E Premte, 04.19.2024, 10:54pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DOSSIER
 
Zbulohet dorëshkrimi i rrallë i At Gjergj Fishtës
E Premte, 10.02.2009, 09:21am (GMT+1)



Përballja e parë me këtë dorëshkrim ka qenë një befasi e rrallë. Krejt i zverdhur e me fletët e dëmtuara në caqe, i mbledhur tog në një dosje të veçantë, prej disa vitesh ka gjetur prehjen në bibliotekën e françeskanëve në Shkodër. Është nji ndër perlat e kësaj biblioteke e ruhet si të ishte një thesar. Çdokush që ka pasur rastin të kundrojë dorëshkrimet e Fishtës s'mund të mos e njohë kaligrafinë e tij të veçantë. Bëhet fjalë pra për një dorëshkrim të panjohur të at Gjergj Fishtës, një komedi, e cila edhe pse e pabotuar ka qenë ndër veprat teatrale më të pëlqyera në Shkodrën e viteve 1910-1920. Ishte zhdukur pa nam e nishan e askush nuk e dinte fatin e tij për më shumë se 50 vite. At Vitor Demaj, i cili kujdeset me devotshmëri për pasuritë e kësaj biblioteke e vendos dorëshkrimin mbi tryezën e drunjtë. E hap me kujdes dosjen ku është vendosur dorëshkrimi e nuk harron të tërheqë vëmendjen se "asht tepër delikat e i dëmtuem nga koha". Na lejon ta fotografojmë dhe mandej na premton se do të na tregojë historinë e veçantë që e ka shoqëruar për afro një shekull këtë vepër.


Titullohet "Dredhitë e Patukut" dhe është shkruar sipas pjesë së Molierit "Le Furberier Escarpet". Në Shkodër tregojnë se Fishta bashkëpunoi në vitin 1910-1911 me aktorin më të suksesshëm të humorit shkodran të asaj kohe, Zef Hilëgegën për këtë komedi.


Pasi Fishta ia kishte treguar veprën aktorit, ky i fundit i kishte thënë se gjuha që kishte përdorur Fishta ishte "tepër ala franga". Atëherë Fishta e rishkroi veprën kryekreje sipas sugjerimeve të komedianit, dhe kësisoj "dredhitë e Patukut" u bë "loja e gazit" më popullore në Shkodër. Por s'dihet pse Fishta nuk e botoi këtë vepër sa ishte e gjallë. E fill pas viteve të Luftës, dorëshkrimi kishte gjet nji cak të errët për të kapërcyer një ndër periudhat më të egra, ku nuk u kursye anatemimi dhe lufta e hapur ndaj autorit të tij, At Gjergj Fishtës. At Vitori tregon se një familje shkodrane e kishte ruajtur me fanatizëm këtë dorëshkrim deri në ditët e sotme. Për t'i shpëtuar përndjekjes së kohës, ata e kishin fshehur dorëshkrimin poshtë dyshemesë me parket druri. Sa dorëshkrime e relike të rralla janë ruajtur në këtë mënyrë nëpër në familjet shkodrane, në hatlla e në skuta tjera të fshehta në shtëpitë e tyre! At Vitor Demaj e çmon mbi gjithçka gjestin e zotërisë shkodran, i cili para pak vitesh, mbërriti një ditë në dyert e kuvendit françeskan dhe e dorëzoi veprën në dorëshkrim. Prej asaj kohe dorëshkrimi u transkriptua dhe u bë gati për botim. Sipas at Vitorit, për pak ditë lexuesit do të kenë mundësinë ta marrin në duar. Dhe si një mundësi për ta drejtuar më lehtë lexuesin drejt kësaj komedie, kemi realizuar këtë bisedë me At Vitor Demaj, bisedë të cilën ai preferon ta botojmë në gegnisht sikurse ai flet e shkruan. Përmes saj do të zbulojmë historinë e plotë të këtij dorëshkrimi të rrallë dhe arsyen se pse Fishta i frymëzuar prej Molierit e shkroi këtë komedi si një përshtatje për publikun shqiptar...

