VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
Projekti "E kaluara e hapur": Ja si e spiunonte Praga komuniste Milan Kunderën E Premte, 09.18.2009, 09:09am (GMT1) "Subjektit i është zgjidhur njëra këpucë. E majta." Dita e parë e qershorit 1974: një ditë e jetës së Milan Kunderës. Autorët: agjentët sekretë të STB, sherbimeve speciale sekrete çekosllovake, në mënyrën më të përçudshme nën petkun e shokëve bullgarë në shëtitje nëpër Pragë. Foto të bëra tinëz dhe gabime gramatikore trashanike, trembëdhjetë gabime në shtatë rreshta të raportit. Hollësi qesharake deri në gërditje, të cilat shpalosin fytyrën paranoiake tirane e terrorizuese të regjimit komunist. "Nuk mund të themi nëse subjekti kishte qenë brenda pallatit, sepse kur ne dolëm jashtë për të parkuar makinat tona, ai tashmë ishte larguar prej vendparkimit." Trullosja e përdorur si armë e terrorit. "Meqë subjekti ka një makinë të vogël, ai e parakalon kamionin e plehrave. Ndërsa Volga e madhe gri e organeve të sigurimit, kurthohet." Një botë e ndarë midis "subjektit" dhe "organeve", njerëz "me kokë zbuluar" dhe burra "me kapela": nga njëra anë qytetarët, nga ana tjetër spiunët. Është portreti monstruoz i "normalizimit" që pasoi shtypjen e Pranverës së Pragës, ai që del tani nga arkivet sekrete të policisë. Të bërë publikë prej një viti, falë projektit "E kaluara e hapur" të Ministrisë së Brendshme, por ende pothuajse të papërfytyrueshme. Mijëra dosierë shpërthejnë mbi çekët helmin që ua ka shkatërruar jetët e tyre deri në "Revolucionin e Kadifejtë" të vitit 1989. Në relacione dhe në fotografi, të panjohura është shpalosur legjenda deri tani e shndërruar në barceleta të pafundme. Ndër to edhe dosieri për shkrimtarin Milan Kundera, ikur në Paris më 1975, dosier mes mijëra dosierësh të tjerë. Organet komuniste duhet të dinë për gjithçka, edhe që ai "ka blerë një qind kilogram sallatë ruse", që "nuk ka gjetur vend në Bujtinën e Kuvendit", që "në 10.25 ka thirrur tunjatjeta Jurgen" apo se gruaja e tij ka blerë dy salçiçe "nga kasapi në Myslikova". "Është ankedota historike - thotë Jiri Pelan, ish disident, shef i departamentit të letërsisë të Universitetit Karli IV të Pragës shpërfytyruar në një metaforë ekzistenciale e më në fund në një gjykim ideoligjik." Nuk është e rastit që "dita e Milan Kunderës" hynte të mërkurën në shtëpitë e bashkëkombësve të tij çekë. Ishte përvjetori i tridhjetë i "Charta 77", lëvizjes së intelektualëve të cilët, përndjekur pas pushtimit sovjetik të vitit 1968, nuk hoqën dorë nga kërkesat për respektimin e të drejtave të njeriut duke qenë nën tanket e Traktatit të Varshavës. Orare, përshkrime veshjesh, takimesh, ecjesh, menysh në tavernat, ku shkon, nga del, sa rri personazhi nëpër dyqanet, çfarë blen. Një regjistrim jashtëzakonisht i hollësishëm i realitetit të epokës së socializmit real. "Ora 13.04: subjekti hyn në dyqanin e verës Viola. Por vera ka mbaruar. Subjekti qeshte, krah për krah me gruan." "Policia shpjegon historiani Dan Hruby ishte injorante, por jo e marrë. Në hetimet që bëheshin, përmendja e hollësive, nga më të pakuptimtat, shndërrohej në terror." Pamjet dhe relacionet fshehin në vetvete shumë më tepër se çaste të rëndomta të kapura pa dëshirën e subjekteve. Fiksojnë çehre të lodhura e buzëqeshje të poshtëtuara, shikime të alarmuara që ndihen të ndjekur në çdo hap ditë e natë. Është fati i Kunderës, thërmuar në personazhet qesharake dhe tragjike të romaneve të tij. Partia, përballë ish poetit komunist i cili kur ishte i ri lavdëronte kohët e reja të punëtorëve të fabrikave, tërbohet. Censura ashpërsohet, duke i hetuar një për një gërmat në faqet e reja të cilat flasin për dashurinë, marrëdhëniet dashurore, meshkujt dhe femrat, ndjenjat dhe ekzistencën, të gjitha të veçanta, sepse të gjitha të papërsëritshme. Në vitin 1974 mjaftonte shprehja qesharake e agjentit Bocek ("Subjekti duhet të ketë dalë me Jirka", emri në kod i profesorit çeko-amerikan George Gibian), për ta përcaktuar "person jo të besuar". Në vitin 1978 është i mjaftueshëm përkthimi në frëngjisht i "Libri i qeshjes dhe harrimit" për t'ia hequr shtetësinë çekosllovake. Bodrumet e spiunazhit tregojnë sot se Kundera ishte midis opozitarëve që i dha jetë grupimit "Charta 77": duke na e kujtuar se ai "ka zgjedhur të largohet më herët, në mënyrë që t'ia bënte të ditur të vërtetën Perëndimit". Dy fotografitë e fundit e portretizojnë Kunderën në një xhaketë të zezë dhe të vjetëruar, pantollona të ngrënë tek gjunjtë, në një dyqan bosh perimesh në Pragë; dhe tre muaj më vonë e tregojnë në një kostum dopiopet blu elegant në një "gastronomi Montparnasi me mishra të pjekura, fruta deti, shampanjë". "Nderim atyre që e gjejnë shpresën nëpërmjet lamtumirës", përgjigjet autori i "Lehtësia e papërballueshme e të ekzistuarit". Por për çekët, thotë shkrimtari Michal Viwegh, "është një tallje e tejskajshme kjo sagë kunderiane, orkestruar nga ata që thonë se në Pragë i kanë kryer dënimet. Përbindëshi, pasi ia ka bërë fytyrës kirurgjinë esteteike, ngre kokë: dhe i vringëllon kthetrat e të tmerrëshme të së shkuarës që na pret në të ardhmen."/Elida BUÇPAPAJ Elida Buçpapaj
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |