VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Pitagora: Numri është ligji i botës

                                                                                      

E Martë, 04.23.2024, 12:09pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DOSSIER
 
Pitagora: Numri është ligji i botës
E Enjte, 09.17.2009, 10:35am (GMT+1)

 

 

Pitagora lindi në ishullin grek Samos, midis vitit 592 dhe 572 para e.s. Që i vogël shfaqi shumë dhunti të veçanta që më vonë do të krijojnë një legjendë. Por edhe vetë emri i tij do të thotë "ai që u deklarua nga Pitia (profetja)". Në moshë të re, merr pjesë në Lojërat Olimpike ku dhe bëhet kampion në mundjen e lirë. Më pas do të udhëtojë në Egjipt ku dhe do të përfshihet në misteret e Memfidës dhe Heliupolit. Në vazhdim do të shkojë në Finike dhe në Halde, ku dhe do të mësojë astronominë dhe gjeometrinë. Rikthehet në Samo dhe themelon shkollën e tij, duke arritur të mbledhë mbi 3.000 nxënës. Madhështia e tij do të provokojë reagimet e pushtetarëve të Samosit dhe kështu do të detyrohet të largohet nga ishulli, ku pas një udhëtimi të gjatë do të arrijë në Krotone, ku dhe do të themelojë shkollën e tij të famshme rreth vitit 520 para erës sonë. Në të gjithë jetën e tij u mundua të jetë një shembull për njerëzit e tjerë, diçka që përbën bazën e mënyrës së doktrinës së tij.

Doktrina e tij është një "formulë" që do të udhëheqë njeriun në kuptimin e ligjeve të natyrës dhe të përmirësojë dhe të zhvillojë aftësitë e tij. Fillimi i kësaj "formule" është Matematika. Por jo me kuptimin e sotëm mbi këtë shkencë. Por me një konsiderim që mund të na udhëheqë në shkakun e parë të gjërave. Numrat janë Perëndi do të thotë Platoni më vonë, që për shumë studiues është Pitagorieni i fundit i madh, pavarësisht se kurrë nuk e njohu Pitagorën. Nga numrat fillon faza e shfaqjes së botës. Pitagora shpreh krijimin e botës si më poshtë:

"Bashkimi është ligji i Zotit, zhvillimi është ligji i jetës, numri është ligji i botës"

Matematika është pika ku takohen dhe harmonizohen feja, shkenca dhe arti. Për këtë, doktrina e tij mund të jetë gjithësore dhe të përmbajë harmonikisht, konceptin fetar, kërkimet shkencore dhe eksperimentin. Dhe të gjitha këto janë të mbushura me një total rregullash etikë ku dhe ato kanë të bëjnë me çelësa matematike dhe numra. Simbolet matematike kanë një rëndësi të madhe në doktrinën Pitagoriane, pasi nëpërmjet tyre arrinin të konsolidonin në botën e shfaqur gjithçka që kishin arritur të përvetësonin. Domethënë mund të shkruanin, duke përdorur simbolet matematike, një gjendje psikologjike ose një shprehje bukurie. Si për shembull numrin ? (? = 1.62...), që është shprehja e rregullit të bukurisë së Natyrës.

Pavarësisht se "Omakio" (shkolla pitagoriane) funksiononte me një mënyrë bashkëjetese, gjithashtu ekzistonin paralelisht aktivitete që u drejtoheshin audiencës së gjërë. Këto ishin audienca dhe fjalime publike mbi pyetje dhe probleme të jetës së përditshme dhe në zgjidhjet filozofike të tyre. Të shumtë ishin ata që vetëm ndiqnin, por pa dashur të zbatonin këto zgjidhje në të vërtetë. Disa të tjerë mundoheshin të shkonin më thellë, duke përparuar në hyrjen e tyre drejt komunitetit pitagorian dhe bëheshin nxënës. Për t'u bërë dikush nxënës i pranuar, duhej fillimisht të kalonte disa testime, sidomos të tipit psikologjik. Qëllimi i testimeve ishte që nxënësi të mund të aktivizojë, intelektin dhe aftësinë etike. Intelektin në mënyrë që të mund të kishte opinionin e tij. Dhe aftësinë etike për ta përdorur këtë intelekt në të mirën e përbashkët, duke kontrolluar prirjet egoiste.

