udhëtimet e tij nëpër botë. I kërkuar prej të përditshmeve amerikane në Los Angeles, të cilat donin ta nxisnin për të folur për veten, ai u kap mbas një antene televizive ku qëndroi për një ditë të tanë në lartësinë treqind metra...

 

Personazhi tjetër nuk ishte as më pak dhe as më shumë veçse konkurruesi më i vjetër në gjithë këtë histori. Ishte plot tetëdhjetepesë vjeç, quhej Attilio Zuliani dhe u paraqit për veprat dhe personazhet e Aleksandër Dumasit. Tregonte se deri në tridhjetë vjeç kishte qenë analfabet, nuk dinte as të lexonte dhe as të shkruante, gjëra që i kishte mësuar më mbas kur kishte qenë emigrant në Amerikë dhe një shok i tij i kishte falë për nderim një vëllim të Dumasit që u bë për te libri i parë shkollor.

 

Mjedisi i "Lascia o raddoppia?", nuk ishte i rezervuar vetëm për njerëzit të cilët kishin një kulturë të madhe ose të cilët përfaqësonin veçanësi të jashtëzakonshme, çka mund ta bënin elitar më shumë se ç'duhej programin. Kështu që, edhe njerëz të cilët ndoshta nuk çmoheshin fort prej dikujt, mund të merrnin pjesë në debat, ose falë interesit që nxiste programi, prej ku detyronte zhvillimin e tryezave të rrumbullakëta dhe përimtime sociologjike shumë të thella.

 

Ishte një lajm kur erdhi të merrte pjesë si konkurrent përfaqësuesi i parë nga shoqëria e lartë, mu kontesha d'Aramengo. Natyrisht unë që kërkoja gjithnjë të bëja spektakël dhe të ngjallja diskutime për të gjithë ato që thoja, kur ajo debutoi i putha dorën duke i thënë: "Konteshë, është hera e parë që kam nderin të puth dorën e një personazhi si ju". Të gjitha këto gjëra sot të bëjnë të qeshësh, por asokohe i shërbenin shtypit për të folur dhe komentuar gjatë.

 

Një tjetër konkurrente që kujtoj, ishte Rossana Rossanigo, e cila kishte fituar disa konkurse bukurie. Gazetat, të vendosura që gjithmonë të gjenin episode për të treguar, do të shpiknin se unë kisha një dobësi për te, dhe se midis nesh kishte lindur një flirt. U thirra prej drejtuesve të cilët më kërkonin që të sqaroja shpejt keqkuptimin, përndryshe publiku do të mund të mendonte se unë e ndihmoja duke i dhënë pyetje të lehta,

 

Ndërkaq, unë kisha filluar të bëja ski, e mbas një pushimi të gjatë qëndrimi në SHBA, u bëra tejet entuziast kur erdhi një i quajtur Peiro Tassone i cili dinte gjithçka rreth kampionëve të së kaluarës, rreth Olimpiadave dhe sportistëve tonë të mëdhenj të tipit Zeno Colo, Celina Seghi, Roberto Lacedelli e të tjerë të këtillë. Ai ishte një hekurudhor, dhe në mos gaboj, e kishte humbur vendin e punës. Kur mbërriti te dy milionët e gjysmë, ndali me kaq sepse thoshte, nuk mund të rrezikonte që të humbiste një shumë që për te ishte zgjidhja e të gjitha problemeve të veta.

 

Në çdo fundjavë shkoja për të bërë ski në Cervinia, dhe atje kisha njohur pronarin e një hoteli të madh të familjes Gallia. Ia rekomandova njërit prej vëllezërve Luiginio, i cili e mori menjëherë duke i besuar depozitën e skive në hotelin që frekuentohej prej VIP-ave, të cilët shkonin në Valle d'Aosta. Falë rrogës që merrte dhe prej garave që zhvillonin, kur do të mbyllej hoteli Tassone, ai ia arriti të hapte në Cervinia një magazinë të bukur të tijen, të cilën e drejtoi për disa vjet.

 

Ishte edhe një kampion i madh i sportit, më saktë i automobilizmit, i cili quhej Louis Chiron. Midis befasisë të të gjithëve, të sigurt se ai do të zgjidhte pyetje nga Formula 1, përkundrazi ai zgjodhi gastronominë. "Më fort ma fut frikën, - më thoshte një ditë, - llambushka e kuqe e telekamerës se sa gara në pistën e "Mille Miglia". Mbasi e përfundoi pjesëmarrjen e tij, ai u kthye në Montekarlo për garën. Do të më tregonin mandej, por nuk di nëse është apo jo, e vërtetë, se i kishte dhuruar një prej medaljeve të arta, që kishte fituar, princit Ranieri, i cili kishte ndjekur në televizion provat e tij.

 

Në programin tonë mori pjesë edhe kompozitori i famshëm John Cage, i cili u paraqit si ekspert i kërpudhave dhe fitoi gjithë ato pará.

 

Por prej të gjithë personazheve të katër vjetëve të tana të "Lascia o raddoppia?", më i paharrueshmi ishte Lando Degoli, mësuesi i matematikës së Capri-t. Atij duhet t'ia pranojmë popullarizimin e vërtetë të programit, sepse rasti i tij bëri që të shpërthenin polemika të tilla që pështjelluan gjithë shtypin italian. Puna mbërriti deri te një diskutim në parlament rreth çështjes në fjalë.

 

Natyra i kishte blatuar atij një lloj humorizmi të veçantë dhe të rafinuar. Sa herë që i tekej, me kadencën e tij emiliane, ai mbante fjalë tejet dëfryese.

 

"Zotni Mike", më thoshte gjatë një puntate të mëparshme, duke më bërë për një çast që të mendoja për një skandal, "unë do të tërhiqem". Kjo shkaktoi një britmë të përgjithshme në teatër, për shkak të këtij vendimi "tmerrues", që mua më shkatërronte gjithçka, sepse po humbisja një konkurrent të çmueshëm.. "Një çast, një çast, zotni Mike", vazhdon ai, "unë po tërhiqem... në kabinë!"

 

Mbas kësaj batute të lumtur, kurrë nuk do të më shkonte në mendja se çka do të ndodhte javën e ardhshme kur situata do të përmbysej e gjitha dhe humori i tij do të ishte krejt tjetër.

 

Merrte pjesë për muzikën lirike, dhe duke synuar arritjen te dy milionë e gjysmë, mbeti te pyetja e famshme rreth controfagotto-s që ishte pak a shumë kështu: "Në partiturën e melodramave të tij, Verdi ka përdorë ndonjëherë controfagotto-n? Nëse po, në cilën opera?".

 

Degoli pati një pëshpërimë, dukej madje i bllokuar. Mbas ndonjë sekonde reflektimi, u përgjigj: "Nuk e di!"

 

Unë, duke shpresuar se mund ta shpëtoja, këmbëngula: "Thoni një çfarëdo emri që mund të mendoni!"

 

Thuajse në mbarim të kohës prej një minute që ai kishte në dispozicion, vendos të rrezikojë: "Falstaff!"

 

Përgjigja ishte e gabuar: "Më vjen keq zotni Degoli, aventura juaj përfundoi, sepse përgjigja e saktë është "Don Carlos".

 

Ndërkaq, Degoli iku tejet i mërzitur, dhe të nesërmen vendos që të kërkojë përsëritjen, duke këmbëngulur se pyetja kishte qenë jashtëzakonisht teknike dhe jashtë logjikës së ndershmërisë së garës.