Me keni treguar para pak muajsh nje doreshkrim te një vepre dramatike, me titull "Dredhite e Patukut", një pershtatje e Fishtes nga Molieri. Ky dorëshkrim tahsmë është gati të bjerë në duart e lexuesve. Sa e njohur ëhstë kjo vepër dramatike e Fishtës dhe kur është shkruar prej tij?
Siç dihet vepra e At Gjergj Fishtes mbas hymjes se komunizmit e deri ne vitet 90 te shekullit te kaluem ishte e ndalueme, e anatemueme, dhe po te gjenin ndonji vepër të tij rrezikoje shumë, deri edhe me burgosje, pse Fishta u konsiderue prej diktatures komuniste si nji kundershtar i mirefilltë i saj. Te gjitha veprat dhe doreshkrimet e Poetit u hoqën prej rafteve të bibliotekave e u ndryn nëpër bodrume të errta e plot lagshti. Sikur të mos mjaftonte kjo, shumë prej tyne u dogjen me qellim, por edhe nga frika se mos i gjenin e do te psojshin te njejtin fat edhe ato qe i ruejn. Edhe dorëshkrimet e Fishtes kanë pasë të njëjtin fat. Disa nga këto dorëshkrime gjinden në arkivin kombëtar, dy dorëshkrimet "Juda Makabe" e "Dredhit e Patukut" janë në bibliotekën "At Gjergj Fishta" në Shkodër. Vepra dramatike "Dredhitë e Patukut" asht nji komedi e Molière-it, e pershtatun në gjuhën shqipe me nji art të jashtëzakonshëm krijimi. Kjo komedi asht e pabotueme, e shkrueme prej Poetit kombëtar aty nga vitet 1910-1913 përpara Kombësisë letrare që u organizue në Shkodër në vitin 1916. Ket e difton edhe përdorimi i drejtëshkrimit të Kongresit të Manastirit. Kjo komedi e Fishtes asht ma pak e njohun se veprat e tjera, kjo për arsye se nuk u botue asnjiherë.


Cila është historia e zbulimit të këtij dorëshkrimi dhe në ç'gjendje është ruajtur?
Biblioteka françeskane At Gjergj Fishta e rithemelueme në vitin 2003 asht e profilizueme në Albanologji, kjo falë tre françeskanve që jetuen në mergim: At Jak Marlekaj, At Daniel Gjeçaj e At Paulin Margjokaj. Kjo bibliotekë e ka pasë si traditë paisjen me visare kombtare, dorëshkrime, libra të vjeter, etj. Në vazhdimin e kësaj tradite po pasunohet çdo ditë e ma shumë me libra e me dorëshkrime, ku vëhen në dispozicion të studiuesve për këshillime, hulumtime e studime.
Dorëshkrimi i At Gjergj Fishtës "Dredhitë e Patukut" asht dhurue nga nji zotni shkodran, z. Luigj Baba. Kur e solli në bibliotekë ket dorëshkrim të shkrume nga dora e poetit kombëtar ndieva nji emocion të papërshkruem dhe të papërsëritshëm. Ky dorëshkrim kishte kalue shumë përipeci.
Ishte ruejt me kujdes për ma shumë se pesëdhetë vjet nen dysheme parket druni në shtëpinë e Z. Luigj. Ky zotní fisnik prej Shkodre pati mirësinë me ja kthye "Bibliotekes Françeskane Át Gjergj Fishta në Shkodër". Tue kênë se dorëshkrimi âsht ruejt nen parket shtëpie ka psue edhe disa deformime fatmirësisht jo të shumta, e kemi hasë në veshtirësi në transkriptimin e tekstit. Kemi fatin që në bibliotekën At Gjergj Fishta në Shkodër të kemi tashma dy dorëshkrime të Poetit: "Dredhit e Patukut" dhe "Juda Makabe".


