VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Islami dhe sfidat e globalizmitNga Dr Halef Muhammed el-Xherrad

                                                                                      

E Premte, 04.19.2024, 06:36pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DOSSIER
 

Islami dhe sfidat e globalizmit

Nga Dr Halef Muhammed el-Xherrad


E Djelë, 09.20.2009, 06:53pm (GMT+1)


 

Çështja e globalizimit në pesëmbëdhjetë vitet e fundit ka formuar një bosht themelor për një numër të madh të takimeve e konferencave intelektuale e kulturore si dhe të dhjetëra veprave, studimeve e hulumtimeve shkencore.

 Ajo çka ka rezultuar prej tyre është se globalizimi paraqet një sfidë të madhe të shekullit aktual pa marrë parasysh dallimet në pikënisjet, këndvështrimet dhe pikat e përqendrimit sidomos lidhur me vendet në zhvillim e sipër dhe me popujt që mburren me vlerat e tyre kulturore dhe qytetërimore të nxjerra nga burimet shpirtërore universale, siç janë popujt muslimanë. Fjala "el-"Ëœavlemeh" është një term i ri në gjuhën arabe si përkthim për termin anglez Globalization dhe atij frëng Globalisation, që të dy me prejardhje latine nga fjala Glob që do të thotë "rruzull tokësor".

Marrë në përgjithësi ky term nuk është paraqitur para viteve '60 të shekullit të kaluar dhe në fillim ka shënuar në formë objektive disa dukuri që fillimisht kanë pasur karakter lokal e kombëtar e që pastaj fitojnë karakter botëror. Mirëpo aty kah vitet '80 dhe '90 ky term merr një kuptim ekonomik që u bë i pashmangshëm në analizën financiare dhe ekonomike. Kur termi "avlemeh" fillon të përhapet në gjuhën arabe, ai fiton një përdorim aq të madh, të cilin nuk e kishin arritur dot as termat e tjerë si "kozmopolitizmi", "internacionalizmi" dhe "universalizmi", që të gjithë nënkuptonin "˜globalizimin'.

Përgjithësisht, globalizimi është një proces kompleks dhe gjithëpërfshirës i cili në vete ngërthen një grup të gërshetuar elementesh të ndryshme ekonomike, politike, sociale, ushtarake, intelektuale dhe kulturore, të cilat veprojnë e ndikojnë në realizimin e globalizimit në një mënyrë thuajse të përnjëhershme. Edhe pse ndonjëra prej tyre është më e theksuar, mirëpo kjo nuk e përjashton veprimin e elementeve të tjera mbi këtë lëvizje. Globalizimi është një proces shndërrimi e transformimi që po zhvillohet tani edhe pse ka filluar qysh para afro tri dekadash. Që këndej, ajo është një gjendje vazhdimisht e ndryshueshme të cilën njeriu e jeton de facto. Këtë transformim para së gjithash e diktojnë kërkesat në rritje në fushën e ekonomisë botërore.

Meqë globalizimi është një lëvizje e pakontestueshme dhe e vazhdueshme, ai mëton të ndërtojë një rend të ri botëror që do ta zëvendësojë rendin botëror që ka sunduar në kohën e "luftës së ftohtë" dhe përmban integrimin e ashpër të tregjeve, të shteteve e popujve, ndërsa nga aspekti kulturor ai është një përhapje dhe shtrirje e amerikanizimit, edhe pse fotografia nuk është e plotë. Ndërkaq sa i përket globalizimit liberal bota është ndarë në mbështetës aktivë e të zhurmshëm të tij si dhe në kundërshtues të formave të ndryshme. Ky globalizim nuk paraqitet ndaras nga një prodhim intelektual i cili do ta justifikonte atë. Kështu qysh para afro tri dekadave janë paraqitur idetë bazë që e mbështesnin dhe e theksonin globalizimin liberal, ide këto që njiheshin me emrin "ideologjia neoliberale" (neoliberalizmi) me ç'rast fuqitë financiare botërore bashkë me neoliberalizmin e paralajmëruan procesin e globalizimit.
Elementet bazë më të theksueshme të neoliberalizmit janë: 1. konkurrenca, 2. lirimi i çmimeve të mallrave, 3. privatizimi, dhe 4. rishikimi i rolit të shtetit.
Forcat më të theksuara të tij janë: 1. korporatat shumënacionale ose transkontinentale, 2. institucionet e mëdha ekonomike botërore, 3. qeveritë, dhe 4. lëvizjet shoqërore.
Ndërkaq instrumentet e tij janë: 1. marrëveshjet e tregtisë së lirë, 2. zonat e lira dhe 3. programet e ristrukturimit.
Rezultatet më të dukshme të globalizimit janë: 1. zhvillimi pa punësim, 2. varfërimi, 3. krizat financiare, 4. shkatërrimi i mjedisit dhe 5. militarizimi.