 

Shpërtheu kështu një protestë e përgjithshme në mbrojtje të tij prej profesionistëve dhe kritikëve të muzikës. Më mbas në një ri-kërkim të menjëhershëm, doli se vërtet controfagotto ishte përdorë te "Don Carlos", por më parë ishte përdorë te "Macbeth". Si pasojë ne nuk duhej të thonim "në cilën opera" kishte përdorë Verdi controfagotto-n, por "në cilat opera"...Askush nuk kishte parashikuar ndonjëherë se kjo çështje mund të shkaktonte shpërthimin në gjithë Italinë thuajse të një gjysmë revolucioni. E kuptoj se ky përcaktim i imi sot mund të duket i zmadhuar tejet, por kush ka jetuar atë kohë natyrisht që nuk mund të harrojë interesimin me të cilin ndiqej ky program.

Qysh nga ky çast, fillon gjuetia nga ana e gazetarëve për të zbuluar se cili ishte autori i papërgjegjshëm i pyetjes së famshme të controfagotto-s. Por duke qenë se ishte fjala për një kritik shumë të famshëm të lirikës italiane, RAI nuk dëshironte assesi ta përmendte emrin e tij. Unë zbulova ndërkohë se për kë ishte fjala, por nuk e thashë kurrë për hir të respektit. Një gabim i kësaj natyre në klimën e asaj kohe mund t'i kushtonte fort emrit të tij.

 

Kundërshtimi më në fund u pranua, dhe Degoli me gjithë këtë tërbim popullor, u rikthye. Në ditën e rikthimit të tij në program, emri i tij dhe i controfagotto-s ishin në faqet e para të gazetave, e gjitha për shkak të një telequiz-i, diçka krejt e pakuptueshme për kohën e sotme! E tillë ishte tifoja dhe interesi për "Lascia o raddoppia?", që rifilloi një ditë më mbas. "Radiocorriere" dhe të përditshmet e mbrëmjes, sidomos ato të Milanos të tipit "La Notte" dhe "Corriere d'informazione", do të botonin krejtësisht gjithçka ishte thënë prej meje dhe prej konkurrentëve që nga fillimi e deri te fundi i programit. Kishin bërë stenografimin e të gjitha puntatave! Si të ishte fjala për një mbledhje historike të parlamentit, ose të një procesi që duhej përkujtuar.

 

Degoli, duke dalë në skenë, paraqiti ndërkaq, një fjalim që tingëllonte thuajse si një leksion për RAI-,".

 

"...Nuk kam ndërmend ta bëj këtë skenë Waterloo-në time..", - tha ai, teksa përdori fjalë që kanë mbetur në historinë e televizionit, të mençme dhe dëfryese njëkohësisht. "Unë nuk jam një hero. Jam një njeri i zakonshëm, si të gjithë të tjerët, ndoshta një hero i të zakonshmes. Për këtë ju më keni ngritur lart. Komisioni ka përgatitur një pyetje tjetër. Kësaj pyetjeje nëse është e lehtë, unë nuk do t'i përgjigjem për çështje dinjiteti. Nëse është e vështirë, prapë nuk do t'i përgjigjem sepse jemi në lidhje me Napolin dhe atje nuk durojnë. Nëse pyetja është ashtu-ashtu, prapë nuk do t'i përgjigjem, sepse dua të mbes për gjithë jetën, ashtu siç tha zotni Mike herën e fundit, njeriu i controfagotto-s. Për sa i përket mandej një milionëve që më kanë dhuruar, këtë natyrisht e pranoj. Ka ndonjë që më ka shkruar: se po të mos i marr, bëj figurë të mirë, dhe të mbaj vetëm makinën. Duke bërë këtë gjest, mendoj se nuk do të kuptohej prej shumëkujt, dhe mbetet fakti që me gjithë propagandën që u bë, po të ktheja mbrapsht një milion, unë do të duhej t'i dërgoja një faturë RAI-t për propagandën që kam bërë, për televizorët që ata kanë shitë e plot të tjera, dhe besoj se tre ose katër milionë më takonin që t'i kisha në pronësi. Si pasojë, besoj se edhe RAI ka një përfitim të mirë duke më dhënë këta një milionë e dyqindetetëdhjetë mijë lireta. Dhe me kaq unë sonte ju përshëndes të gjithëve...".

 

Ikja kësisoj e tij i dha një goditje të rëndë drejtimit të lojës. Thuajse të gjithë do të kishin parapëlqyer një fund të lumtur me fitore përfundimtare, por ka mundësi që ky epilog t'i ketë dhënë edhe më tepër forcë dhe besueshmëri programit, sepse kështu ishte provuar se konkurrentët nuk qenë përpunuar. Kanë kaluar kaq vjet qysh asokohe dhe qysh atëherë në programet e mia që erdhën më mbas, programe të tipit "Rischiatutto", ka pasë gjithë ata "personazhe", por asnjeri prej tyre nuk arriti popullaritetin e Lando Degoli-t, i cili pati guximin të polemizonte haptas me RAI-n e paprekshëm.

 

 

***

 

Mbas disa muajve nga debutimi i "Lascia o raddoppia?", popullariteti i programit u pa që kishte mbërritur në një pikë të tillë, saqë të enjteve në mbrëmje në orën 9, e gjithë Italia gozhdohej.

 

Në fillim programi transmetohej të shtunën, por në shkurtin 1956, të zotët e kinemave dhe të teatrove do të protestonin për dëmet e pësuara dhe do të bashkonin forcat e tyre duke i kërkuar RAI-t që ta zhvendoste programin, sepse në këtë ditë askush nuk shkonte të shihte spektaklet dhe kështu sallat ishin bosh.

 

Kësisoj, dita qe zhvendosur për të enjten, por u pa se dukuria ndikonte edhe më fort në punët e tyre dhe ata u detyruan të pajisin sallat e tyre për projektimin në ekranin e madh të "Lascia o raddoppia?", para një filmi ose të një shfaqjeje teatrale. Po kështu ndodhi, e pabesueshme por e vërtetë, edhe gjatë mbledhjeve të natës në Senat apo Dhomë.

 

Ju lutem më besoni, nuk po zmadhoj asgjë, mund të verifikoni përmes kronikave gazetareske të kohës. Në gjithë Italinë, në çdo bar blihesh një televizor, dhe në orën kur ne fillonim ishte e pamundur të hyje, kaq të shumtë ishin njerëzit të cilët ndodheshin aty. Në qendrat malore ku ende nuk kishte televizion, dhjetëra njerëz zbrisnin poshtë në luginë duke përshkuar kilometra e kilometra të tanë për të parë "Lascia o raddoppia?" në lokalet ku kishte një televizor.

 

Një kritik i rëndësishëm televiziv ka thënë se ishte ky "programi i parë që ngjiti në skenë fantazmën e modernizmit, më parë se të mbërrinte bumi ekonomik." Konkurrentët mund të ëndërronin se mund të çonin në shtëpi pesë milionët e 120 mijë liretat e famshme (një shifër marramendëse për një vend i cili ishte ende fshatar dhe me një luftë të humbur mbi shpinë); e madje edhe nëse do të "ndalonte" në shifrën 640 mijë, ai do të fitonte një FIAT 600 të papërmbajtshëm, që konsiderohej "kali i betejës i motorizimit të masave".