Kjo veprër, nuk ëhstë botuar kurrë më parë. Si mudn ta shpejgojmë këtë fakt?
E vërtetë, kjo komedi nuk asht botue asnji herë. Arsyet se pse nuk asht botue ky dorëshkrim nuk dihen. Ndoshta Poeti nuk e botoi për arsye se ne ato vite pati botue shumë krijimtari të tija, si p.sh. pjesë nga Lahuta e Malsisë që ishte edhe fillimi i lavdishëm i karrieres së tij, Pika Voese (Mrizi i zanave) Anxat e Parnazit, Shqyptari i qytetnuem, Shën Françesku i Asizit, etj. Po në vitin 1913 Fishta u muer me botimin e Hyllit i Dritës. Arsyeja tjeter ndoshta ishte edhe se Dredhitë e Patukut ishte nji përshtatje në gjuhën shqipe, dhe ai ndoshta mendonte ma parë të botonte krijimtarinë e tij, origjinale që kishte dalë prej pendes së tij. Në shkrimet e Poetit mbas vdekjes së tij asht gjetë nji projekt i bam prej tij për botimin e plotë të korpusit të tij dhe në ket projekt banin pjesë në krjimtarinë dramatike për botim Dredhitë e Patukut e i Ligu për mend.


Mund të zbulojmë diçka nga brendija e kësaj vepre? Për çfarë bën fjalë?
Jo vetëm në komedinë "Dredhit e Patukut" por edhe te "I ligu për Mend" arti fishtjan paraqet jeten familjare dhe shoqnore të Shkodrës dhe Shqipnisë të asaj kohe. Poeti ynë në krijimtarinë e tij satirike dijti me mbërthye në nji harmoni të jashtëzakonshme, herë ambëlsisht e herë vrullshëm karakteret dhe veset e ulta që rrjedhin prej zemres së njeriut. I rradhiti aq bukur me nji mendësi të perkryeme shumë aspekte që dalin prej zemres së njeriut, si p.sh. ambicja, krenarija, demelija, koprracija, abuzimi me vendet e punës, përfitime të padrejta, etj. I vuni këto të meta në dukje më nji ironi therse e flakërues nëpërmjet personazheve si Patuku, Lini, Sylejman efendija, Tartufetti, Nushi, etj. Fishta në satirën e vet i frymzuem nga dashnia për Shqipninë na paraqitet shumë herë i pamëshirshem me shfrim, zemrim e me nji gaz ironik, ven në dukje padrejtësitë e punët e pahijshme që e rrethojshin në dam të saj. Nuk ka mëshirë ndaj atyne që janë plot vese dyfytyrsish, që jetojnë me djersen e me mundin të tjerve. Personazhet e tij marrin forma dhe shprehi të ndryshme, simbas situatave dhe rasave në përballimin e problemeve ose daljen prej tyne vetem e vetem për me pështue për sy e faqe. Kjo mënyrë veprimi i ban me perdorë të gjitha mënyrat, dredhinat e mashtrime gjithfarësh. Në jetën shoqnore të njerzimit janë të pranishme këto fytyrëzime personazhesh, ku gjithçka e gjykojnë simbas barkut të tyne. Poeti âsht i vetdijshëm për ketê, e mundohet me hovin e shkelqyeshem krijues që asht vetëm i tij për me e vu njeriun në dijeni të sa e sa problemeve që e paralizojnë në të gjitha drejtimet e jetës, për me e ndriçue në rrugëtimin e tij. Ky âsht edhe qellimi i satirikës së Fishtës, me pa vesin e me e shrranjosë prej shpirtit të njeriut.


Dimë se kjo vepër ka njohur edhe disa vënie në skenë diku në vitet "˜30. Si është pritur prej publikut?
At Gjergj Fishta e kishte pasion të madh dramaturgjinë dhe skenen. Tue fillue aty ka vjeti 1907 ai vuni disa melodramma në skenen e teatrit që fretnin kishin ndertue te Kuvendi i Gjuhadolit Shkoder. Në vitin 1913 asht vu në skenë dhe interpetue nga aktor të shoqnive teatrale shkodrane komedia Dredhitë e Patukut. Çdo veper e shkrueme prej Potetit Kombtar pritej me nji entuziazem të madh. Krijimtaria Në paraqitjen në skenë të dramave, melodramave apo të komedive merrte pjesë një numer i madh artdashes. Françeskanët në ato vite kishin themelue disa shoqni letrare, teatrale muzikore. Çdo veprimtari në këto fusha pritej me entuziazëm të madh prej publikut shkodran.