Relacioni kulturë-globalizim

Globalizimi është një kulturë e dominimit të kanaleve ekonomike botërore deri në shkallë të kërcënimit të fatit të botës e të jetës në tokë...Globalizimi kapitalist është një kulturë e përkryer e cila ka punuar dhe punon për shkatërrimin dhe rrënimin e kulturës perëndimore dhe të kulturave të tjera të botës si dhe për shndërrimin e të gjitha këtyre në një lloj folklori.
Kjo kulturë (globalizimi kapitalist) është një kulturë kundër kulturës, ajo në fakt s'është kulturë, sepse:
1 ajo e redukton (tkurr) kuptimin e ekzistimit në një obligim të vetëm
2 - ajo është një antikulturë, ngase ajo shpie drejt skllavërisë
3 ajo i mbyt kulturat e tjera.

Ekonomia në globalizimin kapitalist, duke u çliruar nga shoqëria, i ka uzurpuar të gjitha sferat shoqërore dhe është bërë gjithëpërfshirëse. Kjo ekonomi mbështetet në adhurimin e fuqisë teknike dhe ekonomike pa ndonjë kontroll e kufizim. Lufta ekonomike kapitaliste përbën konkurrencën e vërtetë dhe ne jemi dëshmitarë të një gare drejt zhvillimit teknologjik e cila krijon një forcë prodhuese dhe e cila lind fitimtarë e të humbur.
Shkurt thënë, secila kulturë duhet ta sigurojë integrimin konkret në jetën e të gjithë qytetarëve dhe kjo është ajo ç'ka bërë shteti-komb në sigurimin e tij deri në një shkallë të pranueshme në kohën e kejnezianizmit... Nga ana tjetër, thirrja për një ndërhyrje (përfshirje) hipotetike të mbarë njerëzimit në zhvillimin e efektshmërisë dhe kapacitetit (në ekonomi dhe teknikë) përmes tregut botëror, gjithçka në këtë botë e shndërron në mall, kurse përmes përhapjes dhe popullarizimit të konkurrencës realizohet plani për një tjetërsim të vërtetë e praktik të shoqërisë njerëzore dhe për shkëputjen e lidhjeve shoqërore.

Identiteti dhe adresimi i identitetit

Zgjidhja dhe copëtimi ekonomik, shoqëror e politik si dhe shkatërrimi i kulturës së shteteve kapitaliste e industrialisht të zhvilluara korrespondon dhe ndiqet nga shkatërrimi i kulturave të vendeve të jugut në formë tragjike deri në atë shkallë që vendet e veriut të duken si një elitë kozmike (botërore), ndërkohë që jugut nuk i ngel gjë pos mbetjes së trashëgimisë së tij kulturore që qëndron pas tij. Kjo është arsyeja e paraqitjes së lëvizjeve protestuese dhe fundamentaliste dhe e strehimit të tyre nën trashëgiminë kulturore për t'u mbrojtur nga valët shkatërrimtare që i kanosen ekzistimit shoqëror.
Identiteti (pa marrë parasysh se a do ta quajmë identitet kulturor, kombëtar, etnik ose fetar), përbën një ambicie të ligjshme me kusht që të mos shndërrohet në diçka që disa e quajnë "epidemi identiteti", pra në një rrezik që e kërcënon edhe vetveten edhe të tjerët. Burimi i këtij rreziku është shkëputja midis vetëdijes mbi identitetin dhe adresimin e tij dhe vetëdijes mbi pozitën historike të jetesës.