 

Disa kritikë të tjerë do të pohonin se me suksesin e saj "Lascia o raddoppia?", "ka ligjësuar praninë e TV në jetën e të gjithë ditëve" dhe madje se "vendi po fillon të përjetojë drejtpërsëdrejti aventurën e njohjes, dhe ta pranojë dijen duke folë një gjuhë të vetme".

 

E gjitha kjo që ndodhte me "Lascia o raddoppia?", në të vërtetë përbënte një lajm të madh.

 

Ne, protagonistët e programit, shkuam edhe për vizitë te Papa Piu XII. Ka qenë 14 tetor 1956. Audienca u bë për një grup fituesish dhe të mundurish të programit, midis të cilëve ishin edhe Degoli dhe Campagnoli. Papa nuk kishte pa kurrnjiherë një telequiz, dhe mbaj mend se e informova për mekanizmin e lojës, e mandej ai premtoi se do të ishte i pranishëm një herë të program. E bëri të enjten e ardhshme! Isha tejet i emocionuar, por them se isha po aq shumë i shqetësuar, sepse kisha frikë ngaqë qe marrë vesh gjithçka për martesën time të mëparshme, pavarësisht se qe anuluar, dhe nuk doja që shtypi të priste vizitën e Papës për të tërhequr mbas védit jetën time vetjake.

Duke pa suksesin e programit, skena e teatrit të Panairit ishte shndërruar thuajse në një shesh kalimi. Erdhi si mik nderi edhe Toto, dhe ishte një nga dukjet e tij të rralla në skenën televizive (Pak më parë kishim xhiruar skenat e filmit "Toto Lascia o raddoppia?",). Një ditë tjetër erdhi edhe Giorgio de Chirico i cili përfitoi për të lëshuar një mallkim të ashpër kundër artit kontemporan. Tha madje se pikturat kontemporane nuk i kuptonte askush, as ai që i bënte. Mori duartrokitje të stuhishme prej spektatorëve të cilët nuk prisnin që një njeri i tillë autoritar të mund të konfirmonte atë që përherë e kishin menduar edhe ata vetë, por pa patur kurrë guximin për ta shprehë.

 

***

 

Ndihmësja apo shoqëruesja ime e parë, ishte Maria Giovannini, një vajzë e bukur romane e cila ishte zgjedhë Miss Roma dhe madje synonte për Miss Italia.

Ishte përherë e emocionuar dhe në një nga puntatat e para të programit, në çastet e fillimit teksa kishte për detyrë të paraqiste programin, tha: "Nga teatri La Scala i Milanos po transmetojnë": në vend që të thoshte "nga teatri i Panairit të Milanos po transmetojmë...".

 

E kuptoi shpejt gabimin e saj dhe kërkoi ta ndreqte: "Nga shkalla ("scala" në italisht) e Teatrit të Milanos, nga panairi i Teatrit Scala..!", duke shpikur kështu një koktej panairesh, shkallësh (scala) dhe të falunash... dhe mbas një gjysmë lutjesh drejt qiellit, thuajse shpërtheu në të qara.. Ngjarja shkaktoi një të qeshur të përgjithshme, dhe ajo më në fund arrin të qetësohet dhe të thotë: "Nga teatri i Panairit të Milanos ja për ju "Lascia o raddoppia?"".

 

Në RAI të asokohe nuk mund të lejoheshin gabime të tilla dhe ajo e mjerë u pushua menjëherë. Duke filluar nga puntata tjetër u thirr një paraqitëse bionde, e cila quhej Edy Campagnoli, e cila qe zgjedhur për bukurinë e saj, por edhe për të përmbajturit e saj. Detyra e saj ishte për të më dhënë zarfet pa folur asnjë fjalë. Kështu e kishin urdhëruar funksionarët e programit. E kishin quajtur "shoqëruesja e heshtur", e cila do të shqiptonte pak a shumë njëzet fjalë në të gjithë historinë e quiz-it. Thoshin se faji ishte i imi, sepse ndjehesha xheloz, dhe nuk doja që ajo të binte fort në sy. Të gjitha këto nuk ishin aspak të vërteta.

 

Mjerisht Campagnoli nuk jeton më, vdiq më 1995. Kemi paraqitur së bashku edhe Festivalin e Sanremos më 1963, dhe mbas pak ajo hoqi dorë nga skena. I lindi një vajzë shumë e bukur, Patrizia, e cila në ndryshim prej saj, ishte tejet e aftë për të folur! Për një filmim të shkurtër përkujtues të programit, çka RAI donte ta bënte më 1979, e thirrën si ndihmësja ime. I ati ishte mu portieri i Milanit dhe i Kombëtares italiane, Lorenzo Buffon. Kur qe martuar me Compagnoli-n qe bllokuar gjithë Milano, dhe mijëra njerëz shtyheshin mizëri para kishës ku do të zhvillohej ceremonia.

 

Regjisori ishte Romolo Siena. Me te kisha bërë edhe programin "Fortunatissimo" dhe mbas tij vazhduam bashkëpunimin në disa programe të mia të viteve Gjashtëdhjetë si "Campanile sera" dhe "La fiera dei sogni".

 

Ndodhi për herë të parë që në televizion të krijohej një lloj maskoti-personazh. Ishte maskoti i "Lascia o raddoppia?", që u bë një "markë" e famshme.

Kishim bërë disa përpjekje dhe së fundi u vendos që të krijohej prej piktorit Ennio Di Majo. Midis tij dhe meje lindi një miqësi e bukur, dhe ndër vite ai më bënte karikatura të bukura që i ruaj sot e kësaj dite.

 

Unë asokohe isha shumë miop dhe i urreja syzet. Për të mos i vënë, i shkruaja pyetjet me germa kubike Askush nuk e dinte këtë sekret, derisa një gazetar me sy depërtues, ia arriti ta zbulonte dhe ia dha lajmin publikut. Për këtë shkak unë fillova të vë syze, kur lexoja dhe t'i hiqja kur e shihja në fytyrë konkurrentin. Ishte një vër e hiq syze. Një gjest që u bë karakteristika ime, që u përdor prej të gjithë imitatorëve të mi.

 

Qysh kur një vit më parë unë u operova në sy, duke e risjellë shikimin si të një shqiponje, nuk kam pasë më nevojë për syze. Shumë më thonë: "Ah, të mungon diçka prej Mike Bongiorno-s që kemi njohur pak vjet më parë!".

 

Ishte një operacion shumë i thjeshtë. Nuk zgjati më shumë se sa pesëmbëdhjetë minuta për secilin sy. I bërë nga profesor Philippe Crozafon në Nizza dhe nga miku im shumë i aftë profesor Limoli i Milanos.

 

***

 

Tash së fundi, duke bërë sistemimin e shiritave të arkivave të mi, i kam riparë batutat më të para të "Lascia o raddoppia?" Teknikisht dukem që kam qenë jo fort i lirshëm, nuk dija ku të vendosja duart, dhe shihja shpesh për tokë, disi në mëdyshje. Të gjithë gjestet tipike të një djali të mbyllur, dhe zakone që me kalimin e viteve të karrierës kam pasë mundësi t'i ndreq. Por që në një pikëpamje më kanë ndihmuar për t'u njinjisuar me publikun.

 

Për të metat e mia i kam dhënë mundësi disave që të shkruajnë. Ekziston kësisoj, një letërsi e tanë kritikësh të cilët janë dëfryer me mua, dhe të cilët kanë vënë mikroskopin në "rrudhat"e mia...