Ekziston edhe një letër e Fishtes, ku ai shkruan se gjatë një udhëtimi në anije po lexonte Molierin. Kujt ia drejton këtë letër, dhe a lidhet koha e shkrimit të saj me përshtatjet që ai i bëri veprës së Molierit, ("I semuri per mend" dhe "Ndodhite e Patukut")?
Në korrespondencën e Fishtës, nji vend të ndritun ka edhe korrespondenca më bashkëvëllaznit e tij, si ajo me P. Pal Dodaj, At Justin Rrota, At Shtjefen Gjeçovi, etj. Në faqet e kësaj korrespondence dallojmë dhe na paraqiten fakte, të dhana mbi shkrimin, vumjen në skenë si dhe pritje nga publiku i dramave të Fishtës. Në vapor për në Amerikë At Fishta i shkruen nji leter At Justin Rrotës e i thotë se po lexonte Molierin dhe se nga krijimtaria moleriane mendonte me përshtat prap në gjuhën shqipe. Fishta gjithmonë pati për zemër njohjen dhe studimin e letersisë botnore, shkrimtarve, poetve, dramatugëve ma në za të saj.


Çfarë pikasi Fishta në këto dy vepra të Molierit dhe pse vendosi me ia përshtat publikut shqiptar?
Krejt krijimtarija satirike e Fishtës ka si objekt edukimin nëpërmjet artit teatral. Zhanri komedio-letrar tue vu në gaz veset, ligshtitë, karakteret e dobëta e marritë e njerzve, ka per qellim të qortojë doket e zakonet e shoqnisë nëpërmjet episodeve që ndodhin në jetën familjare, etj. Fishta ka dijtë me e perdorë mirë ket pjesë të dramaturgjisë që âsht komedia per me permisue zakonet, doket e nderin e jetës familjare shqiptare. Nga ana tjeter Poeti âsht i vetëdijshem se njeriu âsht i kufizuem prej rrethanave të ndryshme, por nuk âsht i penguem plotsisht, ka mundesi me deshirë e me vullnet të mirë t'ia mbërrij e të baj nji jetë të dejë e të virtytshme, me ndërgjegje të pastër ndaj vetvetes e ndaj të tjerve. Në komeditë "I ligu për mend" e "Dredhít e Patukut" personazhet na paraqesin aspekte të njeriut në rasa të caktueme të jetës së tij.
Këto dy komedí të shkrueme me nji stil të bukur e me nji gjuhë të rrjedhshme, karakteristike e Fishtës, janë të ambientueme në Shkodrën e viteve dhetë e njizetë të shekullit të kalueme. Arsyet se pse vendosi Poeti që këto dy komedí me ja përshtatë publikut shqiptar janë të thjeshta. Në të gjitha kohët krijimtaria letrare âsht fryt që rrjedh mbas nevojave të shoqnisë që jetojnë në ato rasa. Shkrimtarët e zot dijn me e pa me atë synorin tyne ket moment e shëndrrojnë në vepra të pavdekshme. Pader Gjergj Fishta âsht i vetdijshem për ket moment që po kalonte shoqnia shqiptare, që sapo ishte lirue nga ngujimi pesëshekullor anadollak. Jo vetem keto dy komedí, por krejt krijimtaria satirike e Fishtes âsht e lidhun ngushtë me epoka të ndryshme që po kalonte populli shqiptar. Mund të marrim si shembull kryeveprën satirike Gomarin e Babatasit që mbasi doli prëj shtypshkrojes brenda katër ditëve u mbarue, u shiten ma se 1000 kopje. Kjo ndodhi për faktin se çashtjet e trajtuem aq bukur e me shije në atë satirë ishin aktuale brenda drejtuesve dhe zyrtarve të shtetit.