Çështja e adresimit të identitetit gjithnjë bën pjesë në strategjinë e punës, dhe kjo strategji e ka për obligim ta kuptojë nevojën e mosndërprerjes së lëvizjes së saj historike, botërore dhe rezistuese ndaj sulmeve shkatërruese të globalizimit kapitalist, dhe të mos bjerë në grackën e ndarjes së botës në dy taborë (boshte), në taborin e së mirës të cilin e përfaqëson vetë identiteti, dhe në taborin e së keqes të cilin e përfaqëson pjesa tjetër e gjithësisë, sepse këtu ekziston një shkarje e shpejtë drejt politikës së spastrimit etnik siç ndodhi në Evropën Lindore (konkretisht në Jugosllavi).

Shembuj të kulturës së globalizimit

Coca-cola, MacDonald'si dhe Disney Landi janë simbole të kulturës së globalizimit dhe kjo nënkupton që globalizimi në të vërtetë i përfshinë këto pika në stereotipinë e tij (forma standarde të sjelljes që përhapen në nivel botëror në llogari të formave lokale të sjelljes), dhe për këtë arsye nuk ka më tregje nacionale, porse e gjithë bota është bërë një treg i vetëm. Kjo është ajo çka e përshpejton me një forcë të jashtëzakonshme fërkimin e kulturave të ndryshme me kulturën e globalizimit. Mallrat dhe simbolet e Amerikës, si Coca-Cola etj., përbëjnë kalin e Trojës përmes të cilit vlerat e kulturës amerikane depërtojnë në zonat e tjera të botës... Ky depërtim Amerikën e bën një model për të ardhmen botërore të cilën e formësojnë forcat ekonomike dhe teknike, të cilat kërkojnë integrimin e botës dhe standardizimin e sjelljeve në një të vetëm, e ai është standardi amerikan.
Me këtë përgjithësohet logjika se gjithçka i nënshtrohet shitblerjes përderisa kultura e cila e bën shtrirjen e saj është një kulturë profiti. Kjo kulturë konsideron se modeli amerikan është shembulli ideal të cilin me një sukses të madh e shpërndajnë dhe proklamojnë mjetet e informimit masiv amerikan.
Ajo çka është më e rrezikshme te globalizimi është fakti se ai shpërndanë ide e forma sjelljeje që mund ta shembin besnikërinë (lojalitetin) ndaj vlerave bazë tradicionale e fetare, besnikërinë ndaj shtetit e ndaj shoqërisë, dhe në vend të tyre të lejojë ide e besnikëri të reja. Njëri prej hulumtuesve i parashtron shkaqet e shtrirjes së gjerë të kulturës amerikane duke i përmbledhur me sa vijon:
1. Dominimi i ekonomisë amerikane si një treg importuesish dhe eksportuesish si dhe mbështetja e ekonomive të tjera në konsumin e SHBA-ve, krahas hegjemonisë së korporatave amerikane për reklamim mbi marketingun global, krejt kjo ka shkaktuar që metodat amerikane për propagandë dhe marketing të shndërrohen në metoda gjithëbotërore.
2. SHBA-ja ka një epërsi të qartë mbi rivalët e saj ekonomikë në sferën e kulturës nacionale, sidomos në industrinë e filmit e të muzikës. Duke i futur në përdorim forcat e saj për ta arritur këtë rezultat, ajo ka arritur të hyjë në miliona shtëpi dhe të ndikojë te dhjetëra miliona individë.
3. Eksportimi i kulturës amerikane nuk reflekton gjë tjetër pos një niveli të ulët të aktiviteteve kulturore të Amerikës.
4. SHBA-ja ka pasur mundësi ta zhvillojë një industri të gjerë kulturore (pra, amerikane) drejtuar rinisë dhe ngjarjeve amerikane dhe duke e shfrytëzuar fenomenin e globalizimit ajo ka arritur t'i shesë prodhimet e saj kulturore drejtuar rinisë së gjithëmbarshme botërore, dhe ekziston frika që amerikanizimi të ketë një ndikim të fuqishëm mbi botën islame.
5. Ekziston një lidhje e rëndësishme midis modernizimit dhe amerikanizimit, andaj sot modernizimi, kapitalizmi, kultura e konsumit, bota e reklamave dhe e materializmit, ndryshimi i modave, globalizimi dhe tregjet e gjera identifikohen me Amerikën.

Globalizimi dhe universalizmi islam

Universalizmi i Islamit manifestohet në kuptimin e dërgueshmërisë së tij për mbarë botën dhe të gjitha kohërat, sipas fjalës së Zotit: "O ju njerëz, ne ju kemi krijuar nga një mashkull dhe nga një femër dhe ju kemi bërë në popuj e fise që të njiheni mes vete..." (el-Huxhurat: 13).
Islami ka zbritur në bazë të besimit të njëjësisë, pastaj atë e kanë bartur muslimanët në mbarë botën, e pikërisht ky besim në një Zot ka qenë kriter gjykimi mbi njerëzit për aq sa ata kanë qenë të përkushtuar e të dhënë ngushtë pas parimeve të cilat All-llahu xh. sh. ka dashur të jenë një platformë (program) për mbarë njerëzimin.

Islami me mesazhin e tij universal vazhdimisht dhe në mënyrë mjaft spontane qëndron kundër të gjitha ideve të cilat dëshirojnë që nën emërtime të ndryshme ta kontrollojnë dhe dominojnë tërë botën, dhe të cilat aq shpejtë demaskohen e dështojnë pasi t'i kenë shkaktuar njerëzimit me miliona viktima, si dhe pasi t'ia kenë nënshtruar botën shkatërrimit sikur që ka ndodhur në kohën e sundimit nazist në Gjermani dhe sikurse pritet të ndodhë sot pas mbetjes së SHBA-ve e vetmja superfuqi botërore dhe pas përpjekjeve për t'ua imponuar amerikanizimin popujve të tjerë dhe për ta futur (ngulitur) atë përmes globalizimit me qëllim të pushtimit dhe mbajtjes nën kontroll të fatit të tyre. Prandaj ne pajtohemi me mendimet të cilat konfirmojnë se globalizimi as në kuptimin e tij figurativ e as në atë terminologjik nuk është "universalizëm" në vetvete, sepse kurrsesi nuk na mundëson të bëjmë bashkimin apo krahasimin e tij me universalizmin e religjioneve, si të Islamit i cili ka ardhur për mbarë njerëzimin. Përse? Sepse "universalizmi" si nga aspekti terminologjik po ashtu edhe nga ai figurativ ka të bëjë njëkohësisht me tokën, njeriun, universin dhe Krijuesin.  Ndërkaq midis universalizmit dhe globalizmit ekziston një hapësirë e madhe, e ajo është vetë hapësira ndarëse midis dialogut qytetërimor e kulturor dhe pezullimit (anulimit) të njërës në favor të tjetrës.

E pra, dallimi është shumë i madh midis universalizmit të Islamit dhe globalizimit, i cili mbështetet në rritjen e fitimeve, në grabitjen e pasurive, në parapëlqimin e kulturës e të ndërlidhjeve ndaj vlerave të mirëkuptimit dhe ndaj qendërzimit të së mirës dhe dashurisë midis të gjithë popujve. Ndërkaq universalizmi i Islamit me porositë e tij u drejtohet gjithë botëve, d.m.th. mbarë njerëzimit e jo vetëm një populli të caktuar duke i anashkaluar popujt e tjerë. Prandaj ishte e natyrshme që Islami të ishte porosia e fundit e Zotit, pasi ai i përkushtohej universalizmit të qytetërimit njerëzor.
Një prej shenjave të universalizmit të Kur'anit fisnik është edhe ajo se ai i flet mbarë njerëzimit për t'i trazuar intelektet nga gjumi i tyre dhe se nuk kufizohet vetëm me pejgamberët:
"O ju njerëz! Juve ju ka ardhur nga Zoti juaj një këshillë (Kur'ani) dhe një shërim për atë që gjendet në kraharorët tuaj (zemra) si dhe udhëzim e mëshirë për besimtarët".
Prandaj, muslimanët e kanë për obligim t'i qasen Islamit me tërë pastërtinë e tij dhe me fytyrën (dimensionin) e tij lindor dhe të përbëjnë një shembull i cili do t'i reflektojë punët, sjelljet dhe relacionet e tyre "dhe ky qëndrim si në nivelin individual ashtu edhe në atë kolektiv do të ketë ndikim të fuqishëm jo vetëm në përmirësimin e imazhit të Islamit ne Perëndim, porse edhe do të mund t'i tërheqë e magjepsë perëndimorët kah Islami".