 

Në lidhje me këtë, çdo të enjte në orën 19. pra dy orë para fillimit të programit, i kaloja në zyrën e rrugës Sempione në Milano ku gjeja të ashtuquajturit ekspertë, të cilët nën drejtimin e profesor Mantelli-t zgjidhnin pyetjet që do të bëheshin. Më kujtohet se çdo herë shfaqej një i ri i cili sillte një zarf. E quanin Umberto Eco. Ia dorëzonte Mantelli-t dhe mandej largohej. Gjithmonë kam pasë dyshimin se brenda zarfit ishin pyetjet e programit tim, çka Eco kurrë nuk e ka pranuar. Nuk kam mundur ende të mësoj të vërtetën, edhe sepse marrëdhëniet tona do të ftoheshin tejet kur ai vendosi të shkruajë një studim për mua, të titulluar "Fenomenologjia e Mike Bongiorno-s"..

Nuk qe shumë i butë ndaj meje. Dhe shkaktoi jo pak diskutime dhe debate. Unë dhe karriera e programit tim ishim bërë vërtet një fenomen dhe rit.

 

 

"Rischiatutto"

 

I.

Më 5 shkurt 1970 në kanalin e dytë filloi programi i paracaktuar për t'u bërë quiz-i më i rëndësishëm në historinë e televizionit italian. Një shéj i vërtetë dhe i paluajtshëm i fatit, sepse në të vërtetë do të kisha braktisë gjithçka nëse nuk do të kishte ndodhë përkimi i takimit me Carlo Fuscagni-n në korridoret e RAI-t. Kësisoj, jeta ime është e paracaktuar prej ngjarjesh të këtij lloji, të të papriturave të skenave të jashtëzakonshme në çastet më të paparashikueshme.

 

"Rischiatutto" ka qenë qiuz-i im më i pjekur, fryt i shumë viteve përvoje televizive dhe të vetëkuptimit të botës së spektaklit, i ndërtuar duke u përkujdesur deri në imtësi për çdo detaj përmes një periudhe të gjatë kërkimi. Ishte një lloj ndeshjeje që e gjitha zgjaste diçka mbi një orë, e përmbledhur, pa pushime, dhe pa kohë të vdekur.

 

Fillimisht menduam ta emërtonim "A Repetaglio!", çka do të na kujtonte një titull origjinal të programit amerikan "Jeopardy", prej të cilit kisha marrë si të thuash, frymëzimin e parë. Megjithatë, me kalimin e muajve dhe me konsolidimin e skuadrës teknike dhe artistike, titulli u ndryshua përfundimisht në "Rischiatutto" ("Rrezikogjithçka)".

 

RAI më dha ndërkaq, skenografin më të mirë të asokohe, të cilit do t'i besonim përgjegjësinë e drejtimit të programit, si dhe një zyrë të madhe ku do të bënim provat për konkurrentët. Ai ishte Giorgio Carnevali, i cili kur do të fillonim të hynim në valë, do të merrte edhe rolin e kontrolluesit, duke qëndruar te një tryezë mbrapa meje. Sa herë që ndërhynte për vendimet me të cilët nuk ishim në një mendje, i afrohesha atij dhe inskenonim diskutime me gjeste të mëdha që fiksoheshin prej regjisorit Piero Turchetti.

Turchetti, i famshëm edhe për frazën që unë shqiptoja sa herë që fillonte programi: "Le të nisin trombat, Turchetti!" (në përshtatje me siglën e famshme të një grupi trombash), e kishte përpunuar kur punonte me mua në kohët e "Campanile sera", duke u përkujdesë për disa lidhje me jashtë. Ishte një personazh i ditur, i përsosur për një program që bazohej mu në kulturën. Kujtoj se në bisedat e tij të gjata me konkurrentët rreth argumenteve të tyre, ishte gjithmonë interesant dhe i hapur me të gjithë. Vazhduam më mbas duke bashkëpunuar qëndrueshmërisht së bashku deri më 1982.

 

Në suksesin e programit ndikoi tejet edhe një zgjidhje e pranueshme për sa i përket "shoqërueses" sime Sabina Ciuffini. Ishim më 1970, disa vite të mira mbas "revolucionit" 1968 dhe efektet e ndryshimit të mendësisë dhe të sjelljes, mbi të gjitha midis të rinjve, ende ndikonin në jetën e përditshme.

 

Mendoja se të dhënat e përsosura për një shoqëruese televizive moderne do të duhej të ishin aftësia e të shprehurit mirë, dhe një fizik i bukur. Këmbëngulja të gjeja një tip gruaje moderne, me të cilën të mund të njinjisoheshin të gjithë të rinjtë, dhe që të dinte të shprehte tërheqje dhe personalitet.

 

Shkova së bashku me bashkëpunëtorët i fshehur në një makinë, karshi Universitetit të Romës. Ishim vendosur në pika të ndryshme strategjike, dhe kur shihnim ndonjë vajzë të bukur, e cila sipas nesh i përgjigjej kërkesave tona, njeri prej nesh i afrohej asaj dhe e ftonte, mbasi e kishim pyetur nëse ishte e interesuar për të ardhur në studiot e televizionit.

 

Gjetëm nja njëzet, e, më duhet të them se kur erdhi Sabina Ciuffini e veshur me një fundshkurtër (minigonë) e kuptova se me te ia kishim arritë qëllimit. Bukuria e saj ishte e ëmbël dhe që mishëronte shpirtin e këtyre viteve. Një fizik shumë i bukur, mbante funde tërheqës dhe shumë të shkurtë, çorapë të gjatë të zinj dhe kishte ndërkaq, një buzëqeshje çarmatosëse të një vajze shumë të aftë. E lindur në Argjentinë, por krejtësisht italiane, ajo studionte filozofi, kishte një mendje kërshërie, dhe dinte me folë shumë mirë.

 

Publiku televiziv u dashurua mbas saj, dhe stili i saj, buzëqeshja e saj së bashku me fundshkurtërin e saj hynë në histori. Popullariteti i saj u shtua javë mbas jave në mënyrë të rrufeshme edhe falë parodive që përqendroheshin mu te fundshkurtëri i saj, çka paraqiste një diçka krejt të re për televizionin. Nuk duhet harruar se deri asokohe balerinat e para duhet të vishnin geta të trasha, kaq i rreptë ishte kostumi televiziv.

 

U bë historik skeçi që interpretonte me te Alighiero Noschese, imituesi më i madh, sipas mendimit tim, të cilin e thërrisnim ndonjëherë. Shpesh RAI ende transmeton çastin kur ai më imiton mua dhe Ciuffini-n, ndërsa unë e urdhëroj rreptësisht se si duhej të sillej. Në lidhje me këte, Noschese tërhiqte një lloj litari, dhe fundshkurtëri ulej gjatë-gjatë deri te kaviljet.

 

Një tjetër skenë e famshme e Noschese-s e frymëzuar falë "Rischiatutto"-s, ishte ajo e treshes së konkurrentëve gjoja të keqtrajtuar prej meje. Dhe për sa i përket mënyrës sime të të trajtuarit të konkurrentëve, duhet thënë se imituesit janë marrë sa s'ka ku shkon më. Edhe Fiorello këto vitet e fundit, dëfrehet në programet e tij radiofonike duke marrë mënyrën time të ndërhyrjeve ndaj fëmijëve konkurrentë në programin "Genius".