Tjetër qëllim ishte kalitja e karakterit të njeriut dhe zhvillimin e trimërisë, qetësisë dhe vetëkontrollit. Për shembull, e linin për disa ditë vetëm në një dhomë me pak ujë dhe pak ushqim. I jepnin një dërrasë me ndonjë simbol gjeometrik të skalitur në të. Pasi meditonte për disa ditë, e dërgonin në një amfiteatër, ku përpara të gjithë nxënësve të vjetër duhej të thoshte se, çfarë kishte kuptuar nga ai simbol. Gjatë fjalimit të tij, audienca e ngacmonte me mënyra të ndryshme. Kjo ishte një testim me të cilin kandidati mund të kontrollonte defektin e arrogancës.

Në kuadrin e anëtarëve ekzistonin 3 nivele. Fillestari, Dëgjuesi dhe Matematikani. Në nivelin e Fillestarit, testimet ishin më delikate dhe kishin të bënin sidomos me imagjinatën e tij. Kishin si qëllim të zgjerohej imagjinata krijuese, duke izoluar dhe kufizuar fantazitë. Imagjinata krijuese ndryshon shumë nga fantazitë, sepse imagjinata është e kontrolluar, ka objektiv dhe jep rezultate praktike. Përkundrazi, fantazitë na tërheqin në mendime utopike që janë krejt të pamundura. Ky nivel plotësohej kur nxënësi arrinte të konsolidonte emocionet dhe ndjenjat e tij, domethënë atëherë kur arrinte t'i kontrollonte dhe t'i drejtonte më së miri ato.

Pasi të ketë mësuar të mbizotëronte pamjet e ekzagjeruara dhe negative të personalitetit të tij, atëherë mund të kalojë në nivelin tjetër, atë të Dëgjuesit. Zgjatja e kësaj faze është pak a shumë 5 vjet dhe nxënësi është i detyruar të jetë i heshtur. Në këtë mënyrë mësonte si të merrej dhe si të përmirësonte fuqitë dhe virtytet e tij. Gjeometri do të fillonte të mësonte pas moshës 28-vjeçare dhe në vazhdim. Deri atëherë, edukimi kishte si objektiv në formimin e personalitetit të tij. Në moshën 28-vjeçare (7 x 4 = 28 plotësohet një cikël i rëndësishëm i jetës së njeriut. Shtatë vjet për çdonjërin nga trupat e personalitetit. Këto trupa janë: a) trupi fizik, b) trupi energjik, c) trupi sentimental, d) trupi mendor konkret. Pasi të kishte edukuar personalitetin e tij, nxënësi mund të thellohej, duke zvogëluar rastet shtrembëruese mbi temat e Natyrës dhe të Perëndisë.

Pas kësaj faze të edukimit mund të kthehej përsëri dhe të integrohej brenda shoqërisë (domethënë të bëhej politikan, ose individ shoqëror) në mënyrë që të ishte më i dobishëm. Politikan për Pitagorienët ishte njeriu, i cili, pasi kishte mësuar filozofinë, rikthehej në shoqëri për t'u bërë i dobishëm për komunitetin. Nuk ishte një njeri që interesohej për poste dhe për pushtet, por përkundrazi interesohej për përmirësimin e shoqërisë.

Ai që zgjidhte të bëhej politikan nuk do të mund të kalonte në fazën e Matematicienit. Matematicien për Pitagorienët ishte ai që mund të jepte mësim, Mësuesi. Ata që ishin në këtë nivel kishin favorin që mund të jetonin afër Pitagorës. Për Pitagorienët, miqësia dhe ortakëria ishin dy gjërat më të rëndësishme. Pitagorienët konsideronin se, në këta elementë pasqyrohej dashuria universale. Ishin të "lidhur" nga betimi i mbajtjes së sekretit mbi doktrinën superiore, ceremonitë dhe simbolet e shenjta. Pitagora i ofroi njerëzimit një "eksperiment të suksesshëm" për atë që Platoni më vonë do të quajë: edukim me Gjimnastikë dhe Muzikë. Pavarësisht se shkolla e Krotones pushoi së funksionuari me një mënyrë të dhunshme, fama e Pitagorienëve vazhdoi të ekzistonte dhe të ndikonte në botën e atëhershme. Kështu, një shekull e gjysëm më vonë, një tjetër njeri i madh do të influencohet nga Pitagorizmi dhe do të kontribuojë dhe ai në zhvillimin e njeriut. Sigurisht nuk është askush tjetër përveç se themeluesi i Akademisë, Platoni.