Globalizimi dhe kultura islame

Globalizimi ka shkaktuar sfida të mëdha e të gjera sa i përket kulturës islame, qoftë në nivelin fillestar apo përfundimtar qoftë në atë të mjeteve, veglave e metodave. Na pëlqen ose jo, kombet dhe shoqëritë islame vuajnë në shkallë të gjerë nga penetrimi kulturor dhe sikur ky penetrim të ishte vetëm kulturor do të kishim mund ta kufizonim dhe t'i kontrollonim format e tij, "mirëpo këtu kemi një depërtim propagandistik të kulturores dhe kjo do të ketë një ndikim të fuqishëm mbi mendimet e gjeneratës së ardhshme" dhe ne nuk pajtohemi me ata intelektualë të cilët e promovojnë tezën se: "globalizimi është një fat i paracaktuar dhe i pashmangshëm".

Përkundër faktit se Islami me seriozitetin e sinqertë është kundër globalizimit kapitalist, bota islame akoma nuk ka mund të ndërtojë një projekt bashkëkohor mbi bazat e porosisë së tij universale. Emëruesi i përbashkët dhe takuesi i vetëm i popujve muslimanë është qëndrimi në pozicionin e kundërshtuesit të një globalizimi të këtillë për shkak të tendencave të tij kundër vlerave islame.

Përkundër kësaj vale të sfidave despotike dhe përkundër kësaj skeme të ligë, popujt, fuqitë dhe lëvizjet islame duhet ta ngrenë nivelin e diskursit të tyre, që të jetë ky një diskurs i mprehtë  dhe i zgjuar ndaj rreziqeve dhe sfidave, i bazuar në rregullën e përparimit dhe zhvillimit të cilin e dëshiron Islami si në ide e koncepte ashtu edhe në parime e vlera, me një fjalë në të gjitha sferat e jetës.

Është e vërtetë se nëse krahasohet realiteti i botës islame sot me realitetin e globalizimit monolit të udhëhequr nga fuqia e kalibrit të SHBA-ve dhe fuqive të tjera perëndimore kapitaliste, do të dalë në shesh dallimi i madh në mundësitë e punës dhe të aktivitetit... e që pastaj ta arrijë pozitën (statusin) e ndikimit.

Ndoshta ndër mend mund të na paraqiten pyetje të ndryshme si:
- Përse insistojmë që të arriturat e globalizimit t'i konsiderojmë si sfidë për ne?
- Përse nuk bashkëpunojmë me të si një e arritur njerëzore dhe ta shfrytëzojmë atë për çështjet tona jetike?
- Dhe a kemi në fakt zgjedhje tjetër kur është në pyetje pranimi i pasojave të globalizimit, i cili është bërë një fat i pashmangshëm që nuk mund të injorohet?
Përgjigjja është se ne si muslimanë kurrë nuk kemi qenë dhe nuk do të jemi kundër kësaj hapjeje ndaj të tjerëve dhe komunikimit me ta, sepse fryma islame është frymë njerëzore (humane): "Dhe ty (o Muhammed) të kemi dërguar vetëm mëshirë për botët" (el-Enbija':107) dhe se kjo hapje e komunikim mbështetet në parimin e dialogut dhe njohjes së ndërsjellë, në kulmin e së cilës qëndron respektimi i bazave të besimit e jo refuzimi i tyre përmes talljes, shpërfilljes e shikimit prej së larti, sepse kundërshtimi i tyre do t'i kthejë ato në sfida provokuese.