 

Me famën e fituar në "Rischiatutto, Ciuffini mori pjesë si shoqëruesja ime edhe në Festivalin e Sanremos më 1975, dhe më mbas u bë edhe drejtuese e disa emisioneve të Mediaset.

 

Në program, pranë me Giorgio Carnevali-n, qëndronte edhe ai që me vite u bë autori i jetës sime: Ludovico Peregrini. E kisha njohur falë një bashkëpunimi të shkurtë në radio, ku midis të tjerëve, punonte me mua edhe Paolo Limiti. Të dy u bënë autorët e pyetjeve të "Rischiatutto". Limiti, i cili kujtoj se kishte një gjakim të madh për pyetjet në stilin amerikan, ishte në regji, dhe Peregrini rrinte mbrapa meje pranë Carnevali-t. Mbas suksesit të "Rischiatutto", Ludovico Peregrini, gjithnjë i pranishëm në studio në të gjithë quiz-et, më vonë ka punuar edhe në Mediaset, dhe përveçse autor, u bë edhe një lloj noteri, një ruajtës i zbatimit të rregullores. Njerëzit nga shtëpia e deshtën fort atë, të mësuar që ta shihnin shpesh duke hedhur poshtë përgjigjet e gabuara në rolin e tij të gjyqtarit të garës. Kështu ai fitoi emrin e famshëm "Zotnia Jo"!

 

Ne ishim një skuadër shumë e fuqishme, një grup pune që i ka bërë të gjithë me folë me vete dhe që do të vazhdojë gjatë të sundojë historinë e televizionit tonë.

Eleganca, përsosmëria dhe stili modern i programit mishëroheshin edhe në grafikën origjinale, si dhe në siglën e famshme me çaste multiplikative, të personifikuara prej germës "R", që në fund ia arrinte të ngurtësohej, duke u shndërruar në një bastun të rëndë.

 

Shumë e bukur ishte edhe muzika e siglës e Georges Moustaki, këngëtari egjiptian i natyralizuar francez, i cili kishte arritur suksesin e madh me "Lo straniero", dhe për të cilin tash së fundi mësoj se jeton në një ishull të Pacifikut. Mandej, në dy sezonet e fundit, për ndryshim qe zëvendësuar me këngën "Amare di meno" të Pepino di Capri-t.

Në fund të fundit, "Rischiatutto" ishte e përqendruar në talente teknike dhe artistike, të gjithë të mbështetur në dy tregues që kanë përbërë suksesin e programit: konkurrentët dhe ritmi.

 

XXX

 

Ndodhi që ashtu si dhe për "Lascia o raddoppia?", ku episodi i famshëm i controfagotto-s vetvetiu kishte popullarizuar programin, edhe "Rischiatutto" u pagëzua përmes një gabimi të frikshëm.

 

"Të kujt janë këto vargje muzikorë?"- pyeta një konkurrent.

 

"Po a nuk janë ato të himnit të Italisë!", u përgjigj ai.

 

Mbi skedën time në të vërtetë ishte shkruar qartë se i përkisnin një poezie të Giosue Carducci-t. Dhe kështu, unë i thashë se përgjigjja ishte e gabuar.

 

Fundi i botës ra mbi krejt teatrin, mbi të gjitha për shkak të gazetarëve, të cilët në kundërshtim me puntatën e parë të "Lascia o raddoppia?", tash ishin jashtëzakonisht shumë. Britma, fishkëllima, madje disa u ngjitën me këmbë mbi poltrona!

 

Unë, megjithatë vazhdova programin pa u tutur assesi. Në një stil të përsosur të famës sime të njeriut të paturbulluar. Një cilësi që e kisha treguar edhe në të kaluarën në situata të vështira kësisoj, për shembull në Sanremo, kur pat ndodhur rasti i kalamendjes së Carla Maria Puccini-t.

 

Regjisori i puntatës së parë, i cili mandej u ndërrua me Turchetti-n, iku nga teatri për të mënjanuar sulmet prej polemikave të publikut. Për sa do të merrnim vesh më mbas, ai qe tronditur i gjithi prej çka ndodhi, ngjarje që do të na shqetësonte jo vetëm ne, por dhe familjen e tij për disa ditë.

 

Falë zotit programi ishte i regjistruar dhe kështu ne mënjanuam një tjetër keqfigurë si ajo e controfagotto-s. Giorgio Carnevali e mori menjëherë ndër duar situatën, dhe i fortë në detyrën e tij siç ishte, i bindur se duhej të hynim në valë, vendosi me e ndërpre krejt garën, duke lënë vetëm pjesëzën e fillimit në të cilën shpjegohej mekanizmi i "Rischiatutto" -s.

 

Gazetat folën jo pak natyrisht, por spektatorët në shtëpi, nuk mësuan për gabimin e madh, për të cilin kësaj radhe unë nuk isha aspak përgjegjës.

 

XXX

 

Sapo u vu në vend makina e lojës, u kuptua se "Rischiatutto" do të shndërrohej në një sukses të madh. Qysh në batutat e para dhe deri në puntatat e mëmbasme ne i kaluam njëzet milionët e dëgjuesve.

 

Ishin të dhëna mrekulluese. Mesatarja e kanalit të dytë ishte rreth shtatë milionë. RAI po e shihte tashmâ se ndodhej përballë një ngjarjeje televizive si në kohët e "Lascia o raddoppia?" dhe madje edhe më fort se kaq. Treguesi i ndjekjes arriti një rekord sot e kësaj dite të pakalueshëm për një quiz. Morëm më shumë se njëzetepesëmijë kërkesa pjesëmarrjeje për katër muaj, e në zyrën time të sekretarisë ishin një mal me pako letrash dhe kartolinash që vinin prej të gjithë rajoneve të Italisë.

 

Midis spektatorëve thuhej se mund të ishte vetë Papa Pavli VI dhe presidenti i Republikës Giovanni Leone, i cili, i ftuar një të enjte në mbrëmje për një darkë në rrethin e "Granatieri di Sardegna", kërkoi ta afronte një orë darkën për të mos humbur programin tonë.

 

Stina e parë, ajo e tetarit "Delle Vittorie" në Romë u zgjat deri më 30 korrik, pa munguar asnjë të enjte, madje as në ditët e Kampionatit Botëror të futbollit në Meksikë.

Nga vjeshta 1970 do ta rifillonim spektaklin në teatrin e Panairit të Milanos. Dhe mu ky ishte sezoni i dytë në të cilin do të fillonte seria e pandërprerë e triumfeve dhe e çmimeve të fituara, me të vërtetë bujshëm. Kjo sepse në garë do të hynin një ushtri e tanë personazhesh të cilët do të bëheshin edhe më popullorë se sa ata të kohës së "Lascia o raddoppia?"

 

Në fillim menduam që ta përfundonim programin në mbarim të sezonit të tretë, mbas asaj që mund ta quajmë "supersfida e qershorit 1972". Mirëpo, këmbëngulja e publikut dhe kërkesat për t'u regjistruar vazhdonin të ishin të tilla sa që na detyruan për një zgjatje të mëtejshme të programit.

 

Midis letrave të pafund që merrnim, e cila përfaqësonte universin po aq të pafund njerëzor, ishte dhe kjo: "I dashur Zotni Mike, unë dua të vi në "Rischiatutto" për t'u përgjigjur për të vdekurit dhe varret, për të zhvarrosurit, për skeletet, dhe për nëndhénë e njerëzve të shquar. Kam qenë varrmihës për më shumë se gjysmë shekulli dhe kam futur nëntokë njerëz të panumërt. Jam shtatëdhjetë e një vjeç dhe shpresoj se kam për të qenë i nevojshëm edhe për ju".