Bazë e filozofisë së Pitagorës është teza se, "numri është thelb i të gjitha sendeve dhe se organizimi i universumit në përgjithësi paraqet për nga përcaktimet e tij një sistem harmonik të numrave dhe të raporteve të tyre" (Aristoteli). Duke mohuar realitetin ndijor, materien si substancë dhe duke reduktuar botën në thelbin e saj në intelekt, Pitagora konsideron se vetëm forma është e pazhdukshme, kurse forma nga e cila çdo gjë buron është pikërisht numri. Përkundër sendeve materiale të ndryshueshme dhe përmbajtjeve të tyre, përkundër përvojës së tërësishme ndijore, raportet numërore matematike shprehin karakteristika jashtëkohore, të amshueshme, aksiomatike, të cilat medoemos i përmban çdo send në vete. Kjo ide e thellë mbi nevojën e reduktimit të gjithë hamendjes në substraktin kuantitativ të saj - ndonëse do të ishte "paragjykim që numrat dhe figuracionet hapësinore të jenë të aftë të shprehin qenien absolute" (Hegeli) - vazhdoi te vetë Pitagora dhe pastaj edhe në mënyrë më të theksuar te shumë vazhdues të tij, të ishte përpjekje mistiko-simbolike për t'u dhënë kuptim disa raporteve të numrave. Kështu, për shembull, numri 10 është simbol i harmonisë së përgjithshme dhe ideale. Në përgjithësi, në natyrë çdo gjë matet dhe i nënshtrohet numrit, dhe prandaj të njohësh botën, strukturën e saj dhe ligjësitë e saj nuk do të thotë gjë tjetër veçse të njohësh numrat, të cilët sundojnë në këtë botë. Por, me rastin e shqyrtimit të numrave, Pitagora dhe nxënësit e tij provuan edhe kundërshtimet që përcjellin të gjitha raportet kuantitative (siç është për shembull, kundërshtimi midis numrave çift dhe tek). Gjithçka, në realitet që ekziston është një varg kundërshtimesh. "Kjo është, thotë Hegeli, "përpjekje e ndërtimit të mëtejshëm të idesë së filozofisë spekulative në vetë atë, domethënë në nocione". Mirëpo, Hegeli - duke folur për kundërshtimet e Pitagorës - njëkohësisht konstaton me të drejtë. "Ky është një fillim i pagdhendur i përcaktimit më të afërt të kundërshtimit; pa rend, pa thellësi, njësoj me numërimin indian të parimeve dhe të substancave".

Jetëshkrimet- Kureshtje nga jeta e Pitagorës

* Pitagora u interesua për matematikën me sa duket për arsye fetare. Origjinaliteti i tij, mund të themi, qëndron në bindjen se studimi i matematikës është pastrimi më i mirë i shpirtit. Pra, ai është themelues i një sekti fetar, dhe në të njëjtën kohë, i një shkolle të matematikës. Ajo, që bëri të lindte sekti pitagorian, ishte dëshira midis njerëzve për një besim të thellë shpirtëror, që mund t'u siguronte mjetet për të pastruar shpirtin dhe për t'u garantuar nga imoraliteti. Perënditë e Homerit nuk ishin perëndi, në kuptimin teologjik, deri sa ishin po aq imorale sa qeniet njerëzore dhe, si të tilla, nuk mund të ishin as objekt adhurimi e as burim i ndonjë fuqie shpirtërore për të kapërcyer përhapjen e ndjenjës së papastërtisë morale dhe ankthit njerëzor mbi shkurtësinë e jetës dhe fundin e saj, vdekjen. Lëvizja fetare, që më parë merrej me këto probleme njerëzore, ishte feja e Dionisit, e cila u përhap gjatë shekullit të shtatë dhe të gjashtë p.e.s. Adhurimi ndaj Dionisit kënaqte deri në një farë mase dëshirën për pastërti dhe pavdekësi. E organizuar në shoqëri të vogla, sekrete dhe mistike, pasuesit duhet të adhuronin Dionisin në forma të ndryshme kafshësh, duke vepruar së bashku në valle të shfrenuara dhe duke kënduar, ata duhej të pinin gjakun e këtyre kafshëve, të cilat ata i shqyenin pjesë-pjesë në një gjendje dehjeje, dhe më në fund të arrinin në një rraskapitje të plotë të bindur se, në kulmin e tërbimit të tyre, hynte shpirti i Dionisit, duke i pastruar ata dhe duke ju dhuruar pavdekësinë e tij në shpirtërat e tyre.