Pikat e kundërshtimit

Anët konfrontuese midis Islamit dhe liderëve të globalizimit janë bërë tejet të qarta në vendimin e tyre për t'i lodhur e mërzitur popujt muslimanë si nga aspekti psikologjik ashtu edhe nga ai politik dhe ekonomik përmes fushatave të mass medieve të cilat për qëllim kanë reputacionin e muslimanëve dhe identifikimin e tyre me akte terroriste e kriminale dhe me të gjitha të zezat e tjera që e dëmtojnë sigurinë, stabilitetin dhe solidaritetin e këtyre popujve.
Së këndejmi projekti islam i ngritjes dhe zhvillimit mbështetet në disa themele e baza:

1. Bashkimi i të gjithë muslimanëve dhe kuptimi i bashkimit si një cak i përhershëm dhe një detyrë fetare e jetike. Ambiciet për ndërtimin e këtij bashkimi të fuqishëm do të shërbejnë për konfrontimin me arrogancën amerikane dhe cionizmin ndërkombëtar.
2. Afrimi dhe puqja e shteteve islame mbi bazën e vëllazërisë dhe bashkëpunimit islam, ndihma ndaj të keqtrajtuarve si dhe refuzimi i metodave të arrogancës, tiranisë dhe hegjemonisë të zhvilluara nga fuqitë e mëdha.
3. Ndarja e drejtë e të mirave të tokës, në mënyrë që të mos krijohen klasa të të ngopurve e të uriturve.
4. Krijimi i lidhjeve njerëzore të baraspeshuara e të drejta mbi bazën e robërimit ndaj All-llahut xh. sh.
5. Bartja e porosisë së Islamit në botë përmes urtësisë dhe këshillës së butë e të mirë.

Përgjithësisht mund të thuhet që konfrontimi me sfidat e globalizimit nuk është një çështje ideore garuese, porse një nevojë e domosdoshme kundër krijimit të vartësisë dhe përçarjes, kundër përsëritjes së pasojave të prapambetjes dhe nënshtrimit ndaj kolonializmit e misioneve të tjera të rrezikshme për vlerat dhe parimet islame.

Disa hulumtues kanë konstatuar se fshehtësia e refuzimit që Perëndimi e bën ndaj ngritjes e renesancës islame, rrënjët i ka te rëndësia vitale dhe politike që i ka shteti islam dhe forcat personale që i zotëron ummeti islam, të cilat ia mundësojnë atij nëse i shfrytëzon në mënyrë të shëndoshë të krijojë një forcë jo vetëm të nivelit ekonomik porse edhe të nivelit qytetërues në përgjithësi.

Nga këtu buron edhe insistimi i qarqeve perëndimore "për ta penguar projektin islam brenda grilave të prapambetjes e vartësisë".
Përkundër kësaj, shumica e të urtëve të ummetit  dhe të mendimtarëve të saj besnikë e theksojnë mundësinë e konfrontimit me globalizimin dhe sfidat e tij përmes mëkëmbjes së vrullshme me anë të forcave materiale e shpirtërore që i zotërojmë, të cilat disa hulumtues i kanë klasifikuar si më poshtë:

1. Forca e koncepteve kur'anore dhe e konotacioneve të qarta të tij:

Meqë dhjetëra ajete kur'anore me kuptimet e tyre të shumta sugjerojnë dhe inspirojnë madhështi, përgjithshmëri dhe aftësi për takim pozitiv, detyrë e muslimanëve është që të përqendrohen në këto koncepte të hapura dhe t'i propagandojnë e favorizojnë ato përmes shfrytëzimit të mundësive kulturore që mbështesin pohimin e hyjnishmërisë së kozmosit dhe madhështinë e vlerave të Islamit.