Pse ishin kaq popullore veprat satirike të Fishtës?
Fishta si Françeskan ka jetue në thjeshtësi të plotë, nuk e kishte problem me ndejë dhe me folë me njerëz të thjeshtë e të pashkollë. Tue qendrue me njerëz të niveleve të ndryshme ka nxjerr brum për krijimtarin e tij. Shumë shprehje dhe thanje popullore i ka marrë prej këtyne bashkëbisedimeve, tue i dhanë nji formë dhe shije të bukur estetike urtisë së popullit të thjeshtë të maleve ose të qyteteve. Edhe komedia "Dredhit e Patukut" asht fryt i dialogut të Fishtës me kuadrin e plotë të jetës familjare dhe qytetare shkodrane. At Fishta shumë herë tue luejt domino qendronte me leter në dorë dhe shkruen të gjitha shprehjet që dëgjonte, kjoshin ato të mira, tallje, përulje, etj. Nganjiherë nxiste edhe zemrime të të tjerët për me nxjerr shprehje për qellimin e tij. Në Lahutën e Malsisë përmendet njifarë Man Sela sikur kishte marrë pjesë në luftën kundër malazezëve, por në të vertëte ai ishte nji kasap prej shkodre dhe i pashkollë, Fishta herë shkonte te ai e herë ai vinte te Poeti e i fliste për politikë e gjana të pavend.

 
Sa i qëndron kohës kjo vepër? A mudn ta përfytyrojmë sot në një skenë teatri?
Fishta ishte dijetar i kohës dhe krijmtaria e tij profetike shtrihet në kohë dhe në hapsirë deri te ne dhe vazhdon në rrugëtimin e saj. Shumë vese, jetë të pandershme, mashtrime, etj. të vena në dukej prej Poetit atë kohë janë edhe sot e gjithë ditën të pranishme në në jetën shoqnore, politike, etj.
Çfarë perfaqëson kjo vepër në krijimtarinë e Fishtës? Ajo na shpërfaq, një anë tjetër të tij, atë si shqipërues, apo jo?
"Dredhit e Patukut" nuk asht nji perkthim mirëfilli por nji pershtatje në gjuhëm shqipe. Motivin e mori nga dramaturgu i madh francez dhe vendosi në të elemente, ngjarje dhe copëza nga jeta e përditëshme shqiptare. Unë mendoj se me ket komedi Poeti Françeskan e kombtar i ka dhurue panteonit të kryeveprave të tij të pavdekshme nji shtatore të artë edhe pse jo në nivelin e të tjera veprave.
Por Fishta asht marrë edhe me përkthime. Ka përkthye pjesë nga krijimtaria e Homerit, Petrarkes, etj.

(http://www.balkanweb.com)

 

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
25 krimet më të tmerrëshme të Shekullit XX (09.28.2009)
Testamenti i Napoleoni Bonapartit/Trupi i Napoleonit dëshmon vrasjen e tij (09.25.2009)
Pse u lejua të falimentojë Lehman Brothers (09.23.2009)
Kriteret për të qenë një mason, duhet të jesh patjetër mashkullIntervistë e gazetës "Time" nga M.J. Stephey (09.22.2009)
Islami dhe sfidat e globalizmitNga Dr Halef Muhammed el-Xherrad (09.20.2009)
Një rrëfim për islamin/E ardhmja nuk është një sfidë e pamundurNga Ali A. ALLAWI (09.20.2009)
Projekti "E kaluara e hapur": Ja si e spiunonte Praga komuniste Milan Kunderën (09.18.2009)
10 qytetërimet - Të lashtët ishin më të avancuarNga David Hatcher Childress (09.18.2009)
Pitagora: Numri është ligji i botës (09.17.2009)
Bashkim Shehu: Komunistët kriminelë nuk pendohen (09.14.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lart]