 

Ky nuk është një trillim! Bëhej fjalë për zotni Paolo Tiognon, i cili ishte nga provinca e Gorizia-s. Por në ato rrethana nuk dinim nëse ai mund të vinte vërtet. Po në çka mund të më ishte i nevojshëm?...

 

Dhe kështu do të vazhdonim edhe për dy vjet të tjera, pa rënë assesi interesi, deri më 25 maj 1974 kur në përfundim do të regjistronim një ndjekje prej afër tridhjetë milion spektatorësh, më shumë se sa ç'kishte tërhequr transmetimi i mbërritjes në hënë më 1969.

 

XXX

 

Mbas disa viteve që ishim në valë, në të gjithë Evropën u përhap lajmi i një suksesi të jashtëzakonshëm të programit dhe të mesatares së ndjekjes rekord që po merrnim.

Dhe kishte shumë kërkesa për të marrë formulën e "Rischiatutto", duke qenë se unë zotëroja të drejtat e autorit.

 

Shkova kështu në Gjermani, në Austri, në Holandë, në Zvicër, me rastin e puntatave të para në këto shtete, për t'i shpjeguar paraqitësve të atjeshëm mekanizmin e programit. Dhe vetëm për të drejtat, televizionet që më kishin thirrë, paguan dyfishin e asaj çka unë fitoja çdo të enjte kur isha në valë. Ua them këtë, për të dhënë një ide të kushteve në të cilat paraqitësit punonim në Itali nën regjimin e një monopoli.

 

Hap mbas hapi, duke pa suksesin, kërkova një shtesë prej njëzetepesë-pesëdhjetëmijë lireta. Ia plasën me një qeshje të bukur dhe duke më treguar me dorë derën, më thanë: "Rri urtë, dhe shih se nga mbrapa është një radhë e gjatë e njerëzve të cilët presin me padurim për të të zënë vendin".

 

Kur ndodhte ndonjëherë që të tërhiqnim diçka më pak se njëzet milionë shikues në ditë, ata më thërrisnin në drejtori për të më thënë: "Kujdes, sepse po biem. Po të vazhdosh kështu, do ta mbyllim!".

 

Ne paraqitësit merrnim në fund të vitit një shtesë vjetore qesharake po ta krahasonim këtë me popullaritetin tonë edhe në përmasa me atë të aktorëve të kinemasë, të cilët rrëmbenin miliona për çdo rast paraqitjeje. Për fat shtoj se popullariteti im ishte i tillë saqë po të doja, çdo mbrëmje unë mirëpritesha në lokale të natës apo në raste festash në sheshe të qyteteve.

 

Sidoqoftë, ishte edhe kompensimi prej publicitetit për atë i cili kishte fatin të ndodhej nën një sponsor, si dhe pjesëmarrjet e vogla në filmimet kinematografike ose ndërhyrjet në veprimtaritë e industrive të mëdha.

 

Të gjitha këto kompensime së bashku, në fund të fundit më bënin që të mos ankohesha prej jetës sime. Midis shumë kënaqësive materiale që unë përfitoja, falë regjimit të gjithë kësaj mbipune, ato që më tërhiqnin ishin sidomos barkat dhe veturat e markave të mëdha të shquara.

 

Natyrisht, ngado që ta vështrosh, ishte shumë i padrejtë qëndrimi i RAI-t për sa i përket pagesave, por ndodheshim nën regjimin e monopolit dhe përderisa ende nuk kishte mbërritur Silvio Berlusconi i cili do t'i shumëfishonte pagesat - për të mos humbur postin, ne ishim të detyruar ta pranonim këtë gjendje.

 

II.

Fjala e fundit për zgjedhjen e konkurrentëve gjithmonë më takonte mua.

 

Mbas një takimi të parë, në selinë e RAI-t të rajonit të tyre, do të mbërrinin dy profesorë universitarë, të cilët qenë dërguar në Milano për një provë të vogël kulturore. Së fundi ata do të bashkoheshin me ekspertë që përputheshin me dituritë e tyre dhe kështu do të rreshtoheshin për pjesëmarrje në lojë. Mirëpo, mbas gjithë kësaj unë duhej t'i takoja ata, sepse mendoja se sado të aftë që të ishin, nëse nuk ishin "personazhe", nuk ia vlente t'i paraqiteshin publikut. Një nga pikët e nxehta të profesionit tim, ishte mu marrëdhënia që duhej të ndërtoja me konkurrentët. Një marrëdhënie e drejtpërdrejtë, e thjeshtë, si thuash, jo aq e sofistikuar. Po e njëjta gjë vlente edhe për publikun i cili dëshironte që të isha si njëri prej tyre. Mendoj se forca e madhe e profesionalizmit tim, ishte gjithmonë zotësia për të krijuar një marrëdhënie njerëzore dhe të sinqertë me konkurrentin.

 

Në "Rischiatutto" mua më jepej rasti që të kisha më tepër hapësirë për të thelluar këte element njerëzor. Kisha kohë për të folë me konkurrentët, të njihja dëshirat e tyre, në mënyrë që kështu t'i çoja në skenë të sigurt e të buzëqeshur para prozhektorëve.

 

Për shembull, i riu Rolfi: jeta e tij në fshat shkëlqente prej besimit dhe ishte një histori e një suksesi të sigurt, e ngjashme me ate që kishte rrëmbyer fantazinë e gjithë italianëve në "Lascia o raddoppia?", ai djaloshi i varfër i Jugut, i cili në mungesë të dritës elektrike në shtëpi, shkonte dhe studionte nën dritën e llambave të rrugës së fshatit të tij.

 

Publiku njinjisohej në mënyrë emocionuese, tregonte pasion, kuptonte të vërtetën e situatave, dhe "infektohej" prej lojës.

 

Gjatë javës në të cilën konkurrenti ishte kampion në fuqi, ai gjendesh para një dukurie të çmendur, duke u shndërruar në një objekt kulti për publikun. Njerëzit rrëmbeheshin mbas personalitetit të tij, bënin tifo si në festivalet e muzikore dhe në stadiumet e futbollit, ndërsa në librari, librat që përmbanin temat për të cilat kishte dituri kampioni i radhës, kishin një shitje të dukshme. E gjitha kjo ishte me të vërtetë një lloj gjuetie e kampionëve, të cilëve iu mbërrinin ftesa nga të gjitha anët dhe në periudhën e dukjes së tyre në TV, ata merrnin qindra telefonata në ditë.

 

Krijohej rreth tyre një dukuri e krejt e vërtetë mitizuese në një stil të gjerë.

 

Unë bëja ndërkaq, shumë biseda me fituesit. Shpesh i ftoja edhe në shtëpi. Iu lutesha që të bënin një jetë disi të mënjanueshme, që të mos bënin shumë paradë, në mënyrë që të ruhej privatësia e tyre. Tash që ata ishin në shéj të vëmendjes së shtypit, duhej të bënin jetën e një eremiti!

 

Ishte e padiskutueshme që kampionët e "Rischiatutto", shndërroheshin në personazhe të vërtetë. Secili me veçantinë e personalitetit, por të gjithë me të njëjtën simpati. Duhej me të vërtetë një sforco për të përballuar stresin që ata pësonin çdo javë. Reflekse të gatshme, kthjelltësi mendore...mandej intervistat, telefoni që bije, fansat që të thërrasin, që të qortojnë për çka shihnin, por dhe ata të cilët të bënin edhe propozime të pakëndshme...