2. Përqendrimi në avancimin e koncepteve dhe vlerave të kulturës islame përballë koncepteve të anarkisë, shthurjes dhe tjetërsimit:

Si rezultat i invazionit kulturor mediatik të perëndimizimit janë paraqitur shumë aspekte të kulturës dominuese nëpër vendet islame për t'i shtrembëruar e përzier konceptet, siç janë zakonet e pashembullta dhe sjelljet dominuese ndër të rinjtë muslimanë, një pjesë e madhe e së cilës është imitim i perëndimorëve në zakonet dhe sjelljet e tyre me pretekst arsimimi dhe hapjeje. Nëpër vendet islame janë përhapur disa lloje krimesh që nuk kanë qenë njohur më parë. Sa i përket krijimtarisë letrare dhe artistike, mund të thuhet se me shumicë ajo bart konceptet e kulturës perëndimore, me përjashtimin e vetëm (siç thonë disa hulumtues arabë) se e paktë është ajo që e kanë krijuar disa vende arabe islame. Ndërkaq ky gjykim është paksa i zmadhuar, mirëpo është e sigurt se krijimtaria letrare dhe artistike e cila bart konceptet e kulturës bashkëkohore perëndimore ekziston dhe është dominuese në shumicën e vendeve islame përafërsisht qysh nga fillimet e shek. XX.
Çështja tjetër që ndodh në epokën e globalizimit është procesi i përzierjes së kulturave; kanë depërtuar elemente negative e të çuditshme që e rrënojnë strukturën tonë kulturore dhe pjesët përbërëse të identitetit tonë islam; vjen "kultura e globalizimit" për ta mbushur boshllëkun me gjithë lemerinë, neverinë dhe atraktivitetin e saj, i degjeneron vlerat dhe krijon vartësinë mendore-kulturore.

3. Puna e zellshme në ndërtimin e njeriut

Meqë është e gjithëpranueshme se njeriu përbën pasurinë reale të secilit popull, atëherë është i vetëkuptueshëm dhe i pashmangshëm përqendrimi në ndërtimin e tij, sidomos nisur nga fakti se bota islame, si tërësi ose si shtete të veçanta, zotëron një potencial të jashtëzakonshëm njerëzor, mirëpo që kjo forcë vazhdimisht po zbehet e shterpërohet, në një kohë kur me qindra mijëra koka të mëdha islame kanë mundësinë ta dëshmojnë prezencën e tyre në nivel të qendrave të përparuara për hulumtim shkencor dhe të universiteteve të vjetra gjithkund nëpër Evropë dhe SHBA. Në qoftë se ummeti nuk i avancon aftësitë e bijve të saj dhe edukimin e tyre mbi vlerat e lirisë së përgjegjshme e të guximit, do të ndeshet me një shtim të prapambetjes e të regresit. Prandaj, në botën e sotme ne nuk guxojmë të jemi pranues pasivë dhe konsumues të prodhimeve të të tjerëve, ndaj edhe refuzues të teorive e mendimeve të tyre, porse ne e kemi obligim parësor që të kyçemi në procesin e të gjitha zhvillimeve shkencore, të arriturave teknologjike e ideore të cilat i shërbejnë mbarë njerëzimit.

4. Rëndësia e vetëbesimit

Mosbesimi ndaj vetvetes dhe ndaj fuqive të saj përbën një faktor kyç në arritjen e suksesit ose të dështimit. Kjo ndodh kështu edhe me popuj e kombe të tëra. Një popull që nuk u beson aftësive të tij dhe nuk i vlerëson mundësitë personale ashtu siç duhet, nuk ka mundësi të zgjatë shumë pa u bërë hije për të tjerët dhe i varur prej tyre ("lypësi kulturore"). Përmes përvojave zhvilluese që i kanë provuar shtete të tëra është konstatuar se përparimi nuk mund të importohet nga jashtë, porse ai është një proces i brendshëm i cili dëshmon për një gjendje ndryshimi (transformimi) në të cilën ndikojnë faktorë të ndryshëm (ekonomikë-politikë-kulturorë) me ç'rast faktorët e jashtëm nuk ofrojnë ndonjë ndihmesë të madhe. Nëse globalizimi nga jashtë bëhet faktor vendimtar në procesin e ndryshimit dhe zhvillimit, kjo nuk do të thotë se duhet anashkaluar elementet e brendshme, porse duhet shumëfishuar përpjekjet për përforcimin dhe konsolidimin e tyre dhe duhet rritur imunitetin e tyre ndaj degjenerimit e rënies përpara së jashtmes rivale. Ummeti islam nuk ka rrugë tjetër pos një përparimi (rilindjeje) gjithëpërfshirës që do t'ia kthejë atij autoritetin dhe vetëbesimin në mesin e popujve të tjerë.