* Pitagorasit ishin mjaft të interesuar për problemet mistike të pastrimit dhe të pavdekësisë dhe për këtë arsye, ata u morën me shkencë dhe matematikë, studimin e të cilave ata e konsideronin pastrimin më të mirë për shpirtin. Në mendimin shkencor dhe matematik ata panë një mënyrë jetese, që më shumë se çdo lloj tjetër, ishte "e pastër". Mendimi dhe të menduarit përfaqëson një kontrast të qartë me jetën e tregtisë dhe të konkurrencës për nderime të ndryshme. Ishte i pari Pitagora, i cili zbatoi tre ndarjet e shpirtit dhe dalloi tre lloje të ndryshme jete, duke thënë se janë tre lloje njerëzish që shkojnë në Lojërat Olimpike. Klasa më e ulët është e përbërë nga ata që shkojnë atje për të fituar nderime. Më të mirët e të gjithëve, mendon Pitagora, janë ata të cilët venë si spektatorë, që reflektojnë dhe analizojnë për çfarë ndodh. Nga këto tre ndarje, spektatori ilustron mendimtarin, veprimtaria e të cilit si filozof e çliron atë nga zhvillimet e jetës së përditshme dhe papërsosmërisë së saj. Të "vështrosh", është një nga kuptimet e fjalës greke "teori". Të menduarit teorik ose shkenca e pastër dhe matematika e pastër, konsiderohen nga pitagorasit si një pastrim i shpirtit. Veçanërisht, mendimi matematik mund të çlirojë njerëzit nga të menduarit për sendet e veçanta dhe ta drejtojë mendimin e tyre, në botën e qëndrueshme dhe të rregullt të numrave. Triumfi mistik final i pitagorasit është çlirimi i tij nga "rrota e lindjes", nga emigrimi i shpirtit tek kafshët dhe forma të tjera në progresin konstant të vdekjes dhe lindjes, sepse kështu spektatori arrin një bashkim me Zotin dhe merr pjesë në pavdekësinë e tij.

* Shpesh citonte Pitagora: "Arin e provojmë me zjarr, gruan me ari, kurse mashkullin me grua".

* Pitagora është themeluesi i shkencës muzikore, zbulues i simboleve që korrespondojnë me notat dhe simbolet muzikore. Pjesa matematike e kësaj shkence quhej "Harmonikë".

* Pitagora është i pari që flet për sfericitetin e tokës dhe se toka është pjesë e një totali sferash me qendër të njëjtë ku distancat midis tyre rregullohen me hapësira muzikore. Është harmonia e sferave.

* Pitagora është i pari që përdori fjalën Filozofi.

* Përveçse me filozofi, ai u mor me matematikë dhe muzikë. Pitagora është shumë i njohur me teoremën e tij në matematikë, që njihet si "Teorema e Pitagorës" (a^2+b^2=c^2), e cila është mjaft e thjeshtë, por për nga rëndësia është e jashtëzakonshme dhe në të cilën thuhet se në trekëndësh katrori i hipotenuzës është baraz me shumën e katrorëve të kateteve. Sipas disa dëshmive, Pitagora vetes i atribuonte karakterin gjysmëhyjnor dhe thuhet se ka thënë: "Ekzistojnë njerëz dhe perëndi e qenie si Pitagora". Përgatiti: KLARITA BAJRAKTARI

Klarita Bajraktari


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Bashkim Shehu: Komunistët kriminelë nuk pendohen (09.14.2009)
Fabrikimi i vdekjes së Adolf Hitlerit (09.13.2009)
Spiuni në kompjuterin tuaj (09.12.2009)
Lascia o raddoppia?Nga Mike Bongiorno (09.10.2009)
Atlantida një sajim i Platonit? (09.09.2009)
Mike Bongiorno paraqitësi më  kohëgjatë në historinë e televizionit botërorNga Besnik Dizdari (09.09.2009)
Dituria e humbur Enokiane (09.08.2009)
Daily Telegraph: Kur do të pastrohen Kina dhe Rusia nga monstrat?Nga George Walden (09.07.2009)
BBC: Pakti sovjetonazistNga Orlando Figes (09.02.2009)
70 vjet më pas: Rusia dhe Traktati Molotov-Ribentrop (09.02.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]