 

XXX

 

Kampionia e parë e madhe e lojës, tre muaj mbas fillimit, ishte Giuliana Longari. Filloi në mbrëmjen e 7 majit 1970 në teatrin Vittorie në Romë dhe fitoi për 11 javë rresht, duke mbajtë rekordin e kohëzgjatjes.

 

Është mu ajo e cila bëri të flitej të premten në mëngjes kudo, në zyrë, në magazina, në treg, dhe ndoshta ajo do të mbesë si më popullorja. Ajo ishte një grua e bukur, me origjinë abruceze, e martuar me një mbrojtës të një skuadre të ragbisë. Ishte e regjistruar për Historinë romane si lëndë për pyetjet preliminare dhe për dyfishimin e fitimit. Iu bënte përshtypje drejtuesve të RAI-t të cilët më mbas do t'i propozonin të punonte në këtë institucion: përveçse që do të bëhej një autore shumë e mirë programesh, dhe sot e kësaj dite ajo është një këshilltare për Teche RAI-n.

 

Longari mbeti gjatë e kujtueshme edhe për shkak të një gafe të madhe timen, që si një legjendë metropolitane mbeti tejet e qëndrueshme në imagjinatën kolektive të italianëve.

 

Miti tregonte kësisoj se gjatë puntatës së njëzetekatërt të "Rischiatutto", më 16 korrik 1970, duke komentuar një gabim fatal të saj, në një çast të një tensioni të madh emotiv unë të kem thënë: "Ah, ah, ah zonja Longari, ju më qëlluat zogun!".

 

U spekulua shumë për këtë frazë, dhe rregullisht në vite janë përpjekë me marrë me mend zgjidhje nga më të ndryshmet për këtë enigmë: "E ka thënë apo nuk e ka thënë Mike? Si është e mundur që ta ketë thënë dhe nëse e ka thënë, përse e ka thënë?"

 

U përpoqën ta shpjegonin gafën duke ndjekur kontekstin e një pyetjeje për ornitologjinë (zoologjia që merret me shpendët), e madje të tjerët mbërrinin deri aty sa ta lidhnin me baletin "Zogu i zjarrit" të Stravinskijt, ndërsa disa të tjerë mendonin se kjo ka të bëjë me piktorin e famshëm Paolo Uccello.

 

Por le t'i lëmë të gjitha këto. Më vjen keq që të kërkoj të çmitizoj kësisoj, por më pat lindë mendimi që të shkoja e të shihja programin. Kisha gjithnjë një dyshim, por kurrë në vërtetësinë.

 

Nuk e kam thënë kurrnjiherë këtë frazë.

 

Mbi të gjitha, duke qenë një kundërkah i dyfishtë, kjo më kushtoi një ndëshkim të rëndë prej RAI-t.

 

Në këtë puntatë ndoshta kishte ndikuar një fragment i një eksklamacioni prej meje, mbi të cilin ka mundësi që të jetë endë në tel legjenda. Longari nuk ishte shumë në formë dhe poi u përgjigjej thuajse shkatërrimisht të gjitha pyetjeve në tabelë, rast krejt i veçantë ky, sepse zakonisht ajo ishte gjithmonë e përsosur. Në njëfarë pikë, mbas të kushedi satit gabim (çka mund të shihet në video që është në sitin e Teche RAI), i kam thënë: "Ah, ah, ah...!!!", që është një shprehje tipike e imja, por asaj here ndoshta e kam thënë me një emfazë të veçantë.

 

Besoj që kjo kishte qenë fara prej së cilës lindi dhe u rrit ajo gafë legjendare. Por për të shtéruar të gjitha mundësitë, është e nevojshme të vlerësojmë edhe burime të tjera që gjallojnë mbi të gjitha në Internet, e që thonë se fraza e famshme u shndërrua në art në një emision satirik të Renzo Arbore-s. Duket se një satirik i drejtë i bandës muzikore të programit të tij, kishte thënë: "Ah... ah...ah.. zonja Longari..". Por edhe kjo është njëra prej kaq e kaq hipotezave.

 

Vetë Giuliana Longari e marrë me këtë çështje, gjithmonë ka pohuar se kjo kurrsesi nuk ka ndodhë.

 

E megjithatë, çdo herë gazetarët dhe njerëzit që kishte takuar i kërkonin ta komentonte këtë anekdotë. Është interesant vërtet, po kjo ndodhte edhe me mua shpeshherë.

Megjithatë, sido që të ishte, fraza tashmâ bën pjesë në gjuhën tonë të përditshme, ashtu si dhe thirrja ime e famshme "Allegria!" të cilën unë e përsëris gjithmonë sot e kësaj dite në programet e mia.

 

Ndodhi që një mbasdreke, kur "Rischiatutto"qe transferuar nga Roma në teatrin e "Panairit të Milanos", hyra në studio për provat në një çast në të cilin trupat, teknikët, regjisorët, autorët, kameramanët, e tjerë.. e tjerë... kishin zënë vend të ngurosur në poltronat. Sapo kishte përfunduar, siç ngjet rëndom në profesionin tonë, një diskutim i zjarrtë për të cilin disa në shéj proteste kishin thënë frazën e zakonshme: "unë po iki", dhe ndodhi që kështu bukur e mirë, duke mos ditur asgjë se çka përjetohej aty, unë hyra i gëzuar dhe i kënaqur sepse sapo më kishin njoftuar që programi po shkonte shumë mirë. Dhe sa hyra unë buçita: "Allegria!" Ishte çasti më i gabueshëm për të shqiptuar një fjalë të këtillë. Por ndonëse të dukej se për këtë çast ajo ishte krejt jashtë vendit e kuvendit, ndodhi ajo që ndodh shpesh me gjërat absurde: çliroi situatën e krijuar, zbuti tensionet duke ia arritur që si një pasojë shëruese t'i bëjë që të qeshnin të gjithë, duke sjellë në mënyrë magjike qetësinë në teatrin.

 

XXX

 

Gianfranco Rolfi ka qenë një tjetër konkurrent historik i cili hapi serinë e fitimeve të ciklit të dytë të vjeshtës 1970. Vinte nga Roncadelli të Bresciano-s, dhe luante për Historinë e kishës. Kishte ardhë për të ndihmuar kishën, dhe thuhej se ai vetë do të bëhej prift. Ai ishte një djalë i bukur i cili para fillimit të lojës bënte kryq dhe lutej. U mësua ndërkaq, se në çastet e pjesëmarrjes së tij, të gjithë priftërinjtë rreth e qark Italisë gozhdoheshin para televizorit.

 

Ernesto Marcello Latini, e nisi më 1971, dhe krijoi modën e guximit më të lartë për të rrezikuar. U bë cigareshitësi më popullor i Italisë. Erdhi nga Monteporzio Catone dhe luante për romanet me shpatë dhe mantele. Në periudhën kur ishte në garë, të gjithë duhanpirësit përreth shkonin e blinin cigare në kioskën e tij. E pëlqente "rrezikun" dhe shpesh herë i ndodhte që të vinte në lojë gjithë ato që kishte fituar deri në atë çast. Asnjëherë nuk më harroi, dhe shpesh më dërgonte letra ose më telefononte. E ndjej ende mungesën e tij sepse mjerisht sot ai nuk jeton më.