5. Integrimi dhe bashkimi

Pashmangshmëria e rritjes së nivelit të stabilitetit ekonomik përmes racionalizimit të përdorimit të resurseve, gjë të cilën e imponon logjika e globalizimit, i ka shtyrë shtetet kapitaliste të grumbullohen brenda grupimeve rajonale. Qëllimi i këtij grumbullimi është përforcimi i fuqive konkurruese dhe krijimi i entiteteve gjigante ekonomike me fuqi të lartë dhe i mundësive të mëdha që do t'i aftësonte ato për një kundërvënie ndaj konkurrencës ndërkombëtare ekonomike / teknologjike dhe për një ndeshje e qërim hesapesh me forcat tjera konkurruese ndërkombëtare. Megjithëkëtë, vendet islame nga ana e tyre nuk janë pjesë e asaj çfarë po ndodh me këto sfida, përkundër faktit se ajo zotëron të gjithë ata emërues të përbashkët materialë e shpirtërorë si fenë, gjuhën, historinë e gjeografinë. Ajo çka na brengos më shumë është përplasja e interesave dhe kontrasti i aspiratave të vendeve islame.
Secili vend e konsideron vetveten komb në vete, që ka specifikat e tij historike, gjeografike, kulturore e sociale dhe konsideron se sistemi i tij politik e ekonomik është opsioni i vetëm që duhet ndjekur. Ajo çka kërkohet sot prej forcave vendimmarrëse të botës islame është tejkalimi i dallimeve artificiale dhe ndjeshmërive të ngushta si dhe angazhimi në arritjen e nivelit minimal të koordinimit e bashkëpunimit për t'u shërbyer interesave të përbashkëta.

Përmbyllje

Me këtë kontribut modest ne dëshiruam t'i trajtojmë disa nga mekanizmat e procesit të globalizimit; dëshiruam të bëjmë një ftesë për të menduar rreth forcimit të ummetit islam përmes alternativave dhe theksimeve me të cilat do t'i bëhej ballë globalizimit, siç janë kthimi i domosdoshëm te esenca e Kur'anit fisnik dhe biografia e Pejgamberit të ndershëm a.s. dhe e udhëheqësve të pastër r.a. për një rilindje të përgjithshme islame; kërkesa drejtuar muslimanëve për t'iu kthyer vetvetes, për ta vënë në dukje pamjen e shkëlqyer të Islamit, sepse vetëm atëherë do të mund të llogarisim në respektimin tonë nga ana e botës. Bota do të mund të llogarisë në muslimanët vetëm atëherë kur ta kemi tejkaluar dobësinë, përçarjen dhe vartësinë tonë me një besim të sinqertë, me një racionalizëm pretendues dhe me një vendosmëri e tendencë të lartë islame. 

Përktheu nga arabishtja: Rejhan Neziri (http://www.noa.al)

 

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Një rrëfim për islamin/E ardhmja nuk është një sfidë e pamundurNga Ali A. ALLAWI (09.20.2009)
Projekti "E kaluara e hapur": Ja si e spiunonte Praga komuniste Milan Kunderën (09.18.2009)
10 qytetërimet - Të lashtët ishin më të avancuarNga David Hatcher Childress (09.18.2009)
Pitagora: Numri është ligji i botës (09.17.2009)
Bashkim Shehu: Komunistët kriminelë nuk pendohen (09.14.2009)
Fabrikimi i vdekjes së Adolf Hitlerit (09.13.2009)
Spiuni në kompjuterin tuaj (09.12.2009)
Lascia o raddoppia?Nga Mike Bongiorno (09.10.2009)
Atlantida një sajim i Platonit? (09.09.2009)
Mike Bongiorno paraqitësi më  kohëgjatë në historinë e televizionit botërorNga Besnik Dizdari (09.09.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]