 

Nga Firence, në pranverën e vitit 1971, erdhi të luante Andrea Fabbricatore, një farmacist shumë i aftë, me dhuntinë e një humorizmi të madh. Ishte i përgatitur për gjeografinë. I kundërvihej provave të pulsantit me ndërhyrje komike, duke i hapë sytë në një mënyrë të tillë sikur të interpretonte rolin e Calandrinos në një film të shikuar fort asokohe. Një ditë erdhi me dorën e futur në allçi. Kishte rënë nga biçikleta dhe nga jashtë i dukej një pjesë hekuri. Kundërshtarët kërkonin që të ekzaminohej me imtësi sepse ishin të bindur që aty brenda kishte një aparat të lidhur me radio prej së cilës gjoja ai merrte përgjigjet e pyetjeve të mia. Më rezulton se Fabbricatore, falë milionave që fitoi, ngriti një farmaci moderne të cilën e ka edhe sot e kësaj dite.

 

Massimo Inardi, mjeku i i cili ushtronte interesin e madh për parapsikologjinë, erdhi në garë më 2 dhjetor 1971. Ai kishte dituri rreth muzikës klasike. Për shumë vite ai ishte president i Institutit të shkencave paranormale.

 

Ai mbahet mend si kampioni përbindësh, absolut dhe më i famshëm i telequiz-it në krejt historinë e televizionit tonë. U quajt "magjistari". Përqendrimi i tij i frikshëm mahniste publikun.

 

Rreth tij lulëzuan legjendat, dhe nuk kishte pyetje së cilës ai të mos ia arrinte për t'iu përgjigjur. Në një farë pike po fitonte aq shumë, saqë, sot rrëfej se u përpoqëm që ta bënim të dorëzohej në një mënyrë ose një tjetër.

 

U përhap lajmi se zëri i tij, duke qenë se ai ishte parapsikolog, ia arrinte të lexonte në mendjen time përgjigjet që duhej të jepte. Për të mënjanuar këto polemika, arritëm të bënim një puntatë, ku pyetjet, të mos i lexoja unë, por Sabina Ciuffini. Megjithatë ai vazhdonte të fitonte pa ndalesë dhe ndërkohë numri i teleshikuesve arriti deri qiell. Në periudhën e tij mesatarja u ngjit rreth njëzetepesë milionë spektatorëve. Gjatë disa seancave që bënte përballë parapsikologëve të tjerë të famshëm, Inardi mbërriti "të kontaktonte" me shpirtin e atij që këmbëngulte të ishte një prej mishërimeve të mia. Më thoshte se ishte fjala për një luftëtar i cili kishte zbritë në Itali në krye të të një prej hordhive barbare dhe se ishte vrarë në betejë!

 

Ai ishte konkurrenti i parë i cili dhuroi fitimin e një puntate për bamirësi. E dhuroi të gjithë për një fëmijë i cili kishte nevojë për të ndërruar veshkën.

 

Gjenovezi Enzo Bottesini ishte një ekspert i nënujit dhe me praninë e tij i dha një nxitje të madhe këtij sporti në Itali. Në periudhën kur luante ai, magazinat e specializuara i mbaruan pajisjet që kishin. Kujtoj kur qe thirrë më mbas për të paraqitë në ujë, përpjekjen për rekord botëror të qëndrimit pa frymë në zhytje të Enzo Majorca-s. Bottesini u bë protagonisti i këtij rasti dramatik dhe komik në të njëjtën kohë. Ndërsa Majorka, po bënte lëvizjet e ngjitjes, ai shkoi e i ra përkundër në njëzet metra thellësi dhe kur doli nga uji gjithë Italia dëgjoi një tufë fjalësh shumë të rënda drejtpërsëdrejti në TV kundër tij.

 

Në fund të stinës së tretë, ideuam një supersfidë midis kampionëve. Ishte një mënyrë për të rritur tensionin, dhe ne mendonim se kjo mund të ishte edhe një mënyrë elegante dhe përfundimtare për ta mbyllë bukur programin. E binda RAI-n që ta barte "Rischiatutto"-n për këtë rast të vetëm në teatrin e artit në parkun Sempione të Milanos, i cili kishte një kapacitet padyshim më të madh. Kisha dashtë madje deri stadiumin "San Siro", kur kujtoj se sa kërkesa kishim prej publikut.

 

Fotografia e nëntë të mrekullueshmëve të konkursit, kushtuar fitores përfundimtare, mbeti si një ikonë e historisë së quiz-it. Inardi, Latini, Casalvolone, Longari, Buttafarro, Ruzzieri, Fabbricatore, Paolini, Lusetti u bënë personazhe kulti edhe për më të rinjtë. Për të gjithë njerëzit, "nëntë të mrekullueshmit e rrezikimit", siç quheshin, ishin bërë heronj. Dhe një nga çastet më solemne në historinë e quiz-it ishte mbrëmja e 10 qershorit 1972, kur Inardi u bë Superkampion. Për vite të tana, përreth miteve të programit në krahasim me ngjarje të tjera, citimet dhe diskutimet për programin, nuk do të ndalnin kurrsesi. Gazetat botonin postera dhe vazhdonin të shkruanin lumenj fjalësh. "Rischioooooooo!", siç thërrisja unë, do të përsëritej prej të gjithë të rinjve, duke u shndërruar në një prej frazave tashmâ të përfshira në vetë të folurën e përbashkët.

Shënoj se përveç imitimeve të Noschese-s, ishin edhe ato të Loreta Goggi-t, e cila bëhej shumë tërheqëse duke imituar Sabina-n. Nga ana tjetër, Paolo Villaggio, personalizonte Fracchian-n, nëpunësin "e padukshëm" të sistemit, dhe ëndërronte për të qenë superkampioni Massimo Inardi. Qe realizuar edhe një lojë tryeze që u shit shumë, madje edhe sot është si një objekt kulti midis të pasionuarve. Edhe me ta pati një rekord shitjesh të kutive. Thuajse të gjithë kampionët u bënë protagonistë të karuselit, të spoteve publicitare dhe disa madje u thirrën edhe për t'u xhiruar në filma. Longario drejtonte një program radiofonik, dhe çdo të premte në mesditë radio transmetonte një speciale për "Rischiatutto"-n, e drejtuar prej regjisorit Piero Turchetti. U tha se në një Itali të tronditur nga shumë turbullina dhe kundërshtime, "Rischiatutto" e së enjtes në mbrëmje qetësonte shpirtrat.

 

FUND
www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Atlantida një sajim i Platonit? (09.09.2009)
Mike Bongiorno paraqitësi më  kohëgjatë në historinë e televizionit botërorNga Besnik Dizdari (09.09.2009)
Dituria e humbur Enokiane (09.08.2009)
Daily Telegraph: Kur do të pastrohen Kina dhe Rusia nga monstrat?Nga George Walden (09.07.2009)
BBC: Pakti sovjetonazistNga Orlando Figes (09.02.2009)
70 vjet më pas: Rusia dhe Traktati Molotov-Ribentrop (09.02.2009)
Lufta e Dytë Botërore filloi 70 vjet më parë në Poloni (09.01.2009)
Rosie Schintter rrëfen si u ndërtua Ura e Zogut në MatNga Eduard M. Dilo (08.31.2009)
Wall Street Journal: Familjet Reagan dhe KennedyNga Peggy Noonan (08.30.2009)
Nderim dhe respekt për Senatorin Kenedi në ceremoninë funebre (08.30.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]